Saga e rekomandimeve dhe e opinioneve të ekspertëve të Venecias ka marrë fund. Komisioni miratoi këtë të premte draftin përfundimtar të reformës në drejtësi duke e lënë topin në fushën e politikës shqiptare për kalimin e saj.
Lajmi është konfirmuar fillimisht nga delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përmes rrjeteve sociale.
“Komisioni i Venecias miratoi opinionin përfundimtar për reformën në drejtësi dhe falenderoi delegacionin e BE-së për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësinë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Tiranë.
Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi nuk ka marrë një vendim se çfarë hapash do të ndërmarrë pas miratimit përfundimtar nga Venecia.
Maxhoranca dhe opozita janë të ndara për metodologjinë që duhet të ndjekin për të arritur në një draft të pranuar nga të gjitha palët.
Socialistët mendojnë se përfshirja e ekspertëve është zgjidhja më e mire, ndërsa demokratët, që kanë paraqitur edhe 11 vërejtjet e tyre, kërkojnë dialog politik.
***
Raporti përfundimtar i Venecias është ‘zyrtarizim’ i draftit të ndërmjetëm të bërë publik në fillim të këtij muaji. Top-Channel siguroi dokumentin prej 20 faqesh të draftit të ndërmjetëm, nga ku ekspertët e Venecias kanë renditur konkluzionet përfundimtare.
Debateve të forta politike, se cili do të jetë fati i mëtejshëm i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla pas miratimit të reformës, Venecia u jep këtë verdikt:
“Nëse prokurori i përgjithshëm kalon procesin e vetingut dhe del i pastër prej tij, atëherë pyetja është se, ku qëndron justifikimi për ta larguar atë më përpara nga zyra, duke e veçuar nga mesi i të gjithë atyre zyrtarëve tek të cilët aplikohet vetingu? Në të tilla kushte, Komisioni i Venecias nuk shikon asnjë arsye për përfundim të parakohshëm të mandatit”, thuhet në paragrafin 81 të faqes 18 të opinionit.
Për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët i zgjedh Kuvendi, Venecia rekomandon:
“Duke marrë në kosideratë krijimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, Komisioni rekomandon krijimin e një rregulli zgjedhjeje me shumicë të cilësuar për 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga Parlamenti”, thuhet në paragrafin 39, faqja 9.
Venecia rekomandon se i duhet kushtuar vëmendje mënyrës së zgjedhjes së organeve të reja në drejtësi.
“Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar, anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri, që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione, apo një model tjetër i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në procesin e zgjedhjes”, sugjeron opinioni.
Ekspertët e Venecias kërkojnë bërjen kujdes me procesin e vetingut për gjykatësit dhe prokurorët.
“Komisioni Special i Kualifikimit dhe gjykatësit e Këshillit Special të Kualifikimit janë përgjegjës për procesin e vetingut, i cili do të jetë 9 vjet pa të drejtë ribërjeje. Ndërsa i gjithë procesi i vetingut supozohet të zgjasë 11 vjet, apo më pak nëse Shqipëria do t’i bashkohët BE-së në një datë të mëhershme. Kjo kohështrirje është e gjatë. Komisioni e pranon nevojën e vetingut, por me kushtin se duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme dhe në mënyrë strikte, një masë e përkohshme. Komisioni i Venecias nuk është në pozicion të parashikojë se sa kohë nevojitet për të kaluar në sitë një gjyqtar apo një prokuror. Në rastet komplekse, procedura merr më shumë se 3 vjet, apo më gjatë”, thuhet në paragrafin 55 të faqes 12.
Opozita në draftin e saj ngulmon për zgjedhjen me 2/3-tat të organizmave të reja në drejtësi, ndërsa Venecia mendon se:
“Është e kuptueshme dëshira e opozitës për zgjedhjen me 2/3-tat, megjithatë Komisioni i Venecias në raportin paraprak nuk rekomandoi 2/3-tat. Të dyja shumicat e cilësuara janë legjitime dhe një metodë zgjedhjeje e propozuar në draftin e rishikuar. 3/5-tat në parim është një zgjidhje e pranueshme. Edhe kërkesa e zgjedhjes me 2/3-tat e votave në të cilën opozita insiston se mund të jetë inefiçente për t’ja arritur qëllimit, siç tregon shembulli në Hungari. Kërkesa e 2/3-tave pa një mekanizëm efiçent zhbllokues mund të sjellë çimentim e si pasojë rrezikimin e procesit të reformës. Komisioni nënvizon se nuk është detyrë e tij të bëjë propozime specifike kushtetuese për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në paragrafin 14 të faqes 5 të opinionit.
Venecia i tërheq vëmendjen autoriteteve shqiptare në bërjen kujdes në mos kthimin e ndryshimeve kushtetuese në një “precedent” përgjimesh të pafundme nga shërbimi sekret për njerëzit e drejtësisë.
/ Top Channel