Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e shpallur një ditë më parë, në të cilin ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani mori pafajësinë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Në dokumentin që Top Channel disponon, gjyqtari Artan Gjermeni shprehet mbi argumentet që e bindën atë të rrëzojë veprimet hetimore të Prokurorisë, e cila nga ana e saj pritet të kundërshtojë vendimin në Gjykatën e Apelit.
Duke radhitur veprimet hetimore, gjyqtari Gjermeni shprehet në vendimin prej 16 faqesh se, veprimet e të pandehurit Ardian Fullani nuk plotësojnë elementët që kërkon legjislacioni penal, për t’i cilësuar ato si elementë të “shpërdorimit të detyrës”.
Gjykata iu adresohet edhe vendimeve të mëparshme të shpallura ndaj të pandehurve, Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia, nën akuzë për vjedhjen e 713 milionë lekëve. Vjedhja – thotë gjykata, – ishte produkt i shkeljes flagrante të rregullave, udhëzimeve e urdhrave, që rregullonin veprimtarinë në Departamentin e Emisionit.
Kjo vjedhje – theksohet më tej, – ka ndodhur jo si rezultat i mungesës së akteve rregulluese e ligjore në arkat për veprim e stok, por si rezultat i moszbatimit të rregulloreve. Po ashtu, qëndrimi i Prokurorisë se, nga mosplotësimi i vendit vakant për zv.guvernatorin e dytë janë krijuar kushtet për vjedhjen e 713 milionë lekëve, sipas gjykatës është i pabazuar në prova e ligj.
Kjo pasi, nga ky mospropozim nuk janë krijuar boshllëqe në kryerjen e këtij funksioni, sepse sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës, kjo mungesë në asnjë rast nuk e vendos bankën në boshllëk praktik e ligjor, pasi funksionet kryhen nga zv.guvernatori i parë.
Për më tepër – evidenton gjykata, – që këto funksione që parashtron akuza i takojnë sipas ligjit Këshillit Mbikëqyrës dhe jo zv.guvernatorit të dytë. Në lidhje me emërimin e këtij të fundit vijohet më tej se, në asnjë dispozitë nuk përcaktohet afat për bërjen e propozimit, i cili është diskrecion i guvernatorit, propozim i cili nuk sjell asnjë pasojë.
Kjo mungesë nuk ka shkatuar probleme dhe mangësi të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, shprehet më tej gjykata. Për më tepër – shpjegohet më tej, – që Departamenti i Emisionit, sipas rregullores nuk ishte nën administrim e nën varësi të zv.guvernatorit të dytë që mungonte.
Në lidhje me episodin e dytë, atë të mospropozimit të nismave jurdike, edhe kjo e drejtë i takon Këshillit Mbikëqyrës, e për këtë mosveprim nuk mund të konsiderohet se Fullani ishte në kundërshtim me ligjin.
Ndryshe nga sa pretendon Prokuroria për Departamentin e Emisionit, ku ndodhi edhe vjedhja e 713 milionë lekëve, gjykata shprehet se aktet për funksionimin e tij ekzistojnë sipas datave përkatëse dhe janë nxjerrë nga Këshilli Mbikëqyrës dhe guvernatori.
Gjykata vëren se, fakti që nga ana e Prokurorisë nuk është arritur të identifikohet se, ku konsiston mosveprimi i të pandehurit Ardian Fullani, se cila është masa që duhet të ishte marrë prej tij dhe që nuk është marrë, nuk mund të përdoret kundër të pandehurit si provë dhe as si argument, se i pandehuri nuk ka kryer detyrën në përputhje me ligjin.
Në një proces penal, organi i Prokurorisë ka barrën e provës dhe detyrimin ligjor për të provuar akuzën, ndërsa i pandehuri gëzon garancinë kushtetuese të prezumimit të pafajësisë, konstaton gjykata.
Edhe për blerjen e ish-hotel “Dajtit”, gjykata argumenton se nuk rezulton që nga veprimet e Fullanit t’i jetë shkaktuar dëm ekonomik shtetit, pasi në rastin konkret nuk kemi tjetërsim të pronës dhe as pakësim të pasurisë së shtetit. Edhe vlefta e dhënë në formën e çmimit për blerjen e ish hotel “Dajtit” nuk është dëm – thotë gjykata, – pasi ato në përfundim janë asete monetare dhe pasuri e patundshme e shtetit.
/ Top Channel