Reforma në drejtësi në Shqipëri, 4 vjet nga miratimi, ende nuk ka një produkt real për qytetarët. Procesi i Vetting-ut dhe dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë shkaktuar në sistem mungesën e 36% të trupës së gjyqtarëve dhe 22% të trupës së prokurorëve. Kjo solli bllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë për dy dhe tre vite përkatësisht, ndërsa aktualisht vendet bosh në Gjykatat e Apelit dhe ato të shkallës së parë po sjellin mjaft vonesa në dhënien e drejtësisë për qytetarët. Këshilli i lartë i Prokurorisë, ai Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë thonë për Zërin e Amerikës se për të zbutur problematikën po i kushtohet vëmendje disa elementëve, mes tyre rritjen e numrit të kandidatëve në Shkollën e Magjistraturës dhe krjimin e hartës së re gjyqësore.
Reforma në Drejtësi në Shqipëri, e cila u miratua me Konsensus të plotë në Parlament, në Korrik të Vitit 2016, ka hasur në disa problematika të paparashikura nga hartuesit e saj. Një nga pasojat e mëdha është mungesa e afro 36% e trupës së gjyqtarëve dhe 22 % e trupës së prokurorëve për shkak të largimeve pas proçesit të Vettingut, si edhe dorëheqjet pa ju nënshtruar atij. Kjo situatë solli bllokimin për rreth dy dhe 3 vite, përkatësisht të Gjykatës Kushteuese dhe asaj të lartë. Gjykata kushtetuese u bë funksionale në fund të vitit 2020 dhe ka 6 nga 9 anëtarë ndërsa ajo e lartë ka 3 nga 19 anëtarë, pra vetëm një trupë gjykimi për rekurset, ndërsa pritet të shqyrtohen 36 mijë dosje. Ajo që shqetëson sot qytetarët, ekspertët dhe mbështëtesit e reformës lidhet me krijimin e vendeve bosh edhe në gjykatat e Apelit ato të shkallës së parë si dhe në organin e prokurorisë, por dhe me pamundësinë institutucionale për t’i plotësuar ato, paralelisht me largimet.
Arbër Qehaja Avokat, në pritje të një proçesi gjyqësor në Gjykatën Apelit në Tiranë thotë se ,vonesat në gjyqet civile kanë shkaktuar mjaft konflikte mes qytetarëve.
“ Këtu ndjek dhjetra çështje, kanë mbi tre vite që zgjasin, kjo nuk vjen për faj të gjyqtarëve, por për faj të Vetting-ut dhe sistemit. Shkarkohen gjyqtarë pa bërë emerime të reja. Këtu ka patur gjithmonë vonesa për shkak të volumit,por tani mund ta quajmë se është totalisht në kaos. Pasojat bien mbi qytetarët, dhe shkaktohen konflikte dhe mes tyre”- thotë për Zërin e Amerikës Arbër Qehaja, Avokat.
Në një sistem gjyqësor, prej 353 gjyqtarësh, aktualisht mungojnë 125 prej tyre ose 36% e trupës së gjyqtarëve. Ndërsa në organin e akuzës, nga 336 prokurorë, mungojnë 74 prej tyre , ose 22% e trupës së prokurorëve.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, i pranon vështirësitë dhe thotë se synimi mbetet plotësimi i vakancave me prurje të reja, duke rritur numrin e studentëve të shkollës së magjistraturës, bazuar në trendin e largimeve nga Vetting, por dhe në kapacitetet e kësaj shkolle, si dhe duke aplikuar lëvizje paralele të prokurorëve në varësi të ngarkesës.
“Në 2 vitet e ardhshme ne do të jemi në gjendje të injektojmë në sistem 42 prokurorë të rinj. Kjo shërben për të zbutur problemin dhe jo për ta zgjidhur atë. Natyrisht duhet patur parasysh aftësia dhe rendimenti në punë që kurrsesi nuk mund të jetë i njëjtë me atai atyre që janë në sistem prej vitesh. Duhet mbajtur në konsideratë që ka patur ndryshime të rëndësishme dhe në Kodin e Proçedurës Penale, të cilat e kanë vështirësuar punën e prokurorit. Kërkohet më shumë kohë për realizimin e detyrave të njëjta. Pra edhe këto shtohen si problematika, dhe në këto kushte për të qenë objektiv dhe të sinqertë trupa e prokurorëve në sistem është në një presion të
madh, përsa i takon nevojës për të dhënë produkt”- u shpreh për Zërin e Amerikës Gent Ibrahimi, Kryetar i Këshillit të Prokurorisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, pranon se ka vështirësi në plotësimin e vendeve bosh në sistem dhe në përgjigjen me shkrim që i dha Zërit të Amerikës, nënvizon shqetësimin, se vonesat në shqyrtimin e çështjeve kanë sjellë cënimin e aksesit në drejtësi. KLGJ argumenton se plotësimi vendeve vakante në sitemin gjyqësor është një proçes kompleks që përfshin disa institucione, dhe se nuk mund të parashikohet me saktësi. Ky këshill , sqaron se ka ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të plotësuar vendet bosh në Gjykatën e Lartë, ato të Apelit dhë shkallës së parë duke mbajtur gjithmonë në konsideratë cilësinë e kandidatëve që do të zgjidhen.
E megjithatë njohës të fushës së drejtësisë mendojnë se sistemi është në kolaps dhe se mungon vizioni për të ardhmen.
“Largimi ditë pas dite i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi për shkak të Vetting-ut, pa mundur të zëvendësohen secili, po krijon një preçedent të rrezikshëm. Ajo çfarë kemi sot është një sistem drejtësie në kaos dhe pa asnjë vizion. Institucionet e reja të cilave ju besua administrimi i drejtësisë janë futur në një rreth vicioz, pa mundur të japin zgjidhje për kolapsin dhe situatën e papreçedentë në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë”-thotë për Zërin e Amerikës Denisa Daka, avokate.
Ministrja e drejtësisë Etilda Gjoni thotë se, kur u hartua reforma nuk parashikohej ky numër i lartë largimesh nga sistemi i drejtësisë për shkak të vettingut apo dorëheqjeve dhe mohon të ketë kolaps në sistemin e drejtësisë. Ajo rendit disa masa me qëllim zbutjen e problematikës së vakancave, si rritjen e numrit të magjistratëve që hyjnë në system, të numrit të administratës gjyqësore dhe ndihmësave ligjorë për përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve.
Ndërkohë prej një viti Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ, me asistencën e ndërkombëtarëve, po punojnë për hartën e re gjyqësore që mendohet t’i vijë në ndihmë situatës problematike, por mes dy institucioneve ende nuk ka një qëndrim të njëjtë.
“Këshilli i lartë Gjyqësor ka sjellë një variant, i cili bën një ulje drastike të numrit të gjykatave, si ato të apelit ashtu dhe të ato të shkallës së parë, i cili në konsideratat tona mund të jetë i mirë për të plotësuar pikërisht këtë vakum, por nga ana tjetër mund të na sjellë një problematikë shumë të madhe me atë të cilën ne e advokojmë dhe vazhdojmë betejën për një drejtësi sociale, që duhet të kenë qytetarët. Ne kemi vlerësuar që nuk mund të shkojmë në një variant të tillë drastik, por kjo të jetë me faza. Për këtë arsye dhe grupi i punës në Ministrinë e drejtësisë edhe me partnerët ndërkombëtarë është diskutuar që të gjendet një rrugë e ndërmjetme, për të mos shkurtuar gjykatat e apelit në një numër shumë të pakët, që mund të jetë dhe një gjykatë apeli, por për ta arritur atë më dy apo tre faza, sapo kjo kjo fazë tranzitore të superohet”- argumentoi Etilda Gjoni, Ministre e Drejtësisë.
Normalizimi i punës në sistemin e drejtësisë dhe shkurtimi i kohës në dhënien e drejtësisë për qytetarët, sipas pritshmërive në rastin më të mirë shkon në 2 apo 3 vite. Qytetarët do të duhet të vijonë të përballen me ditë të vëshitra në marrjen e drejtësisë pasi reforma ende nuk ka një produkt të prekshëm prej tyre.
voa