Parlamenti në Tiranë miratoi në pak minuta mbrëmjen e të martës emrat e anëtarëve për dy komisione të përzgjedhjes paraprake për gjyqtarë dhe prokurorë, megjithë mungesën e deputetëve të opozitës.
Emrat e propozuar morën 82 votat e deputetëve të majtë në sallën e boshatisur nga krahu i djathtë, ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se “vetingu është një proces pa kthim” dhe se në “këtë reformë nuk ka kthim pas”.
Zoti Rama shprehu zhgënjim për mungesën e Partisë Demokratike në këtë proces votimi, që, sipas tij, e afron Shqipërinë me Europën, edhe pse ajo nga fillimet ka kërkuar “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ndërsa dhe tani po pengon integrimin, duke mos iu bashkuar reformës në drejtësi.
“Gjykatat do të kthehen nga pazar i gjësë së gjallë në institucione ku njerëzit janë të barabartë para ligjit. Opozita po thotë se Gjermania, BE-ja dhe SHBA-të janë të painformuar për zhvilimet. Ne kemi propozuar që partitë popullore europiane, aleate të PD-së, të na lehtësojnë komunikimin me opozitën. Kjo nuk është krizë politike, por krizë nervore e PD-së” – tha zoti Rama.
Opozita deklaroi më parë se ishte gati t’i bashkohej procesit të vetingut me kusht që 6 ligjet e këtij procesi të ktheheshin pas për rishikim.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha dje pas takimeve me ministra të Holandës dhe Gjermanisë se e vetmja rrugë mbetet një qeveri teknike, me mandat politik për të luftuar drogën dhe paratë e drogës, për të zbatuar ligjin për dekriminalizimin dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Rama shkeli marrëveshjen e 21 korrikut për të miratuar 7 ligjet me konsensus. SHBA e detyruan për ligjin për të cilin ishin përgjegjës për SPAK-un dhe BKH-në, BE dështoi ta detyronte t’i përmbahej marrëveshjes” – tha zoti Basha.
Ai tha se 6 ligjet janë kaluar pa miratimin e opozitës sepse ajo u përjashtua nga Edi Rama me qëllim kapjen e drejtësisë. (voa)