Në Shqipëri, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu përsëriti sot kërkesën drejtuar autoriteteve shqiptare për bllokimin e aktivitetit të strukturave të organizatës FETO, të Fetullah Gulen, i akuzuar nga Ankaraja dhe si përgjegjës për tentativën e grushtit të shtetit 2 vjet më parë.
Sipas shefit të diplomacisë turke, “në Shqipëri ka një strukturë fetoiste tepër serioze të shtrirë në të gjitha fushat. Si dhe në vendet e tjera, tha ai, ata kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar në sistemin shtetëror. Turqia –shtoi më tej ministri – pret që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri”.
Zoti Cavusoglu tha se “organizata FETO është një organizatë terroriste, e cila sipas tij përbën kërcënim dhe për Shqipërinë. Turqia nuk strehon asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Këtë presim dhe nga miqtë tanë shqiptarë”, deklaroi ministri turk.
Para tij, për këtë çështje ishte shprehur ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i cili ndërsa kujtoi se Shqipëria ishte ndër vendet e para që u solidarizua me çka ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të Shtetit, nënvizoi se “nga ana tjetër Shqipëpria është anëtar i Natos, kandidat për në Bashkimin Europian, se ka aderuar në disa dokumenta të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit, dhe se çdo politikë ndiqet në rrugë diplomatike”, u shpreh ministri shqiptar.
Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama ishte shprehur se “elementët që dyshohen për lidhje me organizatën Feto, po mbahen nën mbikqyrje”. (voa)