Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas vrasjes së 63-vjeçarit Petrit Zifle në Korfuz, një krim ku ka dyshime të forta, madje tashmë thuajse të konfirmuara se është kryer nga një 44-vjeçar, eksponent i partisë neo-naziste greke Agimi i Artë. Përmes një deklarate për mediat, MEPJ kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Reagimi i Ministrisë:
Në përgjigje të interesit të medias në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Korfuz ku humbi jetën një shtetas i Republikës së Shqipërisë, zëdhënësja e MEPJ Edlira Prendi, bëri me dije se: “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”.
Ngjarja e rëndë:
Kjo ngjarje ka ndodhur më datë 25 nëntor në Dragotina të Korfuzit. Mediat greke shkruajnë se autor i ngjarjes dyshohet një 44-vjeçar nga Korfuzi i cili është anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi. Autori bëhet me dije se ka qenë një njeri kyç i kësaj partie në zonë dhe madje edhe kandidat për deputet i Agimit të Artë, partia që bën thirrje për terrorizimin e të huajve që jetojnë në Greqi.
Vrasësi ka hapur fillimisht debate për çështje të mprehta etnike të shtetit grek. Ai ka folur për çështjen e Maqedonisë, emrin e aty ka ndërhyrë në debat edhe shqiptari Petrit Zifle. Të dy kanë nisur të debatojnë ashpër. Të tjerët që ishin në lokal në ato momente e kanë ndarë grekun nga shqiptari. Mirëpo, greku kur ka ikur, është larguar duke e kërcënuar Ziflen. Më pas, vrasësi i ka zënë pritë pabesisht dhe e ka ekzekutuar shqiptarin 63 vjeç. Ka dyshime se ata janë përfshirë në sherr me fjalë edhe për çështjen “Kacifas”. Pasi greku ka vrarë shqiptarin, trupin e tij e ka hedhur në një vend që nuk është fort i dukshëm në atë lokalitet. Autoritetet kanë shkuar aty dhe e kanë gjetur trupin e pajetë pas disa ditëve. Autori u dorëzua në polici dhe aty ka pranuar fajësinë.
(shekulli)