Vettingu për prokuroren Imeraj, Kim e Soreca mbështesin ONM-në

Në Shqipëri ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ai i Delegacionit te Bashkimit europian Luigi Soreca mbështetën sot vendimin e djeshëm të Operacionit Ndërkombëar të Monitorimit për të rekomanduar që procesi i rivlerësimit për kryeprokuroren e Tiranës Elizabeta Imeraj të shkojë në Kolegjin e Apelimit

Zonja Imeraj kaloi me sukses fazën e parë duke marrë vlerësime pozitive për të tri kriteret nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ekspertët ndërkombëtarë në të kundërt kanë sugjeruar ankimimin, po ashtu për të tri kriteret e vlerësimit.

Në një postim në Twitter ambasadorja Kim shprehet se “të gjithë duhet të ndjekim nga afër se çfarë do ndodhë më pas”, duke ngritur pyetjen nëse “përgjigjja do të jetë shfaqje guximi dhe integriteti në dhënien e drejtësisë apo, siç kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, shmangie e përpjekjeve duke sulmuar procesin e vetingut e duke përfolur vëzhguesit ndërkombëtarë?”

Ambasadorja Kim ju drejtua më pas dhe mediave vendase të cilat thuajse e kaluan në heshtje rekomandimin e djeshëm të ONM-së duke pyetur nëse ato “do t’i shërbejnë publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër?”

Nga ana e tij ambasadori Soreca deklaroi se shpreson që Kolegji i Posaçëm i Apelimit “të shqyrtojë çështjen me integritet dhe pavarësi për të siguruar që çështjet e rëndësishme të theksuara në rekomandimin për apelim të konsiderohen siç duhet”.

Edhe gjatë seancave në Komisionin e Kualifikimit përfaqësuesit e ONM-së ngritën dyshime të forta ndaj prokurores Imeraj dhe mes palëve pati një përplasje të hapur.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>