“Vettingu” i politikanëve, ligji i ri për anti-korrupsionin në nivele të larta

kuvendi27 ligjet e paketës së re që plotëson reformën në drejtësi nuk janë njësoj të rëndësishme si 7 ligjet e para. Por një prej tyre është një përpjekje për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, duke patur në shënjestër pasurinë e paligjshme.

Ndryshimi i ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive është një bashkëpunim me amerikanët dhe me 5 pikat e tij kryesore duket se është konceptuar si një vetting për pasuritë e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë.

Ligji i ri redukton numrin e atyre që kanë detyrimin të deklarojnë pasurinë, me qëllim që, duke hequr nga lista nëpunësit e ulët, inspektoriati të fokusohet tek kontrolli i njerëzve me pushtet dhe që administrojnë fonde e pasuri publike.

Me kërkesën e ekspertëve amerikanë të OPDAT-it, ligji detyron zyrtarët e lartë të deklarojnë edhe pasuritë e luajtshme në përdorim, me argumentin se kjo shmang fshehjen e pasurive që zyrtarët nuk i kanë në pronësi, por i përdorin ato.

Ligji ndryshon formularin e deklarimit duke detyruar subjektet të deklarojnë jo vetëm pakësimin apo shtimin e pasurisë gjatë një viti, por deklarimin e përvitshëm të të gjithë pasurisë.

Kjo duhet të shoqërohet edhe me burimin e kësaj pasurie, një kërkesë që ngjan shumë me vettingun e pasurisë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Ligji u jep inspektorëve atributet gjyqësore në rast të mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë nga subjektet, në mënyrë që dokumentat e mbledhura gjatë hetimit të kenë vlerën e provës në një proces penal.

Ligji synon të fuqizojë kryeinspektorin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe ta bëjë atë sa më të pavarur nga politika. Përveç zgjedhjes dhe shkakrimit me shumicë të cilësuar në Parlament, kohëzgjatja e mandatit të tij propozohet të rritet në 7 vjet nga 5 që e ka aktualisht dhe pa të drejtë rikandidimi.

Por kjo nuk do të thotë se do të ketë një kryeinspektor të ri. Zgjatja e mandatit të Shkelqim Ganit deri në plotësimin e 7 viteve është sanksionuar në pikën e fundit të ligjit dhe Top Channel ka mësuar se ky është një propozim i amerikanëve.

Një propozim i tillë vjen në kulmin e konfliktit mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Inspektoriatit, prej të cilit organi i akuzës kërkon të marrë të dhënat e serverit të deklarimit të pasurive.

Një betejë që është aktualisht në Gjykatën e Lartë dhe që lidhet drejtëpërsëdrejt me vettingun e pasurisë së njerëzve të drejtësisë dhe politikës.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>