Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Raportin mbi Agjendën e Investimeve dhe 40 Rekomandime mbi Përmirësimin e Klimës së Biznesit në Shqipëri.
Raporti u përgatit pas intervistimit të 220 bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi punën dhe vështirësitë e tyre konkrete në terren.
Në raport thuhet se rasti kur një investues amerikan i profilit të lartë nuk mundi të investonte në aeroportin kryesor të Shqipërisë, nxori në dritë problemet e mëdha me zbatimin e kontratave.
Shqipëria zbriti 19 pikë në renditjen e Bankës Botërore, sipas Raportit të saj “Bëj Biznes”, duke humbur terren përballë ekonomive konkurruese rajonale.
Ndërkohë, në Indeksi Vjetor i Biznesit të AmCham besueshmëria ra me 5 pikë përqindje – rënia më e madhe e besimit të komunitetit të AmCham në tetë vjet.
Këto tre zhvillime e shtynë AmCham të rendiste 40 rekomandime autoriteteve shqiptare për të përmirësuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Më kryesori sipas saj, është hartimi i një strategjie për të tërhequr investimet e huaja direkte në sektorët strategjikë të ekonomisë, dhe vëzhgimi i saj nga nivelet më të larta të qeverisë. Kjo nevojitet për të fuqizuar këta sektorë, për të ngritur infrastrukturën mbështetëse, për të reduktuar përqëndrimin e tregut dhe proceset e paefektshme
“Zhvillimi dhe zbatimi i një programi efektiv kundër korrupsionit, për të ndërtuar besimin e publikut përmes luftës pa kompromis ndaj kësaj dukurie me masa ndëshkuese dhe me transparencë. Po ashtu nevojitet rritja e transaprencës dhe një sistem i hapur i prokurimeve publike larg ndikimeve politike” – thuhet në Raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Mes kërkesave të tjera janë edhe konsultimet publike me qytetarët dhe investuesit, një sistem modern taksash, për të rritur konkurrueshmërinë dhe investimet atraktive, rritja e eksporteve shqiptare ne tregjet ndërkombëtare, zhvendosja nga ekonomia e parave cash tek economia digjitale si dhe trajnimi i punëtorëve në botën post-pandemike.
AmCham kreu vitin e fundit një seri vëzhgimesh dhe analiza me ekspertë për të parë klimën e investimeve dhe të biznesit në Shqipëri. “Sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, janë po aq të mëdha sa edhe mundësitë e gjera për t’u shfrytëzuar”, thuhet në raport.
Nga një anë, vëzhgimet e komunitetit të biznesit, që konfirmohen edhe nga raporte të besueshme ndërkombëtare, flasin për një klimë biznesi joefektive dhe të shtrenjtë në Shqipëri, vështirësi u përkeqësuan gjatë periudhës së pandemisë.
Por nga ana tjetër, Shqipëria ka vend-ndodhje dhe burime natyrore si dhe një fuqi punëtore të talentuar.
“Hapat e reja drejt BE-së dhe marrëveshja e fundit ekonomike me SHBA-të ofrojnë mundësi unike e të mëdha në periudhë afatgjatë” – theksohet në raport.
Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi në konferencën vjetore të pranverës se presioni i efekteve të pandemisë mbi bizneset është i jashtëzakonshëm, në klimën problematike të biznesit komuniteti i investitorëve ka mungesë besimi, ndërsa korrupsioni, kërcënimi më i madh për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.
“Asnjë nga mundësitë për zhvillim dhe biznes që ofron vendi nuk do të japë frytet e pritshme pa luftuar korrupsionin, që është një nga 3 pengesat më të mëdha të qarqeve të biznesit” – tha në mars Presidenti i AmCham, Enio Jaço.
Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerësoi se mundësitë për rritjen ekonomike të Shqipërisë janë të shumta, por duhet përmirësuar klima dhe besimi i komunitetit të bizneseve, duke përfituar nga pozicioni strategjik në rajon.
voa