Stepanie Sieg , Presidente e DIHA-s , ( Deutsche Industrie und Handelsvereinigung in Albanien- Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri)
Presidentja e DIHA-s në Shqipëri, Stephanie Sieg, thotë për DW, se krahas krizës politike ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë tek investitorët e huaj lidhur me angazhimin ekonomik në Shqipëri.
Krizës politike në Shqipëri nuk po i duket fundi. Deri tani nuk ka asnjë shenjë që palët mund të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje. Opozita ka paralajmëruar të zhvillojë më 2 qershor protestën e 7-të kombëtare antiqeveritare Ndërsa qeveria nën kryeministrin Edia Rama dhe partia e tij PS hapin më 1 qershor fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat opozita jashtë parlamentare, e kryesuar nga Partia Demokratike, (PD) do t’i bojkotojë.
Mungesa e dialogut dhe kompromisit brenda sistemit politik demokratik po dëmton ekonominë e vendit dhe po i bën investitorët e huaj të distancohen nga idetë e tyre për të investuar në Shqipëri, në një kohë kur investimet e huaja mbeten karburanti kryesor për të zhvilluar ekonominë e vendit.
Stepanie Sieg , Presidente e DIHA-s , ( Deutsche Industrie und Handelsvereinigung in Albanien- Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri) thotë për DW se situatat politike kanë përherë ndikim ndaj investimeve të huaja, por edhe atyre vendase.
“Ne, si DIHA, mund të shohim mes anëtarëve të shoqatës shqetësimin e tyre për vazhdimin e situatave të tilla, që i mban ata larg nga përqendrimi në ҫështje të domosdoshme si emigrimi i punonjësve me kualifikim të lartë, përmirësimi i arsimit dhe politikave për të tërhequr investime të huaja. Pavarësisht situatës politike, atraksioni i Shqipërisë duhet të jetë më i dukshëm, më i pranishëm dhe të ketë më shumë publicitet në tregun global, thotë për DW, Presidentja e DIHA, Stephanie Sieg.
Turizmi i viktima kryesore e krizës politike
Por treguesit e ndikimit negativ tanimë janë shfaqur. Për investitorët vendas ato janë më të dukshme në sektorin e turizmit. Sipas statistikave zyrtare vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 6,5 milion turistë të huaj, shifër rekord, që këtë vit nuk ka gjasa të arrihet.
Luan Bregasi, President i Shoqatës “Biznes Albania”, thotë, se imazhi i vendit tek turistët e huaj nga mediat ndërkombëtare po zvogëlon dukshëm fluksin e ardhjes së tyre në Shqipëri këtë verë dhe po ul numrin e prenotimeve për vitin e ardhshëm.
” Çdo ditë anulohen prenotime hotelesh dhe nënshkrime kontratash. Shqipërisë i është dashur një punë e madhe për të marketuar atraksionet turistike, monumentet kulturore dhe historike të vendit , që të tërheqë interesin e turistëve të huaj. Kriza politike, pamjet nga Shqipëria me tym dhe flakë po ngjallin frikë jashtë vendit. Po mungojnë prenotimet për vitin e ardhshëm, që bëhen sivjet. Mendoj se do të duhet një 10 vjeҫar për ta rikthyer Shqipërinë si destinacion turistik në nivelin e vitit të kaluar” thotë për DW , Luan Bregasi.
Nuk është vetëm kriza aktuale politike
Por nuk mungojnë faktorë të tjetë me rëndësi që kanë rol në investimete huaja. Presidentja e DIHA-s, Stefanie Sieg, thotë se investitorët që janë tani të pranishëm në Shqipëri i njohin situatat dhe problemet në kohë zgjedhjesh. Ndryshon puna me ato që duan të vijnë.„Kompanitë që janë të interesuara të investojnënë Shqipëri, natyrisht që dëgjojnë ҫfarë thonë mediat dhe e vlerësojnë vetë riskun potencial për biznesin e tyre dhe investuar në një vend tjetër. Faktorët nuk janë vetëm momentet politike por edhe të tjerë, gjithë paketa, gjithë kuadri si p.sh. reforma në drejtësi, siguria, taksat, forca e punës etj. që janë të rëndësishme për kompanitë që të investojnë në një vend tjetër”.
Për Presidentin e “Business Albania”, Luan Bregasi. kriza politike ka një ndikim të madh negativ tek investitorët që kanë ide të investojnë në Shqipëri.
” Investitorët pyesin dhe duan të dinë se ҫfatë po ndodh në Shqipëri, a po i vjen fundi krizës politike. Ata ndruhen të investojnë për shkak të ndikimit të madh negativ që ka kriza politike. Shumë sipërmarrës vendas, që punojnë me kompani të huaja, deklarojnë se investitorët e huaj presin normalizimin e situatës politike që t’u rikthehen ideve të tyre për të investuar në Shqipëri”, thotë për DW, Luan Bregasi.
A janë miqësore me biznesin politikat fiskale dhe ҫmimet?
Ndikimi negativ i krizës politike ka nxjerë në pah ato që komuniteti vendas i biznesit i quan” mangësi të politikave stimuluese të qeverisë” . Është fjala për taksat, tatimet ҫmimet e lëndëve të para për prodhimin vendas. “Shqipëria është vendi me ҫmimin më të lartë në rajon të lëndëvë të para si uji dhe energjia elektrike. Rajoni i ka dyfish më të ulta ҫmimet e këtyre lëndëve në krahasim me Shqipërinë. Kjo diferencë bën që ekonomia shqiptare të mos jetë konkurruese jo vetëm me produktet që vijnë nga Bashkimi Europian por edhe me produktet që vijnë nga rajoni”, thotë për DW Luan Bregasi.
Sipas Z.Bregasi, politika të tilla kanë ulur besimin e sipërmarrjes private vendase për të investuar, për të hapur vende të reja pune dhe mundësuar që njerëzit ta kenë perspektivën e jetës në vendin e tyre. Kjo ndodh në një kohë kur sektori privat në Shqipëri jep rreth 89 % të Prodhimit të Brendshënm Brutto,(GDP) dhe mban rreth 85%, rreth 600 mijë vetë, të të gjithë të punësuarve në Shqipëri. Kurse sektori publik punëson vetëm 100 mijë. Këtu nuk përfshihen të punësuarit në tregun informal të punës.
Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg, thotë se biznesi i huaj, që operon në Shqipëri, mendon ndryshe. “Ne, si gjermanë, mendojmë që ҫmimet e lëndëve të para si energjia dhe uji janë të arsyeshme. Natyrisht përmirësimi, sidomos i tregut të energjisë me energji diellore, të erës dhe ujit do të kenë ndikim pozitiv mbi ҫmimet. Vetë investitorët e huaj po investojnë në infrastrukturë. Ne besojmë që duke hyrë në BE, Shqipëria do të marrë një nxitje drejt drejtimit të duhur dhe do të shohim më shumë investime të huaja në Shqipëri” thekson për DW, Stephanie Sieg.
Biznesi vendas që ndjen më shumë se investitorët e huaj në Shqipëri,ndikimin e krizës politike, i ka brë thirje qeverisë dhe opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të nxjerrin vendin nga kriza.