Varhelyi: Hapja e negociatave me BE deri në fund të qershorit

VarhelyiShpresa të reja në Tiranë nga Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ai pret një vendim pozitiv të Këshillit Europian për çeljen pas dy muajsh të negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, të enjten (28.04.) në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi tha, se “BE synon hapjen e negociatave në fund të qershorit, pasi po punohet intensivisht me Bullgarinë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Objektivi ynë është që kjo punë të mbarohet gjatë Presidencës Franceze.”

Deklarata e Komisionerit Varhelyi në Tiranë vjen pas asaj në Forumin për Marrëdhëniet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur  të martën (26,04) ku ai pohoi zhgënjimin nga zvarritja e hapjes së negociatave për dy vendet dhe theksoi që ”BE nuk ka as kohë, as interes të shtyjë konferencat e para ndërqeveritare me Shkupin dhe Tiranën. Lufta në Ukrainë dhe mësimet e së kaluarës kanë treguar se procesi i integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet”.

Lufta në Europë kërkon stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Në vijim të kësaj përqasjeje ndaj zhvillimeve në Ukrainë dhe pasojave potenciale në BP, komisioneri Varhelyi vuri në dukje rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. „Europa nuk mund të mos përdorë të gjitha mundësitë e saj që të stabilizojë BP kur në Europë ka një luftë. Ne duhet që këtë vendim ta marrim në tryezë e të ecim përpara me punën, sepse në rast se nuk marrim ato vendime që mund të marrim, atëherë do të thotë që ne po heqim dorë nga ai mandat që ne kemi”, theksoi ai.Zvarritja e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe MV „kompromenton sigurinë e BE dhe vë në pikëpyetje besueshmërinë e tij”, tha Varhelyi.

Nuk ka plan B – anëtarësimi i dy vendeve në BE ꞔështja e vërtetë

Shpresat që solli komisioneri Varhelyi në Tiranë për hapjen e negociatave në fund të qershorit u shoqëruan edhe me paralajmërimin e kryeministrit Rama për kërkesën e Shqipërisë për ndarje nga Maqedonia e Veriut, nëse Bullgaria vazhdon të mos heqë veton ndaj MV dhe ngërꞔi i krijuar nga Bullgaria nuk zhbllokohet. “Nëse negociatat nuk hapen në qershor, Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut edhe pse kjo nuk duhet të jetë prioritet dhe mbetet për t’u aktivizuar si qasje mbas mbledhjes së Këshillit Europian. Deri atëherë ne jemi absolutisht në pozicionin që të dyja vendet duhet të hapin negociatat”, tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp

Komisioneri Várhelyi e konsideroi ndarjen e Shqipërisë nga MV “një çështje të nxehtë, por jo çështjen e vërtetë”. “Nuk mendoj që ndarja me MV është çështja e vërtetë, por anëtarësimi i tyre në BE. Çështja është që të kemi marrëveshje për të dyja shtetet. Ideja është sesi do të arrihet anëtarësimi. Nuk ka plan B. Jam besimplotë që të gjithë kanë të njëjtin mentalitet dhe këndvështrim kur flasim për këtë çështje”, theksoi ai.

Lufta në Ukrainë e bën urgjent integrimin e BP në BE

Çështja e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE në kushtet e agresionit rus ndaj Ukrainës ishte në qendër të bisedimeve që Komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi zhvilloi në Tiranë edhe me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, dhe Zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që  zhvilluan po ashtu një vizitë zyrtare në Tiranë. Burime zyrtare bënë me dije se të dyja palët „ranë dakord që  pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE edhe më urgjent dhe se integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përbën një prioritet të përbashkët.”

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>