Shqipëria nën ujë. Sërish e njëjta histori, sa herë bie shi! Lumenjtë kërcënojnë gjithë vendin, e prurjet janë të mëdha. Situata kaotike në disa rrethe të vendit, ndërsa Tirana për gjatë gjithë ditës së djeshme ka qenë e kërcënuar seriozisht nga dy lumenjtë e saj, Lana dhe lumi i Tiranës. Tek i pari natyrshëm mblidhen gjithë ujërat e pjesës më të madhe të qytetit ndërsa lumi i Tiranës ka, veç prurjeve, edhe një tjetër problem; ndërtimet në afërsi të shtrati, që fillojnë që në Tufinë e vazhdojnë deri në mbarim të zonës së Treshit. Kështu janë mbi 30 banesa të mbytura banuesit e të cilave janë evakuuar, ndërsa shtabet e emergjencave në të gjithë vendin vijojnë punën për të mos rrezikuar jetë njerëzish. Përgjatë gjithë ditës së djeshme në terren kanë qenë krerë të shtabeve, bashkive dhe të OSHEE-së ndërsa prurjet e lumenjve në disa zona janë kërcënim për banorët. Veç përmbytjeve, vendi has edhe një tjetër problem madhor; shembjet e rrugëve kryesore, të cilat shërbejnë si arterie mes qyteteve e fshatrave, po edhe mes vetë fshatrave. Probleme janë shfaqur në rrugën e Kombit, në Qafë-Mali-Tropojë, në Peshkopi dhe në disa zona të tjera. Mësohet se në rrugë, në disa zona është hedhur edhe ushtria dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërkohë që për çdo emergjencë që lidhet me jetën e njerëzve, në gatishmëri mësohet se janë edhe njësi të tjera të posaçme si është edhe RENEA.
Bregu i Lumit
Vetë nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka parë nga afër situatën, që është e tillë prej shumë vitesh ndërsa është bërë e mundur të ndërhyhet për të lëvizur një sërë familjesh të cilat janë në qiell të hapur që prej mëngjesit të djeshëm. Po ashtu, orëve të pasdites në zonë ka mbërritur edhe kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu që kap një pjesë të zonës, por të dy palët thjeshtë vetëm sa kanë vizituar dje. Janë thuajse gjithë forca punonjëse e Bashkisë së Tiranës që gjendet në terren, ndërsa deri orëve të pasdites së djeshme janë evakuuar në afërsi të Tufinës dhe pranë zonës së Alliasit 28 familje. Edhe Ministri i Brendshëm ka qenë në krye të veprimeve në këtë zonë, ndërsa janë me dhjetëra banesat që janë bërë të pabanueshme nga vërshimi i ujit brenda tyre. Banorët ankohen dhe kërkojnë ndihmën e shtetit në lidhje me marrjen e masave për gjendjen në të cilën ndodhen, ndërsa pritet që të bëhen edhe llogaritjet e dëmeve materiale për të gjitha ato familje të prekura, edhe pse sërish, sa herë të bie shi, ato do të kenë të njëjtin problem.
Pjesa tjetër e Tiranës
Kanë qenë një sërë rrugësh në kryeqytet ditën e djeshme të mbuluara nga uji. Lana ka dalë nga shtrati në pjesën e Pallatit me Shigjeta duke hyrë në katet e para të bizneseve, ku dëmet mësohet se janë të mëdha. Njëkohësisht edhe zonat e “Yzberishit” dhe të “Astirit” uji ka qenë zot i gjithçkaje, ndërkohë që punonjësit e bashkisë kanë qëndruar për gjatë gjithë ditës në betejë me pusetat dhe kolektorët. Orëve të mbrëmjes situata në qytetin e Tiranës është përmirësuar, ndërsa probleme mjaft të mëdha janë shfaqur në Bathore. Edhe në shirat e para pak javëve u bë me dije se u përmbyten mbi 20 shtëpi dhe banorët ankohen se askush nuk ka marrë masa për të përmirësuar gjendjen. Dje Autoriteti Rrugor bëri me dije edhe gjendjen e disa prej rrugëve kryesore të Tiranës ku u saktësua se ishin dy probleme që lidheshin çedimin e trupit të rrugës deri në gjysmën e korsisë në aksin Ura e Peshkatarit-Bërzhitë ku lajmërohen kalimtarët të bëjnë kujdes si dhe nënkalimi i Mulletit ku rruga është devijuar në aksin e vjetër, pasi është e pamundur të vijohet për shkak të ujit në rrugë.
Apeli
Mësohet se edhe pse janë në gjendje gatishmërie të gjitha institucionet e vendit, sërish nuk ka kaluar gjendja e alarmit. Është Ministria e Brendshme që tregon se orët e vështira nuk kanë kaluar dhe se pritet përkeqësim i situatës në orët në vijim. Dikasteri u bën apel qytetarëve që të shmangin daljet e panevojshme dhe njofton se Shtabi i Emergjencave Civile është në gatishmëri për të evakuuar familjet e prekura nga përmbytja, kudo që ato ndodhen. Gjithashtu OSSHE-ja ka njoftuar mbrëmë se po ndjek nga afër situatën e reshjeve, për të garantuar furnizimin me energji elektrike në rast të ndonjë defekti që mund të shkaktohet nga reshjet e dendura, ashtu siç ndodhi edhe ditën e djeshme me gjithë Mirditën dhe pjesën më të madhe të Lezhës. Autoritetet prej disa ditësh kanë dhënë alarmin për ditën e djeshme, por edhe për ditët në vijim, ku qytetarët duhet të evitojnë daljet, derisa të kalohet gjendja e rrezikut. Në fakt, vendi ynë është konsideruar prej më shumë se katër muajsh, si një vend i rrezikuar nga përmbytjet dhe sinjalet kanë ardhur nga meteorologët, por autoritete përgjegjëse kanë bërë me dije përgjatë të djeshmes se ka qenë e pamundur t`i bëhet ballë, pasi vërshimet e ujit nëpër qytete dhe nëpër zona ka një sërë faktorësh të cilët nuk mund të rregullohen brenda një kohe të caktuar.
Situata në Lezhë
Lezha prej më shumë se 24 orësh është thuajse e gjitha nën ujë. Ka qenë fillimisht Bregu i Matës që ka pësuar edhe goditjen e parë, që, sipas të dhënave, ka ardhur nga hapja e portave të kanaleve, të cilët kanë përmbytur menjëherë zonën e Zejmenit, Pllanës e deri edhe gjithë Shënkollin. Sikur të mos mjaftonte Mati, Lezhën vazhdon ta kërcënojë edhe Drini, lumi që i kalon për mes, ndërsa janë evakuuar 12 familje, të cilave iu rrezikohet jeta seriozisht nëse rrinë në ato banesa. Në Lezhë ka qenë vetë numri dy i qeverisë, Niko Peleshi, që ka garantuar qytetarët se po punohet intensivisht për të evituar rrezikun serioz, ndërsa ka bërë me dije se situata është e rëndë, por ka patur edhe më rëndë se sa kaq. Njëkohësisht në zonën e Zejmenit, ka qenë edhe kryebashkiaku i ri, Fran Frrokaj, i cili ka folur në lidhje me dukurinë që sjell përmbytjet, duke harruar se i përmbytur me këtë rast ishte edhe Shënkolli, zona që ka drejtuar për dy mandate me radhë.
1260
Veta janë angazhuar nga Bashkia e Tiranës ditën e djeshme, të cilët kanë qenë gjatë gjithë ditës nëpër rrugët e Tiranës. Në disa prej zonave është bërë e mundur të stabilizohet situata, ndërsa edhe mbrëmë autoritetet kanë bërë me dije se situata është problematike në dy lumenjtë, të cilat janë pothuajse në limitet maksimale të tyre përthithës dhe që për rrjedhojë kanë sjellë që, edhe kolektorët që shkarkojnë në to ujin e qytetit, të kenë probleme në shkarkimin e tyre,
Bilanci
Niko Peleshi tregoi shkaqet e përmbytjeve ndërsa bëri me dije edhe shifrën që është hedhur për bashkitë vetëm që të mos ndodhte përmbytje: “Ne kemi angazhuar 25 milionë dollarë afërsisht për pushtetin vendor për të financuar skemat e ujit e kullimit. Do të blejmë një sasi prej 30 ose 40 eskavatorësh që do t’i shpërndahen të gjithë bashkisë. Shumë përmbytje shkaktohen nga shfrytëzimi pa kriter i pyjeve dhe nga punimet pa leje në shtretërit e lumenjve .”
Mbyten 150 gjedhë në Ndroq
Një situatë e pazakontë është shënuar në zonën e Ndroqit, pasi nga dalja e lumit Erzen nga shtrati është përmbytur një fermë që merrej me mbarështimin e gjedhëve e për pasojë dëmet janë të mëdha. Mbi 150 krerë gjedhë të fermës në njësinë administrative të Ndroqit janë mbytur. Përmbytja sipas të dhënave ka ndodhur shumë shpejt në kohë, duke mos i lënë mundësi ekipit që kujdeset për fermën të marrë masa për të larguar gjedhët. Situata ka qenë e jashtëzakonshme dhe niveli i ujit ka mbërritur deri në 7 metra dhe me ndihmën e polumbarëve dhe forcave të ushtrisë u bë e mundur që të shpëtohen pjesa tjetër.
shekulli