Shqipëria është një ekonomi e varfër. Në vitin 2013, prodhimi i brendshëm ishte, sipas INSTAT, vetëm 466 mijë lekë për banor. Por kjo është mesatarja kombëtare.
Nëse shifra zbërthehet sipas rajoneve, ajo tregon se përveçse e varfër, Shqipëria është edhe e pabarabartë. Sipas INSTAT, një familje e cila jeton në Dibër apo Lezhë i ka të ardhurat për frymë mbi dy herë më të ulëta sesa një tjetër që jeton në Tiranë.
Më konkretisht, nëse në Tiranë prodhimi i brendshëm për frymë është 643 mijë lekë, në Lezhë shifra është vetëm 303 mijë lekë. Por Lezha nuk është rajoni i vetëm me të ardhura të ulëta.
Në fakt, pjesa më e madhe e 12 rajoneve të vendit e kanë prodhimin për frymë në këto nivele, por mesatarja ndikohet nga Tirana, e cila e vetme përbën mbi 38 për qind të aktivitetit ekonomik.
Si një vend i vogël, Shqipëria është e pabarabartë. E madje, po bëhet edhe më shumë i tillë, pasi të dhënat e fundit tregojnë një tjetër fenomen shqetësues: kriza ka goditur më fortë, pikërisht rajonet më të varfëra.
Nëse në vitin 2013, në rang kombëtar prodhimi u rrit me 1.11 për qind në terma realë, Shqipëria e veriut, që është dhe pjesa më e varfër e vendit, ka qenë zyrtarisht në stanjacion, duke u rritur me vetëm 0.1 për qind.
Prej disa ditësh Shqipëria qeveriset sipas një ndarjeje të re administrative. Qeveria shpreson që reforma territoriale t’i japë një hov të ri zhvillimit ekonomik të vendit, duke e bërë atë më të vrullshëm por edhe më gjithëpërfshirës mes rajoneve.
Por kjo mund të mos jetë dhe aq e lehtë. Veçanërisht përballë kufizimeve buxhetore në arsim, infrastrukturë dhe shëndetësi, të cilat reduktojnë aftësitë e qarqeve të varfëra që të konvergojnë me ato më të pasurat.
/ Top Channel