NASA dhe shkenca diellore

dielliNë intervale pothuajse të rregullta, dielli shfaq disa njolla që në fakt janë stuhi diellore. Shkencëtarët e vëzhgojnë nga afër këtë aktivitet pasi ai mund të ketë ndikim negativ në mjetet e komunikimit dhe në rrjetet e shpërndarjes së energjisë elektrike. Por intensiteti i pakësuar e dy cikleve të fundit diellore i lë shkencëtarët në mëdyshje.

Njollat diellore janë shpërthime të zjarrta të shkaktuara nga stuhi të mëdha elektromagnetike. Kur ato ndodhin, ne i shohim tetë minuta më vonë, aq kohë sa i duhet dritës për të arritur në Tokë.
Grimcat e para të stuhisë marrin 20 deri në 30 minuta kohë për të arritur. Ato janë të rrezikshme për njerëzit, kështu që nëse stuhia është intensive, astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës janë këshilluar për të lëvizur në zonat e mbrojtura.
Pas një ose dy ditësh, vjen pjesa më e madhe e stuhisë, në formë kurore masive.

“Kurora përbëhet nga miliarda ton material diellor. Ndonëse ajo udhëton miliona kilometra në orë, kjo është një shpejtësi relativisht e ngadaltë”, thotë shkencëtari i NASA-s, Alex Young.
Disa agjenci qeveritare, si dhe Forcat Ajrore Amerikane, vëzhgojnë motin në hapësirë, 24 orë në ditë. NASA e bën këtë për të mbrojtur astronautët e saj, pajisjet e ndjeshme elektronike dhe anijet, por edhe për shkak se shumë pyetje rreth Diellit kanë mbetur pa përgjigje.  Një prej pyetjeve është; pse njollat diellore ndjekin një cikël 11-vjeçar, përmes intensitetit të lartë dhe atij të ulët?
“Gjithashtu, nganjëherë intensiteti është i lartë dhe nganjëherë i ulët. Cikli i tanishëm diellor është shumë më i ulët se ai i mëparshmi.”
Një tjetër pyetje është, pse atmosfera e diellit është më e nxehtë se sipërfaqja e tij?

“Grimcat janë shumë larg njëra tjetrës, por temperatura, që është shpejtësia e lëvizjes së këtyre grimcave, rritet shumë shpejt, nga dhjetëra mijëra gradë,  në miliona gradë,” shpjegon zoti Young.

Disa satelitë vëzhgojnë vazhdimisht  diellin dhe mjedisin midis diellit dhe tokës, duke dërguar fotografi dhe të dhëna të tjera.

“Kjo është një tabelë, që  tregon se çfarë ndodh në mjedisin diellor, dhe në gjithë sistemin diellor dhe se çfarë shohim ne këtu në Tokë.”

Shkencëtari i NASA-s, Alex Young thotë se Dielli është rreth 4 miliardë vjet i vjetër, ndërsa  vëzhgimet e hollësishme nga Toka filluan 40 vjet më parë, që është vetëm një pjesë shumë e vogël e jetës së tij të gjatë. (voa)

Një vaksinë e efektshme për Ebolën

vakcinaStudiuesit thonë se një vaksinë eksperimentale për Ebolën, ka rezultuar “jashtëzakonisht e efektshme” për parandalimin e sëmundjes vdekjeprurëse.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sot se vaksina ka qenë 100 për qind e efektshme në provat eksperimentale në Guine. Revista britanike mjekësore Lancet ka botuar rezultatet dhe analizat paraprake.

Vaksina e re “mund të jetë zgjidhja e duhur kundër Ebolës”sipas ministrit të jashtëm të Norvegjisë, një nga disa vendet e përfshira në fazën e eksperimentimit.

Epidemia e Ebolës që u përhap në vendet e Afrikës Perëndimore vitin e kaluar, shkaktoi vdekjen e mbi 11 mijë personave, shumica në Liberi, Guine dhe Sierra Leone. (voa)

Astronautët trajnohen në thellësitë e ujit

AstronautetMisionet e njeriut në hapësirën e thellë janë ende larg, por agjencitë e hapsirës po testojnë procedurat, paisjet dhe qendrueshmërinë e njeriut për të vepruar në kushte ekstreme. Grupe të vogla astronautësh po trajnohen në një laborator nënujor në brigjet jugore të Floridës, duke simuluar misione të së ardhmes në hapësirën e largët.

Në parapërgatitjet për misionet e planifikuara në Hënë, në një asteroid dhe në Mars, agjencitë perëndimore të hapësirës po trajnojnë astronautët në një laborator nënujor, 20 metra poshtë sipërfaqes së oqeanit në Key Largo të Floridës. Mes provave të shumta është edhe toleranca mes astronautëve brenda një hapësire të vogël. Luca Parmitano është astronaut nga Italia.

“Duhen njerëz që mund të përshtaten, të qetë dhe të gatëshëm të japin dhe zbatojnë urdhëra. Duhet një balancë e mirë në kushte të tilla për të drejtuar një mision me kujdes.” 

Luca Parmitano me Agjencinë Evropiane të Hapësirës, astronautët e NASA-s Serena Aunon dhe David Coan, dhe astronauti japonez Norishige Kanai, janë grupi i 20-të i që trajnohen në bazë të programit NEEMO për kushtet ekstreme.

Një ekip i madh në sipërfaqe që mbështet operacionet si dhe dy polumbarë që jetojnë në laborator, i ndihmojnë astronautët të trajnohen në kushte të ndryshme. Përsëri italiani Parmitano:

“Në oqean përdorim paisjet që kontrollojnë pluskimin për të krijuar kushte specifike që i përshtaten gravitetit që duam duke simuluar kështu ndjesinë e të qënit në një planet, asteroid apo në hënë.”

Testimi i procedurave të reja merr shumicën e kohës thotë Luca.

“Artificialisht imitojmë vonesën kohore, pra lidhjet e komunikacionit janë të vonuara për të studiuar se çfarë mund të ndodhë nëse jemi në sipërfaqen e Marsit dhe nuk kemi përgjigje direkte.”

Ndodh që paisjet e ndërtuara për hapsirën të mos funksionojnë mirë nën ujë, thotë astronauti japonez Norishige Kanai.

Po përpiqemi të shfrytëzojmë metodat tona për kërkimet shkencore por ndodh që ndonjëherë nuk funksionojnë mirë. Në këtë rast duhet të përdorim paisjet e zakonshme që përdorin shkecëtarët për mbledhjen e mostrave.”

Kampionet mblidhen për Universitetin Ndërkombëtar të Floridës që zotëron edhe laboratorin e nënujshëm. Shkencëtarët e universitetit do t’i përdorin mostrat në studimet e tyre. (voa)