Standardet ndërkombëtare të aplikueshme në rastin Astrit Dehari

lvvGjashtëmbëdhjetë ditë pas vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burg, asnjë person nuk ka dhënë përgjegjësi. Në lidhje me këtë dhe me shkeljet e e të drejtave elementare në rastin Dehari, sot gjatë një konference për shtyp folën deputetët Driton Çaushi dhe Aida Dërguti.
Në fjalën e tij, deputeti Çaushi numëroi katër prej parimeve fundamentale të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë shkelur, e të cilat janë:

Neni 2, përkatësisht e drejta në jetë, dhe detyrimi i shtetit për të mbrojtur njeriun nga marrja e jetës sidomos kur ai është nën jurisdiksionin e tij direkt;
Neni 6, përkatësisht e drejta për një gjykim të pavarur dhe të drejtë, në të cilin shteti garanton të drejtën e viktimës për një hetim të shpejtë dhe të pacenuar nga interferimi politik;
Neni 8, përkatësisht e drejta në respektim të privatësisë dhe jetës private, në kuptim të detyrimit të shtetit për të mos i dhënë publikut informacione paragjykuese që ndryshojnë rrjedhën e procedurës penale kundër dikujt, përpara se ai të jetë gjykuar në mënyrë të plotë dhe të pavarur; dhe
Neni 3, përkatësisht e drejta e çdokujt për t’u mos keqtrajtur, trajtuar çndershëm, apo ushtruar trajtim degradues në qendrat e paraburgimit dhe të dënimit.
“Duhet qartësuar që Republika e Kosovës, në kuptim të Nenit 53 të Kushtetutës, është e detyruar që t’i respektojq vendimet gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut erga omnes. Mosrespektimi i cilitdo standard të Konventës i interpretuar me vendim të Gjykatës së Strasburgut përbën shkelje jo vetëm të Konventës por edhe të vet Kushtetutës së Kosovës”, deklaroi ndër të tjera Çaushi.

Kurse, deputetja Aida Dërguti theksoi që sa i takon të drejtës në jetë në kuptim të qendrave të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit ka disa raste kur Gjykata e Strasburgut i ka bërë përgjëgjës institucionet shtetërore.

“Në rastin Anguelova kundër Bullgarisë, Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që vdekja në burg e Anguelova, ndër të tjera, vendoste përgjegjësinë ndërkombëtare mbi Bullgarinë për shkakun që ajo dështoi të hetonte në mënyrë objektive dhe gjithëpërfshirëse përgjegjësit e saj”, deklaroi Dërguti
Ajo shtoi se në këtë rast Gjykata kishte konstatuar që Bullgaria dështoi të respektonte parimin e sigurisë së deklaratave të dëshmitarëve, si elementë krucial në identifikimin e fajtorëve, dështoi të heqte dyshimet mbi kundërthëniet e shprehura në mes të shumë raporteve zyrtare, dhe vendimi i prokurorisë për të mbyllur hetimet ishte cilësuar krejtësisht i bazuar në bindjen e krijuar në opinionin publik e cila ishte paragjykuese.

“Një drejtim i tillë i ngjarjes përbën shkelje të Nenit 4, Nenit 5 dhe Nenit 6 të Konventës, dhe vesh Bullgarinë me përgjegjësinë për një shkelje të tillë”, tha Dërguti.

Gjithashtu, Dërguti deklaroi se Gjykata e Strasburgut ka përcaktuar detyrimin e shtetit sa i procesit të pavarur të hetimi në rastet e vdekjeve në qendra paraburgimi, duke përmendur rastin Jordan kundër Britanisë së Madhe. Këtu Gjykata e Strasburgut përcaktoi se hetimi i shtetit për vdekjen duhet të jetë plotësisht i pavarur.

Ajo tha se Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që pavarësia e tillë duhet të sigurohet në kuptimin që:

 hetuesit e rastit të vdekjes në qendrën e paraburgimit duhet të mos kenë qenë më parë të përfshirë në asnjë rrethanë, qoftë edhe të lejuar, në rastin e viktimës;
 hetimi duhet të jetëi shpejtë, procesi hetues duhet të nxjerri të dhëna që mundësojnë atribuimin e përgjegjësisë së atyre që janë përgjegjës për vdekjen e tillë, e jo t’i shkatërrojnë të dhënat e tilla duke e mbyllur praktikisht rastin;
 hetimi të dërgojë në përcaktimin e shkakut dhe përgjegjësisë për vdekjen dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës i) t’i mundësojë familjarëve pjesëmarrje në plotë në tërë procesin hetimor për t’i arritur interesat legjitime të viktimës.
Dërguti foli edhe për rastin Kelli dhe të tjerët kundër Britanisë së Madhe, me ç’rast Gjykata e Strasburgut gjithashtu kishte vendosur detyrimin që asnjë nga deklaratat e dëshmitarëve dhe detajeve të procesit të hetimit të vdekjes të mos lejohen të nxjerren në publik, përpara se ato t’i jenë nënshtruar në mënyrë të paanshme vlerësimit gjyqësor në praninë e të afërmëve të viktimës.

“Në të dyja rastet, Gjykata e Strasburgut vendosi që kishte shkelje të Nenit 2 (të drejtës në jetë) dhe Nenit 6 (të drejtës për një gjykim të drejtë dhe fer) për shkakun që shteti nuk kishte garantuar rrjedhjen e hetimit në një mënyrë që do të linte dozë të mjaftueshme të besueshmërisë për t’i nxjerrur fajtorët përpara drejtësisë”, përfundoi Dërguti.

Keqadministrimi i rastit të Deharit ka treguar që shteti Kosovës nuk e ka as synim e as praktikë drejtësinë e nuk po pyet për këto shkelje. Ky pushtet është i vendosur që të tentojë t i heshtë zërat që kërkojnë drejtësi. Por, këta zëra që e kanë tejkaluar Lëvizjen VETËVENDOSJE! është e vështirë të ndalen dhe drejtësia për këtë rast do të vijë. (lvv)

Nga SHBA 250 automjete të blinduara ushtrisë shqiptare

autoblindaNë Shqipëri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara do t’i dhurojnë ushtrisë shqiptare 250 automjete të blinduara. “Brenda 10 ditësh do të nëshkruajmë marrëveshjen, dhe pjesa e parë prej 78 automjetesh pritet të mbërrijë që në muajin Janar”, shpjegoi ministrja, duke shtuar se vlera e vetëm pjesës së parë vlerësohet në 15 milion dollarë.

Njësitë e ushtrisë shqiptare deri më tani, kanë përdorur gjatë misioneve jashtë vendit kryesisht automjete të lehta, ndërsa në rastet e angazhimit në operacione që paraqisnin rrezikshmëri, kanë udhëtuar me automjete të ushtrive aleate.

Po ashtu, në mbështetje të kompletimit të ushtrisë me armatim dhe municion të standarteve të Natos, pritet dhe furnizimi me 5 mijë armë automatike dhuratë nga Italia, me një vlerë prej 10 milion eurosh. “Ministria e Mbrojtjes italiane, ka përgatitur një ligj të posaçëm për kalimin e këtyre armëve, dhe ai pritet të miratohet nga parlamenti italian në muajin dhjetor”, deklaroi ministrja shqiptare e Mbrojtjes gjatë fjalës së saj në Komisionin parlamentar të Sigurisë. (voa)

Përhapja e bakterieve rezistente ndaj ilaçeve

bakterietBakteriet rezistente ndaj ilaçeve po shfaqen në pothuajse çdo spital. Pas dekadave të përdorimit intensivë të antibiotikëve, disa lloj bakteriesh u ndryshuan duke u bërë rezistente ndaj barnave të përdorura për t’i luftuar. Të paktën një bakterie ka krijuar rezistencë ndaj të gjitha llojeve të antibiotikëve. Shkencëtarët në Britani dhe pjesë të tjera të botës janë duke u përpjekur për të zhvilluar metoda për mbrojtjen e pacientëve nga infeksionet që janë rezistente ndaj ilaçeve.

Në një spital në Andover të Anglisë, teknikët po izolojnë një dhomë për ta pastruar me avull peroksid hidrogjeni.

Por kjo substancë e zakonshme pastrimi mund të mos jetë e efektshme ndaj të gjitha bakterieve të dëmshme, që janë gjithmonë prezente në spitale.

Rreziku vjen nga të ashtuquajturat “biofilme” koloni komplekse mikro-organizmash që përdorin metota të sofistikuara për të zhvilluar rezistencë ndaj agjentëve të zakonshëm të pastrimit.

“Këto bakterie bashkohen dhe mund të ndajnë informacion gjenetik. Kështu rezistenca mund të kalohet në mes specieve në këtë biofilm. Potencialisht këto grupe bakteriesh bëhen më të forta sa më larmishme të jenë, thotë mikrobiologu Fergus Watson.

Studiuesit thonë se jo vetëm bakteriet por edhe viruset kanë krijuar rezistencë ndaj barnave. Shkaku kryesor është mbipërdorimi i antibiotikëve, veçanërisht i atyre me spektër të gjerë.

“Bakteriet po krijojnë rezistencë pasi po sulmohen nga këta antibiotikë dhe bakteriet që zhvillojnë mekanizmin e rezistencës mbijetojnë. Biofilmet mund të jenë aty ku ato shkëmbejnë këtë rezistencë dhe më pas e ndajnë atë me bakteriet e tjera, thotë specialisti Fergus Watson.

Në vitin 2014, Organizata Botërore e Shëndetësisë nxorri një paralajmërim se “pa veprime urgjente të koordinuara, bota po shkon drejt një periudhe post-antibiotikëve, në të cilën infeksione të zakonshme dhe lëndime të lehta që janë trajtuar për dekada të tëra, mund të shkaktojnë vdekje.”

Në fillim të vitit, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi rastin e parë të një infeksioni që nuk luftohej me asnjë lloj antibiotiku.

Zyrtarët e shëndetësisë janë të shqetësuar se një shpërthim më i gjerë i infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve mund të shkaktoj vdekjen e deri në 80 mijë njerëzve në mbarë botën. (voa)

Qasje e re ndaj trajtimit të vartësisë

trajtimi-i-vartesiseNjë raport i ri, i publikuar të enjten nga zyra e këshilltarit të presidentit për shëndetësinë publike, përqendrohet tek shqetësimet mbi keqpërdorimin e substancave narkotike dhe vartësisë ndaj tyre. Në raportin e titulluar “Përballë vartësisë në Amerikë” Dr. Vivek Murthy e quan atë një prej krizave më të mëdha të shëndetit publik të ditëve të sotme.

Në raportin e ri thuhet se vartësia nuk duhet të shihet më si “mungesë karakteri” dhe se trajtimi i këtij problemi kërkon ndryshimin e qasjes ndaj tij. Zoti Vivek Murthy është këshilltar i presidentit për shëndetësinë publike.

“Duhet ta pranojmë se vartësia nuk është dështim moral. Është sëmundje kronike që duhet trajtuar me aftësi, urgjencë dhe dhembshuri.”

Ai thotë se 21 milionë amerikanë përballen me abuzimin e substancave narkotike një numër më i lartë se i të gjithë të prekurve me kancer.

“Pavarësisht nga përmasat e kësaj krize, vetëm një në dhjetë individë trajtohet. Përveç kësaj, një në shtatë amerikanë pritet të preket nga një formë vartësie ndaj këtyre substancave.”

Megjithë numrin e madh të atyre që përballen me vartësinë, vetëm 10 përqind marrin trajtim.

Zyrtarët shpresojnë që raporti të nxisë hulumtime më të shumta mbi parandalimin, trajtimin dhe shërimin, në të njëjtën mënyrë sikurse raporti historik i vitit 1964 për duhanin, që përfundimisht çoi në reduktimin dramatik të pirjes së duhanit nga amerikanët, duke shpëtuar miliona jetë. Zoti Murthy tha se po bën thirrje për veprim.

“Duhet të forcojmë programet parandaluese dhe shtojmë qendrat e trajtimit. Duhet të zgjerojmë fokusin duke përfshirë tek substancat abuzuese edhe alkoolizimin e shpejtë. Duhet të ndryshojmë mënyrën se si e shohim vartësinë.”

Mënyra se si reagojmë ndaj kësaj krize, tha ai, është një provë morale për Amerikën. (voa)

Stojanoviq: “Zajednica nuk është projekt kundër shqiptarëve”

Serbët në Kosovë janë të rrezikuar, në veçanti ata në anën jugore të Ibrit. Në institucione nuk do të kthehemi pa fillimin e realizimit të marrëveshjeve, thotë në intervistë me DW, Branimir Stojanoviq.

zv-kryeministri-i-ks-stojanovicDeutsche Welle: Zoti Stojanoviq, për shkak të votimit të ligjit për Trepçën, ju keni vendosur të largoheni nga isntitucionet e Kosovës. Pra cilat janë normat në këtë ligj që nuk ju pëlqejnë dhe kur do të ktheheni në institucione?
Branimir Stojanoviq: Shkaku i largimit tonë nga institucionet është Trepça, por kjo është vetëm pika e fundit në gotën e mbushur të problemve. Sepse në atmosferën e krijuar është shumë vështirë t’i realizojmë interesat dhe të drejtat elementare të popullit tonë në këto hapësira. Ligji për Trepçën është një akt politik i dëmshëm, i cili nuk do të ndihmojë për funksionimin më të mirë të Trepçës. Ligji është miratuar në mënyrë të njëanshme – për shkaqe populizmi dhe të garës politike brenda popullit shqiptar dhe jo me qëllim të funksionimit më të mrië të Trepçës apo punësimit të serbëve, shqiptarëve dhe të gjithë atyre që jetojnë këtu. Ne kemi dashur të dërgojmë një mesazh të qartë se ky ligj nuk mund të kalojë. Unë jam thellësisht i bindur se ligji është i pazbatueshëm dhe se duhet të ndryshohet.
Cili është propozimi juaj, çfarë duhet të ndryshojë?
Ka pasur shumë propozime para miratimit të këtij ligji. Kemi menduar se duhet të hartohet edhe një studim për implementimin e ligjit. Nuk mund të vendoset për resurset ekonomike në qoftë se nuk keni të dhëna të sakta për potencialet e Trepçës. Nuk është e mundur në shekullin 21 që me një ligj të mohoni të gjitha të drejtat e atyre që kanë investuar atje. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur me këtë ligji. Besoj se ligji duhet të ketë ndryshime thelbësore. Do të kërkojmë një ligj tjetër për Trepçën, një ligji i cili do të përfshijë të gjitha këto aspekte.
Po cilat janë propozimet tuaja konkrete për ndryshime, të cilat do të ishin të pranueshme për palën shqiptare dhe atë serbe?
Ne kemi ofruar një dialog të argumentuar në nivelin e ekspertëve, por ky dialog nuk është realizuar kurrë. Është dashur të respektohen disa fakte në terren, sepse Trepça sot është e ndarë. Pjesë në veri dhe ajo në jug funksionojnë sot si dy subjekte të ndara juridike. Trepça në veri sjell përfitim dhe punëson rreth 3000 punëtorë – 1500 me punë të përhershme dhe të tjerët, që punojnë sipas sitemit të rotacionit. Kjo pjesë sjell përfitim, ndërsa në jug sjell humbje. Në 15 vitet e kaluara dikush ka investuar një mund jashtëzakonisht të madh që Trepça të funksionojë. Nuk është e mundur që me një lëvizje të eliminohet i gjithë mundi i 15 viteve të kaluara. Duhet të repsektohet argumentimi i menaxhmentit të Trepçës në veri, i cili ka qenë i gatshëm për bisedime, por kurrë nuk i është dhënë mundësia të thotë mendimin e tij. Ndërkohë që duhet të respektohet edhe mendimi i punëtorëve atje.
Zoti Stojanoviq, ligji është miratuar në parlament me shumicën dërmuese të votave. Çfarë do të bëni në qoftë se nuk ekziston vullneti për rishikimin e ligjit?
Siç e thashë edhe më lart: nuk bëhet fjalë vetëm për ligjin për Treçën, por për atmosferën e përgjithshme që është krijuar kohët e fundit. Bëhet fjalë për ligjin për investime strategjike dhe verifikimin e pasurive, për mosreagimin e duhur të institucioneve kur sulmohet kisha “Svetog Spasa” në qendër të Prishtinës (kisha e ndërtuar në kohën e luftës së Kosovës – shënim i autorit). Veprimi i vetëm pas sulmeve ndaj kësaj kishe ka qenë kur inspeksioni i ndërtimeve ka ndaluar vazhdimin e punimeve të peshkopit dhe besimtarëve, të cilët kishin nisur t’i ngjyrosin parullat ofenduese në muret e kishës. Problemi tjetër është Mushetishti (një fshat në komunën e Suharekës: shënim i autorit), sepse atje nuk është mbështetur procesi i kthimit të organizuar të serbëve. Problem është kur mbahen protesta, të cilat sipas mendimit tim, janë të organizuara dhe të sinkronizuara mirë, për pengimin e meremimit të kishës “Sveti Arangel” në Prizren… Për probleme të ngjashme mund të flas deri pasnesër. Duhet krijuar pra një atmosferë më e mirë politike dhe të merremi vesh konkretisht për realizimin e gjërave që janë futur në marrëveshjen për koalicionin qeverisës. Ndërkohë që nuk është bërë asnjë lëvizije për realizimin e Marrëveshjes (së arritur në Bruksel: shënim i autorit) për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka ardhur koha të merren vendime dhe jo vetëm të flitet. Më shqetëson fakti që tani po krijohet një atmosferë parazgjedhore dhe gjërat nuk po realizohen.
Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjedhjet e reja do të flasim pak më vonë, por fillimisht më tregoni: cili është qëndrimi juaj ndaj marrëveshjes për kodin telefonik, të arritur këto ditë në Bruksel, sepse ka pasur interpretime të ndryshme. Njëra palë thotë se me këtë kod është forcuar prania e Serbisë në Kosovë, ndërsa pala tjetër se në këtë mënyrë po forcohet shteti i Kosovës. Cili është mendimi juaj?
Mendoj se është me rëndësi që të realizohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel. Në këto marrëveshje ka shumë gjëra që nuk i pëlqejnë njërës apo palës tjetër, por janë në interesin e njerëzve të thjeshtë. Me këtë marrëveshje njerëzit në Kosovë do të kenë një komunikim shumë më të mirë dhe më të lehtë, sikurse që kanë pasur lehtësime edhe nga marrëveshjet e tjera. Shumë shpejt po harrohen të mirat nga procesi i dialogut. Për shembull, zgjidhja e problemit të urës mbi Ibër, e cila është arritur me shumë mund. Në këtë vend ka pasur shumë viktima, ka qenë e rrezikuar siguria dhe pasuria e njerëzve, ky vend ka qenë gjithmonë një vatër e krizave potenciale. Po harrohet se deri para pak kohe janë paguar taksa shumë të larta për lëvizjen e lirë të makinave apo njerëzve. Dialogu nuk është i lehtë dhe i këndshëm për ata që marrin pjesë në dialog. Por për sa kohë konfliktet dhe mosmarrëveshjet zgjidhen me dialog edhe në zyrat e politikanëve – është mirë. Do të jetë shumë mirë për sa kohë politikanët kanë takime të pakëndshme pas dyerve të mbyllura, ndërsa njerëzit përfitojnë nga këto takime.
Unë këto ditë kam qenë në veri të Mitrovicës. E di që edhe ju keni qenë vetëm një ditë më pas. Si do ta përshkruanit gjendjen atje?
Me siguri që ka shumë mosbesim, frikë, pasiguri të njerëzve për të ardhmen e tyre. Ndaj është me rëndësi që të tregojmë se askush atje nuk ka qëllime të këqija, por duam përmirësimin e kushteve për të gjithë. Por kjo duhet edhe të dëshmohet dhe jo vetëm të flitet. Duhet të zgjidhim problemet, e lista e probleve, siç e thashë më lart, është shumë e gjatë. Problemet ekzistojnë që prej krijimit të koalicionit qeveritar. Për ne është e papranueshme që të marrim pjesë në punën e institucioneve, nëse nuk zgjidhen problemet. Ose të paktën që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur, sepse nuk është e mundur që të gjitha problemet të zgjidhen brenda natës, në veçanti kur dihet historia e gjatë e problemeve. Por me rëndësi është të mbahet drejtimi i duhur dhe që institucionet t’i realizojnë detyrimet e tyre për një jetë më të mirë për të gjithë.
Pak më lart e përmendët edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe (në opinionin e Kosovës të njohur si “Zajednica”): a ka ndonjë përparim në realizimin e kësaj marrëveshjeje?
Nuk është bërë asgjë dhe ky është esencialisht problemi më i madh. Përveç deklaratave dhe pohimeve në publik se “Zajednica” duhet të formohet, në akpektin teknik nuk kemi lëvizur shumë përpara. Ne si bashkësi etnike, si popull, jemi të gatshëm për një autonomi lokale. Ky proces duhet të çlirohet nga ngërçi dhe të lëvizë përpara, pavarësisht keqpërdorimeve të shumta të partive politike shqiptare me këtë proces, sepse “Zajednica” paraqitet si projekti më i madh armiqësor ndaj shqiptarëve – që nuk është e vërtetë. “Zajednica” është në fakt një mekanizëm që serbët në Kosovë të mbijetojnë. Serbët në Kosovë janë të rrezikuar, veçanërisht në anën jugore të lumit Ibër. Nuk dua të përdor mite, sepse mitet janë më të përhapurat tek popujt e Ballkanit. Por duhet të shikoni vetëm të dhënat statistikore: sa njerëz në pesë vitet e fundit i kanë shitur pasuritë e tyre dhe kanë ikur nga Kosova? Siç kanë ikur…
…e keni fjalën për largimet nga veriu i Kosovës?

Jo vetëm nga veriu, por edhe nga jugu është zhvendosur një numër i madh i shqiptarëve dhe ka ikur në Evropën Perëndimore. Nëse problemeve, siç janë papunësia, korrupsioni, mungesa e perspektivës, ua shtoni edhe ato të sigurisë së keqe në disa rajone, problemet me pasuritë, ruajtjen e objekteve fetare… atëherë e shihni se në çfarë kushtesh të rënda jeton populli serb në Kosovë. Atëherë keni edhe një argument tjetër që të mos besoni se situata do të ndryshojë shpejt. Ndaj është i domosdoshëm krijimi i “Zajednicës” së komunave me shumicë serbe, me qëllim që populli serb të ketë një të ardhme të denjë në trojet e veta.
Për “Zajednicën” ka mendime të ndryshme tek politikanët dhe partitë e shqiptarëve të Kosovës, sepse ka forca politike që atë e shohin vetëm si një hap drejt ndarjes së Kosovës. Si i vlerësoni ju këto pohime?
Kurrë nuk kam qenë mbështetës i pohimeve sensacionale për ndryshime të mëdha. Ne i mbetemi besnik marrëveshjeve të arritura dhe ato duhet të realizohen. Është biseduar për katër fusha ku zëri i serbëve duhet të jetë vendimtar: arsimi, shëndetësia, planifikimi hapësinor dhe zhvillimi ekonomik. Si është e mundur që përmes këtyre katër fushave të rrezikojmë dikë apo të fillojmë ndonjë proces më të madh politik? “Zajednica” është një mekanizëm në duart e serbëve dhe popujve të tjerë që jetojnë në këto hapësira me shumicë serbe, që të krijojnë kushte më të mira jetese, sepse është dëshmuar se kapacitetet e tanishme në duart e serbëve nuk mjaftojnë. Shumë shpesh, pavarësisht argumenteve, sugjerimet tona nuk pranohen. Ndaj “Zajednica” është me rëndësi. Mendoj se edhe establishmenti politik shqiptar duhet të piqet. Ka ndodhur që disa prej tyre t’i pranojnë argumentet tona, por më pas është krijuar atmosfera në opinion për mospranimin e marrëveshjeve. Ja edhe një shembull: shumë kolegë më kanë shprehur keqardhje për incidentet që kanë ndodhur rreth kishës “Svetog Spasa” në Prishtinë. Por kjo keqardhje shprehet vetëm privatisht. Ndërsa publikisht shumë rrallë, sepse ata më pas gjykohen nga shumica e popullit të tyre.
Cili është qëndrimi juaj ndaj demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sepse ky është karshi “Zajednicës”, problemi i dytë më i madh i institucioneve të Kosovës?
Ne nuk kemi marrë pjesë në këtë proces. Ndoshta ka qenë moment i mirë që ta shantazhojmë shumicën, por ne kurrë nuk jemi marrë me shantazhime të tilla. Pavarësisht faktit që shumë marrëveshje me ne nuk janë realizuar. Ndoshta dikush ka dashur që të prezantojë gjendjen, sikur prezenca apo jo e deputetëve serbë, e ka pamundësuar vendimin. Por më vonë është dëshmuar se vendimi nuk varet nga prezenca jonë. Për këtë vendim nuk ekziston shumica në parlament.
Do të thotë: ju nuk e keni shantazhuar koalicionin në pushtet lidhur me votimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi?
Ne kurrë nuk kemi shantazhuar, as më parë dhe as tani. Ne vetëm kërkojmë që të realizohen marrëveshjet e arritura. Ky nuk është shantazh. Ne kërkojmë të realizohen marrëveshjet mbi të cilat është krijuar koalicioni qeveritar. Por toleranca jonë ka kufi. Ne kemi mirëkuptim, por nëse dikush nuk i respekton argumentat tona, atëherë pse ne duhet të jemi konstruktiv.
Por unë nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër të problemeve, veçse pjesëmarrjes në institucione, apo ju keni ndonjë zgjidhje tjetër?
Derisa nuk krijohen kushtet dhe raportet e respektimit të marrëveshjeve, deri sa nuk ka respekt ndaj argumentave, atëherë ne nuk mund të marrim pjesë në institucione. Ne nuk jemi atje për të realizuar interesat tona, por interesat e popullit tonë. Pa aksione konkrete për realizimin e marrëveshjeve nuk mund të ketë as kthim në punën e institucioneve.
Do të thotë në këto kushte, është pak e mundshme që ju të jepni pëlqimin për krijimin e ushtrisë së Kosovës?
Kjo temë është bukur poshtë në agjendën tonë.
Zoti Stojanoviq, mendoni se ka ardhur koha që të mendohet ndoshta për zgjedhje të reja në Kosovë dhe për krijimin e koalicioneve të tjera?
Ne kurrë nuk kemi marrë pjesë në kombimine të tilla. Edhe para formimit të kësaj qeverie, ne kemi pritur derisa partitë politike të shumciës kanë rënë dakord për koalicion, ndonëse kemi mundur që të ndikojmë në krijimin e shumicës dhe të vendosim se kush duhet të krijojë qeverinë. Ne duam të jemi të përgjegjshëm ndaj atyre që na kanë zgjedhur dhe jo që si individë të merremi me përfitime apo kombinime të imëta. Duam të shohim se çfarë duan partitë politike të shqiptarëve dhe pastaj të vendosim. Por e shoh që kohët e fundit gjithnjë e më shumë po flitet për zgjedhje të reja. E në një atmosferë parazgjedhore nuk mund të priten vendime të rëndësishme.
*Branimir Stojanoviq është zëvendëskryeministër i Kosovës. Së bashku me minsitrat serbë Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq e ka ngrirë në tetor pjesëmarrjen e tij në punën e qeveisë. Të njëjtën kanë bërë edhe deputetët e listës Serpska në parlament. 

Lajbnic për shqiptarët dhe Shqipërinë

Interesi i enciklopedistit dhe filozofit gjerman nuk lidhej vetëm me gjuhën shqipe, sikurse njihet Lajbnici, por edhe me shqiptarët si popull dhe trevat e tyre.

leibnizPortret i filozofit, Leibniz

Për shkak të natyrës së ashpër të territorit të tyre si dhe të karakterit të tyre gjysmë të egër shqiptarët nuk u janë nënshtruar në masë të madhe turqve dhe presin vetëm për një sinjal nga Perëndimi për t’u ngritur kundër sundimit turk – kështu shkruante në vitin 1672 Gottfried Wilhelm Leibniz (Lajbnic) në një nga shkrimet e tij të njohura në lidhje me popullisitë e krishtera në Perandorinë Osmane. Interesi i enciklopedistit dhe filozofit gjerman nuk lidhej pra vetëm me gjuhën shqipe, sikurse njihet Lajbnici kryesisht në historinë e albanologjisë, por edhe me shqiptarët si popull dhe trevat e tyre.

Interesi për gjuhën shqipe

Në disa letra në periudhën 1704-1715 Gotfrid Vilhelm Lajbnici ka shprehur disa mendime rreth diakronisë së gjuhës shqipe. Me shënimet e tij për prejardhjen e gjuhës shqipe, për përkimet dhe marrëdhëniet e saj me gjuhë të tjera indoeuropiane dhe njëkohësisht për mëvetësinë e saj nga gjuhët sllave apo greqishtja, ai nxiti në radhët e studiuesve debatin shkencor për origjinën e gjuhës shqipe dhe vendin e saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Po ashtu ai është edhe nismëtari i tezës së origjinës ilire të gjuhës shqipe.

Populli dhe trevat e shqiptarëve

I pajisur me dije të mëdha enciklopedike shënimet për shqiptarët dhe trojet e tyre gjenden që në shkrimet relativisht të hershme të Lajbnicit. Por më pas shqiptarët do të zënë vend në shkrimet e tij politike me një synim të caktuar. Fjala është për Perandorinë Osmane dhe parandalimin e rrezikut prej turqve për Evropën dhe për mundësinë e përfshirjes së popullsive të krishtera, ndër të tjera edhe të shqiptarëve të krishterë, në luftë kundër Portës së Lartë. Pas këtij shkrimi në vitin 1672, ai merret më intensivisht me shqiptarët gjatë një qëndrimi në Vjenë në periudhën 1688-1689.

Rast i favorshëm për Portën e Habsburgëve

Në një memorandum për kaizerin austro-hungarez Leopoldi I, në shtator 1688, ai pasi përshkruan historinë e vendit dhe të shqiparëve nga antikiteti deri tek lufta e tyre dhe e Skëndërbeut kundër turqve, ai thotë se tani është një rast i favorshëm për Portën Habsburgase që ta përfshijnë këtë vend të mrekullueshëm përgjatë Adriatikut në territorin e perandorisë. Si arsye ai sjell jo vetëm pozitën strategjiko-politike të këtij rajoni, që do t’i hapte Perandorisë Austro-Hungareze hapjen e një rruge të re tregtare detare, por edhe tokat pjellore të rajonit, leshin shqiptar që nuk është aspak më pak i vlefshëm se ai spanjoll dhe që mund të përdoret për prodhimin e veshjeve dhe ushtarët që mund të rekrutohen në ato zona, të cilët pasi të kenë mësuar të respektojnë urdhërat dhe t’i binden disiplinës sipas modelit perëndimor, nuk do të mbeteshin pas të tjerëve.

Jo vetëm interesa shkencore

Nga këndvështrimi i sotëm ky memorandum ka orientim kolonialist apo imperialist, aq më tepër që zhvillimet e mëvonshme politiko-ushtarake në Ballkan dhe politika e zgjerimit e Portës Habsburgase përkojnë në shumë pika me idetë e Lajbnicit. Duke përshkruar pozitën e favorshme strategjike dhe përfitimet e mundshme tregtare për të tërhequr vëmendjen e Habsburgëve për Ballkanin Perëndimor, Lajbnici duket se synon jo vetëm çlirimin e këtij rajoni prej osmanëve, por edhe përfshirjen e tyre nën protektoratin e Portës Habsburgase. Ai vetë duket se, si edhe ndonjë studiues tjetër më vonë, ka dashur t’i shfrytëzojë ambiciet politike të monarkisë austro-hungareze për të nxitur karrierën e tij dhe për të financuar studime të mëtejshme. Në periudhën kur përpiloi këtë memorandum enciklopedisti dhe filozofi Lajbnic synonte të tërhiqte vëmendjen e Perandorit -kaizerit Leopoldi I për të kapur ndonjë pozicion të përshtatshëm në oborrin perandorak të Austro-Hungarisë. (dw)

Rrahje mes gjykatësve edhe në Gjykatën Administrative

upraven-sudDy gjykatëse në Gjykatën Administrative, identiteti i të cilave nuk zbulohet janë rrahur pasi që paraprakisht dyjat kanë pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me atë që ditëve të kaluara ka ndodhur me koleget e tyre në Gjykatën Penale në Shkup.

Njëra prej gjykatësve ka pasur mendimin se atë që janë duke e bërë kolegët e tyre në Gjykatën Penale është e drejtë, por kjo gjë nuk i ka pëlqyer gjykatëses tjetër dhe zënka gojore ka kaluar në zënkë fizike.

Nga gjykata ende nuk ka reagim zyrtar për ngjarjet, por padyshim se gjykatësit më me zë dhe me shumë emocione flasin për gjendjet në gjyqësi. (ina)

Sylë Hoxha konstatoi pa u kryer hetimet – Raporti i Autopsisë është jokredibil

astritiSot, avokati i familjes, z. Tomë Gashi, e ka marrë Raportin e Autopsisë. Aty konfirmohet se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia mekanike, nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë.

Kryeprokurori z. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet.
Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra.

Në këtë Raport nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”). Raporti është dhe konkluzioni i tij mbi shkaktarin e vdekjes është i pabesueshëm.

Do të nevojiten disa ditë që Dr.Besim Ymaj e Dr.Besim Latifaj ta analizojnë këtë Raport të Autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit. (LVV)

Hoxha: Astrit Dehari bëri vetëvrasje

astriti1Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka bërë të ditur se të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.

“Në këtë fazë të hetimeve nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorët e jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik tani të të ndjerit Astrit Dehari, dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund të ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka bërë të ditur se janë evidentuar të gjithë lëvizjet e të paraburgosurve dhe oficerëve, ku, siç thekson ai, në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar ndërhyje apo lëvizje në dhomën A3, ku është gjetur i vdekur Astrit Dehari.

Nga ekzaminimi i ngjarjes nga jashtë, Hoxha ka shtuar se “dhoma A3, ku ishte i ndjeri Astrit Dehari, gjendet në katin e dytë dhe tetë metra në lartësi nga toka dhe dritarja e dhomës është e siguruar me grila të forta, e të cilat nuk shihet se janë të dëmtuara”.

“Në pjesën e jashtme gjendet edhe pika e vrojtimit, në të cilën gjendet një oficer korrektues që gjendet 10 metra larg dhomës. Në të njëjtën kohë të paraburgosurit kanë qenë jashtë në shëtitje, kështu që kjo eliminon çdo mundësi të ndërhyrjes nga faktori i jashtëm nga pjesa e jashtme e dhomës”, ka thënë Hoxha.

Gjatë procesit hetimor, ka shtuar Hoxha, janë marrë në pyetje 17 persona, nga të cilët janë rimarrë në pyetje 4 prej tyre dhe janë ekzaminuar të gjitha dëshmitë e sekuestruara në vendin e ngjarjes, të cilat do t’i dorëzohen përfaqësuesit ligjor të familjes Dehari.

Ndërkohë, pas deklaratave të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka reaguar “Lëvizja “Vetëvendosje”, përmes një komunikate për media, duke e quajtur raportin e autopsisë jokredibil.

“Kryeprokurori. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas tyre, do të nevojiten disa ditë që ekspertët e mjekësisë ligjore të angazhuar nga familja Dehari ta analizojnë këtë raport të autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit.

Prokuroria pranon raportin e autopsisë rreth vdekjes së Astrit Deharit

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konfirmuar se Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar sot raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të ndjerin Astrit Dehari.

Menjëherë pas pranimit të këtij raporti, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha e ka ftuar përfaqësuesin e familjes Dehari, avokatin Tomë Gashi, që së bashku me prindërit e të ndjerit Astrit Dehari, gjatë ditës së sotme të shkojnë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, për ta pranuar një kopje të raportit, si dhe për tu informuar për të gjeturat gjatë procesit të autopsisë.

“Për hir të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në konsultim me familjen Dehari, ndërkohë do ta informojë opinionin publik me rezultatet e raportit të pranuar sot nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Pas prezantimit të raportit të autopsisë tek familja Dehari dhe avokati i saj Tomë Gashi, ky i fundit ka dalë para medieve me një prononcim ku ka deklaruar se do të nevojitet elaborim i mëtutjeshëm.

“Raporti deklaron se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia (zënia e organeve të frymëmarrjes) nga një mjet i fortë. Ne duam ta lexojmë raportin dhe të shohim se si erdhi deri te vdekja”, ka thënë avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

“Ne jemi të interesuar ta lexojmë dhe të studiojmë këtë raport të autopsisë dhe pastaj do të dalim me një komunikatë se si unë – si avokat i familjes Dehari – e kuptoj këtë dhe cilat janë shkaqet e vdekjes sipas mjekësisë ligjore”, ka thënë Gashi.

“Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren nuk ka lejuar që ekspertët e pavarur – që janë të ftuar nga Shqipëria dhe Anglia – të kenë në dispozicion materialin me të cilin edhe ata do të vinin në përfundim dhe të jepnin një raport të autopsisë”, ka deklaruar ai.

Astrit Dehari ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara në burgun e Prizrenit më 5 nëntor.

Aktualisht mjekësia ligjore nuk ka publikuar rezultatet finale të ekspertizës, ku kanë marrin pjesë edhe ekspertë të angazhuar nga familja Dehari. Kjo e fundit, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ka akuzuar autoritetet shtetërore për vdekjen e tij.

Ndërkohë, prokurori i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë tashmë se rezultatet e para flasin se Astrit Dehari vdiq nga asfiksia – zënia e organeve të frymëmarrjes. Por, tani u mbetet organeve kompetente ta thonë se në çfarë rrethanash dhe si erdhi deri te asfiksia e Deharit, që çoi në vdekjen e tij. (REL)

Janinë, 30 muaj burg për shoferët e MPJ shqiptare

greqiaNjë gjykatë e Janinës i shpalli sot fajtorë dhe vendosi të dënojë me burgim tridhjetë muaj secilin nga dy shoferët e Ministrisë së Jashtme shqiptare Altin Tafa dhe Agim Asllani. Shoferët u ndaluan të dielën në Pikën Kufitare të Kakavijës pasi në mjetin që ata drejtonin u gjetën disa tekste në gjuhën shqipe që po dërgosheshin në Ambasadën shqiptare në Athinë për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e emigrantëve.

Sipas burimeve mediatike greke Konsulli i Shqipërisë në Janinë, paraqiti dokumentet ku shërbimi po kryhej në përputhje me Konventën e Vjenës, por kjo nuk është është pranuar nga gjykata. Prokurori grek, sipas këtyre burimeve, ka pohuar në seancë se librat e gjetur në pjesën e pasme të automjetit ishin objekt i një misioni jo diplomatik pasi nuk ishin paketuar sipas proçedurave diplomatike.

Edhe lidhur me përmbajtjen e librave, prokurori tha se “ky është një material me përmbajtje anti-greke, dhe kjo mund të rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”. Sipas palës greke në tekstet e librave që po transportoheshin kishte harta të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Ambasada shqiptare në Athinë nga ana e saj ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, por për një hartë ku tregohen vendet ku ka përqëndrim të popullsisë shqiptare, jo vetëm në rajonin e Ballkanit.

Në pretencë prokurori kërkoi gjetjen fajtor të dy shoferëve shqiptarë dhe gjykata greke vendosi tridhjetë muaj burgim me kusht për tre vjet për secilin nga dy shoferët. Gjykata vendosi gjithashtu që librat dhe materialet e tjera ilustruese që u kapën nga policia greke, do të konfiskohen, së bashku me automjetin. Seanca u ndoq nga përfaqësuesit ligjorë shqiptarë, ndërkohë që ende nuk ka një reagim nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë. (voa)