Në Shqipëri, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po shkon drejt përmbylljes së procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për 6 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
Këshilli i Emërimeve njoftoi sot se ka lejuar vijimin e procesit për kandidaten Elsa Toska dhe ka ndërprerë procedurat për 7 kandidatë të tjerë për në Gjykatën Kushtetuese. Në total deri tani janë 5 emra që kanë kaluar, ndërsa 12 kandidatë janë rrëzuar. Në listë janë dhe dy kandidatë të tjerë në pritje të shqyrtimit.
Procesi konsiderohet si tejet i rëndësishëm pasi mund të bëjë të mundur përzgjedhjen 6 anëtarëve të Gjykatës së Kushtetuese të cilët pas intervistimit dhe vlerëimit me pikë nga Këshilli do të emërohen 3 nga presidenti dhe 3 nga parlamenti. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese mund të rinisë funksionimin ndonëse me numër të reduktuar, pasi për 3 anëtarët e tjerë do të duhet të pritet plotësimi fillimisht me anëtarë i Gjykatës së Lartë.
Ndërkohë sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkarkoi nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda Gent Osmani, i cili është njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Zotit Osmani ju deklarua si problem mos rakordimi i të ardhurave dhe shpenzimeve në vitet 2011-2013. Pak muaj më parë me një vendim që u shoqërua me polemika Kolegji shkarkoi dhe anëtaren tjetër të Këshillit të Prokurorisë, Antoneta Sevdari.
voa