Top Talk/ Financimet greke, Kocaqi: “Zien” Athina, hesht Tirana

helena kocaqiSkandali i financimeve greke ka tronditur opinionin dhe politikën në Greqi. Opozita greke kërkon zgjerim hetimesh për sasinë dhe destinacionin e parave, ndërsa në vendin tonë nuk ka asnjë reagim.

Profesoresha e Shkencave Politike, Helena Kocaqi, e ftuar në studion e “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja, deklaroi në lidhje me financimet greke se “çdo shtet që i thotë vetes shtet duhet të reagojë” mbi këtë skandal, siç e quajti ajo.

“Heshtja e politikës shqiptare nuk më pëlqen aspak për një skandal të tillë. Të paktën duhet të kishim një deklaratë publike. Çdo shtet që i thotë vetes shtet duhet të reagojë. Ky është skandal, nuk është gjë e vogël. Ndërhyrja në media është diçka e madhe sepse media është super pushtet. Është një heshtje e pajustifikuar e Presidentit, qeverisë dhe opozitës”, deklaroi Kocaqi.

Ajo shtoi se edhe ministri i Jashtëm turk sot “kundërshtoi zgjerimin e Greqisë në detin tonë”, ndërsa vetë ne nuk kemi pasur reagim.

Kocaqi: Një vend i NATO-s nuk mund të ndërhyjë në një vend tjetër të NATO-s

Profesoresha e Shkencave Politike, Helena Kocaqi i konsideroi financimet greke në Shqipëri një “ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë që ka qëllim cenimin territorial të Shqipërisë”.

“Ne kemi qenë inferiorë gjithmonë dhe në vend që të kërkojmë të drejtat e Çamëve, vetëm lëshojmë. Një vend i NATO-s nuk lejohet që të ketë ligj lufte me vend tjetër të NATO-s, e jo më të ndërhyjë. Janë fondet e të gjitha ministrive, kështu që shuma është qindra miliona euro”, tha Kocaqi.

Profesoresha shtoi se “duhet të ketë deklaratë nga kryeministri për t’i kërkuar shpjegime qeverisë greke”,

“Për çfarë janë fondet dhe pse sillen në Shqipëri? Ky shpjegim duhet kërkuar. Presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë dhe në fund, prokuroria duhet të nisë hetim. Të paktën të hapet dosja”, deklaroi Kocaqi.

Profesoresha e Shkencave Politike, Helena Kocaqi deklaroi në studion e “Top Talk” se “politika greke di shumë dhe nëse aktorët politikë shqiptarë flasin mbi financimet greke kanë frikë se mos vënë veten në objekt sulmi të grekëve që ia di të gjitha të palarat”.

“Financimi është sekret, emrat njihen nga Ministria e Jashtme greke dhe janë me kode. Ka kode të ndryshme për pagesa banesash e deri te telefoni. Buxheti votohej në Parlament dhe votohej pa pyetur si dhe për kë. Thjesht thuhej është për shtetin. Skandali doli si rezultat i konfliktit brenda qeverisë greke”, shpjegoi Kocaqi, e cila shtoi se edhe më e pajustifikueshme është heshtja e opozitës dhe Presidentit.

“Unë e mirëkuptoj qeverinë sepse ka pasur negociata me grekët, por heshtja e opozitës dhe Presidentit është e pajustifikueshme”, tha Kocaqi.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>