Ish-aleati i së djathtës në zgjedhjet e vitit 2017, Kreshnik Spahiu, në një intervistë për Shqiptarja.com thotë se Partia Demokratike nuk mund të bëjë ‘prokurorin’ për shit-blerjen e votave, pasi duhet të merret vetë e pandehur. Ish-kreu i Aleancës Kuqezi, thotë se në vitin 2017, PD-ja financoi sondazhe, të cilat nxirrnin se PD vetëm 29-30 % e votave shkonin për opozitën.
Demokratët e dinin shumë mire rezultatin skandaloz që i priste – shprehet Spahiu.
Për Spahiun, Lulzim Basha është “Basha është investimi më madhor i Berishës që pas vdekjes të ketë një njeri të besuar për familjen. Ai është i zhgënjyer me veten por s’ka menduar për skenar B pasi e ka katandisur partinë në nivelin e Gaz Bardhit apo Klevis Balliut qëllimisht që çdo kush të thotë: “s’ka alternativë më të mirë se Luli”.
Për djegien e mandateve ai thotë se ishte një vendim i ish-kryeministrit Berisha, dhe jo i kryetarit të PD-së Basha.
“Është vetëm Berisha. Ai e mori vendimin ndonëse gjithē partia e tij por dhe aleatët ishin kundra. Madje dhe Basha ishte kundër. Nuk ka këllqe Basha të tërheq zvarrë jashtë parlamentit Berishën por e kundërta, Berisha i vuri në rresht me gjithë Monikën. Është naivitet të mendosh nëse Basha mund t’i jepte urdhër Berishës apo Monikës. Kjo është lëvizje e kalkuluar e Berishës për t’ju thënë ndërkombëtarëve që nëse nuk i japin amnisti nga drejtësia dhe nëse nuk i japin pushtetin me marrëveshje ai ka njerëz për ta kallur Shqipërinë. Lëvizjet e Berishës janë të lexueshme. Ai çdo 2 ose 4 vjet përdor të njëjtën skemë që të kap ndonjë pazar në fund me presion. Ndryshon vetëm skenari, diku me çadër dhe diku me tymuese”.
Ish-kreu i AK-së thotë se kriza politike do të shuhet dhe se në fund kurbani do të jetë LSI-ja.
“Mendoj që në fund Berisha dhe Rama do rikthehen te pazari 2008 dhe 2017 që shpesh i reciton poeti Arben Duka. Por këtë radhë të dyja do nxjerrin nga politika LSI-në por do bindin Metën që të kënaqet me kolltukun imunitar të Presidentit. Ngërçi do jetë më i gjatë se 90 ditët e çadrës. Kam një dyshim që do zgjas 90 muaj. Çadra ka zënë brenda Sali Berishën i cili po harxhon plumbat e fundit sepse është 76 vjeç. I ka bërë llogarit mirë. Ky është treni i fundit për atë sepse nëse e humb, i bie që treni i radhës të kalojë kur të jetë 82 vjeç”.
Intervista
- Spahiu si e komentoni qëndrimin e opozitës PD-LSI për tu larguar nga Kuvendi?
Kreshnik Spahiu: Largimi nga Kuvendi i PD nuk ishte surprizë. Përkundrazi nëse do i riktheheni statuseve në Facebook të Sali Berishës, do e gjeni thirrjen e tij në mbi 10 raste për djegie mandatesh!
Parimisht është një akt sublim i një grupimi politik. Problemi qëndron në dy çështje thelbësore pse djegia mandateve ngjall reaksion:
1- PD nuk ka moral dhe nuk motivon popullin sepse nuk është parti e re. Le të themi ky akt i shkon Vetvendosjes në Kosove sepse është parti që s’ka pasur kurrë pushtetin, ndërsa PD ka qeverisur 14 vite dhe nuk bind opinionin. Askush nuk e shikon Lul Bashën si Albin Kurti sepse Luli në 15 vjet ka pasur 12 postet më të rëndësishme të shtetit. Ndërsa Albini s’ka qenë kurrë në pushtet.
2- PD nuk bindi dot me kauzën që justifikoi djegien e mandateve. PD do ishte legjitime në fakt po të digjte mandatin 4 vjet më parë kur afro 20 deputetë të PS dhe LSI kishin rekorde kriminale.
Në atë periudhë duhet të griste mandatet dhe të legjitimonte që s’mund të ulej me kriminelë në parlament deri në pritje të dekriminalizimit.
A qëndron kauza e PD dhe LSI për të mos njohur këtë Parlament sepse votat janë blerë?
Kreshnik Spahiu: Kauza qëndron por jo me avokat PD, sepse ajo duhet jetë e pandehur dhe jo të bëjë prokurorin.
Opozita aktuale PD-PR-LSI kanë pasur 3 komisionerë pra shumicën përballë 1 komisioneri të PS.
Opozita kishte drejtimin e policisë, rendit dhe drejtësisë madje edhe menaxhimin e zgjedhjeve.
Nëse njerëzit e saj janë shitur minimumi duhet të shkojnë në burg dhe Basha të largohet si i paaftë. Nuk është faji popullit që njerëzit e PD korruptohen.
Ju jeni shprehur në një dalje për mediat së fundmi, se në 2017 sondazhet e vetë PD-së tregonin se kjo forcë politike kishte 29-30 % . Cila është e vërteta e atij sondazhi në prag të zgjedhjeve të 2017?
Kreshnik Spahiu: Poo gjatë, para çadrës dhe gjatë çadrës u financuan dy sondazhe dhe rezultati dilte skandaloz afro 29-30% për opozitën!
Këtë rezultat unë e deklarova LIVE te Arian Çani në Klan dhe pas një muaji u provua me rezultatin real të zgjedhjeve
Nëse PD i humbi thellë zgjedhjet në vitin 2017 atëherë pse sot nuk e njeh Kuvendin ? Cilat sipas jush ishin shkaqet e humbjes së PD-së?
Kreshnik Spahiu: Shkaqet janë krejt të tjera dhe justifikimi krejt tjetër.
Sipas shumë burimeve brenda PD të cilat çdo kush e din që unë i kam të shumta, kanë ekzistuar 5 shkaqe madhore që PD po vet-vritet jashtë sistemit.
U prish marrëveshja PD-PS e 17 Majit vetëm në njërën pikë. Berisha sulmoi familjen e Ramës për drejtimin e Abi Bank dhe Rama e sulmoi Berishën tek fëmijët për refuzimin e hyrjes në Amerikë.
Flet arresti për Gruevskin apo dënimi me burg i Mendu Thaçit futën në panik Berishën që projekti amerikan për drejtësinë do ndiqte një udhë me futje në burg të ish-kryeministrave si në Kroaci, Serbi, Rumani, Maqedoni dhe e fundit në Shqipëri.
Projekti botëror mbi të ardhmen e Shqiptarëve në Ballkan me apo pa ndryshim kufijsh po e nxirrnin Berishën jashtë loje sot dhe mot duke mos e bërë fare pjesë të tryezës. Kosova gjithmonë ka qenë për Berishën mollë e ndaluar dhe amerikanët kanë dashur ta mbajnë larg saj.
Protestat e studentëve e nxorën në pension partinë që u krijua nga vetë studentet duke zhvlerësuar PD-PS njësoj. PD po rrezikonte të zëvendësohej nga një opozitë e re që po linde nga rinia.
Afrimi i datës zgjedhjeve dhe humbja e sigurt e tyre në qytetet kryesore do e çonte investimin 15 vjeçar të Berishës në kosh plehrash. Ai nuk do e shpëtonte dot Lulzim Bashën nga dorëheqja në 30 qershor. Basha është investimi më madhor i Berishës që pas vdekjes të ketë një njeri të besuar për familjen. Ai është i zhgënjyer me veten por s’ka menduar për skenar B pasi e ka katandisur partinë në nivelin e Gaz Bardhit apo Klevis Balliut qëllimisht që çdo kush të thotë: “s’ka alternativë më të mirë se Luli”.
Pse PD vendosi të mos e njohë më Kuvendin tani , pra gati dy vite me vonesë?
Kreshnik Spahiu: Jooo nuk është PD. Është vetëm Berisha. Ai e mori vendimin ndonëse gjithē partia e tij por dhe aleatët ishin kundra. Madje dhe Basha ishte kundër.
Nuk ka këllqe Basha të tërheq zvarrë jashtë parlamentit Berishën por e kundërta, Berisha i vuri në rresht me gjithë Monikën.
Është naivitet të mendosh nëse Basha mund ti jepte urdhër Berishës apo Monikës.
Kjo është lëvizje e kalkuluar e Berishës për t’ju thënë ndërkombëtarëve që nëse nuk i japin amnisti nga drejtësia dhe nëse nuk i japin pushtetin me marrëveshje ai ka njerëz për ta kallur Shqipërinë.
Lëvizjet e Berishës janë të lexueshme. Ai çdo 2 ose 4 vjet përdor të njëjtën skemë që të kap ndonjë pazar në fund me presion. Ndryshon vetëm skenari, diku me çadër dhe diku me tymuese!
PD në fushatën e 2017 objekt kryesor të fushatës kishte të godiste LSI , ndërsa sot të dy partitë janë bashkë kundër Ramës ? A krijon kosto për PD kjo aleancë me LSI?
Kreshnik Spahiu: Jo jo aspak nuk krijon kosto. Në fund të kësaj që po ndodh kurbani do jetë LSI-ja.
Mendoj që në fund Berisha dhe Rama do rikthehen te pazari 2008 dhe 2017 që shpesh i reciton poeti Arben Duka.
Por këtë radhë të dyja do nxjerrin nga politika LSI-në por do bindin Metën që të kënaqet me kolltukun imunitar të Presidentit
Si e shikoni sot daljen nga ky ngërç dhe çfarë duhet të bëjë sipas jush PD ? Sot janë thyer marrëdhëniet e opozitës me ndërkombëtarët .A mund te beje dot opozita pa faktorin ndërkombëtar?
Kreshnik Spahiu: Ngërçi do jetë më i gjatë se 90 ditët e çadrës.
Kam një dyshim që do zgjas 90 muaj.
Çadra ka zënë brenda Sali Berishën i cili po harxhon plumbat e fundit sepse është 76 vjeç. I ka bërë llogarit mirë. Ky është treni i fundit për atë sepse nëse e humb, i bie që treni i radhës të kalojë kur të jetë 82 vjeç.
I duhet me çdo kusht ta sjell tani në pushtet sepse pas tij Lulin do e shqyejnë brenda llojit.
Ashtu siç e ka deklaruar vetë Berisha, me vota Edi Ramën nuk e mund dot se sipas tij Rama i vjedh.
Në këto kushte Berishës i mbeten dy mënyra:
a- Me luftë, por testi i parë i ka dal huq se nuk ka as pjesëmarrje popullore përtej militantëve. Askush nuk vritet që të vijë Monika apo Luli kryeministër.
Ndërkombëtarët nuk janë me opozitën si në Venezuelë, madje janë shumë agresivë ndaj saj
b- me marrëveshje me Ramën nëse ky i fundit nuk përballon presionin.
Unë nuk e di nëse Rama do ulet për një pazar të ri. Historia politike ka treguar që Rama ulet në marrëveshje dhe i nxjerr me buzë të kuqe më pas. Jam pak skeptik nëse do ulet këtë radhë sepse me sa shoh LSI po shkrihet dhe shpartallohet pa pas nevojë që Rama ti kërkojë marrëveshje Berishës!
Çfarë do të ndodhë në 30 qershor , a do të futet PD në zgjedhjet lokale?
Kreshnik Spahiu: Jo jo në asnjë mënyrë. PD nuk do hyjë në zgjedhjet lokale sepse vetë grisja e mandateve është mjeti për të arritur tek qëllimi i bojkotit të zgjedhjeve lokale.
Berisha do e fusë PD në zgjedhje vetëm nëse Rama zbythet dhe i jep me marrëveshje disa bashki që opozita të brohorasë si arritje dhe fitore.
Një pyetje të fundit , a do ti riktheheni një ditë politikës aktive në Tiranë?
Kreshnik Spahiu: Unë aktualisht punoj në profesionin e avokatit dhe kam një kontratë afatgjatë me një nga kompanitë më të njohura, dhe gara elektorale nuk është në axhendën apo sfidat e mia të afërta. Profesioni im si jurist më dyzon gjithmonë dhe lufton brenda meje me pasionin e thellë politik për një komb kuqezi të bashkuar dhe një Shqipëri tjetër pa Ramën dhe Berishën!
G.M (Gazeta shqiptarja.com)