Kryeministri Edi Rama kërkon ta zgjerojë sa më shumë gamën e bashkëpunimit politik për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjeve me deputetët e PS në qarqe dhe më pas me ata të Tiranës, Rama ka theksuar se për kandidatët do të vendosë në konsultim me aleatët.
“Kemi konsultuar shumë emra dhe do të vendosim bashkarisht me partnerët e koalicionit. Në këtë koalicion ka hapësirë edhe për zëra të tjerë. Kam parasysh këtu FRD-në. Pasi kemi hartuar një reformë të madhe elektorale besoj se në këtë fazë kjo forcë politike mund të bëhet pjesë e koalicionit qytetar jo për të përputhur programet, por për të rritur spektrin e ideve”, ka deklaruar Rama.
I pyetur nga mediat, shefi i qeverisë ka nënvizuar se ka biseduar edhe me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili sipas tij është dhe do të jetë pjesë e koalicionit për këto zgjedhje.
Kreu i partisë më të madhe të mazhorancës ka bërë më tej me dije se rezultatet e anketimeve të para për zgjedhjet janë inkurajuese, ndërsa ka shtuar se koalicioni do të bëjë të tjera në ditët në vazhdim.
“Besoj se në ditët e ardhshme do të mund të harmonizojmë qëndrimet në koalicion”, ka thënë Rama, i cili është shprehur i sigurt se më 21 qershor Bashkia e Tiranës do të kalojë majtas.
“Në këtë proces Tirana ka zënë vendin kryesor dhe më 21 qershor Bashkia e Tiranës do të ndahet nga kryetari që nuk bëri asgjë për kryeqytetin”, ka shtuar Rama.
Takimi me deputetët e PS, diskutohen emrat për kryeqytetin
Në orët e pasdites së të hënës kryeministri Rama zhvilloi një maratonë takimesh me deputetët socialistë sipas qarqeve, në kuadër të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore.
Të fundit që ai takoi ishin deputetët e Tiranës, me të cilët kryetari i PS diskutoi për emrat e kandidatëve për bashkinë e kryeqytetit.
Nuk ka informacione se çfarë kanë propozuar deputetët, por nga kontaktet me ta ka rezultuar se ndajnë mendime të ndryshme mbi kandidatin që do të përfaqësojë Tiranën.
Në përfundim të takimit, deputeti Fatmir Xhafaj bëri këtë deklaratë: “Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është shumë i rëndësishëm, për këtë arsye do të merren parasysh gjithë faktorët e mundshëm. Kriteret pastaj janë çështje e brendshme e partisë”, deklaroi Xhafaj.
Ndërkohë, nga burime konfidenciale mësohet se opinionet janë të ndara përsa i përket emrave të Erjon Veliajt, Pandeli Majkos dhe Blendi Klosit për Tiranën.
Fjala e fundit, pavarësisht propozimeve, i mbetet kryeministrit Rama. Edhe kryetari i LSI, Ilir Meta, pas një takimi të zhvilluar me Ramën, tha se kryeministri ka dorë të lirë për të zgjedhur.
Vlen të theksohet se menjëherë pasi dolën nga selia e PS, deputetë të qarqeve të ndryshme nuk dhanë emra. Por gjatë takimit po. Ben Blushi tha se, për në Elbasan është propozuar emri i kryetarit aktual Qazim Sejdini, ndërsa në Fier nuk do të kandidojë më Armand Zeqo.
Për këtë bashki, deputeti Armando Subashi deklaroi se, do të ishte i gatshëm ta merrte nëse do t’i jepej “bekimi” nga Edi Rama.
Sa për Korçën ka një propozim për kryetarin aktual Sotiraq Filo, ndërsa për Shkodrën, nga dy burime të ndryshme mësohet se propozimi është zonja Keti Bazhdari.
Për në Durrës, deputeti i këtij qarku Blendi Klosi tha se kandidatura e Vangjush Dakos është më e mira. Ndërkohë, është propozuar rikandidimi i Indrit Dukës për Bashkinë e Shijakut.
Dy aleatët e koalicionit qeverisës, Edi Rama dhe Ilir Meta, në ditët e ardhshme mund të bëjnë një dalje të përbashkët publike për të shpallur kandidatët. Top Channel