Tiranë, opozita proteston para parlamentit

Edi LuliNë Shqipëri opozita u mblodh sërish sot përpara parlamentit për të protestuar ndaj shumicës qeverisëse. Ajo kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare, që të krijojë kushtet për zgjedhje të parakohshme. Godina e parlamentit u rrethua nga forca të shumta policie, ndërsa brenda në sallë po zhvillohej seanca e zakonshme.

Policia që herët ishte rreshtuar e shumtë në numër në hyrjen qëndrore të parlamentit dhe në të gjithë zonën rreth e qark. Që në orën 10 protestuesit kishin nisur të grumbulloheshin, në pritje të mbërritjes së drejtuesve të opozitës. Ndërkohë nga salla e parlamentit kryeministri Edi Rama foli dhe një herë për situatën e krijuar, duke akuzar opozitën se me vendimet e saj po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë. “Ne jemi gati të dialogojmë për gjithçka, por ne nuk jemi gati dhe s’do jemi asnjëherë gati të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi, ku njerëzit zgjedhin dhe të zgjedhurit respektojnë mandatet që iu japin njerëzit dhe çdo sistemi tjetër. Këtë ne nuk jemi gati ta bëjmë. Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha, mandatin e marrë nga shumice dërrmuese e qytetarëve, ne nuk e negociojmë me askënd”, deklaroi kryeministri.

Por dhe opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet. Folësit e shumtë që ju drejtuan pjesmarrësve në protestë, për më shumë se dy orë, kishin të gjithë një të përbashkët, kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndonëse e ndryshme për nga zhvillimi nga protesta e javës së shkuar edhe këtë herë nuk munguan shashkat, tymueset apo dhe gomat e djegura

Në fjalën e tij, kryetari demokrat Lulzim Basha po ashtu theksoi se asgjë nuk mund të ndal opozitën: “Prej javësh ajo godinë nuk është më godina e Kuvendit të Shqipërisë, por karantina e kolerës së krimit dhe të korrupsionit. Ikëm ne nga ajo karantinë të painfektuar me joshjen e karrikeve të pushtetit. Nuk ka bandit e trafikant, nuk ka horr e hajdut të na ndajë nga kjo rrugë”.

Në të njejtën linjë dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi: “Mos guxo të mendosh se mund ta marrësh peng këtë popull, mos guxo se je më i fortë se populli. Edi Rama ka frikë të përballet me opozitën. Edi Rama ka frikë të përballet me të vërtetën”.

Nga sheshi para godinës së parlamentit, drejtuesit e opozitës udhëhoqën mbështetësit e tyre drejt godinës së Komisionit Qëndror të zgjedhjeve. Ata dorëzuan aty emrat e kandidatëve të listave të tyre që kanë firmosur refuzimin e mandatit. Një gjest më së shumti simbolik, pasi procedura e kërkon që Komisioni të njoftojë personalisht secilin kandidat sipas radhës.

Disa prej tyre nuk i janë bindur vendimit të partive opozitare. Katër përfaqësues të LSI-së, Edmond Rrushi e Ylli Shehu, emrat e të cilëve ishin në listën e kandidatëve të Tiranës në zgjedhjet e 2017-ës, si dhe , Aurora Mara e listës së Dibrës dhe Enver Rroshi i listës së Elbasanit, bënë sot betimin në sallë. Ndërkohë që 6 të tjerë, dhe nga listat e PD, kanë nisur procedurat për të marrë mandatin

Nga selia e Partisë demokratike zoti Basha përsëriti dhe një herë se “ora e Shqipërisë europiane po troket.Ora e largimit të Edi Ramës po troket mbrapsht tik -tak, tik –tak”. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen javën e ardhshme në protestën e radhës, këtë herë para godinës së qeverisë.

Në mbrëmje Policia njoftoi se ka arrestuar 8 persona, ndër të cilët 3 me precedente penalë për vjedhje, ndërsa 9 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë për aktet e dhunës në protestën e sotme përballë Parlamentit. “Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta e lëndë plasëse (gurë, shkopinj, fishëkzjarre etj.) punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim në ambientet përreth Kuvendit të Shqiperisë”, shpjegoi policia në njoftimin e saj.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>