Në një konferencë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se situata e shkaktuar nga Covid-19 është kritike, por mbetet ende nën kontroll.
“Qytetarët kanë një rol thelbësor në këtë pandemi, të dalim fitues së bashku. Situata është e kontrolluar. Rritja e qëndrueshme e rasteve karakterizon javën që mbyllim, por është një situatë kritike në raport me muajin e mëparshëm ku kemi dyfishim të rasteve. Nëse do të bënim një vlerësim sot, e dini që situata kërkon një analizë ditore. Por ato që e matin në mënyrë më analitike janë incidenca dyjavore si dhe rastet e humbjes së jetëve. Shqipëria qëndron në një incidencë dyjavore në 101 raste në krahasim me rajonin që është 1154 banorë. Mjekët dhe infermierët kanë bërë më të mirën e tyre, por nuk ia kanë dalë 612 qytetarë dhe nëse do të bënim një vlerësim të fataliteteve për 1 mln banorë, vendi ynë qëndron në 26 humbje jete, ndërsa në rajon është 31.5. Vihet re një rritje e numrit të vatrave të infektimit, ato aktive ku 76 % rezultojnë të jenë vatra familjare. Dua të vendos theksin në rëndësinë e rolit që ka çdo qytetar në këtë moment”.
Më tej Manastirliu shtoi:
“Strategjia jonë e testimit është hartuar nga komiteti i ekspertëve, duke u këshilluar me OBSH-në, me struktura të tjera ndërkombëtare që vlerësojnë situatat epidemike, duke u mbështetur në kapacitetet tona testuese, Komiteti i Ekspertëve ka ndërtuar një strategji që ka rezultuar efektive. Ajo çfarë deri më tani është bërë është më e mira që ne mund të bënim”, u shpreh ajo.
Top Channel