Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se koordinatori i tij për fushën kundërterrorizmit, Nathan Sales, do të udhëtojë këtë javë në tre shtete skandinave për të diskutuar çështje që përfshijnë “terrorizmin e mbështetur nga Irani” në Evropë.
Ky Departament ka thënë se ambasadori Sales do të udhëtojë në Danimakë, Suedi dhe Norvegji, për të diskutuar faktin se Irani “vazhdon të jetë sponsor shtetëror i terrorizmit në botë”.
“Në vjetët e fundit regjimi ka udhëzuar apo përkrahur komplote terroriste në Francë, Danimakë, Holandë, Shqipëri dhe vende tjera”, është thënë në deklaratë.
Më herët gjatë këtij muaji, Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione të reja kundër shërbimeve iraniane të inteligjencës dhe dy iranianëve, që janë akuzuar për tentim të kryerjes së sulmeve kundër kundërshtarëve të Qeverisë iraniane në Danimarkë, Holandë dhe Francë.
Teherani ka mohuar këto pretendime, duke thënë se akuzat kanë pasur qëllim dëmtimin e marrëdhënieve në mes të Iranit dhe Bashkimit Evropian.
Qeveria e Holandës ka akuzuar këtë vit Iranin për mundësi të përfshirjes në vrasjen e dy personave me shtetësi holandeze mirëpo kombësi iraniane.
Sipas autoriteteve amerikane, bisedimet e ambasadorit Sales do të fokusohen edhe në dënimin e luftëtarëve të huaj terroristë, që kanë udhëtuar nga Evropa dhe vende tjera të botës së bashku me grupin militant, Shteti Islamik në shtetet si Siria dhe Iraku.
“Shtetet e Bashkuara janë duke iu bërë thirrje partnerëve që t’i riatdheësojnë qytetarët e tyre dhe t’i ndëshkojnë për krimet që kanë kryer”, është thënë në deklaratë.
rel