Tahiri hedh poshtë akuzat për lidhje me Habilajt

TahiriNë Tiranë, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ftuar në emizionin “Opinion” të Blendi Fevziut, hodhi poshtë mbrëmë, akuzat e Prokurorisë për lidhje të tij me vëllezërit Habilaj, pjestarë të një grupi kriminal italo-shqiptar që merrej me trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria. Në kërkesën e saj drejtuar parlamentit, për autorizim për arrestimin e tij, Prokuroria është mbështetur thuajse tërësisht në dosjen e përgjimeve të realizuara në Itali, dhe bisedave të Moisi Habilajt, shqiptarit të arrestuar në Siçili, i cili përmendte në disa raste emrin e ish ministrit. Habilaj flet për shuma disa miliona euroshe që sipas tij Saimiri “kishte siguruar vetëm në një muaj” dhe se atij nuk i mjaftonin “as 20 milion euro për fushatat elektorale”. Në raste të tjera përmendet një shumë prej “30 mijë eurosh që duhet t’ja jap atij”, apo dhe për dhurata disa mijëra eurosh “për gruan dhe nënën e Sajmirit”.

Ish ministri i ka quajtur të pavërteta këto deklarime. “Dy trafikantë që i thonë njëri tjetrit, pavarësisht se isha kushëriri i dhjetë, se dy muaj pasi kisha marrë detyrën, fitoja 5 milion euro, është kaq banale sa nuk ka nevojë për koment”. Ai mohoi të ketë patur lidhje, t’i ketë takuar apo të ketë biseduar me Habilajt, duke deklaruar se Moisi Habilajn nuk e njihte.

I vetmi element i ri në kërkesën e Prokurorisë lidhet me autoveturën që zoti Tahiri i ka shitur në nëntor të vitit 2013 Artan Habilajt. Ish ministri ka deklaruar se përveç këtij moment ai nuk ka patur asnjë raport tjetër me Habilajt. Por sipas prokurorisë, në gusht të vitit 2014 ai rezulton se ka udhëtuar duke përdorur të njejtin automjet, e për më tepër nën shoqërinë e Artan Habilajt, vëllait të Moisi Habilajt, i vënë nën hetim nga Prokuroria shqiptare. Por zoti Tahiri, mohoi në mënyrë kategorike të ketë udhëtuar me Habilajt, duke deklaruar se në periudhën së cilës i referohet Prokuroria ka qenë me familjen e tij për pushime. Ndërsa i pyetur se përse rimori në përdorim makinën e tij të vjetër, zoti Tahiri u përgjigj se ja kishte kërkuar xhaxhait të tij i cili “ishte bërë sebep edhe për shitjen e saj Habilajve”.

Zoti Tahiri la të kuptohej se ai ishte në një farë mënyre “viktimë e punës në krye të Ministrisë së Brendshme, ku nuk preferova të bëjë aleanca me korridoret e politikës”. Ai tha se ishte i bindur në të vërtetën, edhe pse “ndodhem një hap larg burgut”, duke e quajtur të paprecedent lëvizjen e Prokurorisë e cila sipas tij “po kërkon arrestimin pa bërë hetime ndaj meje”.

Ish ministri duket se nuk ka në krah as partinë e tij. Përmes një statusi në Facebook, kryeministri Rama është shprehur se uron që “që Saimiri të provojë deri në fund që s’ka lidhje me këtë histori kriminelësh”, duike shtuar se këtë kërkon ta mësojë “nga drita e së vërtetës” që nuk e ka as ai vetë, as qeveria dhe as partia. “E ka vetëm drejtësia që duhet të na e ndriçojë këtë udhëkryq mes llafeve e provave. Deri në fund”, e mbyll postimin e tij kryeministri. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla u shpreh për gazetarët se “në bindjen tonë të thellë për këdo, e theksoj për këdo, për çdo rast ne do ta bëjmë procedurën njëlloj; edhe në rastin në fjalë, por edhe në raste të tjera që do të vijnë në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim që beteja jonë për drejtësinë të mos ketë asnjë pengesë”.

Zoti Tahiri tha mbrëmë se nuk pret mbrojtje nga askush. “Unë nuk i kam kërkuar askujt të më mështesë dhe nuk do t’I shtrij dorën askujt”, deklaroi ish ministri, ndërsa shtoi se “prokuroria nuk ka çuar asnjë provë. Unë i bie të arrestohem pse dy kriminelë flasin e përmendin emrin tim”. Nesër në orën 11.00 do të mblidhet Këshilli i Mandateve. “Pres që prokuroria të sjellë prova”, u shpreh zoti Tahiri. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>