Pavarësia tregim i suksesit, zhvillimi nuk lë vend për mburrje

Për shtatë vjet të pavarësisë, Kosova po zhvillohet gradualisht me gjithë sfidat që i paraqiten përpara, kanë vlerësuar udhëheqës të institucioneve të Kosovës.Në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, të thirrur në shtatë vjetorin e pavarësisë, kanë folur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Ata kanë apostrofuar shumë nga arritjet, por edhe ngecjet e shtetit më të ri evropian.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar se 17 Shkurti i vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës, mund të shihet edhe si sublimim i punës dhe sakrificave të gjeneratave të shumta për pavarësi dhe liri.

Në ditën e Pavarësisë, ka vijuar Veseli, “Kosova falenderon edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, nga Uashingtoni, Londra e Berlini, që i dolën në ndihmë asaj për realizimin e aspiratave shekullore”.

Kjo festë, ka thënë Veseli shërben edhe për të bërë vlerësimin e zhvillimit të shtetit, por edhe sfidave të shumta të cilat nuk i lënë shumë vend Kosovës për vet-mburrje. Ndër sfidat kryesore, ai ka theksuar zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.

“Pa sundim të ligjit nuk do të ketë përparim në integrimet evropiane, pa sundim të ligjit nuk do të ketë siguri për qytetarët dhe as investime që ndikojnë në jetën tonë. Kosovën do ta bëjmë ashtu siç e deshën paraardhësit tanë dhe ashtu siç e duan pasardhësit tonë”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, kryeministri Mustafa, në fjalimin e tij para Kuvendit ka thënë se me shpalljen e pavarësisë Kosova u shkëput nga e kaluara e dhimbshme.

Mustafa ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët që e ndihmuan Kosovën dhe e shpëtuan nga gjenocidi. Pa ndihmën e tyre, Mustafa tha se Kosova nuk do të ishte sot një vend i pavarur dhe sovran.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për fenomenin e ikjeve, migrimeve të qytetarëve të Kosovës, të cilët i ka ftuar të kthehen dhe të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.

“Ne e dimë që qindra mijëra qytetar në qershor të vitit 1999 u kthyen në Kosovë nga vendet perëndimore edhe pse e kishin të drejtën e azilit dhe e kishin mundësinë ta fitojnë azilin atje. Ata lirinë nuk e këmbyen me azilin, nuk e këmbyen me ndihmat, por erdhën të jetojnë nga puna e tyre në vendin e lirisë. Andaj, edhe sot pres që qytetarët të kthehen dhe të punojnë në vendin e tyre. Ky është vend i sigurt për ta”, ka deklaruar Mustafa.

Në fjalimet e tyre liderët e institucioneve të Kosovës, kanë mbështetur edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë deri në normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Ata e kanë vlerësuar lartë njohjen e Kosovës nga 108 vende botërore dhe u kanë bërë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur, që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Në këtë seancë solemne nuk kanë marrë pjesë deputetët nga Lista Serbe, subjekt ky që bën pjesë në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, por që nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në pjesën e parë të seancës nuk ishin të pranishëm as deputetët e Vetëvendosjes, por ata u futën në seancë pas intonimit të himnit të Kosovës, ngaqë Vetëvendosje qysh moti është deklaruar se nuk i pranon simbolet e shtetit të Kosovës të parapara me dokumentin Pakoja e Ahtisarit, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Kosovës. (voa)

Ekonomia e Kosovës, më keq se sa para pavarësisë

Gjatë shtatë vjetëve të Kosovës si shtet i pavarur, autoritetet e këtij vendi dështuan në krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme. Indikatorët ekonomik të Kosovës ishin shumë më të mirë para viteve të pavarësisë sesa pas saj.Këto janë disa nga vlerësimet që dhënë ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e biznesit.

Ata përmendin shumë dështime të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, është dështuar në tërësi lufta ndaj korrupsionit, ekonomisë jo formale evazionit fiskal dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu, sipas tyre, nuk është arritur të adresohenproblemet kryesore, siç është papunësia dhe varfëria.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se autoritetet e Kosovës kanë mundur të bëjnë shumë më shumë për ekonominë gjatë këtyre shtatë viteve.

“Me shumë pesimizëm, me shumë keqardhje duhet të thuhet që ndoshta gjithaindikatorët ekonomik kanë qenë shumë më të mirë në vitet e para shpalljes së pavarësisë, kjo ndoshta është edhe për shkak të një situatë më të mirë ekonomike në mbarë botën. Janë pikërisht viti 2008 kur ishtepërhapur kriza ekonomike globale që Kosova ishte ndikuar”, thekson Zeka.

Zeka si dështim të autoriteteve kompetente gjatë këtyre shtatë viteve e quan edhe privatizimin e ndërmarrjeve publike. Ai kujton dështimin e privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës.

Dështim tjetër, sipas Zekës është edhe ngecja e projektit të Termocentralit “Kosova e re”.

“Kemi dështuar në shtyrjen përpara të projekteve të mëdha strategjike të cilat do të krijonin vende të reja të punës dhe në të njëjtën kohë do të mundësonin zhvillimin më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë. Është shtyrë me vite të tëra projekti i ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e re’, pavarësisht asaj se mburremi me atë se kemi 1/3 të rezervave të linjitin në Evropë, ne ende importojmë energji elektrike”, shprehet Zeka.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtim të Avancuara, Agron Demi thotë për Radion Evropa e Lirë, se me shpalljen e pavarësisë shumë indikatorëtekonomik janë përkeqësuar.

Investimet e huaja të cilat ishin parë si një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik, shton ai, kanë shënuar rënie gjatë viteve të Kosovës shtet i pavarur.

“Investimet e huaja direkte janë përgjysmuar në krahasim me periudhën e para shpalljes së pavarësisë, kemi keqmenaxhuar me ndërmarrjet publike, e kemi sjell vendin në një kolaps energjetik pa arritur të ecim asnjë hap përpara sa i përket fushës energjisë. Është dëmtuar tej mase Postë Telekomi i Kosovës duke krijuar miliona euro humbje çdo vit”, shton Demi.

Gjendja ekonomike dhe sociale e qytetarëve nuk u përmirësuar gjatë këtyre viteve thonë ekspertët e ekonomisë.

Projekte të cilat u finalizuan nga Qeveria e Kosovës nuk krijuan mirëqenie më të mirë për qytetarët, thotë Demi.

“Me një fjalë do ta përmbledhja veprimin ekonomik të Qeverive të Kosovës. Pas vitit 2008 fokusi kryesor është në shtrimin e asfaltit. Asfalt në rrugët rajonale dhe autostradat që lidhnin Kosovën me vendet e rajonit, e të cilat nuk kanë treguar impaktnë zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson ai.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Tani është anëtare e disa mekanizmave ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Rezistenca e “zbutur” serbe karshi pavarësisë

Kosova po shënon 7 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, por edhe pas 7 vjetësh, komuniteti serb në Kosovë ende mbetet komuniteti më refuzues dhe më rezistues përballë kësaj pavarësie dhe vet shtetit.Përfaqësuesit e këtij komuniteti, pjesëmarrës dhe ish-pjesëmarrës në institucione të Kosovës, si dhe njohës serbë të zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se perceptimi negativ i komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës është rezultat i politikës që e bën komuniteti shumicë në Kosovë, shqiptarët dhe institucionet e vendit në përgjithësi.

Vladeta Kostiq, kryetar aktual i komunës së Graçanicës, i cili vjen nga Lista Serbe, që në Kuvendin e Kosovës ka 9 ulëse, ndërkohë që është e përfaqësuar edhe në ekzekutivin e vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë, thotë se “është ironike dhe e pashije” që të kërkohet nga serbët që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, përderisa, një pjesë e madhe e shumicës shqiptare nuk e përjetojnë me kënaqësi shtetin e Kosovës.

Kostiq vlerëson se kjo është e dukshme kur shqiptarët e Kosovës protestojnë apo festojnë dhe në duar kanë flamujt e shtetit të Shqipërisë dhe jo të Kosovës. Në anën tjetër, siç thotë ai, serbët kanë përvojë të keqe me institucionet e Kosovës..

“Në periudhën e kaluar kemi pasur përvojë të keqe, ku institucionet e Kosovës nuk u kanë dalë në mbrojtje të bashkësisë serbe. Natyrisht që kjo bashkësi nuk e ndjen se ato institucione si të tilla që mund t’i mbrojnë të drejtat e saj, madje as ato që janë të garantuara me ligje dhe kushtetutë”, tha Kostiq.

Petar Miletiq, ish-nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në mandatin e kaluar, nga Partia e Pavarur Liberale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se disponim i komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës mund të ndryshojë për të mirë në rast se shumica shqiptare dhe institucionet e Kosovës i ofrohet asaj në mënyrë kualitative.

Por, sipas tij, ende nuk ka shenja që liderët politik shqiptarë janë të gatshëm për një gjë të tillë.

“Serbët në Ksoovë ende nuk ndjehen si në vendin e tyre dhe aty duhet të kërkohen arsyet se pse ata po kundërshtojnë dhe pse nuk kanë qëndrim mbështetës ndaj këtij fakti”, tha Miletiq.

Mendim të ngjashëm ka edhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq.

Sipas tij, qëndrimi i deritashëm refuzues i komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës është i kuptueshëm.

Nojkiq shpreh mendimin se komuniteti serb ka një pozitë specifike dhe institucionet e Kosovës nuk kanë treguar mjaft gatishmëri për ta integruar këtë komunitet në mënyrën e duhur.

“Kur e them këtë, mendoje kemi specifika. Një pjesë e bashkësisë serbe, tash e një periudhë të gjatë është përfshirë në institucione. Por, përvoja në jug të vendit, në të vërtetë e ngadalëson procesin e integrimin e njerëzve në veri. Kështu që këto janë arsye se pse serbët reagojnë në këtë mënyrë. Kjo situatë mund të ndryshoj, por për këtë duhet treguar gatishmëri autoritetet në Prishtinë dhe problemet t’i zgjidh bashkë me komunitetin serb”, tha Nojkiq.

Në anën tjetër, disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës, thonë se nuk e shohin Kosovën si shtet edhe për komunitetin serb.

Ljubisha Jokiq, thotë se i vetmi shtet që e pranojnë si të vetin, është shteti i Serbisë.

“Në asnjë mënyrë nuk e pranojmë, përderisa shteti i Serbisë të mos na thotë se ne jemi nën shtetin e ashtuquajtur të tyre. Deri atëherë, sigurisht që jo”, tha Jokiq.

Marko Jakovljeviq, thotë se në veri të Kosovës, nuk vërehet shumë nëse qytetarët jetojnë në një Kosovë të pavarur apo në Serbi. Por, sipas tij, megjithatë, ekzistojnë momentet kur gjërat bëhet të dukshme dhe reale.

“Në veri, nuk ndjehet shumë, por kjo shihet në momentin kur nisesh për në Serbi. Kur e sheh kufirin dhe fillon kontrolli i automjeteve, e vëren këtë dhe është e pakëndshme. Unë, nuk e pranoj Kosovën si shtet, por nuk po e ndjej se këtu është Serbia”, tha Jakovljeviq.

Por, përderisa politikanët serbë janë ose kanë qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, a do të thotë kjo që ata e kanë pranuar pavarësinë dhe vet shtetin e Kosovës?

Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiq e sheh në këtë mënyrë situatën:

“Për ne është parësore që t’i mbrojmë bashkësinë serbe dhe interesat e saj, në kuadër të ligjit dhe rregullave ligjore dhe ne ashtu edhe sillemi”, ka thënë Kostiq.

Petar Miletiq, thotë se duke qenë pjesë e institucioneve, ai kishte qenë i gatshëm të pranoj pushtetin e vendosur në Kosovë.

“Nuk është çështja te individi, se a e pranon ai pavarësinë e Kosovës apo jo, por thjeshtë, një grup etnik nuk ndjehet i mirëseardhur në atë pavarësi dhe kjo për mua është më problematike. Në qoftë se kjo ndryshon, atëherë secili individ do ta shihte me një sy tjetër pavarësinë”, tha Miletiq.

Ndryshe, Nojkiq, vlerëson se në kushtet e tanishme, komuniteti serb e ka të vështirë ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Por, sipas tij, kjo gjendje nuk do të thotë se nuk mund të ndryshohet.

“Në qoftë se shtendosen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe në qoftë se këto të dyja i tejkalojnë mjaft pengesa, atëherë serbët do të sillen në atë mënyrë se si Beogradi do ta pranoj atë fakt dhe, fundja, gjithnjë e më pak do të flitet për një gjë të tillë”, tha Nojkiq.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, përfaqësuesit e komunitetit serb, kryesisht në pjesën qendrore të vendit, edhe pse nuk kanë deklaruar se e njohin shtetin e Kosovës, ata kanë qenë pjesë e institucioneve qendrore dhe lokale të saj.

Pas dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, edhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë bërë pjesë e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. (rel)

Kamera me lazër për restaurime

Restaurimi i ndërtesave historike në formën origjinale zakonisht fillon me matjet e detajuara të të gjithë elementeve që nga dyert dhe dritaret në mënyrë që të çmontohen dhe të riparohen siç kanë qënë më parë. Por puna disa mujore për matjet korrekte tani mund të bëhet brenda disa ditëve, falë teknologjisë së avancuar me kamerat me rreze lazer.

Një shtëpi e ndërtuar në vitin 1842 sipas arkitekturës së asaj kohe dhe përdorur si vend pushim veror nga presidenti Abraham Lincoln gjatë Luftës Civile…

Në një prej dhomave presidenti nënshkroi Proklamatën për Emancipimin, duke i dhënë fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Ruajtja e kësaj pjese të historisë është e rendësishme, ndaj një ekip i vogël nga Kolegji Ithaca në Nju Jork punoi për dy javë në këtë shtëpi duke përdorur kamera me rreze lazër për skanimin e gjithçkaje që nga porta hyrëse e deri tek oxhaqet.

Udhëheqësi i projektit, profesori i fizikës Michael Rogers, thotë se kamera zëvendëson një ekip të tërë punonjësish:

“Skanojmë nga brenda çdo dhomë nga dy pozicione që të kemi mbulim të plotë të dhomës. Pastaj bëjmë skanimin nga jashtë. Për këtë ndërtesë ndoshta nga 12 pozicione të ndryshme përreth shtëpisë.”

Profesori thotë se pavarësisht ku ndodhet kamera, të gjitha pikat e skanimit përputhen në sistemin e kordinatave të krijuara për ndërtesën. Programi kompjuterik llogarit pikat e skanimit dhe krijon një foto 3 demensionale të ndërtesës të krijuar nga miliona pika në distancë 5 milimetra nga njëra-tjera. Fotografia mund të shihet nga çdo drejtim, brenda apo jashtë.

Kjo u mundëson specialistëve që të kryejnë matje preçize.

Manaxheri për ruajtjen e shtëpisë së presidentit Lincoln, Jeffrey Larry, thotë se kjo është një mënyrë perfekte për projektet e restaurimit:

“Mund të marrësh një dhomë të caktuar dhe të studiosh detajet arkitektuale dhe nga aty të regjistrosh ato gjëra që duhen restauruar në bazë të kohës.”

Projekti financohet nga Kolegji Ithaca. Profesori Michael Rogers thotë se ekipi i tij ende po mëson se çfarë mund të bëhet me një kamera që kushton 95 mijë dollarë:

“Gjëja interesante është se si të përdorim kameran për të skanuar një ndërtesë si kjo, si mund të bëhet me efikasitet dhe të sigurohemi që kemi skanuar të gjitha pjesët që duhen.”

Profesori thotë se ekipi i tij janë të etur të gjejnë se çfarë lloj të dhënash do të jenë në gjendje të nxjerrin nga një skanim kaq i detajuar. (voa)

Kosova shënon përvjetorin e shtatë të pavarësisë

Kosova po shënon përvjetorin e pavarësisë së saj nën hijen e zhvillimeve që vënë në pah në radhë të parë rimëkëmbjen shumë të ngadalshme të ekonomisë së rrënuar të saj.Stoli modeste në rrugët kryesore të Prishtinës janë shenja të varfra të manifestimeve me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shtatë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë e saj, nëntë vjet pas përfundimit të luftës që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Shtatë vjet më pas përparimet në rimëkëmbjen ekonomike janë të pamjaftueshme dhe radhiten në mesin e shkaqeve që çuan në një shkallë të lartë të migrimeve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Vendi përballet me shkallë të lartë të papunësisë që sipas shifrave zyrtare arrin në mbi 30 për qind, ndërsa jo zyrtarisht thuhet e kjo shifër është me e lartë. Çdo vit tregut të punës i shtohen mbi 25 mijë persona, ndërsa punë gjejnë jo më shumë se 6 mijë veta. Rrjedhimisht kjo pasohet nga një shkallë e lartë e varfërisë.

Drejtuesit më të lartë të Kosovës thonë se me gjithë sfidat pavarësia e Kosovës u dëshmua si faktor i rëndësishëm i paqes e qëndrueshmërisë në rajon.

Shtatë vjet pas pavarësisë, Kosova ende përballet me sfidat e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Por, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në këto procese. Ajo vuri inicialet e saj në marrëveshjen e stabilizim asocimit, e cila pritet të nënshkruhet gjatë këtij viti, por vështirë se mund të fillojë të zbatohet para vitit të ardhshëm.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian pa viza.

Kosova ndërkaq është vendi me shkallën më të lartë të pranisë evropiane. (voa)

Koment: Pavarësia duhet menaxhuar

Kosova ka shumё probleme. Megjithatё kosovarёt kanё arsye qё ta festojnё pёrvjetorin e shtatё tё pavarёsisё, mendon Vilma Filaj-BallvoraQë shtatë vjetori i pavarësisë do ta gjente Kosovën “të braktisur” prej shumë qytetareve e qytetarëve këtë pakkush mund ta kishte parashikuar. Largime të qytetarëve në përmasa të tilla Kosova i ka pёrjetuar edhe para e gjatë luftës. Por shteti më i ri europian ka përjetuar edhe migrimin në kah të kundërt dhe për motive krejt të ndryshme: Ishin me mijëra ata kosovarë, qё menjёherё pas luftёs 16 vjet mё parё dhe pas shpalljes sё pavarёsisё shtatё vjet mё parё i kthyen krahёt Perëndimit, duke lënë gjithçka kishin ndërtuar atje për ekzistencёn e tyre. Motivi i tyre duhet të kenë qenë pra mjaft i fortë: dёshira pёr tё jetuar nё shtetin e tyre, shpresa, se Kosova e pavarur do t’u ofronte atyre atё ҫ’ka u kish munguar prej dekadash – identifikimin me atdheun -, ëndrra e gjatë për Kosovёn e pavarur.
Ndjenja e patriotizmit dominoi kundrejt joshjes së jetës komode nё Perёndim. Por zgjimi nga ёndrra e pavarёsisё ishte i shpejtë dhe pёrmallimi për shtetin e mëvetësishëm u kthye në zhgënjim. Kosova ёshtё prej shtatë vjetësh e pavarur, por ende jo e njohur plotёsisht si i tillё nga shumё vende tё botёs. Serbia prej nga ajo u shkëput nuk do ta njohë pavarësinë dhe luan një poker të fortë për të ruajtur interesat e saj në Kosovë. Shteti i ri ёshtё vendi mё i varfёr nё Europё. Rinia ёshtё e papunё dhe has nё mungesё perspektive. Kapja e shtetit, ekonomia e tarafeve, korrupsioni u zenё frymёn qytetarёve tё ndershёm. Kёto janё vёrtetё arsye të forta, qё i nxisin qytetarët e Kosovës tani drejt odisesё sё migrimit nё Europё. Por ëndrra e tyre për një jetë më të mirë do të kthehet shpejt në zhgjëndërr, sepse vendet europiane do t’i kthejnё gati tё gjithё nё atdhe.
Europa, që e ka mbështetur fort dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, e klasifikon atë sot si vend demokratik, ku nuk ka pёrndjekje, qё do tё mund tё shёrbente si argument pёr azilin nё kёto vende. Destinacioni i odisesë së migrimit ilegal është Kosova. E pra relacioni Kosovë – Perëndim – Kosovë është i pashmangshëm. Emigracioni s’ёshtё alternativё.

E megjithatё ka arsye që tё festohet pavarёsia
Po, vёrtetё kosovarёt kanё sot halle, shumё mё tepёr se nё ҫdo vend tjetёr të konsoliduar europian. Por edhe vetë Europa sot ka mjaft halle dhe përballet prej vitesh me një krizë të fortë ekonomike e financiare si dhe me sfidën e krizave globale. E megjithatё Europa nuk e ka lënë dhe nuk do ta lerë Kosovën në baltë. Ndaj sot kosovarët kanё mjaft arsye pёr ta festuar përvjetorin e pavarёsisё: Sё pari sepse Kosova ёshtё e pavarur, kjo falё mbёshtetjes sё pakursyer tё Europёs. Sё dyti, sepse Kosova sot ёshtё mё pranё Europёs sa asnjёherё tjetёr. Sivjet pritet qё Kosova tё nёnshkruajё Marrёveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-nё. Nёnshkrimi i kёsaj marrёveshjeje ёshtё njё hap mё pranё rrugёs drejt statusit tё vendit kandidat. Sigurimi i statusit të vendit kandidat do të thotë edhe më shumë mbështetje, por edhe më shumë impenjime për vetë politikën e shoqërinë kosovare për të përmbushur kushtet e nevojshme. Rruga ёshtё ende e gjatë e plot pengesa. Por ajo ёshtё e pakthyeshme.
Pavarësia duhet menaxhuar
Perëndimi i dha dorën Kosovës, por tani është ajo që duhet ta menaxhojë pavarësinë e saj. Mundësitë janë. Kosova ёshtё e varfёr, por ajo ka potenciale tё mёdha. Kapitali mё i ҫmuar i saj ёshtё rinia. Kosova ka popullsinё mё tё re nё Europё me njё moshё mesatare 25 vjeҫ. Zëvendësimi i elitave politike sot mungon, por është rinia ajo që e ka në dorë ta përshpejtojë këtë proces. Kosova ka gjithashtu mjaft burime natyrore, qё kanё nevojё tё menaxhohen e shfrytёzohen me menҫuri pёr t’i dhёnё impulse zhvillimit ekonomik. Shtatё vjet shtet janё pёr individin njё kohё e gjatё, por pёr konsolidimin e njё shteti ato nuk janё shumё. Eshtё e vёrtetё, qё derisa Europa tё bёhet realitet pёr Kosovёn do tё zgjasё ndoshta edhe mё tepёr se njё dekadё. Pёrshpejtimi i kёtij procesi nё radhё tё parё varet prej vet qytetareve e qytetarёve tё Kosovёs dhe prej tё zgjedhurve tё tyre. E duket se pikёrisht kёta tё fundit janё zhgёnjimi mё i madh sot pёr qytetaret e qytetarёt e Kosovёs.
Luftimi me efikasitet i nepotizmit, i korrupsionit, i abuzimit me pushtetin ёshtё nё radhё tё parё pёrgjegjёsia e politikanёve drejtues. Por po aq bie kjo pёrgjegjёsi edhe tek vet shoqëria civile. Eshtë ajo që duhet ta demaskojё korrupsionin dhe tё mos lejojё tё bjerë pre e tij. Janë qytetaret dhe qytetarët e Kosovës ata, që gëzojnë të drejtën t’i ndёshkojnë me votё ata politikanё, qё abuzojnё me pushtetin. Nёse punёt nё shtёpi nuk shkojnё si duhet problemi duhet gjetur dhe zgjidhur brenda shtëpisë. Nёse të gjithë pjesëtarët kanë vullnetin asgjë s’është e pamundur. Braktisja e “shtёpisё” kurrёsesi nuk mund tё jetё alternativё, aq mё tepёr kur qysh nё krye tё herёs ta kanё bёrё tё qartё, se dera e fqinjëve ku po troket “si mysafir i paftuar” do tё tё mbyllet nё fytyrё. Ndёrkohё qё Europa e mban hapur portёn e madhe pёr ta pranuar Kosovën si anёtare tё familjes së saj. Kosovarёt e kanё vet nё dorё qё ta kalojnё kёtё prag. Politika dhe shoqёria civile nё Kosovё duhet t’i kryejnё vetë detyrat e shtёpisё. (dw)

Projekti TAP dhe rrjeti shqiptar i gazit

Projekti për rrjetit të gazit në Shqipëri po merr fondet e para nga financuesit europianë ndërsa kompania azere SOCAR po nis studimin e gazit në këtë rajon.Western Balkans Investment Framework (WBIF) ka miratuar financimin prej 1.1 milion euro për hartimin e projektit të gazit.

Përfaqësues të Bashkimit Europian, të disa kompanive të naftës dhe ministrisë shqiptare të energjisë diskutuan mbi hapat e para për realizimin e projektit.

Përfaqësues të kompanive Shell, British Petroleum, TAP AG, KESH, Albpetrol, ECS, DG Energy, së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u takuan për të shmangur mbivendosjet e projektit dhe për të rritur fitimin në maksimum.

Ministri i energjisë dhe industrisë Damian Gjiknuri theksoi se gazsjellësi TAP do t’i sjellë Shqipërisë gazin për banesa dhe biznese dhe një treg të konsiderueshëm të tij.

Projekti kërkon që kur gazi të vijë me tubat e mëdha pas 4 vjetësh, Shqipëria duhet të jetë gati për t’u lidhur në rrjet me një infrastrukturë të ngritur dhe me një treg të zhvilluar gazi.

Shqipëria është një pjesëmarrës shumë i rëndësishëm i korridorit jugor të gazit dhe projekti TAP sjell përfitime të mëdha për të dhe për gjithë Europën.

“Zbatimi i projektit TAP shkon 45 miliard dollarë, është një projekt ambicioz, që kërkon pjesëmarrjen e sa më shumë vendeve” – thotë Murat Hajdarjev përfaqësues i kompanisë SOCAR.

Sipas tij, ky vit është më i rëndësishmi për ndërtimit të Korridorit Jugor të Gazit. Shqipëria dhe Azerbaxhani nënshkruan në dhjetor Memorandumi i Mirëkuptimit sipas të cilit, kompania SOCAR do të drejtojë projektet për infrastrukturën e gazit në këtë rajon. (voa)

Tregjet e aksioneve dhe borxhi grek

Greqia dhe partnerët e saj të Bashkimit Evropian pritet të arrijnë kompromis mbi programin e ndihmës për borxhin e Athinës, pavarësisht bisedimeve të vështira dhe një ultimatumi të hënën në Bruksel.Të martën, të dyja palët i ulën tonet, duke thënë se janë të gatshme për të rifilluar bisedimet.

Ministri holandez i Financave Jeroen Dijsselbloem, i cili kryeson grupin e eurozonës, tha se Greqia ka afat deri ditën e premte për të kërkuar vazhdimin e ndihmës, por shprehu gatishmëri për të punuar me qeverinë greke në arritjen e një marrëveshjeje.

Ministri grek i Financave Yanis Varoufakis, i cili ishte në Bruksel për një takim rutinë të ministrave të financave të eurozonës, shprehu besim se një marrëveshje me kushte të ndryshuara është e mundur brenda pak ditësh.

Paketa e shpëtimit financiar prej 300 miliard eurosh që Greqia mori nga vendet e eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar skadon më 28 shkurt.

Nëse nuk arrihet një kompromis apo një zgjidhje e përkohshme, Greqia mund të detyrohet të dalë nga eurozona.

Bursa në Greqi pësoi sot rënien më të madhe në tregjet evropiane të aksioneve, një reagim negativ ky i investitorëve ndaj dështimit të bisedimeve të djeshme mes Athinës dhe kreditorëve të saj. Eurozona ka deklaruar se Greqia duhet të kërkojë zgjatjen e programit të shpëtimit financiar deri të premten, si kusht që bisedimet për borxhin të vazhdojnë. Megjithatë, sot të dyja palët duket se i ulën tonet.

Bisedimet e djeshme në Bruksel për borxhin e Greqisë u mbyllën para kohe me deklaratat e Eurozonës që kishin formën e një ultimatumi.

Eurozona prej 19 vendesh tha se Athina duhet të pranojë një kusht kryesor para fundit të kësaj jave, përndryshe do t’i duhet ta përballojë vetë pagimin e borxhit. Në thelb, Greqia duhet të kërkojë një zgjatje të programit të shpëtimit financiar.

Shumë ekspertë të tregjeve financiare thonë se nëse Greqia nuk pranon, kjo mund ta detyronte atë të largohej nga eurozona.

Në Athinë, Nick Kafkas, kreu i firmës financiare Merit Securities, tha se nuk ishte fjala për një ultimatum dhe se ende ka hapësirë për të arritur marrëveshje.

“Pati trysni nga evropianët, kaq mund të thuhet. Ultimatumi ka tjetër kuptim dhe bisedimet nuk do të ndalen,” tha zoti Kafkas.

Tensionet u shfaqen pas deklaratës së Eurozonës, e cila tha se Athina duhet të kërkojë një zgjatje të programit të shpëtimit financiar deri të premten, përndryshe bisedimet për kursin e ardhëm financiar dhe ekonomik të Greqisë nuk mund të vazhdojnë.

Investitorët shqetësohen se dy palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre, sidomos në kushtet kur qeveria e re e partisë së krahut të majtë Syriza e ka bërë eliminimin e masave shtrënguese financiare themelin e programit të saj.

Më 28 shkurt përfundon faza e tanishme e paketës së shpëtimit financiar dhe gjatë muajve të ardhshëm Greqia do të zhytej në vështirësi për të paguar obligimet e saj siç janë këstet e borxhit.

Robert Halver, analist tregu në Baader Bank të Frankfurtit, tha se gjasat janë që Greqia dhe Eurozona të arrijnë një marrëveshje.

“Tregu i sheh bisedimet me Greqinë si një lojë të madhe pokeri nga të dyja palët dhe shpreson se do të ketë bisedime deri ditën e fundit.”

Por ai tha gjithashtu se nëse mosmarrëveshjet vazhdojnë deri në mes të marsit, atëhere Eurozonës do të t’i duhet të përgatitet për daljen e Greqisë dhe kjo do të bënte që edhe vende të tjera si Portugalia dhe Qiproja të largoheshin nga blloku i euros. (voa)

Joachim Herrmann apel urgjent: Do ktheheni brenda pak javësh në Kosovë

Ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë, Joachim Herrmann në intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n i këshillon qytetarët të mos e braktisin Kosovën, nga ana tjetër ai kërkon nga BE ta ndihmojë më shumë këtë vend.Deutsche Welle: Javët e fundit është shtuar së tepërmi vala e refugjatëve nga Kosova që vijnë në Gjermani por përmes Bavarisë. Si e përballon ky land këtë fluks e sfidë të re?
Joachim Herrmann: Shumica e këtyre refugjatëve udhëtojnë nga Bavaria për në lande të tjera në Gjermani, prandaj Bavaria dhe qendrat e saj të pritjes për azilantët janë shumë të prekura nga kjo valë refugjatësh. Bëhet fjalë për disa mijëra refugjatë të ardhur nga Kosova vetëm në janar, ndërkohë që dhe në shkurt kjo shifër ka pësuar edhe një rritje tjetër, tani na duhet të flasim për disa qindra vetë në ditë.
Nga ana ekonomike edhe para një viti gjendja në Kosovë nuk ka qenë më e mirë. Çfarë ka ndodhur që pikërisht në këto muaj kemi udhëtime të organizuara me autobusë në drejtim të Gjermanisë apo Austrisë? Keni ju informacione se çfarë rrjeti fshihet pas tyre?
Përshtypja jonë është që në shumë raste pas kësaj fshihen banda kontrabandistësh që bëjnë biznesin e tyre me këta refugjatë duke i motivuar ata që të braktisin Kosovën. Këta refugjatë duket se paguajnë shumë para që të vijnë deri në Gjermani. Këta ofrojnë imazhe komplet të gabuara për Gjermaninë dhe krijojnë përshtypjen e rreme se Gjermania kërkon me urgjencë njerëz, se këtu i presin avantazhe të mëdha: Kjo në një kohë që as nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë, prandaj ne do ta drejtojmë tani më shumë vëmendjen brenda në Kosovë dhe t’u sqarojmë se e drejta gjermane e azilit nuk është aspak rruga e përshtatshme për një imigrim në Gjermani.
Ju përmendët punën që duhet bërë në vend, por sa funksionon realisht bashkëpunimi me autoritetet kosovare për ta ndalur këtë valë refugjatësh?
Ne përpiqemi për të mbajtur kontaktin më të mirë të mundshëm me autoritetet në Kosovë, ministrja bavareze për Çështjet Europiane, Beate Merk ishte ditët e fundit në vend për t’u informuar konkretisht për gjendjen. Nga ana tjetër ne do ta përforcojmë fushatën tonë të informimit publik: Ajo që dihet është se duhet të vetëdijësohet publiku për imazhet e rreme që krijohen. Nga ana tjetër në të njëjtën kohë ne do të forcojmë kontrollet kufitare kryesisht me Hungarinë dhe Serbisë për të reduktuar këtë shtegtim ilegal drejt Gjermanisë.
Jo vetëm ministrja Merk ishte në Kosovë, por edhe autoritete të tjera në Gjermani, sa munden këto fushata informimi të ndihmojnë, në fund të fundit, kush e ndal atë që kërkon të ardhme për familjen e tij?
Një gjë duhet thënë qartë se në Kosovë nuk ekziston asnjë arsye që të bën të kërkosh azil në Gjermani. Aty nuk ka as përndjekje politike, as përndjekje raciste dhe as fetare. Këtu kemi të bëjmë me varfërinë, dhe unë jam i mendimit që Bashkimi Europian duhet të forcojë masat e ndihmës për Kosovën, por e drejta gjermane e azilit nuk duhet shpërdoruar për emigrimin për shkaqe varfërie. Kësaj ne do t’i kundërpërgjigjemi në mënyrë shumë më të angazhuar.
Çfarë mund të bëjë Gjermania më shumë për Kosovën, duket se njerëzit në vend e kanë humbur shpresën tek institucionet, tek e ardhmja në vendin e tyre?
Republika Federale e ka ndihmuar mjaft Kosovën në vitet e fundit. Nuk duhet të harrojmë që në Kosovë është prezent një numër i madh i ushtarëve gjermanë për të garantuar sigurinë e njerëzve në vend. Atje kemi mjaft policë gjermanë, edhe nga Bavaria që ndihmojnë në Kosovë. Sigurisht ka vend ende për ta shtuar ndihmën përmes Bashkimit Europian në Kosovë, por një gjë është e qartë: Problemet e Kosovës nuk zgjidhen kur njerëzit ikin në mënyrë masive në vende të tjera europiane, veçanërisht në Gjermani.
Bavaria ndërmori edhe një iniciativë për ta futur Kosovën por edhe Shqipërinë në vendet e sigurta të origjinës. Si i shikoni shanset për realizimin e saj, dhe a i plotësojnë këto vende kriteret e një vendi të sigurt?
Vende të sigurta origjine janë ato vende që kanë gati një kuotë zero të njohjes së azilit. Për qytetarët nga Kosova kuota e pranimit si azilantë të azilkërkuesve nga Zyra Federale për Refugjatët dhe Migracionin aktualisht është nën 1%. Pra, shansi për të bërë kërkesë për pranimin e azilit në Gjermani është gati zero. Dhe nëse Zyra Federale ka marrë një vendim të tillë në shumë e shumë raste, atëherë edhe Bundestagu mund të konkludojë se këtu kemi të bëjmë dukshëm me një vend të sigurtë origjine.
Ju llogarisni pra që Kosova dhe Shqipëria do të shpallen së shpejti vende të sigurta …
Sidoqoftë ne si palë bavareze angazhohemi fort për këtë.
Kur mund të ndodhë kjo?
Në këtë moment nuk mund të parashikohet një afat.
Mos është Shqipëria më pranë një kategorizimi të tillë se Kosova?
Këtë mbetet ta shohim. Aktualisht mund të thuhet se numri i të ardhurve nga Shqipëria është shumë herë më i vogël se ai nga Kosova.
Serbia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina u shpallën po ashtu vende të sigurta origjine. Raportimet në 35 thonë se kjo nuk e ka ndryshuar ardhjen e refugjatëve. Cili është mendimi juaj?
Vendimtare në këtë moment është që të kthehen personat që nuk kanë të drejtë të njohjes së azilit në Gjermani. Tani ne do të bëjmë çdo gjë që të kthehen sa më shpejt në Kosovë refugjatët e ardhur.
Një pyetje e fundit: Çfarë do t’i thoni nëse ju lexon një kosovari që sot merr rrugën drejt autobusit për të ardhur në Gjermani ?
Unë do t’i këshilloja me urgjencë kosovarët që marrin rrugën drejt Gjermanisë të mos e bëjnë këtë hap. Nuk ka asnjë shans për azil dhe do të ishte fatale për dikë që dorëzon shtëpinë apo banesën në Kosovë për të kërkuar një të ardhme këtu në Gjermani. Brenda pak javësh ai do të jetë sërish në Kosovë dhe do të duhet të përpiqet të riorganizojë rishtazi jetën e tij. Unë i këshilloj me urgjencë të qëndrojnë në Kosovë. (dw)

Bllokohet vendimi për imigracionin

Një gjykatës federal në Texas mori një vendim që bllokon përkohësisht urdhërin ekzekutiv të Presidentit Barak Obama për imigracionin.Gjykatësi Andrew Hanen e bëri të njohur vendimin dje, në favor të 26 shteteve, përfshirë Teksasin, që i ka kërkuar gjykatës ta bllokojnë përgjithmonë urdhërin e zotit Obama. Presidenti njoftoi në nëntor se me urdhërin e tij po i dilte në mbrojtje nga deportimi rreth 5 milionë imigrantëve pa dokumente. 26 shtetet kishin argumentuar se presidenti ka tejkaluar autoritetin e tij presidencial dhe do të impononte ndaj tyre një barrë të tejkaluar financiare.

Shtëpia e Bardhë sot bëri një deklaratë, ku thonte se zoti Obama gëzonte autoritetin e plotë për të vendosur për ligjet e imigrcaionit të vendit. (voa)