Xhafaj në Top Story: Vendimi i Kushtetueses, i paralajmëruar

top-storyKëtë javë Gjykata Kushtetuese mori një vendim në dukje të ndërmjetëm, por një vendim tejet i rëndësishëm; pezulloi ligjin e Vettingut, ligjin ndoshta më të përfolur të dekadës së fundit të miratuar në Parlament, kjo edhe për shkak të pasojave që ai pritet të shkaktojë në kuadrin e reformën në drejtësi.

Çfarë ndodh tani? A ishte ky një vendim në konflikt të pastër interesi me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, apo ky ligj vërtet shkelte Kushtetutën? Cilat do të jenë hapat që do të ndiqen? Cilat do të jenë pasojat dhe më e rëndësishmja, a ka ngrirë vërtetë reforma në drejtësi?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, por edhe të tjerave që lidhen me reformën në drejtësi, këtë të enjte në Top Story, përballë gazetarit Sokol Balla dhe analistëve të ftuar në panel, ishte i ftuar kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin e Vettingut ishte i paralajmëruar, pasi sipas tij, kishte disa ditë që qarkullonte tek gjyqtarët dhe prokurorët vendimi në fjalë.

Ai ngriti dyshime mbi vendimin në fjalë duke e argumentuar këtë dyshim edhe me mungesën e arsyetimit të vendimit të marrë. Xhafaj tha gjithashtu se vendimi i marrë është shpërndarë menjëherë në media pa dalë ende nga salla e mbledhjes trupa e gjyqtarëve.

“Kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë gjykatë, e jo më tek Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai. Xhafaj  deklaroi se vetë Kushtetuesja ka një konflikt interesi me ligjin në fjalë, pasi ishte pikërisht ky institucion dhe anëtarët e tij që do t’i nënshtroheshin të parët procesit dhe pasojave të Vettingut.

Kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi tha se më shumë sesa një motivim politik, vendimi i Kushtetueses lidhet me problemin që kjo gjykatë vetë mund të ketë me ligjin në fjalë.

***

Xhafaj: Vendimi ishte i paralajmëruar

Deputeti socialist e nisi fjalën duke njohur të drejtën e Kushtetueses për të marrë një vendim të tillë, por sërish ngriti disa pikëpyetje, e para lidhej me mungesën e arsyetimit.

“Nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, Gjykata Kushtetuese është në të drejtën e saj. Ka marrë një vendim që është mbështetur në Kushtetuë dhe në vetë ligjin e Gjykatës Kushtetuese. Gjithsesi mbetet për t’u parë për shkak se ende nuk kemi një vendim të arsyetuar, që është një problem jo i vogël, për të mësuar se cilat kanë qenë arsyet që e kanë çuar në këtë vendimarrje. Gjithsesi, kur flet Gjykata Kushtetuese, ne të tjerët jemi të detyruar ta zbatojmë. Por kjo nuk na heq të drejtën për të debatuar dhe diskutuar rreth arsyeve që e kanë çuar gjykatën në këtë vendimarrje”, deklaroi ai.

Xhafaj thotë se e priste këtë vendim.

“Nuk ishte një vendim i papritur. Është një vendim i paralajmëruar për shkak se kishte kohë, në mënyrë të veçantë në mjediset e gjyqtarëve dhe të prokurorëve përflitej për një pezullim të ligjit të Vettingut. Kam patur rastin që të takoj vetë gjyqtarë dhe prokurorë që kanë qenë të interesuar për përgatitjen e dokumentave dhe një pjesë e mirë e tyre, më kanë përcjellë këtë shqetësim shumë kohë përpara se Gjykata Kushtetuese të merrte këtë vendim. Sipas meje, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë patur rastin dhe mundësinë që ta gjykojnë dhe diskutojnë këtë përtej dyerve të gjykatës. Kjo nuk është absolutisht normale, siç nuk është normale që të dilte nga Gjykata Kushtetuese një vendim para se të dilnin gjyqtarët nga salla. Doli lajmi në media se çfarë kishte vendosur Gjykata Kushtetuese. Kjo nuk duhet të ndodhë për asnjë trupë gjyqësore dhe jo më për gjk. Të gjitha këto janë prova të dukshme të faktit që ka një lidhje të drejtpërdrejtë të interesit që kanë një pjesë e sistemit gjyqësor për të penguar reformën në drejtësi”, deklaroi kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi.

Por a është ky vendim pjesë e përpjekjeve për të penguar reformën në drejtësi? Xhafaj nuk e përjashton.

“Mënyra sesi është marrë vendimi, arsyet që e kanë çuar Gjykatën Kushtetuese në këtë vendimarrje, të bindin që kjo është një gjë e llogaritur në funksion të frikës, ose më saktë të presionit që ka një pjesë e mirë për shkak se janë subjekte të drejtpërdrejta të ligjit të Vettingut, por nga ana tjetër janë edhe një arsye shumë e fortë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi. Sesa i drejtë është ky vendim, në këndvështrimin tim, kjo mbetet e diskutueshme edhe më vonë”, u përgjigj Xhafaj.

“Kushtetuesja, konflikt interesi me Vettingun”

Gjykata Kushtetuese ishte një ndër institucionet e para që do t’i nënshtroheshin ligjit të Vettingut, por a është vendimi i marrë për pezullimin e këtij ligji në konflikt interesi? Xhafaj solli si shembull ligjin e lustracionit.

“Fakti që Gjykata Kushtetuese është e para në radhë që do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut, por nga ana tjetër ka detyrimin që përtej këtij fakti që të shqyrtojë kushtetushmërinë e vettingut. Kemi një precedent në rastin e ligjit të lustracionit, ku Gjykata Kushtetuese, edhe në atë rast ka qenë hapur në konflikt interesi. Tani konflikti i hapur i interesit është i prezumuar sepse askush nga ne nuk mund të thotë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do të kalonin procesin e Vettingut. Në rastin e lustracionit ata ishin dukshëm të ekspozuar përpara efekteve që sillte ligji i lustracionit. Ka një ndryshim thelbësor, këta e kanë përbrenda këtë, kurse ata e kishin të dukshëm”, u shpreh ai.

Xhafaj: Vettingu në Venecia, si lustracioni

Edhe në rastin e lustracionit, Kushtetuesja iu drejtua Venecias, e cila i ktheu përgjigjje duke u shprehur se kjo gjykata ka detyrimin që të dalë me një vendim për ligjin. Xhafaj paralajmëroi se e njëjta përgjigjje do të kthehet edhe për Vettingun, duke shtuar se referimi i ligjit për opinion ishte një hap i panevojshëm nga Kushtetuesja.

“Në rastin e mëparshëm iu drejtuan Venecias dhe Venecia i tha që Gjykata Kushtetuese ka detyrimin për ta shqyrtuar këtë projektligj dhe ashtu ndodhi. Venecia është shprehur njëherë për qëndrimin që duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese. Pra, praktikisht po shkon te Venecia dhe po i thotë që ti e ke thënë njëherë, por ma thuaj sërish. Edhe nga pikëpamja e integritetit të një trupe si Gjykata Kushtetuese, kjo nuk është serioze sepse në një farë mënyrë do t’i bëjë të nënqeshin në Venecia”, u shpreh ai, duke shtuar se për një çështje kaq të rëndësishme, Kushtetuesja së paku duhej të dilte me një vendim të arsyetuar dhe të kishte thërritur një seancë plenare për të dëgjuar palët.

“Më parë ka thërritur palët dhe i ka dëgjuar, në këtë rast nuk e bëri këtë”, deklaroi Xhafaj.

Vazhdon…

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>