Në sondazhet e reja, Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti i parë në Kosovë

LVVLëvizja VETËVENDOSJE! në tre vitet e fundit ka pasur rritje të vazhdueshme. Kjo është vërejtur edhe nga angazhimi në terren, por edhe nga matjet përmes sondazheve të opinionit publik, të bëra nga kompani vendore e ndërkombëtare. Një sondazh i tillë në lidhje me zgjedhjet qendrore të mundshme, i realizuar në javët e para të marsit, u prezantua sot nga Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj.

Fillimisht, MOLLIQAJ FOLI MBI METODOLOGJINË E HULUMTIMIT DHE DEMOGRAFINË E TË ANKETUARVE TË CILAT FLASIN PËR NJË SONDAZH MJAFT KREDIBIL, PËR TË KALUAR MË PAS TEK REZULTATET, TË CILAT E NXJERRIN LËVIZJEN VETËVENDOSJE! NË VEND TË PARË ME 20.8%, DUKE LËNË PRAPA PDK-NË ME 18,4% DHE LDK-NË ME 16.4%. DUKE HEQUR ATA QË KANË REFUZUAR TË PËRGJIGJEN SE CILËN PARTI DO TA VOTONIN, DIFERENCA MES NESH DHE PARTIVE TJERA THELLOHET, ME Ç’RAST LËVIZJA VETËVENDOSJE! MERR 26%, PDK 23%, KURSE LDK VETËM 20.4%.

Ajo që vlen të theksohet nga ky sondazh është fakti që Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia e parë si zgjedhje e dytë nga votuesit potencial me 13.6%. Nga ky sondazh vërehet po ashtu se Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti që ruan më së shumti votën, dhe atë në përqindje prej 92.7%, si dhe nga lëvizjet e votuesve më së shumti votues vijnë nga dy partitë e koalicionit qeveritar, 9.1% nga LDK dhe 8.2% nga PDK. Ndërkaq, personat që nuk kanë votuar në zgjedhjet e 2014-së, ku hyjnë edhe votuesit e rinj, në zgjedhjet e ardhshme kanë deklaruar se do ta votonin Lëvizjen VETËVENDOSJE! në përqindje prej 24.1%, që është shifër jashtëzakonisht e lartë krahasuar me gjitha subjektet tjera.

Gjendja në të cilën është katandisur vendi dhe zhvillimet e fundit politike po e bëjnë çdo herë e më të ditur se angazhimi dhe kritika e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë dhe është në vijën e duhur, dhe rrjedhimisht, konfirmohet si subjekti politik i cili mund ta bëjë ndryshimin që i duhet Kosovës. Ne do të vazhdojmë angazhimin në terren, punën dhe organizimin për fuqizimin e organizatës, do të vazhdojmë komunikimin e rregullt me gjithë qytetarët, dhe besojmë se e gjithë kjo do ta mundësojë fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme. (LVV)

Cebit: Ndërlidhja e përgjithshme

cebitInterneti i ka fajet që panairet e kompjuterëve duken gjithnjë e më të ngjashme mes tyre. Kjo shihet edhe në panairin e kompjuterëve Cebit në Hannover, ku paraqiten risi të jashtëzakonshme.

Automjete autonome? Ato mund të shihen edhe në Panairin Ndërkombëtar të Automjeteve (IAA) në Frankfurt apo Konferencën Tech (SXSW) në Austin në Texas. Robotë, të cilët shkojnë dorë për dore me njerëzit? Gjëra të tilla shihen në Hannover. Cloud, Big Data, dhe gjëra nga Interneti – një Virtual Reality? Këto mund të shihen në Consumer Electronics Show në Las Vegas apo në Mobile World Congress në Barcelona. Po dronat? Ndërkohë ata shihen gjithandej.

Cebit në Hannover – i cili ka filluar këtë të hënë dhe është hapur nga vet kancelarja Angela Merkel dhe homologu i saj japonez Shinzo Abe  – ka një problem: trendet e reja nuk tregohen vetëm këtu por edhe në panairet e tjera të botës. Oliver Frese, kryesues i organizatorëve “Deutsche Messe AG” dhe drejtor i Cebit-it, duket se nuk shqetësohet fare për këtë punë. “Dikur digjitalizimi ka qenë diçka abstrakte”, thotë Frese. “Në këtë Cebit ai mund të shihet konkretisht, sepse ndërkohë ka shumë lojëra me të cilat aplikohet.”

Të gjitha janë të ndërlidhura

3000 sipërmarrje nga 70 vende do të prezantojnë deri me 24.03.2017 prodhimet e tyre. Ky është nivel i njëjtë si vitin e kaluar. Frese llogarit se këtë vit do të ketë rreth 200.000 vizitorë. Fokusi i panairit është digjitalizimi tek sipërmarrjet e mëdha dhe përdorimi i digjitalizimit nga shtresa e mesme. Pra aplikacionet për konsumatorët e rëndomtë ende janë larg. Tani më është e qartë që të gjitha të dhënat do të mblidhen në të ardhmen në një Cloud. Në Cebit paraqiten studime sipas së cilave ndërkohë janë ndërlidhur mes vete më shumë se 50 miliardë kompjuterë në botë – prej telefonëve Smartphone e deri tek makinat autonome me sensorë.

Lëvizja e invalidëve

Në Cebit paraqiten risi për punët e zejtarëve por edhe lëvizjen e invalidëve. Ekso Bionics prodhon të ashtuquajturat “skelete Exo”. Ato janë struktura të ngjashme me robotë, të cilat mbështesin trupin e njeriut. Me ndihmën e tyre, Sebastian Erhardt, i cili nuk mund të lëvizë këmbët pas një fatkeqësie në trafik, sërish mund të ecë. Skeletët aktualisht mund të futen në përdorim vetëm në klinika dhe kushtojnë 120.000 euro.

Salesforce, një prodhues amerikan që ofron Cloud-Computing, ka dizajnuar aplikacione të cilat mund të përdoren ndërkohë edhe nga prodhuesit e kamionëve MAN. Klientët mund ta dijnë në çdo moment se ku është kamioni dhe kur do të vijë malli i porositur. Ndërsa drejtorët mund ta dinë se ku janë kamionët e tyre të nisur në rrugë. Edhe për shoferin ka informacione që kursejnë para. Sistemi analizon stilin e vozitjes dhe shpenzimet e karburanteve dhe i tregon shoferit se si mund të kursejë gjatë vozitjes. Shumë shoferë që kursejnë shpërblehen me para, thotë një bashkëpunëtor i Salesforce.

Rreziku i humbjes së vendit të punës

Por shtohet pyetja sa gjatë do të ketë nevojë për një shofer? Në Cebit shihen autobusë të vegjël që shëtisin në mënyrë autonome, pa shoferë. Ata i njohin pengesat në rrugë dhe i evitojnë ato. Disa prej tyre tani më përdoren edhe në Zvicër. Lëvizja autonome e makinave është një temë serioze edhe në bujqësi, ku hapat e parë ka bërë koncerni japonez Magellan Systems. Ndërsa Chiphers demonstron se si bëhen riparimet në plaftormat e vajit në deti me ndihmën e dronave. Thuhet se kostoja e riparimeve do të përgjysmohet. Kur flitet për digjitalizim in në Gjermani, me dëshirë flitet për “Industri 4.0″  – një nocion për të arriturat e fundit në botën digjitale. Vendi partner këtë vit në Cebit është Japonia, e cila prezanton robotë në disa fusha – madje edhe në përkujdesjen ndaj të moshuarve dhe të sëmurëve. Motoja japoneze këtë vit është programi : “Shoqëria 5.0″.

Nga numri i përgjithëshëm, çdo sipërmarrje e katërt më e zhvilluar High-Tech vjen nga Japonia, kumtoi Bitkom. Edhe këtu bëhet fjalë për vendet e punës. “Nëse Gjermania nuk ia del të marrë rolin kryesor në këtë segment, atëherë do të kemi problem me mirëqenien”, thotë presidenti i Bitkom, Thorsten Dirks. “Ndryshe tek ne nuk do të ketë vende të mjaftueshme pune, sepse ato do të zvoglohen për shkak të digjitalizimit. Ky është një skenar të cilin nuk dua ta paramendoj.”

Nga pikëpamja gjermane, Japonia nuk është vetëm vend partner në Cebit, por edhe një konkurrente. Kancelarja gjermane Merkel theksoi në fjalën hyrëse edhe elementet e përbashkëta. “Kur shikoj se si po grindemi për tregtinë e lirë (këtu i drejtohet presidentit të ri amerikan Donald Trump), atëherë më vjen shumë mirë që me kryeministrin japonez (Shinzo Abe) nuk kemi probleme të këtilla”, thotë Merkel. (dw)

 

Johannes Hahn, pritet me protesta në Shkup

protestaKomisionari i Bashkimit Evropian për politika të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, u prit në Shkup me protesta të përkrahësve të partisë VMRO DPMNE të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Zoti Hahn bashkë me një grup euro parlamentarësh, arriti të martën në Shkup në një përpjekje për të ndihmuar daljen nga kriza politike të Maqedonisë e cila edhe pas më shumë se tre muajsh pas zgjedhjeve ende është pa qeveri.

Protestuesit hodhën parulla si “Nuk e japim Maqedoninë” dhe “nuk do të lejojmë shqiptarizimin e shtetit”.

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate me partitë shqiptare, me arsyetimin se ato do të rrezikonin sovranitetin e shtetit duke zbatuar atë që ai dhe partia VMRO-DPMNE e quajnë “platforma e Tiranës”, e që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së partive shqiptare është zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelin e pushtetit qendror.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tha se partia e tij është duke përgatitur një dokument i cili do t’u ofrohet të gjitha partive më të mëdha, për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ai nuk ka shpalosur hollësi të dokumentit që sipas tij, “nuk favorizon asnjë parti politike ndërsa ruan karakterin unitar të shtetit”. Ai ka përsëritur qëndrimin për zgjedhje të parakohshme, por edhe gatishmërinë që t’i jep mbështetje LSDM-së për themelimin e qeverisë “nëse ajo heq dorë nga mbështetja për platformën e partive shqiptare”.

Zoti Hahn, para fillimit të takimeve të së martës bëri thirrje “për respektimin e demokracisë dhe shumicës parlamentare. Mos nxitni tensione ndëretnike”, shkroi ai para se të arrinte në Shkup.

Kabineti i presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, tha se presidenti i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Hungari, do të kthehet në orët e vona të mbrëmjes që i pamundëson, siç thuhet, “takimin me komisionarin Hahn”. Madje ai kishte hedhur idenë që në vend të takimit me të, zoti Hahn të takohej me protestuesit.

Presidenti Ivanov, që vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së, është gjetur nën trysninë ndërkombëtare për të rishqyrtuar refuzimin për t’i dhënë mandatin kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një rajon të trazuar, siç është Ballkani perëndimorë. (voa)

Hetimi i komplotit rus në Malin e Zi dhe anëtarësimi në NATO

Ministri i jashtem MZMinistri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, i tha Zërit të Amerikës se vendet e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, mbështesin hetimet e autoriteteve të vendit të tij për komplotin e organizuar nga Rusia për rrëzimin e qeverisë malazeze dhe për bllokimin e anëtarësimit të vendit në NATO. Gjithashtu, Mali i Zi ka besim se Kongresi amerikan do ta ratifikojë së shpejti traktatin e anëtarësimit në NATO.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanovic, tha dje se vendet aleate në NATO, të udhëhequra nga SHBA-ja, mbështesin hetimin e prokurorëve malazezë të një komploti rus për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore të vendit dhe për të ndaluar kështu anëtarësimin në aleancën e Atlantikut.

Ministri Darmanovic i tha shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara ndihmuan më shumë, duke ofruar mbështetje dhe informacion”. Komentet e tij u bënë në të njëjtën ditë ndërsa zhvillohej një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Kërkesa e Malit të Zi për anëtarësim në NATO është duke u shqyrtuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, Senatori Rand Paul bllokoi votimin në plenare të traktatit për anëtarësim në NATO. Sipas mbështetësve, përllogaritet se mbi 90 senatorë janë në favor të anëtarësimit të Malit të Zi. Senatori republikan John McCain reagoi ashpër ndaj Senatorit Paul, duke e akuzuar se “punon për Vladimir Putinin”.

Ministri Darmanovic u shpreh se nuk pret të ketë pengesa të mëtejshme ndaj ratifikimin të anëtarësimit të Malit të Zi dhe se pret që vendi i tij të marrë pjesë si anëtar me të drejta të plota në samitin e radhës të NATO-s, që do të zhvillohet në muajin maj në Bruksel. (voa)

SHBA, Britani ndalojnë pajisjet elektronike në avionë nga disa vende

LaptopBritania njoftoi të martën se nuk do të lejonte që pasagjerët të sillnin në bord të avionëve pajisje të mëdha elektronike si kompiuterë portativë dhe tableta, në fluturime nga gjashtë vende të Lindjes së Mesme, pasi Shtetet e Bashkuara morën një masë të ngjashme.

Direktiva e re britanike do të bllokojë pajisje më të mëdha se 16 polç në gjatësi, dhe me trashësi mbi 1.5 polç në fluturime nga Turqia, Libani, Jordania, Egjipti, Tunizia, dhe Arabia Saudite.

“Fluturimet direkte për në Britani nga këto vende do të vazhdojnë por në përputhje me këto masa të reja,” tha një zëdhënës për kryeministren Theresa May në komentet për shtyp. “Mendojmë se këto janë masa të nevojshme dhe në përputhje me rrezikun ekzistues, në mënyrë që të mundësojmë udhëtim të sigurtë për pasagjerët,” tha zëdhënësi.

Më herët sot, qeveria amerikane tha sot se ndalon pasagjerët në fluturimet e drejtpërdrejta për në Shtetet e Bashkuara nga tetë vende, kryesisht të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, të sjellin në çantat e tyre personale në bord laptopë, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.

Duke mos përmendur ndonjë kërcënim konkret, bordi i qeverisë për sigurinë e transportit tha se udhëtarët që nisen drejt SHBA nga 10 aeroporte do të lejohen të sjellin në kabinat e pasagjerëve vetëm telefona celularë. Pajisjet më të mëdha elektronike duhet të kalojnë në çantat e kontrolluara në bagazhin e avionit.

Masat e reja hynë në fuqi sot në mëngjes dhe linjat ajrore do të kenë afat deri të shtunën për zbatimin e tyre, përndryshe nuk do të lejohen të fluturojnë drejt Shteteve të Bashkuara, thanë zyrtarët.

Ata thanë se vendimi mori shkas nga vlerësimet e zyrtarëve të zbulimit në lidhje me kërcënime të mundshme ndaj aeroplanëve që udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët nuk pranuan të jepnin hollësi.

Ndalimi prek fluturimet nga aeroportet ndërkombëtare në Aman, Kuvajt City, Kajro, Stamboll, Xhedah, Rijad, Kazablanka, Doha, Katar, Dubai dhe Abu Dhabi. Rreth 50 fluturime në ditë do të ndikohen nga kjo masë. Zyrtarët thanë se disa kompani ajrore me bazë në Shtetet e Bashkuara kanë fluturime të drejtpërdrejta nga këto qytete drejt Shteteve të Bashkuara. (voa)

Një veshje e re mbrojtëse ndaj rrezatimit në hapësirë

astronautProcesi i komplikuar i dërgimit të njerëzve në hapësirë ndërlikohet edhe më shumë prej rrezatimit. Atmosfera e Tokës dhe fusha manjetike na mbrojnë nga efektet negative, ndoshta edhe vdekjeprurëse, të rrezatimit gama. Por në hapësirë, ashtu si edhe në skenarët e një shkatërrimi bërthamor, nevojitet mbrojtja nëpërmjet shtresave të betonit apo plumbit për të na mbajtur të sigurtë. Tani, një jelek i ri i përbërë nga materiale të lehta mund ta zgjidhë problemin e rrezeve gama, ndërsa po shqyrtohen mënyrat për dërgimin e njerëzve në Hënë, në Mars, dhe më tej.

Boshllëku i hapësirës përshkohet nga pjesëza rrezatimi, rreze kozmike dhe gama, të ardhura nga Dielli ynë dhe nga më larg.

Atmosferat e rralla të Marsit dhe të Hënës nuk do të ofrojnë mbrojtje për kolonët e ardhshëm.

Prandaj, mbrojtja nga rrezatimi është thelbësor për shpresën e kolonizimit të planetëve.

Kompania izraelite “StemRad” ka ideuar “Mburojën ndaj Rrezatimit – AstroRad”.

“Ne po ofrojmë mbrojtjen më të mirë të mundshme, për të gjithë skenarët, që nga katastrofa bërthamore dhe deri tek udhëtimi i njerëzve në Mars”, thotë Gideon Waterman, i firmës “Stemrad”.

Jeleku është ndërtuar që të mbrojë indet jetike njerëzore nga rrezatimi i dëmshëm.

Jeleku do të testohet në vitin 2018 kur të dërgohet në hapësirë me fluturimin provë të anijes Orion të NASA-s, që do të rrotullohet përqark Hënës.

Ekipi thotë se do të ofrojë të njëjtën mbrojtje, ashtu si dhoma e mbrojtur në anijen Orion.

“Nga testimet tona jemi të sigurtë që funksionon, por për të qenë 100% të sigurtë, do ta dërgojmë me ‘Misionin Eksplorues 1’ në kapsulën Orion të NASA-s”, thotë Oren Milstein, i firmës “Stemrad”.

Jeleku përbëhet nga struktura të vogla, të lehta dhe fleksibël, dhe do të përshtatet për çdo person.

Ai është bërë tashmë pjesë e planit madhor të NASA-s për të dërguar njerëzit në Mars, në dekadën e viteve 2030-të. (voa)

Terapi mjekësore nga larg, me ndihmën e paisjeve dixhitale

digital therapiedigital therapy

Viktimat e goditjeve në tru përballen shpesh me vite të tëra terapie fizike, nëse mund të gjejnë një terapist të kualifikuar. Tani, një shpikës portugez ka krijuar një program kompjuterik që jep terapi të një cilësie të lartë, të monitoruar prej së largu.

Alvaro është viktimë e goditjes në tru dhe po mëson të ecë përsëri. Ai ka qasje ndaj një terapie të cilësisë së lartë, përmes kompjuterit.

“Krijuam një terapi dixhitale që funksionon njësoj sikurse të të japë këshilla një terapist. Ne fillojmë duke analizuar, dixhitalizuar lëvizjet e pacientit që i përdorim si referencë për lëvizjet normale. Më pas e hedhim këto të dhëna në një tabletë ku terapisti dixhital jep këshilla për pacientin”, thotë Virgilio Bento, i kompanisë “Sword System”.

Ajo quhet SWORD, (bashkimi i shkronjave të fjalëve Stroke Wearable Operative Rehabilitation Device), dhe funksionon përmes përdorimit të sensorëve të lëvizjes që pacientët i vendosin në trupat e tyre.

Një program tablete që i drejton pacientët në stërvitjet e rehabilitimit dhe regjistron përparimin e tyre.

“Mes stërvitjeve ka gjithmonë një pushim të vogël që lejon rikuperimin dhe është nxitje kur në fund të çdo ushtrimi del rezultati, sa herë e bëre lëvizjen, sa medalje ke fituar, pra është si një farë loje që nuk e ndjen” , thotë Alvaro.

Krijuesit thonë se programi ndihmon në zgjidhjen e problemit të mungesës së terapistëve të kualifikuar, dhe lejon qasje ndaj terapisë në çdo kohë të ditës.

Shpikësi portugez po punon tani për një version amerikan të programit dhe po përgatitet ta hedhë atë në tregun amerikan. (dw)

Kush do influencë dhe si e bën këtë në Ballkan

Në një analizë të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa drejtohet vëmendja tek aktorët që duan të kenë influencë në Ballkan.

Mali i zi

Bregdeti i Malit të Zi

Bashkimi Europian dhe integrimi euro-atlantik për shumë vetë në rajon përbën bazën e shpresës për një të ardhme më të mirë në Europë. BE mbetet investitorja më e fuqishme e rajonit, megjithë krizën aktuale. Në një intervistë me DW, Stefan Lehne, studiues i fondacionit “Carnegie Europe” me qendër në Bruksel ka theksuar se “si në anën ekonomike, ndihma teknike e të tjera, BE është në mënyrë të pakrahasueshme më e angazhuara, se sa vende të tjera, më shumë se SHBA, Rusia, Turqia do të jenë ndonjëherë”.

Por krahas BE e SHBA janë edhe disa fuqi të tjera botërore që po orientohen gjithnjë e më shumë drejt Europës Juglindore, shkruan dpa. Në analizën e agjencisë gjermane të lajmeve renditen disa vende:

Rusia

Oligarkët rusë kanë blerë pjesë të mëdha të bregdetit malazez të Adriatikut me çmime fantastike. Serbia nga ana e saj e ka shitur industrinë e naftës për një çmim tejet të lirë tek Gazpromi. Ndërsa serbët boshnjakë ia kanë lënë firmave ruse rafineritë në Bosanski Brod dhe Modricë. Mediat shtetërore “Sputnik” dhe “RT” ia dalin të jenë rregullisht prezente në mediat e Ballkanit. Ndërsa në krizën e tejzgjatur  të Maqedonisë, Moska mbështet kreun e qeverisë, Gruevski, ndërsa BE dhe SHBA opozitën. Po kështu ndahen frontet edhe në Kosovë. BE e SHBA mbështet shqiptarët, Rusia serbët. Rusia aktualisht dërgon 6 avionë të tipit MiG29 dhe një sistem mbrojtës raketor për Serbinë.

Turqia

Ky vend ka zellin e madh të rikonstruktojë xhamitë historike të shkatërruara nga lufta si në Prizren, Prishtinë, Banja Luka dhe Sarajevë. Nga ana tjetër Turqia dëshiron të paraqitet si invenstitore e madhe në pjesët e varfra të Bosnjes e Serbisë jugore. Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu ndërkohë është kthyer në një burim të rëndësishëm informacioni mediat rajonale në gjuhët e rajonit.

Kina

Ky vend po ndërton me kredi dhe firmat e vet autostrada të rëndësishme në rajon, ura dhe linja hekurudhore. Kina po ashtu ka filluar rikonstruksionin e një centrali energjitik në Serbi, ka blerë fabrikën e çelikut në Smederevë, në Serbi dhe ka hyrë edhe në sektorin bankar rajonal. (voa)

Berlini paralajmëron drejtpërdrejt Ankaranë

ErdoganAshpërsohen tonet mes Gjermanisë dhe Turqisë. Pas sulmeve të fundit verbale të Erdoganit ndaj Merkelit, edhe politika gjermane i dërgon sinjale të forta drejt Ankarasë.

Paralajmërimi më i fortë drejtuar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan erdhi nga kryetari i komisionit të Bundestagut për Politikën e Jashtme, Norbert Röttgen. Ai kërcënoi Turqinë me ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit, nëse ky vend fut sistemin presidencial.

Röttgen: “Puç i legalizuar shtetëror”

Turqit duhet të dinë para se të vendosin me referendum për një reformë kushtetuese në favor të presidentit aktual, se ata vendosin edhe për marrëdhënien e Turqisë me Bashkimin Europian, u shpreh Röttgen në televizionin e parë gjerman, ARD. Me këtë reformë Turqia largohet nga rruga e demokracisë liberale, gjë që nuk pajtohet me BE-në. Röttgen i quajti planet turke “një puç të legalizuar shtetëror”. Politikani i CDU-së nuk deshi t’u japë përgjigje krahasimeve të Erdoganit me nazizmin. “Nuk biem në këtë nivel”, tha ai.

Weber: Europa nuk lejon të provokohet

Kryetari i fraksionit parlamentar të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Manfred Weber e paralajmëroi Erdoganin nga një shkallëzim tjetër i konfliktit me Gjermaninë dhe vendet e tjera europiane. “Krenaria e një vendi nuk mund të mbrohet me fyerje”, tha politikani kristiansocial për grupin mediatik “Funke Mediengruppe”. Sulmet e Erdoganit për çdo ditë e më shumë bëhen më “absurde”, tha ai duket theksuar Europa nuk do të lejojë të provokohet.

Schulz: Humbje e kontrollit të retorikës së vet

Kreu i sapozgjedhur socialdemokrat dhe kandidati për kancelar gjerman, Martin Schulz e quajti akuzën e Erdoganit për metoda naziste të Merkelit një “paturpësi të pamatë”. Në televizionin ARD, ai u shpreh se nëse kreu i një shteti fyen kryetaren e qeverisë të një vendi mik kjo mund të quhet vetëm paturpësi. Erdogan shkel me këmbë të gjitha rregullat e diplomacisë ndërkombëtare. “Zoti Erdogan po humb çdo lloj kontrolli të retorikës së vet”.

Lidhur me debatin për ndalimin e shfaqjeve elektorale të ministrave turq duhet zgjedhur një rrugë e mesme, theksoi kreu i komisionit të Bundestagut për politikën e Jashtme, Norbert Röttgen. Këto shfaje publike duhet të ndalohen, kur rrezikohet siguria. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i cilësoi sulmet e Erdoganit si “absurde”. “Ne jemi tolerantë, por nuk jemi budallenj” i tha ai gazetës “Passauer Presse”. Të dielën Erdogan akuzoi edhe Merkelin personalisht për “metoda naziste kundër vëllezërve turq në Gjermani dhe ministrave të tij” . Akuza të tilla ai i kishte bërë më parë ndaj Holandës. (dw)

Erdogani e do Ballkanin për “ndikim” në Evropë

Turqia po përpiqet të fitojë më shumë ndikim në Ballkan. Erdoan Shipoli, ekspert për Turqinë dhe Ballkanin në SHBA, shpjegon për Deutsche Wellen se çdo të thotë kjo për Bashkimin Evropian.

DW: Cilat janë synimet e Turqisë në Ballkan: çfarë po përpiqet të arrijë ajo atje?

Dr. Erdoan Shipoli: Historikisht, institucionet e Turqisë, si për shembull ushtria ose burokracia e vendit  kanë qenë gjithmonë të lidhura me Ballkanin, sepse e kanë parë Ballkanin si dalje për në Evropë. Turqia gjithmonë e ka parë Ballkanin si rrugën që mund të përdorë për të arritur Evropën. Megjithatë, në vitet e fundit të epokës së Erdoganit, ka nisur ta shohë Ballkanin edhe si diçka që mund ta përdorë për ndikim. Kështu, qeveria e Erdoganit do ta rrisë ndikimin në shoqëritë e atjeshme duke investuar dhe ndihmuar disa shoqata të shoqërisë civile…E bën këtë në mënyrë që nesër të ketë mundësi t’i thotë Evropës: “Ne kemi gjithë këtë ndikim në Ballkan, në derën tuaj të pasme, dhe mund ta përdorim këtë ndikim për t’ju bërë shantazh.”

Pra qeveria e Erdoganit mendon se do të mund ta përdorë praninë e saj në Ballkan për të ndikuar politikën e Evropës dhe për ta shtyrë Evropën në një drejtim të caktuar?

Po. Kjo është të paktën ajo që mendon Erdogani, por nuk besoj se ai është në gjendje ta bëjë vërtet këtë. Kur vjen fjala për ndikim politik në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë, Turqia është padyshim një lojtar i rëndësishëm rajonal, por vetëm në atë masë sa politikat e saj përkojnë me politikat e Bashkimit Evropian. Për shtetet e Ballkanit, synimi kryesor është anëtarësimi në BE. Për shumë vite ky ka qenë edhe synimi i Turqisë. Tani Turqia po largohet nga ky synim dhe ndikimi turk në Ballkan po bie gjithashtu.

Sa i fortë është realisht ndikimi politik që ka Ankaraja në rajon?

Kur vjen puna për ish-shtetet e Jugosllavisë, ndikimin më të fortë e ka në Bosnjë, pastaj në Maqedoni, në Kosovë, Shqipëria (jo një ish-shtet jugosllav) që vjen në fund. Pa dyshim, ka marrëdhënie më të mira tregtare me Bullgarinë dhe komunikim më të mirë me komunitetin turk në Bullgari se në Kosovë, për shembull. Në realitet, Turqia nuk e ka në Ballkan ndikimin politik që pretendon se ka dhe nuk e ka ndikimin që dëshiron të ketë. E vetmja rrugë kur Turqia mund ta rrisë ndikimin në Ballkan është nëse Bashkimi Evropian nuk i përmbahet premtimit për të punuar me shtetet e Ballkanit. Përndryshe, po të kenë mundësi zgjedhjeje, shtetet e Ballkanit do të shkonin me Evropën dhe nuk do ta kthenin kurrë kokën pas nga Turqia.

Edhe po të jetë kështu, njerëzit në Bosnjë dhe komunitetet e tjera myslimane kudo në Ballkan e shohin Erdoganin si një lloj vëllai të madh. Erdogani vetë e përdori masakrën e Srebrenicës si një provë për urrejtjen e Evropës ndaj myslimanëve dhe i pëlqen ta paraqesë veten si mbrojtës të myslimanëve. Në ç’masë është reale kjo ndjesi dhe në ç’masë është qëndrim politik?

Këtë ai e bën vetëm për konsum brenda Turqisë. Natyrisht, myslimanët e Bosnjës kanë simpati drejt Turqisë, sepse Turqia dhe disa shtete të tjera myslimane i ndihmuan ato gjatë luftës para se ta bënin këtë BE dhe SHBA. Në Kosovë kjo nuk ndodhi, dhe myslimanët shqiptarë të Kosovës nuk e shohin Turqinë si vëllanë e madh të tyre. Megjithatë, në një kohë kur Erdogani dhe Turqia nuk kanë fuqi për të ndikuar gjë në Ballkan, Erdogani është mjeshtër i shfrytëzimit të diskursit dhe tregimit në dobi të tij. Ai e përdor masakrën e Srebrenicës për t’u provuar turqve se ai kujdeset për myslimanët dhe kjo do t’i sjellë atij shumë vota, sepse duhet të kujtojmë se ka shumë turq me rrënjë boshnjake, bullgare ose shqiptare që historikisht nuk kanë votuar për Erdoganin. Në këtë mënyrë, ai përpiqet të fitojë votat e tyre në referendum duke u treguar se do të luftojë për Ballkanin – në këtë rast, kundër holandezëve në Srebrenicë.

Çfarë po bën Turqia për ta shtuar ndikimin e saj? Pas përpjekjes për puç, shumë institucione turke në Ballkan u panë me dyshim nga Ankaraja…

Që prej puçit, qeveria e Erdoganit është përpjekur ta shtojë presionin ndaj qeverive të Ballkanit, veçanërisht në lidhje me lëvizjen Gulen, por kjo nuk ka qenë shumë e suksesshme.

Këtë mund ta shohim në Maqedoni dhe në Bullgari, ku po përpiqet të krijojë partitë e veta politike dhe që t’i përdorë partitë e konsoliduara në vendet e tjera, parti të kontrolluara direkt nga aleatët e ngushtë të Erdoganit. Ai po përpiqet t’i përdorë njerëzit që janë besnikë ndaj Erdoganit, që kanë studiuar në Turqi dhe që njihen se kanë të bëjnë me qarqet e Erdoganit. Ajo për të cilën druhem, është se ai po fiton mbështetje në disa organizata të shoqërisë civile. Për shembull TIKA (Agjencia Turke e Zhvillimit) po investon, po organizon udhëtime për në Turqi, gjëra të kësaj natyre. Thuhet se kanë ndodhur edhe disa veprime më të diskutueshme, për të cilat po bëhen hetime.

Këtu duhet të bëjmë një dallim edhe midis Turqisë dhe qeverisë së Erdoganit, sepse objektivi i këtij të fundit për momentin nuk është që ta rrisë ndikimin e Turqisë – është që të rrisë ndikimin e Erdoganit dhe popullaritetin e tij. Ne e dimë që ka organizuar këto manifestimet dhe se merr disa njerëz në Prizren, Shkup ose Novi Pazar dhe u jep atyre fotografi të Erdoganit, për të treguar se ai ka kudo simpatizantë.

Sa larg është e gatshme të shkojë në këtë drejtim Ankaraja? A është e interesuar Turqia që ta destabilizojë Ballkanin, që të nxisë një valë të re nacionalizmi dhe që të inkurajojë qëndrimet ushtarake?

Nuk mendoj që po. Turqia nuk është e interesuar që të destabilizojë situatën e sigurisë në Ballkan. Por nëse ka diçka që Erdogani mund ta përdorë, ai nuk do të hezitojë ta bëjë. Unë nuk besoj se Turqia dëshiron një Ballkan të destabilizuar, sepse atëherë do të ishte e rrethuar krejtësisht nga rajone jo stabile. Por një pjesë e barrës u bie edhe shteteve të BE që ta mbështesin Ballkanin dhe të mos e lënë të bjerë pre e agjendës së Erdoganit.

 

Erdoan Shipoli që ka lindur në Kosovë është studiues i ftuar në Center for Muslim-Christian Understanding në Georgetown University dhe Dekan i asociuar i School of Public and International Affairs në Virginia International University.  (dw)