Tahiri: Hetimet në Itali nuk gjetën asgjë të paligjshme

Saimir TairiNë Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tha sot se hetimet e kryera në Itali për lidhjet e tij me grupin e vëllezërve Habilaj të përfshirë në trafikun e marijuanës janë pushuar pasi siç tha ai, nuk është gjetur asnjë provë e përfshirjes së tij

Zoti Tahiri tha se kishte në dorë vendimin e një gjykate italiane për pushimin e hetimeve pas nuk ka rezultuar asnjë lidhje me aktivitete të paligjshme. Ai deklaroi se megjithatë do të presë me qetësi përfundimin e hetimeve në Shqipëri ku akuzohet për “trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal”, si edhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Zoti Tahiri foli megjithatë me tone të ashpra ndaj prokurorisë e cila siç deklaroi “ka një vit që po heton dhe nuk më ka marrë asnjë herë të vetme në pyetje”. Sipas tij, si asnjëherë më parë, prokuroria ka angazhar një grup me 7 prokurorë. Nëse nuk mjaftojnë të bëhen dhe 70. Vetëm mbaroni hetimet dhe tregoni të vërtetën”, tha ish ministri. Dy javë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi shtyrjen me tre muaj të tjerë të afatit të hetimeve, për të patur më shumë kohë për kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore duke shpjeguar se është në pritje të një përgjigjeje nga Italia, se po bën verifikime për disa të dhëna të dërguara nga Mali i zi si dhe verifikime pasurore.

Hetimet ndaj ish ministrit të Brendshëm, nisën tetorin e vitit të shkuar, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet u hapën menjëherë pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me shpejtësi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë.

Në fillim të muajit maj, zoti Tahiri dha dorëheqjen si deputet. Menjëherë pas kësaj ndaj tij u mor masa e arrestit të shtëpisë, e cila më pas u hoq me vendim të Gjykatës së Apelit.

Ndaj deklaratës së sotme të ish ministrit reagoi dhe Partia Demokratike sipas së cilës, dokumentat e paraqitura prej tij nuk kanë asnjë vlerë, pasi ai “është hetuar nga autoritetet italiane vetëm për veprimtari kriminale në territorin italian”, tha eksperti demokrat Gazmend Bardhi, duke shtuar se “si ministër i Brendshëm, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilajve në Shqipëri. Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj”, u shpreh zoti Bardhi. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>