Traktati i Shën-Stefanit 3 mars 1878
Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 % të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum).
Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore mbretëria e Rusisë do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.
Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelit të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman.
Pjesa tjetër e territoreve perandorake do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të paraluftës.
Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj.
Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.
Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.
Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.
Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.
Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.
Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.
Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të vetme politike.
Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.
Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.
Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk ishin të prirura që t’i merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif. Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në besëlidhjet lokale.
Traktati i Berlinit 13 korrik 1878
Traktati i Berlinit (formalisht Traktati midis Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Italisë, Rusisë dhe Perandorisë Osmane për Zgjidhjen e Çështjeve në Lindje) u nënshkrua më 13 korrik 1878.
Pas fitores ruse kundër Perandorisë Osmane në Luftën Ruso-Turke të 1877-1878, fuqitë e mëdha ristrukturuan hartën e rajonit të Ballkanit. Ata përmbysën disa nga përfitimet ekstreme të pretenduara nga Rusia në Traktatin paraprak të San Stefanit, por osmanët humbën zotërimet e tyre kryesore në Evropë. Ishte një nga tre marrëveshjet kryesore të paqes në periudhën pas Kongresit të Vjenës 1815. Ishte akti përfundimtar i Kongresit të Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) dhe përfshinte Britaninë e Madhe dhe Irlandën, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Rusinë dhe Perandorinë Osmane. Kancelari i Gjermanisë Otto von Bismarck ishte kryetari dhe personaliteti dominues.
Detyra më e rëndësishme e Kongresit ishte të vendoste për fatin e Bullgarisë, por vetë Bullgaria u përjashtua nga pjesëmarrja në bisedime, me këmbënguljen ruse. Në atë kohë, duke qenë se nuk ishte një shtet sovran, Bullgaria nuk ishte subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe e njëjta gjë vlente edhe për vetë bullgarët. Përjashtimi ishte tashmë një fakt i vërtetuar në Konferencën e Fuqive të Mëdha të Kostandinopojës, e cila ishte mbajtur një vit më parë pa asnjë pjesëmarrje bullgare.
Rezultati më i dukshëm i konferencës ishte njohja zyrtare e shteteve të reja të pavarura të Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi (të cilat de facto kishin vepruar në mënyrë të pavarur për dekada).
Traktati i Paqes i Parisit i vitit 1856, i cili i dha fund Luftës së Krimesë, e kishte bërë Detin e Zi një territor neutral. Traktati që kishte mbrojtur Perandorinë Osmane, i dha fund Aleancës së Shenjtë (Austria, Prusia dhe Rusia) dhe dobësoi pozicionin e Rusisë në Evropë. Në vitin 1870, Rusia thirri doktrinën e rebus sic stantibus dhe e përfundoi traktatin duke shkelur dispozitat në lidhje me neutralitetin e Detit të Zi. Fuqitë e mëdha u bindën gjithnjë e më shumë se Perandoria Osmane nuk do të ishte në gjendje të mbante territoret e saj në Evropë.
Në vitin 1875, kryengritja e Hercegovinës rezultoi në Krizën e Madhe Lindore . Ndërsa konflikti në Ballkan u intensifikua, mizoritë gjatë Kryengritjes së Prillit 1876 në Bullgari ndezën ndjenjat antiturke në Rusi dhe Britani, të cilat përfundimisht kulmuan në Luftën Ruso-Turke të 1877-ës .
Traktati njohu zyrtarisht pavarësinë e principatave de facto sovrane të Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe autonominë e Bullgarisë, megjithëse kjo e fundit funksiononte në mënyrë të pavarur dhe u nda në tre pjesë: Principata e Bullgarisë, provinca autonome e Rumelisë Lindore dhe Maqedonia, e cila iu kthye osmanëve, duke zhbërë planet ruse për një “Bullgari të Madhe” të pavarur dhe rusofile. Traktati i Shën Stefanit kishte krijuar një shtet bullgar, të cilit i trembeshin më shumë Britania dhe Austro-Hungaria.
Traktati i Berlinit konfirmoi shumicën e përfitimeve ruse nga Perandoria Osmane të specifikuara në Traktatin e San Stefanit, por lugina e Alashkerdit dhe qyteti i Bajazidit iu kthyen osmanëve. Traktati i Konstantinopojës (1879) ishte një vazhdim i mëtejshëm i negociatave. Ai ripohoi dispozitat e Traktatit të San Stefanit, të cilat nuk ishin modifikuar nga Traktati i Berlinit dhe përcaktoi shumat e kompensimit që Perandoria Osmane i detyrohej Rusisë për humbjet ndaj bizneseve dhe institucioneve gjatë luftës. Ai u dha amnisti nënshtetasve osmanë dhe lirimin e robërve të luftës. Përveç kësaj, neni VII i traktatit parashikonte që në territorin e përvetësuar nga Rusia, subjektet mund të zgjidhnin nëse dëshironin të ishin nënshtetas osmanë apo rusë për një periudhë prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Me gjithë lutjet e delegatëve rumunë, Rumania u detyrua t’ia dorëzonte Perandorisë Ruse Besarabinë jugore. Si kompensim, Rumania mori Dobrujën, duke përfshirë deltën e Danubit. Traktati gjithashtu kufizoi pushtimin rus të Bullgarisë në 9 muaj, gjë që kufizoi kohën gjatë së cilës trupat dhe furnizimet ruse mund të lëviznin nëpër territorin rumun.
Tre shtetet e reja të pavarura më pas e shpallën veten mbretëri: Rumania në 1881, Serbia në 1882 dhe Mali i Zi në 1910 ndërsa Bullgaria shpalli pavarësinë e plotë në 1908 pasi u bashkua me Rumelinë Lindore në vitin 1885. Austro-Hungaria aneksoi Bosnjën në vitin 1908, duke shkaktuar krizën e Bosnjës, një krizë e madhe evropiane që përforcoi aleancat para Luftës së Parë Botërore.
Traktati i Berlinit u dha status të veçantë juridik disa grupeve fetare dhe gjithashtu do të shërbente si model për traktatet e pakicave, të cilat do të krijoheshin në kuadër të Lidhjes së Kombeve. Ai përcaktoi që Rumania të njohë jo të krishterët (hebrenjtë dhe muslimanët) si qytetarë të plotë. Ai gjithashtu kërkoi në mënyrë të paqartë një korrigjim kufiri midis Greqisë dhe Perandorisë Osmane, i cili ndodhi pas negociatave të stërzgjatura në 1881, me transferimin e Thesalisë në Greqi.
Në “Rrethoren e Salisburit” të 1 prillit, Sekretari i Jashtëm britanik, Markezi i Salisbury-t, bëri të qartë kundërshtimet e tij dhe të qeverisë së tij ndaj Traktatit të San Stefanos dhe pozicionit të tij të favorshëm të Rusisë. Historiani A.J.P. Taylor shkruan: “Nëse traktati i San Stefanos do të ishte ruajtur, si Perandoria Osmane ashtu edhe Austro-Hungaria mund të kishin mbijetuar deri në ditët e sotme. Britanikët, me përjashtim të Beaconsfield në momentet e tij më të egra, kishin pritur më pak dhe, për rrjedhojë, ishin më pak të zhgënjyer. Salisbury shkroi në fund të vitit 1878: “Ne do të krijojmë një lloj sundimi të rrënuar turk përsëri në jug të Ballkanit. Por është thjesht një pushim. Nuk ka mbetur gjallëri në to. Traktati gjithashtu u bën thirrje palëve të përfshira të sulmojnë kombin që shkel traktatin.'”
Vilajeti i Kosovës mbeti pjesë e Perandorisë Osmane. Austro-Hungarisë iu lejua të vendosë garnizone ushtarake në Vilajetin Osman të Bosnjës dhe në Sanxhakun e Novi Pazarit. Vilajeti i Bosnjës u vu nën pushtimin austro-hungarez, megjithëse formalisht mbeti pjesë e Perandorisë Osmane derisa u aneksua nga Austro-Hungaria tridhjetë vjet më vonë, më 5 tetor 1908. Garnizonet austro-hungareze në Sanxhakun e Novi Pazarit u tërhoqën në vitin 1908, pas aneksimit të Vilajetit të Bosnjës dhe Krizës së Bosnjës që rezultoi, për të arritur një kompromis me Perandorinë Osmane, e cila po luftonte me grindje të brendshme për shkak të Revolucioni xhonturk (1908). Situata kaotike në Perandorinë Osmane gjithashtu i lejoi Bullgarisë të shpallte zyrtarisht pavarësinë e saj më 5 tetor 1908.