Në Shqipëri komisioni i Posaçëm parlamentar për verifikimin e kandidatëve që do të jenë anëtar të strukturave të cilat do të duhet të kryejnë procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjykatësve shqiptarë, mbylli sot veprimtarinë e tij. Pavarësisht kritikave që përfaqësuesit e opozitës por dhe ai i LSI-së patën ndaj procesit të përzgjedhjes, lista me 68 kandidatë i kalon tani dy komisioneve të tjera që do të bëjnë përzgjedhjen e emrave të cilët do të votohen më pas nga parlamenti:
Në ditën e fundit të punës së tij Komisioni parlamentar i Verfikimit, përmbylli procedurat, në një seancë me punimet me dyer të mbyllura. Komisioni, i cili kishte dëgjuar më parë të gjithë kandidatët, pati përpara tij tre lista, 67 persona të cilët plotësonin kriteret formale dhe kishin marrë rekomandim pozitiv nga Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, një grup i cili kishte marrë rekomandim negative dhe grupi i tretë, i cili nuk plotësonte kriteret formale. Lista e parë i kalon automatikisht, pas verifikimit, dy Komisioneve parlamentare të Përzgjedhjes. Ndërsa nga listat e tjera vetëm një kandidaturë mori votat e nevojshme për t’ju bashkangjitur listës që kalon në fazën e mëpasshme. “Në përfundim të kësaj procedure, Komisioni i Verifikimit, i përcjell për votim, dy Komisioneve të tjera Përzgjedhëse, një listë të kandidatëve prej 68 emrash që plotësojnë kriteret formale dhe nuk kanë marrë rekomandim negativ nga ONM-ja”, deklaroi Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Verfikimit.
Por përfaqësuesi i LSI-së në Komision Luan Rama shprehu vërejtje për kriteret e përdorura në përzgjedhje nga Avokati i Popullit dhe ONM-ja: “Dikush që ka vëllanë ose burrin në sistemin e Drejtësisë, i jepet rekomandim negativ, dikujt tjetër që ka po vëllanë, apo burrin, ose motrën, nuk i jepet rekomandim negativ. Kjo është shprehje flagrante e aplikimit të dy standarteve, e subjektivizimit dhe përpërgjegjshmërisë në përzgjedhjen e kandidatëve”
Në të njejtën linjë edhe përfaqësuesi i opozitës Flamur Noka, i cili gjithashtu foli për një nivel të ulët profesional të kandidatëve, duke mos kursyer kritikat për lidhje politike të disa të tjerëve: “Ata 5-6 profesionistë që mund të ishin, ishin politik. Pjesa tjetër ishte e mbushur me nivelin e ulët të sistemit të drejtësisë. Merreni me mend se cfarë produkti do të ketë Vettingu dhe Refroma në Drejtësi”.
Mes 68 kandidatëve do të përzgjidhen 12 anëtarët e Komisionit që do të bëjë vlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve si dhe dy zëvendësat e tyre, 6 anëtarët e Kolegjit të Apelimit dhe dy zëvendësa, dhe dy komisionerët publik e zëvendësat e tyre. Përzgjedhja e tyre bëhet nga dy Komisione të posaçme parlamentare, pa debat, përmes një sistemi të fshehtë elektronik. Të gjithë kandidatët e përzgjedhur do i nënshtrohen votimit në bllok nga ana e parlamentit, me tre të pestat. (voa)