Tiranë: Opozita kërkoi komision hetimor për zgjedhjet e 25 prillit

Nê Tiranë, Partia Demokratike e opozitës dorëzoi sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Në kërkesën e Partisë Demokratike renditen si çështje për t’u hetuar “mbyllja e kufijve, që të mos votonin emigrantët”, “legalizimi i 10 mijë ndërtime të paligjshme para zgjedhjeve”, “ndarja e ndihmës ekonomike para kohe dhe zgjatja e kësaj liste”, “punësimi i 13 mijë personave me kontrata të përkohshme në fushatë zgjedhore”, “rritja e pagave të administratës publike”, “asfalti elektoral para dhe gjatë fushatës zgjedhore”, “5-fishimi i tenderave, prokurimeve dhe koncensioneve”, “ndarja e dëmshpërblimeve tërmetin disa javë para zgjedhjeve”, si dhe “çështja e patronazhistëve, që shpërdoruan të dhënat personale të 910 mijë shtetasve”.

Byroja e Kuvendit ka tani 5 ditë afat për ta shqyrtuar kërkesën dhe për ta kaluar për votim në seancë plenare.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit Partia Socialiste fitoi 74 deputetë dhe një mandate të tretë qeverisës. Ndërsa Partia Demokratike e opozitës mori 59 mandate. Dy parti më të vogla morën LSI 4 deputetë dhe PSD 3 mandate.

Partia Socialiste i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, duke theksuar se e fitoi mandatin e tretë qeverisës falë mirë-qeverisjes së vendit gjatë tërmetit të 2019 dhe Pandemisë së 2020.

Në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, OSBE/ODIHR vlerësoi se “në zgjedhjet e 25 prillit, votuesit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor, që respekton liritë themelore”.

Por në raportin e vëzhguesve kritikohet Partia Socialiste në pushtet se “mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike”.

Sipas Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve “pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës. Praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave vazhduan të përbënin problem”.

Raporti vë në dukje se përbënin shqetësim “ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë’ si dhe “rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>