Përurohet tuneli më i gjatë në botë

tuneli zvicerZvicra përuroi sot tunelin më të gjatë dhe më të thellë hekurudhor në botë me një ceremoni në Gotthard. Një prift bekoi tunelin, ndërsa udhëheqësit e vendeve fqinje me Zvicrën – kryeministri italian Mateo Renzi, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës Francois Hollande – u takuan në një shfaqje të solidaritetit evropian. Tuneli Gotthard, 57 kilometra i gjatë, thellë në zemër të Alpeve, lidh linjën kryesore hekurudhore të Evropës, nga Rotterdami në veri me Gjenevën në jug. Ai u ideua në vitin 1947. Tuneli ka ngjallur shpresat e zyrtarëve të turizmit për më shumë vizitorë në vendin malor evropian. Ai ia kalon Seikanit të Japonisë, me gjatësi 53.6 kilometra, duke u bërë tuneli më i gjatë në botë.

Fillimisht tuneli u ideua në vitin 1947 nga inxhinieri nga Bazeli, Eduard Grune. Ai ka një vlerë prej 10 miliardë dollarësh.

“Po të kthehemi pas në kohë, që në shekullin e 14-të ka pasur udhëtim përmes Zvicrës dhe njerëzit e përdornin që atëherë linjën veri-jug përmes masivit Gothard”, thotë Corinne Genoud nga kompania Turizmi i Zvicrës.

Inxhinierët përdorën një makineri masive shpimi, të quajtur “Sissi”, për të gërryer kilometra të tëra guri shkëmbor.

Inxhinierët thanë se ndërtimi ishte bërë në mënyrë shumë të përpiktë, një devijim prej vetëm 8 centimetrash horizontalisht dhe 1 centimetër vertikalisht.

Tuneli është gjithashtu pjesë e një projekti më të gjerë për të zhvendosur transportin e mallrave nga rrugët në shina, nxitur kryesisht nga një shqetësim se kamionët e rëndë po shkatërrojnë relievin naturor dhe të pacenuar të Alpeve zviceriane.

Votuesit zvicerianë, miratuan ndërtimin e tunelit në vitet 1990 dhe ndërtimi filloi në vitin 1999.

“Ne zvicerianët, jetojmë shumë pranë natyrës, natyra është pjesë e jona, natyra është baza e gjithçkaje për ne, përfshinë industrinë e turzimit në Zvicër. Dhe ndërtimi i tunelit na mundëson zhvendosjen e trafikut të rëndë të transporteve nga rruga në hekurudhë, duke mbrojtur kështu malet”, tha zonja Genoud.

28.2 milionë tonë gur u transportua nga tuneli. Më pas u deshën, katër vjet për instalimin e sistemit hekurudhor, përfshirë shinat, energjinë elektrike, telekomunikacionet dhe sistemet e sigurisë.

Dhe që nga tetori i vitit të kaluar, ekspertët kanë kryer prova me trena me shpejtësi 275 kilometra në orë përmes tunelit.

Zyrtarët e turzimin shpresojnë që tuneli të shtojë numrin e vizitorëve në vendin malor me 8.1 milionë vetë.

Megjithëse marsi i këtij viti shënoi një rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, zonja Genoud thotë se kohët e fundit ka pasur një rënie të numrit të turistëve kryesisht për shkak të vështirësive të monedhës së ndryshme.

Kur tuneli të fillojë të funksionojë, zonja Genoud e Kompanisë së turizmit, parashikon që numri i turistëve të rritet në Ticino, rajonin që flet italisht në jug të Zvicrës.

“Malet dhe relieve janë një nga arsyet kryesore që njerëzit vizitojnë Zvicrën. Prandaj, ruajtja dhe përpjekjet për të garantuar që brezat e ardhshëm të jenë në gjendje ta shijojnë natyrën, janë një nga përparësitë”, thotë ajo.

Tuneli Gotthard Base pritet të fillojë funksionimin e plotë më 11 dhjetor 2016. (voa)

Gjermania i konsideron gjenocid vrasjet e armenëve nga turqit

armenetLigjvënësit gjermanë votuan sot me shumicë dërrmuese për t’i konsideruar si gjenocid vrasjet e armenëve nga turqit osmanë gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Rezoluta do të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Turqisë,” tha Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan menjëherë pas votimit, gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin e Kenias.

Ai shtoi se pas thirrjes së ambasadorit turk për konsultime, qeveria do të diskutojë se çfarë hapash do të ndërmarrë Ankaraja si kundërpërgjigje.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se dy vendet kanë lidhje të gjera miqësore dhe strategjike pavarësisht një “ndryshimi opinionesh mbi një çështje të veçantë.”

Gjermania u bashkohet rreth 20 vendeve që i kanë quajtur vrasjet gjenocid.

Historianët vlerësojnë se deri në 1.5 milion armenë janë vrarë nga turqit osmanë midis viteve 1915 dhe 1917 dhe shumë studiues e kanë konsideruar këtë ngjarje si gjenocidi i parë i shekullit të 20-të. (voa)

DASH: paralajmërim për amerikanët në Evropë

DASHDepartamenti amerikan i Shtetit nxori një paralajmërim për amerikanët që udhëtojnë në Evropë mbi rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste që vënë në shënjestër ngjarje të mëdha, vende turistike, restorante, qendra tregtare dhe të transportit.

Paralajmërimi, i cili skadon më 31 gusht, 2016 thekson se “numri i madh i turistëve që vizitojnë Evropën në muajt e verës paraqet objektivat më të mëdha për terroristët që planifikojnë sulme në vende publike, sidomos në ngjarje të mëdha.”

Në veçanti, paralajmërimi tërheq vëmendjen te Kampionati Evropian i futbollit nga 10 qershor deri në 10 korrik dhe gara e çiklizmit Tour de France nga 2 deri në 24 korrik në Francë. Tjetër ngjarje është Dita Botërore e Rinisë Katolike në Krakov të Polonisë, nga 26 në 31 korrik, që pritet të tërheqë deri në 2.5 milionë vizitorë.

Edhe pse autoritetet evropiane vazhdojnë të ndërmarrin hapa për të garantuar sigurinë publike, Departamenti i Shtetit u bën thirrje amerikanëve të jenë vigjilentë. (voa)

Erdogani kërcënon para rezolutës për Armeninë të Bundestagut

Fillimisht ankohet kryeministri Yildirim – tani Turqia paralajmëron në nivelin më të lartë. Pak para rezolutës për Armeninë të Bundestagut, Presidenti i Turqisë, Erdogan i ka shtuar kërcënimet.

erdoganRezoluta e planifikuar e Bundestagut për masakrat ndaj armenëve, sipas mendimit të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan do të kthehet në një test rezistence për raportet me Gjermaninë. Erdogani tha në Izmir se kishte telefonuar për këtë me Kancelaren Angela Merkel. Nëse rezoluta do të miratohet sipas planit të enjten, “kjo natyrisht që do t’i dëmtonte marrëdhëniet e ardhshme diplomatike, ekonomike, të biznesit, politike dhe ushtarake midis dy vendeve – ne të dy jemi edhe anëtarë të NATO-s”, tha Erdogani. Aktualisht, tha ai, marrëdhëniet bilaterale janë në “një nivel shumë, shumë të lartë”.

“Pa bazë dhe e padrejtë”

Bundestagu do të miratojë të enjten një rezolutë të përbashkët të partive unioniste, të SPD dhe të Gjelbërve, e cila e kategorizon si gjenocid vrasjen masive, deportimin e armenëve në Perandorinë Osmane. Sipas vlerësimeve, para rreth 100 vjetësh jetën e humbën midis 800.000 dhe 1,5 milionë pjesëtarëve të këtij minoriteti të krishterë. Turqia shpreh keqardhje për këtë, por e kundërshton rreptësisht kategorizimin si gjenocid.

Më parë, edhe kryeministri turk, Binali Yildirim u ankua në një telefonatë me Kancelaren për “gjykimet pa bazë dhe të padrejta” të rezolutës së planifikuar, siç bëri të ditur zyra e Kryeministrit turk. Qeveria turke, i gjithë vendi dhe miliona turq në Gjermani e ndjekin me shqetësim zhvillimin, ka thënë Yildirimi. Ankaraja pret nga qeveria gjermane dhe nga Bundestagu një “qëndrim me respekt”. Merkeli e pati marrë në telefon Yildirimin për ta uruar për emërimin e tij si kryeministër.

Koalicioni qetëson

Përfaqësues të koalicionit qeveritar në Berlin po përpiqen tani të qetësojnë. Nuk bëhet fjalë që të dëmtohen marrëdhëniet midis të dyja vendeve, tha drejtuesi ekzekutiv i Grupit Parlamentar unionist, Michael Grosse-Brömer në Berlin. “Shpresoj që kjo edhe të kuptohet kështu”. Askush nuk duhet të ulet në bankën e të akuzuarit, as edhe qeveria aktuale turke. Në një votim provë në Grupin Parlamentar unionist, rezoluta u pranua me një votë kundër dhe me pesë pro.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të SPD, Thomas Oppermann theksoi që rezoluta për Armeninë të mos keqpërdoret për një konfrontim me Presidentin Erdogan. “Dëshiroj t’i paralajmëroj nxitësit në debat që të mos e teprojnë shumë”, tha Oppermann. Bundestagu synon të “konstatojë të vërtetën historike” të gjenocidit ndaj armenëve, tha ai.

E vështirë, e rrezikshme? Jo për Rupert Neudeck – Një humanist ndërron jetë

Rupert Neudeck ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare. Një figurë e njohur, jo vetëm në Gjermani, për humanizmin, veprimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Neudeck dha kontribut të veçantë për refugjatët nga Kosova.

Rupert NeudecktRupert Neudeck

Një humanist i madh gjerman ka ndërruar jetë, një njeri që jetën e tij ia kushtoi shpëtimit të jetës së njerëzve, që nuk hezitonte të shkonte mes vështirësish, aty ku ishte mjerimi. Rupert Neudeck ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare në Köln pas një operacioni në zemër. I njohur edhe për angazhimin e tij në Kosovë dhe ndihmën ndaj refugjatëve kosovarë, jo vetëm në kohën e luftës së Kosovës, por edhe më vonë, Nedueck ishte një njeri konkret i veprimit. Në valën e refugjatëve kosovarë në muajt e parë të vitit 2015, ai bëri thirrje në median gjermane për t’u krijuar shanse punësimi njerëzve nga Kosova në nevojë.

Kritik i hapur

Gazetari dhe teologu katolik Neudeck ishte themeluesi i organizatës së njohur humanitare, “Cap Anamur”, që në Detin Jugor të Kinës u shpëtoi jetën më shumë se 11.000 njerzëve. Ishte viti 1979 kur fati i mijëra refugjatëve vietnamezë tronditi botën. Për vite me radhë, Neudeck ishte në njeri që kritikonte hapur, që kërkonte gjithmonë humanizmin. Edhe në librin e tij të botuar në Gjermani në vitin 2014 “Jeto radikalisht”, Rupert Neudeck bën thirrje për rezistencë kundër mungesës së humanitetit, torturës, diskriminimit dhe shpërdorimit. Titulli ka qenë edhe motoja e jetës së një burri hollak me flokë të thinjur dhe mjekër.

Gjermania e kujton Rupert Neudeck me nderim. Kancelarja Merkel e vlerësoi atë si një “aktivist të respektuar në botë për të drejtat e njeriut dhe humanitetin”. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier deklaroi: “Shumë e vështirë, shumë e rrezikshme, shumë e komplikuar – barriera të tilla nuk kishin vlerë për të.” Edhe presidenti gjerman Joachim Gauck e vlerësoi figurën e Rupert Neudeck. “Ai shikonte dhe vepronte – dhe këtë një jetë të tërë.” (dw)