Shkup, përpjekje të pasuksesshme për të zhbllokuar formimin e KSHZ-së

ZaevDrejtuesit e katër partive kryesore në Maqedoni u takuan të enjten për të zhbllokuar formimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pa të cilin nuk mund të organizohet referendumi i paralajmëruar për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. VMRO-DPMNE-ja opozitare e kushtëzon formimin e këtij organi dhe daljen në referendum me ristrukturimin e qeverisë, duke kërkuar postin e ministrit të rendit dhe tre zëvendës-ministra me të drejtë vetoje.

Por, Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe Bilall Kasami i njërit krah të Lëvizjes “Besa”, nuk mundën të bien dakord. Ata nuk dhanë shumë hollësi për bisedimet.

“Nuk ka kompromise për synimet strategjike të Republikës së Maqedonisë. Amnesti (për rastin e 27 prillit, 2017) direkte ose indirekte nuk do të ketë. Do t’i japin shans dialogut dhe bisedave deri sa kjo të jetë e mundur, tha Zoran Zaev pas takimit.

Hristijan Mickoski tha se: “Për disa tema kemi qëdrime të afërta, për disa tema të tjera nuk kemi afruar qëndrimet. Nëse me të vërtetë synojmë vlerat dhe parimt evropiane, kështu edhe duhet të sillemi. Vlerat e njejta t’i themi jo vetëm në mënyrë deklarative, por t’i zbatojmë edhe në vepër”.

Ndërkaq, Ali Ahmeti dhe Bilal Kasami janë në një vijë me kryeministrin Zoran Zaev.

Zoran Zaev ka lënë të kuptohet se pyetja e cila do të shtrohet në referendum do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO dhe për marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Pushteti duket se parapëlqen një referendum konsultativ e jo obligativ. Sidoqoftë, shkalla e pjesëmarrjes në referendum prej më tepër se 50 përqind pritet të jetë e vështirë. Mbi 900 mijë votues duhet të dalin të votojnë në këtë rast, ndërsa 50 përqindëshi i tyre, plus një votë më shumë duhet të deklarohen në favor të ndryshimit të emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>