Komisioni hetimor parlamentar për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri nisi sot nga puna, por pritet ta fiksojë pas një jave objektin e hetimit dhe planin paraprak të punës.
Kryetari i këtij komisioni, deputeti opozitar Edi Paloka, tha se “opozita ishte për veprime më të shpejta në hetime”.
Komisioni hetimor formalisht u ngrit “për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën prokuroria po heton ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri”.
Nënkryetare është socialistja Ermonela Felaj, në komisionin me anëtarë të ndarë baras 5 nga opozita dhe 5 nga qeveria.
Socialistët kërkuan që mbledhja tjetër të thirrej pas një jave për të studiuar dokumentat dhe rregulloret.
Komisioni pritet të hetojë për gjashtë muaj, si tha kryetari Paloka, lidhur me përfshirjen e mundshme të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar si pjesëtar në trafik droge.
Prokuroria e krimeve të rënda nisi hetime ndaj zotit Tahiri sapo emri i tij doli në përgjimet telefonike të bandës së Habilajve të arrestuar në Itali për trafik dorge, pjesa më e madhe familjarë të tij.
Zoti Tahiri i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se e vetmja pikë që e bashkon me kushërinjtë e tij është shitja e parregullt e një automjeti, që u përdor prej tyre për trafiqe dhe udhëtime të dyshimta në shërbim të bandës.
Komisionet hetimore parlamentare në Shqipëri kanë një histori të gjatë dështimesh, sepse në fund grupet e deputetëve anëtarë dalin me dy raporte pro dhe kundër, të cilët nuk i japin ndonjë ndihmë prokurorisë për thellimin e hetimeve. (voa)