Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të premten (15.10) të shqyrtojë në seancë gjyqësore plenare nëse votimi pro i parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, është ose jo i ligjshëm.
Burime zyrtare nga Gjykata Kushtetuese thanë për DW se “shqyrtimi do të bëhet në seancë plenare publike, data e të cilës do të caktohet sipas rregullave proceduriale të gjykimit kushtetues.”
Në qershor të këtij viti, 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimt të Presidentit Meta. Maxhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.
Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.
Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas maxhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.
Nëse gjykatësit kushtetues e gjykojnë të ligjshëm vendimin e Parlamentit, Presidenti Meta duhet ta lerë detyrën e lartë pa e përfunduar mandatin e tij pesëvjeçar, që mbaron në korrik 2022.
Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e maxhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”
Gjykata Kushtetuese që do të vendosë fatin politik të presidenit Meta nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjese të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuse ka aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon kushtetuta.
Një pjesë e tyre janë propozuar nga vetë presidenti Ilir Meta, për të cilin tani ata tani duhet të gjykojnë për shkarkimin ose jo të tij.
Marrëdhënia e vështirë e presidentit Meta me PS
Ilir Meta u zgjodh Presidenti i 7-të i Republikës në fundprillin e vitit 2017 me 87 vota të maxhorancës socialiste, pasi opozita kishte braktisur parlamentin. Por marrëdhënia e Ilir Metës ,president me maxhorancën socialiste ka qënë e vështirë, e karakterizuar me kundërshti nga ana e tij të pogramit të PS, mosdekretim ligjesh dhe bllokim emërimesh të ministrave të ropozuar nga kryeministri Rama, të cilin ai e akuzon për përqëndrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij.
Meta dekretoi muajin e kaluar, brenda afatit kushtetues, Edi Ramën si kryeministër të Shqipërisë, pas mandatit të tretë qeverisës që mori PS me fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
dw