Tiranë: Raport periodik i Bankës Botërore mbi gjendjen ekonomike

raporti-periodik-i-bbBanka Botërore deklaroi sot se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë këtë vit 3.2 për qind, duke zbutur varfërinë dhe papunësinë.

Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore thuhet se rritja ekonomike e Shqipërisë po shtohet nga viti në vit, ndonëse borxhi publik dhe papunësia janë ende të larta, megjithë një rënie të lehtë që shënuan.

“Deficiti fiskal dhe borxhi publik pësuan rënie si rezultat i reformave që u ndërmorën në Shqipëri” pohuan përfaqësuesit e Bankës Botërore.

Shkalla e punësimit në Shqipëri këtë vit arriti 6.7 përqind, falë rritjes ekonomike dhe reformave në tregun e punës.

Rritja ekonomike dhe reformat krijuan vende pune, por papunësia është ende e lartë. Punësimi vijon të jetë nën nivelet e para-krizës, në Shqipëri.

Sipas studiuesve të Bankës Botërore, rigjallërimi i konsumit dhe investimet private, të mbështetura nga projektet e sektorit të energjisë, pritet të udhëheqin rimëkëmbjen ekonomike në Shqipëri.

Nga ana tjetër, deficitet e llogarive korrente u përkeqësuan disi në 2016 për shkak të rritjes së deficitit tregtar në mallra dhe rënies së transfertave.

Edhe investimet e huaja direkte shënuan rënie, duke reflektuar ecurinë e tregjeve ndërkombëtare dhe pasigurinë politike” thuhet në raport.

Sipas autorëve, deficiti fiskal u ngushtua për shkak të reduktimit të shpenzimeve. Sa më shumë të fuqizohen parametrat fiskalë aq më shumë pritet të bjerë borxhi publik.

Kreditimi nga bankat për ekonominë private po zgjerohet dhe ka një rimëkëmbje të përkohshme të kreditimit, por raporti i kredive të këqija ende i lartë.

Sipas raportit të Bankës Botërore, bankat private janë likuide dhe të mirëkapitalizuara, kreditë e këqija u reduktuan në të gjitha vendet e rajonit, përveç Shqipërisë.

Ekspertët e Bankës Botërore pohojnë se rritja e qëndrueshme ekonomike përballet me rreziqe të shtuara si paqëndrueshmëria e tregjeve financiare, eksportet e ulëta të rajonit, dobësia e Greqisë dhe tensionet e Turqisë. Por ka edhe rreziqe të brendshme si zgjedhjet dhe pasiguria politike.

Banka Botërore theksoi se rritje ekonomike e qëndrueshme përballë rreziqeve të shtuara të situatës mund të arrihet vetëm me reforma këmbëngulëse dhe me përmirësimin e klimës së biznesit.

Studiuesit vlerësuan se rreziqet në rritje theksojnë urgjencën e reformave strukturore për të konsoliduar rimëkëmbjen e saponisur.

Sipas Bankës Botërore janë veçanërisht të ngutshme për t’u trajtuar: heqja e pengesave për punësimin formal, përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes, barazi dhe cilësi në sistemet e mbrojtjes sociale, si dhe ecja në integrimin europian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>