Tiranë: Diplomacia dhe politika reagojnë për kufirin detar me Greqinë

Kotzias DitmirMinistria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi të martën në mbrëmje se delimitimi i hapësirave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë është në interes të të dy vendeve.

Ministria e jashtme shqiptare publikoi një deklaratë ku theksoi se përcaktimi përfundimtar i kufijve është i nevojshëm si për ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave sovrane në këto hapësira, ashtu edhe për shfrytëzimin ekonomik të tyre.

Deklarata e Tiranës zyrtare vjen si reagim ndaj njoftimeve në shtypin grek se Greqia do të përfitojë 12 milje det nga Shqipëria.

Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias e pohoi këtë njoftim gjatë një interviste në televizionin ERT.

Sipas ministrisë shqiptare të punëve të jashtme, diskutimet mes dy qeverive kanë nisur 5 vjet më parë.

“Në mungesë të një marrëveshje mes tyre, prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh ekploratore për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje” – tha ministria e jashtme e Shqipërisë.

Sipas deklaratës, pala shqiptare në këto diskutime deri në lidhjen e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare do të mbështetet tek parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, ku të dy shtetet janë palë, praktikën ndërkombëtare, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin e brendshëm.

“Ky qëndrim i palëkundshëm është pika e nisjes për ekspertët që do të negociojnë me palën greke për këtë çështje. Çdo interpretim tjetër nga aktorët politikë është qëndrim dashakeq, që synon të relativizojë, apo më keq, mohojë gabimet trashanike të së shkuarës” – deklaroi ministria e jashtme shqiptare.

Ajo i quajti të pabazuara reagimet e sotme mbi diskutimet me Greqinë, e sidomos ato për çështjen e delimitimit të hapësirave detare.

Historiku i kësaj çështjeje nisi afro 10 vjet më parë, ku qeveria e kryeministrit Sali Berisha nënshkroi në Tiranë një marrëveshje me palën greke.

Kjo marrëveshje për ndarjen e hapësirës detare mes dy vendeve u padit nga Partia Socialiste si antikushtetuese në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit e hodhi poshtë atë.

Partitë politike në Tiranë po diskutojnë në grupet e deputetëve dhe po dalin me reagime të ndryshme.

Partia Demokratike në mbledhjen e grupit parlamentar, iu përmbajt qëndrimit se do të jetë kundër marrëveshjeve të pafavorshme për Shqipërinë.

Edhe përfaqësues të LSI-së, ish-ministrja e integrimit Klajda Gjosha dhe ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, shprehën dyshimet e tyre mbi rrjedhën e bisedimeve me Greqinë për marrëveshjen e detit. Opozita i ka kërkuar qeverisë më shumë transparencë dhe saktësi nga bisedat me palën greke.

Por kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikëve përmes rrjeteve sociale se po spekullonin me këtë temë.

Ai bëri thirrje qytetarëve për durim “sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentat e marrëveshjes së re me fqinjin”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>