Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen nesër për forumin e dytë të Samitit të Vjenës, që zhvillohet nën kujdesin e kancelarit austriak Faymann dhe asaj gjermane, Merkel.
Samiti nis zyrtarisht më 26 gusht, në orën 13:00, me panelin e ministrave të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë këtë Samit, është shprehur se do të kërkojë mbështetje në pesë fusha kryesore: në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjetike, kapitalet njerëzore, arsimimi dhe edukimi, si dhe në fund turizmi.
Gjithashtu, sipas tij, pritet që në Tiranë të jetë selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku do të synohet përfshija e gjitha vendeve të rajonit në këtë fond me qëllim dhënien e ndihmës në hartimin dhe në financimin e projekteve.
Në Samitin e Vjenës pritet të miratohet platforma për të inkurajuar dhe mbështetur përfshirjen e të rinjve, programet e shkëmbimit dhe të trajnimeve profesionale, duke përfshirë forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fusha si siguria energjetike, transporti, infrastruktura dhe turizmi.
Ministri Bushati ka nënvizuar se, Shqipëria do të kërkojë një përqendrim të përpjekjeve të BE-së drejt një strategjie te re të ndërlidhjes energjetike të rajonit.
Axhenda e Samitit të Vjenës
1.Sipas axhendës së Samitit të Vjenës, më 26 gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të integrimit dhe atyre të jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.
2.Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës.
3.Dita e parë e samitit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”. Në fushën e blertë austriake, ekipin e të “Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij, Arben Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja, ministri Crbadak nga Kosova, Hashim Thaçi nga Maqedonia, kryeministri Gruevski dhe nga Serbia kryeministri Vuçiç. Ndeshjen do ta arbitrojë komisioneri Hahn.
4.Dita e dytë e Samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Evropiane të Investimeve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
5.Më pas ministrat e jashtëm të rajonit do të diskutojnë tri çështje: Bashkëpunimi rajonal, emigracioni dhe dialogu fetar, përfshirë anti-ektremizmin.
6.Paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner.
7.Në përfundim të samitit, kancelari austriak Faymann, kancelarja gjermane Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
/Shekulli Online/