Tiranë: Studiuesit komentojnë programin e qeverisë dhe zhvillimet politike

ZefStudiues të ekonomisë dhe politikës shqiptare vlerësojnë se programi që qeveria paraqiti në parlament nuk parashtronte kostot dhe faturat e detajuara të përballjes me varfërinë, papunësinë, mjerimin dhe minimumin jetik, të cilat përmendi se do t’i përmirësojë.

Drejtuesi i qendrës për kërkime ekonomike, Zef Preçi, thotë se në program janë prekur tërthorazi dhe kanë mbetur pezull e të paqarta temat krysore si tërheqja e investimeve dhe kapitalit të huaj, nxitja e kapitalit vendas nga një klimë e re besimi, punësimi dhe vetëpunësimi në biznesin familjar, bashkëpunimi ekonomik rajonal mbi bazën e konkurrencës.

“Programi i sapomiratuar i qeverisë Rama 2 në thelb nuk përbën ndonjë ndryshim domethënës në krahasim me programin e qeversë Rama 1; në atë koncept, në atë masë sa mund të quhet program. Them këtë sepse partitë politike shqiptare, (dhe kjo është një përvojë e keqe e jona), paraqesin një listë dëshirash shumë herë të pambështetura me burime financiare e të papërcaktuara në kohë, dhe ku mund të identifikohen me vështirësi përparësitë e programit” – thotë zoti Preçi.

Tashmë në parlament opozita vjen me rezultatin më negativ historik, ndërsa shumica socialiste ndjehet komode me një numër të madh votash.

Kjo situatë e re, thotë drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, e ka vështirësuar dialogun e nisur mes kryetarëve, por nga ana tjetër, të dy palët kanë harruar detyrat e shtëpisë që ka lënë Brukseli për integrimin.

“Brukseli i ka përcaktuar Shqipërisë 4 prioritete kryesore dhe palët politike duhet të kenë oferta për këto 4 prioritete. Problemi kryesor i debatit në parlament është se në programin e qeverisë dhe në diskutimet e opozitës munguan këto 4 elementë. Qeveria u tregua shumë sipërfaqësore në analizën e këtyre dukurive dhe në ofertat konkrete për zgjidhjen e tyre. Ndërkohë, opozita nuk ka instrument real për t’i zgjidhur dhe nuk ka një platformë të miratuar, struktura, dhe një gadishmëri për t’ia dhënë idetë e saj maxhorancës. Kështu që palët duhet të ulen për të biseduar teknikalitete, të cilat më pas kthehen në ligje apo amendamente” – tha zoti Krasniqi.

Ekspertët e ekonomisë besojnë se bashkimi i tatimeve me doganat do të ulë informalitetin më shumë se sa fushatat e kontrolleve mbi bizneset. Por nga ana tjetër ka shumë pika të paqarta si trajtimi konkret i borxhit publik, thellimi Partneritetit të shumëkritikuar Publik-Privat, pohojnë ata.

Zoti Preçi thotë se “Programi 1 miliardë euro” është në thelb një borxh publik i fshehur, që do të kompromentojë dhe kërcënon dukshëm zhvillimin e ardhshëm makro-ekonomik në vend. Debati në parlament, sipas tij, nuk ishte një diskutim teknik mbi programin qeveritar dhe realizimin e tij, as ballafaqim pikëpamjesh të ndryshme.

“Masat që mund dhe duhen marrë për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme nuk dalin qartë në këtë program. është më shumë një pamflet, si letër propagande etj. Studimet e 50 viteve të fundit kanë provuar që nëse rritja ekonomike është nën 6 për qind, ka pak shanse që ajo të ndikojë realisht në reduktimin e varfërisë, kryesisht përmes zgjerimit të punësimit. Me një rritje ekonomike nën këtë nivel përfituesit mbeten përsëri grupet e mëdha të biznesit, lobistët, oligarkët etj., dhe pak përfiton qytetari” – thotë zoti Preçi.

Megjithatë shumë reforma varen edhe nga bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës; si reforma kushtetuese, reforma zgjedhore e institucionale, po ashtu edhe lufta ndaj krimit e korrupsionit.

Marrëveshja Rama-Basha u tha në parlament se nuk ekziston më, por nga fjalimet e dy kryetarëve doli se kanë pika që bashkohen, si reforma zgjedhore dhe votimi i emigrantëve ata kanë qëndrim të përbashkët. Pati edhe pika të tjera të ngjashme, që lidhen me integrimin.

Zoti Krasniqi thotë se marrëveshja Rama-Basha është ende në fuqi deri në takimin e radhës mes tyre për të bërë bilanc të deritanishëm mbi pikat e saj.

“Unë mendoj që palët janë të detyruara të takohen dhe ato do të takohen, ndoshta jo në nivelin e kryetarëve të partive, por në nivelet e dyta, dhe për këtë janë dhënë sinjale. Sapo të ngrihen komisionet parlamentare dhe të përcaktohet agjenda përfaqësuesit e palëve politike janë të detyruara të ulen në tryezë për bisedime. Të dy palët kanë interes, por kanë ndryshuar prioritetet: maxhoranca nuk dëshiron një marrëveshje të shpejtë, por do një opozitë që të tërhiqet zvarrë pas marrëveshjes, edhe opozita nuk është e gatshme për një marrëveshje të shpejtë, sepse nuk ka përfunduar ende procesi i analizës brenda strukturës së saj. Në çastin kur do të ketë qetësi nga brenda do të jetë e gatshme për një marrëveshje afatgjatë nga jashtë” – thotë zoti Krasniqi.

Studuesit mendojnë se reformat për reforma nuk kanë vlerë, po nuk u kthyen në mirëqenie.

Por është fakt që në fushatën zgjedhore partia fituese nuk dha premtime të strukturuara dhe as afate.

Kjo tregon, sipas tyre, mungesën e ekspertizës dhe të gadishmërisë për të dhënë llogari mbi angazhime konkrete të detajuara.

Edhe shkurtimi dhe ndryshimi kaq i madh i institucioneve shtetërore do të krijojë kosto, pohojnë ata, dhe do të vonojë shërbimet publike ndaj biznesit dhe ndaj qytetarëve. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>