UNESCO i thotë jo pranimit të Kosovës

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s nuk e miratoi kërkesën e Kosovës për t’u pranuar si anëtare në këtë organizatë.

UnescoKonferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë UNESCO, nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Në votimin, që u zhvillua në Paris (09.11), morën pjesë 142 shtete, 92 votuan pro, 59 kundër, ndërsa 29 abstenuan. Kosovës i nevojiteshin 95 vota për të siguruar shumicën e dy të tretave të pjesmarrësve në votim. Pra, Kosovës i munguan vetëm tri vota për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota në UNESCO. Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO është paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria. Votimit i parapriu një kërkesë e delegacionit të Serbisë, për ta shtyrë votimin edhe për dy vite, por kjo kërkesë nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme. Autoritetet e Kosovës, të kryesuara nga diplomacia kosovare tash e disa muaj, kanë lobuar tek vendet e ndryshme të botës për të përfituar mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në UNESCO. Ndërkohë autoritetet e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë zhvilluar një fushatë të intensifikuar duke kundërshtuar pranimin e Kosovës në këtë organizatë të OKB-së.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh edhe zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi tha nga Parisi, se “Shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën. Fatkeqësisht për 3 vota nuk fituam shumicën e nevojshme. Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç’është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë. Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata të tjera duke përfshirë edhe UNESCO-n edhe një herë”, shkruan në profilin e tij në facebook, Hashim Thaci.

Partitë politike opozitare menjëherë e shfrytëzuan këtë rast për të përforcuar argumenin e tyre kundër qeverisë së Kosovës për siç thonë ato “koncesionet që i ka bërë Kosova në raport me vendet fqinje duke përfshirë këtu edhe dy marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe Malin e Zi”. Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kosova po bën koncesione me Serbinë, ndërsa, kjo e fundit zhvilloi fushatë të ashpër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. “Kosova e ka merituar plotësisht që të jetë anëtare e kësaj organizate, por votimi i sotëm shpjegon se sa e komplikuar është rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë por edhe në vetë Kombet e Bashkuara. Sidoqoftë, kjo në asnjë situatë nuk bën të na dekurajojë nga përkushtimi dhe vendosmëria jonë që anëtarësimin në UNESCO, në OKB dhe në organizata të tjera, ta synojmë me çdo kusht. E drejta është në anën e Kosovës”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Manastiri GracanicaManastiri i Graçanicës, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në listën e UNESCO-s

E nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka uruar serbët pas dështimit që Kosova të anëtarësohet në UNESCO. “I uroj qytetarët e Serbisë pasi kemi pas besim që do ta mbrojmë atë që tanët e kanë ruajtur me shekuj. Kjo është fitore e drejtësisë dhe fitore morale në kushte gati të pamundshme, kur shpeshherë ajo që është e drejtë nuk mund të llogarisë në mbështetjen e shumicës”, ka thënë Nikoliq për mediat lokale serbe.

Beogradi vazhdon ta kundërshtojë ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë, – siç thuhet – se kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe. Autoritetet në Kosovë thonë se me anëtarësimin në UNESCO Kosova do t’i rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përfshi edhe respektimin e statusit të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Më 21 tetor bordi ekzekutiv i UNESCO-s me shumicë votash kishte vendosur që ta rekomandojë propozimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, gjë që hapi rrugën që kjo çështje të votohet (09.11) në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s. Shefi i diplomacisë kosovare Hashim Thaçi, paralajmëroi se Kosova do të aplikojë për pranim në sesionin e ardhshëm. E sesioni i ardhshëm për pranimin e mundshëm të Kosovës në UNESCO është në vitin 2017, sepse Asambleja e Përgjithshme e kësaj organiozate të OKB-së mblidhet një herë në dy vjet. (dw)

Forumi dixhital në Itali

forumi digjitalImagjinoni sikur të mund të udhëtonit në kohë në një nga vendet më historike të botës. Një aplikacion i quajtur “Forumet Perandorake” u mundëson tashmë vizitorëve udhëtimin në kohë në Forumin Romak.

Në zemër të Romës, shumë pranë Koloseut, ndodhen Forumet Perandorake, sheshe të lashta të ndërtuara nga disa perandorë romakë përgjatë qindra viteve të Perandorisë Romake.

Ato që u ndërtuan më vonë, Forumi i Augustit i vitit 2 para erës sonë dhe Forumi i Trajanit i vitit 112 para erës sonë, mund të vështrohen tashmë në të gjithë madhështinë e tyre nëpërmjet një aplikacioni të ri për iPad. Aplikacioni “Forumet Perandorake” ka tre seksione: pamje të drejtpërdrejta tre-dimensionale, harta dhe histori.

Pamjet 3D paraqesin një rindërtim të objektit nga perspektiva e vizitorit, duke i dhënë kështu mundësinë të krahasojë rrënojat e sotshme me atë çfarë shikonin romakët në katër epoka të ndryshme, duke filluar që ndërtimi në vitin 125 para erës sonë dhe deri në vitin 1815 kur zona u gërrmua dhe pastrua.

“Tabletët dhe celularët inteligjentë janë mjetet perfekte për të parë trashëgiminë kulturore, pasi ofrojnë pamje të qarta në momentin e duhur, ndërkohë që mund të krahasosh menjëherë objektin që shikon me atë çfarë shfaq paisja,” thotë drejtori i projektit, Sergio Fontana.

Seksioni i hartave jep një pamje tre-dimensionale nga ajri, dhe vizitorët mund të përzgjedhin monumentin për të cilin duan informacion më të detajuar.

“Ka dy mënyra se si aplikacioni mund të perceptohet. Nga njëra anë mund të shihet si një instrument i pasur me dokumenta shkencore. Nga ana tjetër, përmban edhe elementë loje duke mundësuar udhëtimin në kohë dhe hapësirë rrotull Forumit Romak,” thotë zoti Fontana.

Seksioni historik përmban tekst dhe imazhe të bollshme për të kënaqur të apasionuarit pas historisë. (voa)

UNESCO voton sot për anëtarësimin e Kosovës

unescoKonferenca e përgjithshme e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë e Kulturë, do të shqyrtojë të hënën në orën 11 e 30 sipas kohës së Evropës Qendrore, kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Kërkesa e saj është paraqitur zyrtarisht Shqipëria. Ministrja shqiptare e kulturës, Mirela Kumbaro tha se anëtarësimi i Kosovës është jo vetëm i nevojshëm, por më se i merituar. Kosova me historinë, popullin, monumentet dhe kulturën e saj, ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit. Të gjithë shtetet e tjera të rajonit janë anëtare të UNESCO-s dhe do te ishte absurde, madje dhe qesharake, që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë edhe formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që Kosova është pjesë e saj prej lidhjes së saj organike dhe historike.

Duke kundërshtuar ministren shqiptare, delegacioni serb tha se do të kërkojë të hënën shtyrjen e debatit mbi kërkesën e Kosovës, për t’i dhënë, siç thuhet, një mundësi bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës ku do të diskutohet edhe çështja e trashëgimisë kulturore serbe.

Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.

Autoritetet në Kosovë thonë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Rreth kësaj çështjeje janë zhvilluar debate edhe të përfaqësuesve amerikan që mbështesin Kosovës dhe atyre rus që mbështesin qëndrimin serb.

Kërkesa e Kosovës është futur në rend të ditës më 21 tetor në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, i cili miratoi edhe projekt rezolutën me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës, e cila mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit, nevojiten dy të tretat e votave të atyre që marrin pjesë në votim, ndërsa nuk llogariten votat e paanshme. (voa)

Volksvagen pritet t’u ofrojë para klientëve

vwNë një faqe të njohur interneti për automobilat, thuhet se kompania gjermane e prodhimit të makinave, Volkswagen, po përgatitet t’i ofrojë pagesa në para kesh amerikanëve që kanë makina me diezel të kësaj firme. Këto makina u provua se ishin programuar qëllimisht që të jepnin të dhëna fallso gjatë testeve për çlirimin e gazeve.

Në blogun “The Truth About Cars” “E vërteta mbi makinat”, thuhet se pritet që Volkswagen-i ta njoftojë këtë vendim në ditët e ardhshme. Vetë kompania nuk ka komentuar publikisht lidhur me pagesat në kesh për konsumatorët.

Në raport thuhet gjithashtu se Volkswagen-i do të fillojë në shkurt të kryejë rregullimet e para të 482 mijë makinave me diezel që janë shitur në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë programin e dyshuar në motorrin e tyre.

Kompania Volkswagen, po përballet me aktpadi të klientëve të irrituar, të cilët kërkojnë kompensim për rënien e vlerës së shitjes së makinave të përdorura Volkswagen and Audi, që përmbajnë programin e paligjshëm. Ky program ka dhënë të dhëna fallso për çlirimin e gazeve nga makinat. (dw)

Kundër kujt po lufton Rusia në Siri?

Pesë javët e fundit kanë vazhdur sulmet e avionëve rusë në Siri. Por ende nuk dihet saktë se kundër kujt po qëllojnë.

aeroplanet ruse siriRaketat ruse kanë qëlluar para dy javësh edhe një spital në Sarmin, në provincën siriane Idlib, ku sipasojë kanë vdekur 12 civilë, ndër ta edhe dy mjekë. Kështu njofton fondacioni amerikan SAMS, i cili e ka ndërtuar këtë klinkë. Mediat kanë botuar edhe një fotografi të spitalit të shkatërruar tërësisht. Rusia e ka përgënjeshtruar lajmin. Ministria e Mbrojtjes ka prezantuar regjistrime ku shihet se spitali në fund të tetorit ka qenë në rregull, 11 ditë pas sulmeve. Rusia pohon se është duke goditur “terroristët” me armë të sakta, ndërsa mediat perëndimore dhe burimet siriane njoftojnë për shtimin e numrit të viktimave civile.

Prej fundit të shtatorit deri në fund të tetorit avionët rusë kanë sulmuar 1400 herë caqet siriane dhe kanë shkatërruar, sipas burimeve në Moskë, 1623 “objekte të terrorit”. Por kjo është e kontestueshme të paktën për dy shkaqe: në njërën anë nuk dihet se kë quajnë rusët “terrorist”. Dhe së dyti, burimet ruse nuk flasin fare për viktima civile. Si është e mundur që gjatë sulmeve ruse nuk ka viktima të paarmatosura, ndërsa në sulmet amerikane në Irak, Afganista dhe Siri ka pasur gjithmonë?

FSA në shënjestër në vend të IS

Rusia pohon se po e mbështet Presidentin Baschar al-Assad në luftën e tij kundër “Shtetit Islamik” (IS) dhe Frontit Nusra. Të dy këto organizata janë shpallur terroriste nga perëndimorët. Por Moska dhe Damasku i quajnë terroristë të gjithë kundërshtarët e regjimit. Një prej këtyre grupeve është edhe Ushtria e Lirë Siriane, e cila mbështetet nga Perëndimi dhe vendet arabe. Duket se pikërisht këto grupe janë në shënjestër të rusëve.

Gazetari i vendosur në qytetin Aleppo, Mohammed Al-Khatieb, e kritikon Rusinë në portalin Al-Monitor se në radhë të parë po sulmon këtë ushtri. Ndërsa “Institute for the Study of War” nga Uashingtoni njofton se forcat ruse po sulmojnë edhe rajone të kontrolluara nga IS dhe Fronti Nusra. Por më shumë janë duke bombarduar rajonet e kontrolluara nga FSA . Ndërkohë që forcat ruse janë duke goditur edhe spitale, xhami dhe vendbanime. Safouh Labanieh, drejtor i shoqatës gjermano-siriane me seli në Darmstadt, ka ngritur kritika shumë të ashpra: “Gjatë sulmeve ruse për fat të keq po goditen vetëm objektiva civile dhe opozita e matur.” Labanieh hotë për DW, se ai është kthyer nga rajonet e luftës para dy ditësh dhe askush nuk i sulmonte pozicionet e IS.

Shumë civilë të vrarë

Organizata Human Rights Watch e kritikon Rusinë për sulme në Ghantou dhe Ter Maaleh, nga mesi i tetorit, kur janë vrarë 59 civilë, ndër ta 33 fëmijë. Dyshohet se vetëm gjatë muajit të parë të sulmeve janë vrarë rreth 600 njerëz, një e treta e tyre civilë.

Andrej Kartapolov nga Shtabi i përgjithshëm rus i ka përgënjeshtruar këto raporte. Ai thotë se forcat ruse nuk kanë kryer kaq shumë sulme, siç thuhet. Në këtë luftë propagande po përdoren edhe video dhe pamje nga sateliti. Por nuk dihet se kur janë regjistruar ato. Në disa fotografi të botuara nga Rusia shihen edhe data të gabuara. Fakt është që spitalet janë dëmtuar por nuk dihet kur.

Kanë mbetur shumë pak gazetarë që shkojnë në zonat e luftës. Një ndër ta është Kurt Pelda, i cili i ka përjetuar edhe vetë sulmet ruse. Pelda raporton për sulme artilerie ndaj pozicioneve të Nusra, ku janë përdorur edhe bombat dispersive. Një bombë ka përfunduar edhe në një fshat të afërt, sepse rusët nuk përdorin armë të sakta, por armë që përfshinë sipërfaqe të mëdha. “Rusët nuk duan të vrasin civilë, por ka shumë dëme kolaterale”, thotë ai. Ka dhe raste kur ushtria siriane sulmon me avionë dhe më pas thotë se kanë qenë avionët rusë.

Pasojat janë të qarta. Trupat e regjimit të Assadit, të inkurajuara nga mbështetja e forcave ruse, kanë nisur ofensiva në shkallë të gjërë. Gjithnjë e më shumë njerëz po ikin nga shtëpitë e tyre në drejtim të Turqisë. OKB njofton se vetëm në tetor janë larguar nga shtëpitë e tyre mbi 124.000 sirianë nga provincat Aleppo, Hama dhe Idlib. Këtë e ka vërejtur edhe Kurt Pelda. “Njerëzit nuk po presin sulmet ruse, por po ikin nga të munden”, thotë gazetari nga Zvicra. Në jug të Aleppos shumë vende janë boshatisur. (dw)

Marrëveshja – hap drejt zgjidhjes së krizës

Arrihet marrëveshja politike në Maqedoni. Ndryshimet e tanishme me krijimin e qeverisë kalimtare i paraprijnë zgjedhjeve të reja të parashikuar 24 prill 2016 dhe japin shpresë për dalje përfundimtare nga kriza.

Hahn Gruevski ZaevLiderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni kanë arritur marrëveshje për Ligjin për Qeverinë dhe Ligjin për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara, duke zhbllokuar kështu edhe procesin e negociatave për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. Marrëveshja parashikon që një politikan i opozitës, Oliver Spasovski të emërohet ministër i Brendshëm, ndërsa Frosina Remenski si ministre e Punës dhe Politikës Sociale. Gjithashtu kandidatë nga opozita do të jenë edhe Kire Naumov, zëvendësministër i financave, Lupço Nikollovski i Bujqësisë dhe Aleksandar Kiracovski i Shoqërisë Informatike. Zëvendësministrat do të kenë të drejtë vetoje ndaj vendimeve të ministrave vetëm për çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Ligji për ndalimin e publikimit të materialeve të përgjuara nga ana tjetër parashikon dënime për mediat vetëm për publikimin e bisedave që prekin privatësinë, por jo për biseda që prekin interesin publik. Gjithashtu, është arritur marrëveshje që të kërkohet vendim nga Komisioni i Venecias.

Qeveria e re kalimtare do të zyrtarizohet deri më 15 janar të vitit të ardhshëm ndërsa deri në fund të këtij viti duhet të dorëhiqet kryeministri aktual, Nikolla Gruevski. Liderët e partive kanë thënë se marrëveshja e arritur është hap shumë i mirë drejt zgjidhjes përfundimtare të krizës. Ndërkohë 24 prilli i vitit të ardhshëm mbetet data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Gruevski: Nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve

Liderët e partive thonë se marrëveshja e arritur është hap shumë i mirë drejt zgjidhjes përfundimtare të krizës. Për liderin e VMRO-së, me rëndësi është që zgjedhjet të mos shtyhen dhe të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm. Për emrat e dakorduar për ministra dhe zëvendësministra nga radhët e LSDM-së, kryeministri Gruevski tha se bëhet fjalë për emra të theksuar partiak, e kjo sipas tij është mirë për shkak se kështu do të ndërmarrin përgjegjësi politike.

“Qëllimi ynë strategjik si parti ishte të betonohet data e zgjedhjeve, për çka LSDM pati tentime ta shtyjë, përkatësisht kërkoi të zgjatej, por ne nuk e lejuam atë dhe insistuam të mbetet 24 prilli dhe ia arritëm. Data për zgjedhje me ligjet që tani do t’i propozojmë në Parlament do të definohet se më 24 prill do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, është shprehur Nikolla Gruevski.

Me këtë marrëveshje opozita maqedonase merr përgjegjësi

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev është i kënaqur nga marrëveshja e arritur dhe kompromisi në pjesën e vetos së zv/ministrave vetëm për çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Me këtë marrëveshje, fitoi Maqedonia, ka thënë Zaev. “Zgjidhjen e gjetëm në shndërrimin e formulimit të fjalëve nga vetë marrëveshja ku thuhet se zëvendësministri ka të drejtën e vetos për punë që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve. Qëllimi ynë është që të kërkojmë shans të drejtë që ta kryejmë obligimin tonë në MPB dhe ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Këtë e bëjmë në mënyrë që të kemi garancë se qytetarët do të shprehim lirshëm vullnetin e tyre në zgjedhjet e 24 prillit”, ka deklaruar Zaev.

Ahmeti: Marrëveshja i bën fitues të gjithë

Për BDI-në në këtë marrëveshje nuk ka fitues e të humbur. Pozitat e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv mbetën të pa prekuara, sipas marrëveshjes, ndryshime, kontroll dhe ndarje të ndërsjellë të pushtetit do të ketë vetëm midis VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së për arsye të përplasjeve dhe mosbesimit në mes të dy partive maqedonase që edhe sollën gjer në krizën politike më të thellë në vend.

“Definitivisht të gjitha partitë politike parlamentare, kanë arritur marrëveshje për realizimin e marrëveshjes së 2 qershorit.Të gjitha dallimet që kanë ekzistuar deri sot, janë tejkaluar.U bë mirë për Maqedonin, për të gjithë qytetarët e saj. Sigurisht që askush nuk është triumfator, të gjithë janë fitues , por nuk ka as të humbur. Jam shumë i bindur që kemi bërë një punë të mirë”, ka deklaruar Ali Ahmeti, lider i BDI-s.

PDSH dyshon në realizimin e marrëveshjes

Përfaqësuesi i PDSH-së, Imer Aliu ripërsëriti se PDSH mbetet partia e vetme opozitare pasi nuk do të marrë pjesë në qeveri. “Ne nuk jemi pjesë e bisedimeve përsa i përket qeverisë së re dhe caktimit të ministrave. Kështu që ne ngelim opozitë, opozitë e vetme. PDSH mbetet opozitë tashmë e vetme në këtë shtet. Ne nuk kemi besim që kjo marrëveshje të realizohet por mbetet përgjegjësi e atyre që janë pjesë e bisedimeve përsa i përketë qeverisë”, thotë Imer Aliu nga PDSH.

Procesi i negociatave midis katër partive politike u zhbllokua me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, të cilët ishin pjesë e bisedimeve gjatë gjithë periudhës që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Përzhinos. Pas arritjes së marrëveshjes për ligjin për qeverinë teknike dhe ligjin për ndalimin publikimit të materialeve të përgjuara, që së shpejti marrëveshja të marrë votat në Parlament. (Fatos Musliu)

SHBA përshëndesin arritjen e marrëveshjes në Maqedoni

Pas bisedimeve mes drejtuesve të katër partive më të mëdha u tejkalua ngërçi mes qeverisë dhe opozitës, me një marrëveshje.

Zoran-Zaev_Nikola-GruevskiDrejtuesit e katër partive më të mëdha në Maqedoni vendosën t’i hapin rrugën reformave që dalin nga marrëveshja e 2 qershorit, duke rënë dakord mbi emrat e propozuar nga opozita maqedonase, të cilët do të jenë në krye të dy ministrive në qeverinë e pritshme teknike. Bisedimet e gjata dhe të vështira, të ndërmjetësuara nga eksperti belg Peter Van Hautte, cuan në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis pushtetit dhe opozitës maqedonase që kishin të bënin me anëtarët e kësaj të fundit në qeverinë e përkohshme, por dhe me projekt-ligjin mbi ato që në opinionin publik njihen si ‘bomba’, e që janë përgjimet e bisedave telefonike, si dhe atë për mbrojtjen e kallëzuesve ose denoncuesve për raste të paligjshme që do të hetohen nga prokuroria speciale.Marrëveshja, përkatisisht vendimet e saj politike në formë projekt-ligjesh, pritet të diskutohen në Parlament, sipas të gjitha gjasave të hënën që vjen, dhe të miratohen.

Për ministër të ri të Punëve të Brendshme është propozuar Oliver Spasovski, aktualisht Sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), ndërsa nënkryetarja e kësaj partie opozitare, Frosina Remenski për ministre të Punës dhe çështjeve sociale. LSDM do të ketë edhe tre zëvendës-ministra: për Financa, Administratë publike dhe Bujqësi.

Drejtuesit politikë që morën pjesë në bisedimet që zgjatën nga mbrëmja e së enjtes deri pas mesnate, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti u shprehën të kënaqur me atë që kishin arritur. Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër, tha se “opozita me kuadrot e saj të lartë, do të duhet të marrë përgjegjësinë për institucionet të cilat do t’i drejtojë dhe të mos fshihet, siç tha, pas atyre që i quan ekspertë e që janë anëtarë anonimë të LSDM-së”. Z. Gruevski theksoi rëndësinë e datës së zgjedhjeve, 24 prill, që nuk do të zhvendoset edhe përkundër përpjekjeve, sipas tij, të opozitës për shtyrjen e saj.

Ndërkaq, Zoran Zaev i LSDM-së e quajti këtë një fitore për të ardhmen e Maqedonisë. Ai tha se pret që “Gruevski në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës (marëveshja e 2 qershorit dhe aneksi i 15 korrikut) të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, brenda një afati të përshtatshëm”.

Drejtuesi i partisë shqiptare Bashkimi Demokrarik për Integrim, Ali Ahmeti tha se me dhënien fund ngërçit politik, Maqedoni po u kthehet integrimeve euro-atlantike. BDI-ja, përmes një komunikate që ka lëshuar mëngjesin e së premtes, nënvizon se  “pozitat e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv mbetën të paprekura, ndërsa do të ketë ndryshime, kontroll dhe ndarje të ndërsjellë të pushtetit vetëm midis VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, për arsye të përplasjeve dhe mosbesimit në mes të dy partive maqedonase që edhe sollën deri te kriza e thellë politike në vend.”

Në takim, ndërkohë, nuk ishte  pranishëm kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, por drejtuesi i grupit parlamentar të partisë, Imer Aliu, i cili tha se “PDSH-ja as nuk është dhe as nuk do të bëhet pjesë e një qeverie të tillë”.

Sipas marrëveshjes më të re, ministrat dhe zëvendës-ministrat e dy partive rivale maqedonase do të kenë të drejtën e vetos dhe në rast të mosmarrëveshjeve mbi çështje që do të kenë të bëjnë me zgjedhjet e pritshme, do të jetë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve që do të marrë vendimin e fundit.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov e ka përshëndetur marrëveshjen, duke theksuar në një komunikatë, se rezultati i takimit paraqet një dëshmi se dialogu është mënyra e vetme me anë të të cilit mund të shmangen të gjitha sfidat dhe çështjet e hapura.

Ai ka bërë thirrje për respektimin e institucioneve të vendit.
Komisioni Evropian ka inkurajuar partitë që të bëjnë gjithshka që është e nevojshme për të zbatuar detyrimet që dalin nga Marrëveshja. Zëdhënsja e Komisionit, Maja Kocijançiç ka thënë se kjo është shumë e rëndësishme, në prag të shpalljes së raportit të progresit për Maqedoninë.

Edhe Ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes, duke theksuar se me këtë është bërë një përparim i rëndësishëm. Ambasadori Bejli në rrjetin Tuiter ka shkruar se edhe më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes. Ambasadori amerikan vlerëson se marrëveshja e së premtes i kontribuon mirëqenies së vendit. Ai ka nënvizuar në veçanti nevojën e zbatimit të Kodit Zgjedhor, ndërsa ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë janë të përgatitur që të ndihmojnë procesin dhe vendin. (Isak Ramadani)

Vezë edhe për Hajredin Kuçin

veze hajredin kuqiNuk mund të ketë rehati për një pushtet që e ka sjellë vendin në një gjendje të mjerë. Nuk mund të rrijmë duarkryq përballë kërcënimit për ndarje etnike të vendit tonë dhe përballë faljes së territoreve të Kosovës.

Nuk mund të bëhemi indiferent karshi sistemit të kapur të drejtësisë, i cili përndjekë deputetët opozitar ndërsa bashkëpunon me krimin e me korrupsionin.

Hajredin Kuçi e drejton Ministrinë e Drejtësisë. Ai përveç që është ministër në një qeveri që po na e sjell “Zajednicën” dhe po i fal territoret, është përgjegjës kryesor për sistemin e rrënuar të drejtësisë Kosovare.

Subjektet opozitare janë të vendosura dhe nuk do t’i ndalin aksionet e tyre pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Më poshtë gjeni linkun e videos së aksionit të sotëm:

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/10153041786872000/

Lëvizja VETËVNDOSJE!

Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!

parlament protesta“A është segregacioni etnik vlerë e BE-së?!”

“Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!”

Synimet pro-perëndimore dhe integruese të popullit të Kosovës, po dëmtohen nga disa marrëveshje që janë në shpërputhje të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian.

Segregacioni dhe ndarja etnike janë projekte tashmë të tejkaluara dhe të luftuara ashpër nga shtetet perëndimore. Reciprociteti dhe barazia në mes të shteteve janë disa nga vlerat fundamentale të BE-së nga të cilat Kosova nuk guxon të heq dorë.

Opozita e bashkuar e Kosovës beson që vetëm duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të Republikës, jemi duke i mbrojtur edhe vlerat perëndimore. Marrëveshjet për Asociacionin dhe për demarkacionin me Malin e Zi janë të padrejta. E para ndan etnikisht dhe e defunksionalizon vendin kurse e dyta ia fal territoret e Kosovës, Malit të Zi. Ne nuk mund të heqim dorë nga subjektiviteti shtetëror dhe nga funksionaliteti i shtetit tonë. Evropa nuk do të pranojë në gjirin e saj një shtet jofunksional dhe të pazhvilluar dhe i cili për shkak të marrëveshjeve që e ndajnë etnikisht do të jetë burim i përhershëm i konflikteve.

Prandaj, subjektet opozitare, duke e mbrojtur Republikën e Kosovës nga këto marrëveshje të padrejta, po e mbrojnë dhe lehtësojnë edhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Shteti, liria, barazia, drejtësia dhe zhvillimi, janë çështje për të cilat nuk mund të bëjmë kompromise.


Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën

Biografia e re e GWH Bush dhe lufta në Irak

BushNdërkohë që mbështetja ndaj kandidaturës së Jeb Bushit për zgjedhjet presidenciale amerikane është zbehur, një libër biografik kushtuar babait të tij, ish-presidentit George HW Bush po tërheq vëmendjen e mediave. Kjo është një biografi e autorizuar, botim i autorit Jon Meacham, fitues i çmimit Pulitzer. Libri, që do të dalë në qarkullim së shpejti është kritika e zotit Bush ndaj disa prej figurave kyçe në administratën e djalit të tij, George W. Bush. Por një analist i tha Zërit të Amerikës se fajësimi i të tjerëve për ndërhyrjen e të birit në Irak nuk do të sjellë ndonjë përmirësim, qoftë në trashëgiminë politike të djalit të tij president apo në fushatën e djalit tjetër që synon Shtëpinë e Bardhë.

Në biografinë që do të publikohet javën e ardhshme, presidenti i 41-të i SHBA kritikon ashpër zëvendëspresidentin e djalit të tij, Dick Cheney, dhe sekretarin e të tij të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Ai thotë se arroganca dhe vija e tyre e ashpër, i bëri një shërbim të keq presidentit.

Prej kohe dyshohej se Bushi i vjetër nuk i kishte miratuar disa nga veprimet e të birit. Pyetja është pse u desh të priste ai aq shumë vite për të folur hapur. Një arsye është mosha e madhe ngutja për të përmirësuar imazhin e djalit tjetër, Jeb Bush, thotë analisti Klaus Larres:

“Ai e sheh me shqetësim të madh atë që po ndodh në Irak, në Lindjen e Mesme, kaosin dhe trazirat e atjeshme dhe ai e di natyrisht se të gjithë ia hedhin fajin ndërhyrjes së të birit në Irak në vitin 2003, për trazirat në këtë moment. Bushi i vjetër dëshiron ta bëjë të qartë se fajtor është jo vetëm djali i tij.”

Zoti Larres thotë se t’ia hedhësh pjesën më të madhe të fajit Cheney-t dhe Rumsfeld-it është e padrejtë, sepse Presidenti mban përgjegjësi për vendimet e tij.

As zoti Cheney dhe as zoti Rumsfeld nuk kanë pranuar se është bërë gabim në justifikimin e ndërhyrjes në Irak. Në fakt, dy muaj më parë, zoti Cheney kritikoi administratën e tanishme se po kërkonte një marrëveshje bërthamore me Iranin për të shmangur luftën:

“Kjo nuk është, siç thotë Presidenti Obama, e vetmja alternativë ndaj luftës. Kjo është çmenduri,” tha zoti Cheney.

Biografia, “Fati dhe Pushteti: Odisea amerikane e George Herbert Walker Bushit“, botohet ndërkohë që djali i dytë i tij, Jeb, po përpiqet të përmirësojë shanset për të fituar emërimin e Partisë Republikane për president. Analisti Larres i tha Zërit të Amerikës se libri nuk do ta ndihmojë atë:

“Jeb Bush ka qenë shumë i paqartë kur gazetarët e kanë pyetur në lidhje me ndërhyrjen në Irak në vitin 2003. Ai nuk e ka dënuar atë hapur, por as e ka miratuar. Pra, ai është përpjekur të qëndrojë diku në mes. Tani, babai i tij po e kritikon ndërhyrjen në Irak tërthorazi, duke ia hedhur fajin zotit Cheney dhe zotit Rumsfeld. Kjo e bën atë të duket keq, sepse ai vetë nuk po mban një qëndrim të qartë.”

Larres thotë se në ditët e ardhshme, Jeb Bush mund të ndihet i detyruar të deklarojë se lufta në Irak ishte një ide e keqe, dhe nëse e bën këtë, ka shumë gjasa që të mohojë përgjegjësinë e vëllait të tij. (voa)