Tension në parlament, vezë kryeministrit

Opozita kërkoi miratimin urgjent të akteve që lidhen me ligjin për dekriminalizimin, dhe një ndryshim në këtë ligj, pas rikthimit të deputetit Armando Prenga. Paloka: Pa këto kushte nuk do të ketë parlament

tension parlamentTension në sallën e parlamentit shqiptar në nisje të seancës së sotme. Opozita ka bllokuar zhvillimin e punimeve, ndërsa disa prej deputetëve të saj tyre kanë qëlluar me vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. E djathta kërkoi me ngulm realizimin e disa kërkesave të saj. E para lidhet me një ndryshim në ligjin për dekriminalizimin, sipas të cilit “të zgjedhurit dhe funksionarët e arrestuar në kushte flagrance plagosje apo vrasje me dashje, pezullohen nga pjesmarrja në parlament deri në një vendim përfundimtar të gjykatës”. Kjo kërkesë erdhi ndërsa deputeti Armando Prenga, i përfshirë vjeshtën e kaluar në një konflikt të armatosur, u rikthye këtë javë të merrte pjesë në komisionet parlamentare pasi gjykata vendosi për të masën “detyrim për paraqitje”.

Prenga fillimisht u arrestua, dhe pas disa muajsh, u la në arrest shtëpiak. Ai u përjashtua menjëherë nga radhët e grupit parlamentar socialist. Prania e tij në parlament provokoi një reagim të fortë të opozitës. E djathta propozoi gjithashtu votimin me shpejtësi të akteve të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit për dekriminalizimin.“Kushtet që shpalosim sot, nuk janë një tekë. Janë rruga drejt normalitetit. Janë kthimi i normalitetit në vend. Eshtë marrëveshja politike e 24 dhjetorit të vitit 2014 që votuam me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian. Të ndalim dhunimin e kësaj marrëveshje, dhe kjo kërkon: Miratimin e amendamentit në ligjin e dekriminalizimit që largon nga ky Kuvend deri në gjykimin final Armando Prengën; miratimin e vendimit që fut në zbatim ligjin për dekriminalizimin; dërgimin nga ky Kuvend në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën, Valentina Leskajn dhe Rakip Sulin, të cilët në dhunim të Kushtetutës kanë konsumuar paratë e publikut shqiptar, dhe pasurinë publike ndërkohë që janë vetë deputetë; Heqjen e pengesës të komisioneve hetimore parlamentare ndalimin e zhvlerësimit të tyre, duke hequr instrumentin e kuorumit që e ke përdorur deri më sot vetëm për bllokim. Pa këto, pa realizimin e këtyre kushteve ky institucion dhe kjo foltore nuk do të funksionojnë”, deklaroi kryetari i grupit demokrat Edi Paloka.

Këtë qëndrim opozita e kishte paralajmëruar dhe më parë. Sot për shkak të frikës së zhvillimit të ngjarjeve të ngjashme me ato në parlamentin e Kosovës, deputetët ju nënshtruan kontrolleve të rrepta. Tre prej tyre, përfaqësues të opozitës, u gjetën me vezë nëpër canta. Në sallën e parlamentit, deputetët e opozitës më pas, rrethuan foltoren, duke mbajtur në duar parulla me mbishkrimin “Jashtë kriminelët”. Pas një ndërprerje të seancës, shumica kaloi me shpejtësi votimin për dekretet e presidentit për ndryshimet në qeveri, duke mbyllur brenda një kohe shumë të shkurtër punimet e parlamentit. Deputetët e opozitës kanë qëndruar të grumbulluar para foltores mëgjithëse seanca u deklarua e mbyllur. Dhe ky ka qenë momenti kur në drejtim të kryeministrit është qëlluar disa herë me vezë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>