Papunësia është një nga nga çështjet më të debatuara, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të botës.
Por krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka nivelin më të ulët të papunësisë dhe parashikohet që të jëtë në ulje për tre vitet e ardhshme, raporton Radio-Televizioni Shqiptar.
Sipas raportit të publikuar pak ditë më parë nga agjencia “Standard & Poor’s”, shkalla e papunësisë në Shqipëri për vitin 2015 është përllogaritur 14 për qind, për vitin 2016 13.9 për qind, për 2017-n 13.5 për qind dhe për vitin 2018 12.8 për qind.
Ndërkaq, për vitin e kaluar vendet me shkallën më të lartë të papunësisë janë Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina me nga 27.3 për qind.
Një nga mekanizmat që janë vënë në dispozicion të punëdhënësve dhe punëkërkuesve për të gjallëruar tregun e punës janë zyrat e punësimit, të cilat qytetarët duhet t’i konsultojnë shpesh në mbarë vendin, në mënyrë që të mundësojnë ndërlidhjen e kërkesë-ofertës.