“World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e rendit Shqipërinë të 72-tën ndër 113 vende të botës për sundimin e ligjit.
Në raportin e përvitshëm që klasifikon vendet për nga zbatimi i ligjit, “WJP” thotë se, në vitin 2016 renditja e Shqipërisë u përkeqësua me 9 vende krahasuar me një vit më parë.
Shkaku kryesor i përkeqësimit sipas raportit është treguesi i qeverisjes së hapur. Ky indeks mat transparencën e qeverisë, jo vetëm në publikimin e ligjeve dhe vendimeve që ajo miraton, por edhe cilësinë e informacionit të publikuar.
Po kështu, ai mat lirinë e shprehjes, pjesëmarrjen civile dhe të drejtën e peticionit, që i jep mundësi qytetarëve të ankohen për vendime të qeverisë apo ta padisin atë.
Sipas raportit, në këtë tregues renditja e Shqipërisë është përkeqësuar me 29 vende krahasuar me një vit më parë dhe nga vendi i 54-t që renditej në 2015 ka shkuar në vendin e 83-të në botë.
Raporti i World Justice Project përfaqëson një portret të zbatimit të ligjit në çdo vend të botës.
Ky raport mat 8 faktorë, që janë: kufizimi i pushtetit të qeverisë, mungesa e korrupsionit, transparenca, të drejtat themelore, rendi e siguria, kuadri rregullator, drejtësia civile dhe ajo kriminale.
Shqipëria renditet më mirë në treguesit e kufizimit të pushtetit të qeverisë, të drejtat themelore dhe rendi e siguria. Ndërsa faktorë ku vendi ynë renditet me keq janë korrupsioni, transparenca e qeverisë dhe zbatimi i kuadrit rregullator.
/ Top Channel