Në Shqipëri, seanca e sotme e parlamentit nisi me tensione të cilat u acaruan duke çuar në përjashtimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Shkak u bënë diskutimet për reformën zgjedhore. Parlamenti do të duhej të vendoste sot për ngritjen e një Komisioni të posaçëm për këtë çështje. Por Partia Demokratike tha se kishte kërkuar që për këtë temë të zhvillohej edhe debat në sallë. Kryetari i grupit socialist Taulant Balla u shpreh kundër. “Ne kemi rënë dakort me konsensus për ngritjen e Komisionit të posaçëm. Diskutimet tani duhet të bëhen në këtë komision”, deklaroi Balla.
Nga ana e tij kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, u shpreh në favor të debatit për reformën zgjedhore, por kërkoi kohë. “Ne nuk jemi të përgatitur për diskutime”, u shpreh ai duke propozuar shtyrjen e debatit për javën e ardhshme. Propozimi i tij u hodh në votë duke marrë dhe mbështetjen e socialistëve.
Vendimi solli reagimin e ashpër të kryetarit demokrat Basha, i cili i kërkoi drejtuesit të parlamentit Gramoz Ruçi të mblidhte Konferencën e kryetarëve. “Kjo lojë, nuk mund të vazhdojë gjatë, ndaj mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mos ngri kartonat bosh këtu. Ose përndryshe, bëhu përgjegjës për bllokimin total të punimeve të këtij parlamenti. Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani! Vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Për një afat të arsyeshëm debati ne kemi propozuar orën 16:00, nëse ju duhet më shumë kohë të përgatiteni, merrni orën 18:00”, u shpreh zoti Basha duke refuzuar më pas të largohet nga foltorja e parlamentit. I rrethuar edhe nga deputetët e tjerë të PD-ës, zoti Basha nuk lëvizi edhe pas ndërprerjes së seancës, ndërsa zoti Ruçi deklaroi se ishte i detyruar që të vendoste për përjashtimin e tij nga seanca. Edhe pas këtij vendimi, zoti Basha nuk ka lëvizur nga vendi, duke bërë që seanca të bllokohet, dhe kryetari i parlamentit të vendosë për pezullimin e saj deri në orën 13.00.
Por edhe pas rifillimit të seancës në këtë orë, sërish zoti Basha nuk ishte larguar nga salla dhe deputetët demokratë qëndronin rreth tij pranë foltores. Për këtë arsye zoti Ruçi shtyu sërish hapjen e seancës për pasdite në orën 18.00, ndërsa deputetët demokratë refuzojnë të dalin nga salla. (voa)