PS tërheq kandidatin në Kavajë

RamaNë Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot se i ka kërkuar kandidatit të Partisë socialiste për kreun e Bashkisë së së Kavajës që të tërhiqet nga gara e ditës së dielë.

“I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara e të dielës e t’i kërkojë të tërhiqet edhe kandidatit tjetër, të cilit ia bëj dhe unë këtë apel, shumë miqësisht. Vjen gjithnjë një moment për të thënë fjalën e fundit dhe luajtur gurin e fundit, po ky moment nuk është 7 maji”, – deklaroi kryeministri Rama në një dalje të posaçme publike.

Vendimi i kryeministrit, erdhi pas deklaratave të forta të opozitës e cila ka vendosur që ditën e zgjedhjeve në Kavajë të organizojë atje një manifestim.

E djathta nuk është përfshirë në garën për kreun e Bashkisë së Kavajës, duke mos paraqitur asnjë kandidat.

Sot kreu i opozitës Lulzim Basha përsëriti dhe një herë se nuk tërhiqet nga objektivi për një qeveri teknike e cila sipas tij duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ne jemi gati, dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale që do ta fitojë e nesërmja, shpresa dhe e ardhmja, do ta fitoja Republika e Re, është Kavaja. Përballja e parë, është dita e dielë në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demorkacisë, në Kavajë. Ditën e dielë, le ta mësojë çdo shqiptar dhe çdo miki huaj, se në 7 Maj Republika e vjetër rrëzohet në Kavajë”. Opozita ka përsëritur vazhdimisht se ajo nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa u arritur më parë një marrëveshje e gjerë politike.

Zoti Rama akuzoi opozitën se synon destabilizimin e vendit.

“Që ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë këtë plan, që pas atyre që janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë, ka të tjerë që e duan destabilizmin për të dëmtuar Shqipërinë, këto nuk janë më hamendje. Janë fakt!”.

Kryeministri shtoi se “të pengosh njerëzit të votojnë, është krim i rëndë! Dhe ky krim që nuk ka ndodhur as në vendet më të humbura, me demokraci shumë më të dobët se Shqipëria, në këtë vend nuk mund, nuk duhet e nuk do ta lejojmë të kryhet. Por – theksoi zoti Rama – as kemi arsye dhe as nuk është nevoja që ta bëjmë Kavajën pasnesër, vendin ku ky krim të tentohet e të ndëshkohet me çdo çmim. Sepse, nëse të ngujuarit në çadër, në dëshpërimin e tyre kërkojnë shesh për të bërë një stërvitje me përmbajtje kriminale në Kavajë, për të nxirë Shqipërinë sa të munden e për të cenuar e dëshpëruar kë të munden përpara 18 qershorit, as ne, as Shqipëria, as miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm nuk kemi pse bëhemi pjesë e kësaj stërvitjeje të shëmtuar, por kemi nevojë të zhvillojmë, pasi t’i kemi dalë çdo borxhi PD-së, ndeshjen e 18 qershorit”.

Kryeministri i bëri sërish thirrje zotit Basha që të marrë në konsideratë ofertën e bërë prej tij, duke saktësuar se koha e mundshme për përfshirjen e Partisë Demokratike në zgjedhje skadon të dielën e ardhshme, kur nis dhe përgatitja e materialeve zgjedhore.

Zoti Rama nënvizoi se për datën e zgjedhjeve më 18 qershor nuk mund të negociohet, sikundër dhe për kërkesën e opozitës për një qeveri teknike.

Vendimi i kryeministrit Edi Ram u përshëndet menjëherë nga Presidenti Buajr Nishani, në zyrën e të cilit për dy ditë me radhë u zhvilluan dhe takimet mes kryeministrit Rama dhe kryetarit demokrat Basha, ndonëse pa asnjë rezultat.

“Presidenti e vlerëson qëndrimin e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës si një mundësi për të vijuar dialogun politik mes palëve për të gjetur një zgjidhje kompromisi të krizës politike në vend. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vijon të nxisë mbajtjen hapur në vijimësi të dialogut mes palëve”, – përfundon deklarata

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështeti “thirrjen e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë me qëllim që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut. Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t’i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar”, – nënvizon deklarata e ambasadës amerikane në të cilën theksohet se “mbështesim të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanërisht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Edhe kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, partneri kryesor i socialistëve e vlerësoi pozitivisht shtyrjen e zgjedhjee në Kavajë “në funksion të çtensionimit të situatës. Dialogu duhet të vazhdoje dhe atij i duhet krijuar hapësira dhe qetësia e duhur. Zgjedhjet me standarte mbeten sfidë madhore pa kthim”, theksoi zoti Vasili në një deklaratë.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të opozitës e vlerësoi tërheqjen e kandidatit socialist nga zgjedhjet vendore të Kavajës si “fitoren e parë të republikës së re”, sepse, sipas tij, kryeministri Rama ka një plan “për të rikthyer monizmin në vendin që përmbysi diktaturën komuniste”.

Zoti Basha tha se “faktori i vetëm i destabilizimit në Shqipëri janë bandat e majta kriminale të lidhura me pushtetin, që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë”.

Ai theksoi se “rruga e vetme për tu bashkuar me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarjen me krimin dhe ndarjen me drogën, është qeveria teknike”.

“Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri, do të jenë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetëm me pjesmarrjen e opozitës, vetëm me zgjidhjen politike, e cila, për këtë lëvizje, kalon nga qeveria teknike dhe garancia e nevojshme për votën e lirë të qytetarëve” – tha zoti Basha. (voa)

Mustafa: Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, të hënën në parlament

GargamelQeveria e Kosovës bëri të ditur se kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, gjatë së cilës janë pajtuar“që të hënën qeveria ta dërgojë në Parlamentin e Kosovës projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malit të Zi”.

Në një njoftim të qeverisë thuhet se ajo do të do të mblidhet të hënën më 8 maj dhe ky projektligj do të përcillet në parlamentin e Kosovës.

Ky vendim sipas qeverisë është përshëndetur nga zoti Yee, c ili e ka vlerësuar si“vendim të duhur adresimin e kësaj çështje të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga të gjithë deputetët e parlamentit”.

Por, sfidë ende mbetet sigurimi i votave të mjaftueshme, meqë miratimi i tij kërkon dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Një dështim i këtij votimi, sipas vëzhguesve, do të mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi që sipas tyre koalicioni aktual është formuar për të çuar përpara çështjet me rëndësi për Kosovën.

Kryesia e Parlamentit të Kosovës caktoi ndërkaq për të mërkurën seancën kur do të votohet një mocion mosbesimi për qeverinë.

Mocioni u dorëzua të premten nga partitë opozitare parlamentare të cilat ishin edhe nismëtare të tij ndërsa është nënshkruar edhe nga disa deputetë të Partisë Demokratike në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me punën e qeverisë.

Nëse mocioni siguron 61 vota, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deri më tani, partnerët e koalicionit kanë dërguar sinjale të ndryshme. Derisa Lidhja Demokratike që udhëheq me zyrën e kryeministrit është duke kundërshtuar shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, partneri i saj qeverisës Partia Demokratike nuk ka kundërshtuar shkuarjen e vendit në zgjedhje dhe ka shtuar kritikat ndaj partnerit të saj. (voa)

Kuvendi voton mocionin për rrëzimin e qeverisë më 10 maj

KuvendiKryesia e Kuvendit ka vendosur që të thërras seancë plenare për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, më 10 maj.

Janë 42 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë tjera, përfshi edhe ato në pushtet dhe deputetë të pavarur, që kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Nënshkrues të mocionit janë edhe tetë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përfaqësuesit e opozitës, janë paraqitur para medieve menjëherë pasi që kanë proceduar mocionin në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkaq kjo e fundit, ka caktuar seancën për datën 10 maj.

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën,Valdete Bajrami, tha se janë tashmë 42 nënshkrime të deputetëve, të cilat i janë proceduar Kryesisë së Kuvendit.

“Ka edhe deputetë tjerë që nuk e kanë nënshkruar mocionin, por presim që ata në seancë ta përkrahin rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë Bajrami.

Opozita, ka mbledhur nënshkrimet për mocionin. Por, rrëzimi i qeverisë mbetet ekskluzivisht çështje e partive të koalicionit, pasi që nevojiten edhe 19 vota të deputetëve.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se është evidente që nuk ka vendimmarrje të duhur në Kosovë.

Andaj, ai tha se ndërkohë do të bisedohet edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të parë se si do të veprohet deri të mërkurën.

“Gjendja në Kosovë nuk është ajo që duhet të jetë. Nuk është gjendje e kënaqshme. As unë nuk jam i kënaqur dhe as qytetarët e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, unë do ta vazhdoj komunikimin me partnerin e koalicionit (LDK-në). Nuk është opozita ajo që e rrëzon qeverinë, e thash do të bisedojmë me partnerin e koalicionit”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se gjithçka mbetet të vendoset mes partnerëve të koalicionit, ngase opozita, sipas tij, nuk e ka fuqinë e ndryshimeve apo rrëzimit të qeverisë.

“Sa i përket asaj se a shkohet në shpërbërje apo çfarë do të ndodhë, mbetet çështje e kontaktit mes partive partnere, andaj unë sot nuk mund ta them një qëndrim për këtë çështje”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Kuvendit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti, tha se tash gjithçka mbetet të vendoset në seancë plenare, ku deputetët duhet të deklarohen për apo kundër mocionit.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se tri vite të kësaj qeverie e dëshmojnë se është i domosdoshëm një mocion i tillë, pasi që për këto tri vite, sipas tij, kishte vetëm keq-qeverisje.

Për rrëzimin e qeverisë, nevojiten 61 vota për, të deputetëve.

Në rast se ky mocion i opozitës dështon, atëherë sipas akteve ligjore kushtetuese, brenda 90 ditëve të ardhshme nuk mund të ngritet një mocion i ri i ngjashëm, që do të kishte si qëllim shkarkimin e qeverisë.

Ndërkaq, në rast se mocionin e mbështesin 61 deputetë në seancën plenare, atëherë mbetet në vendimin e presidentit që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. ​ (REL)

Tiranë: Rritet shqetësimi për situatën politike – Thirrje për shmangje të dhunës

Rama BashaShtyhen zgjedhjet bashkiake të 7 majit në Kavajë – përqëndrim tek dialogu me opozitën dhe në evitimin e trazirave dhe të destabilizimit.

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp të zhvilluar sot pasdite ( 5 maj 2017) deklaroi se  i ka sugjeruar: “kandidatit të PS-së në Kavajë të tërhiqet nga gara të dielën pasi PD-ja ka përgatitur një plan konkret për të shkaktuar trazira të dielën në Kavajë.”

“Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë. Këto janë fakte, por që Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan që me vendosmëri do ta çojmë deri në dështimin e plotë” – tha kryeministri Rama. Ai  rikonfirmoi se nuk ka shtyrje të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. “18 qershori është përcaktuar sipas Kushtetutës dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet të garantojnë dhe jo të ndërmjetësojnë të drejtat e popullit sovran”, theksoi kryeministri Rama.

Schütz – Mbështesim shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake të së dielës në Kavajë

Në një deklaratë zyrtare për DW-në ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, ka shprehur mirëkuptim për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë, të planifikuara për pasnesër, më 7 maj, ”për të mbajtur të hapur kësisoj rrugën për bisedime mes qeverisë dhe opozitës në interes të një zgjidhjeje të krizës aktuale politike dhe pjesëmarrjes sa më të gjerë të partive politike në zgjedhjet parlamentare.”

“Ne mbështesim përpjekjet e palëve të përfshira për të vazhduar këtë dialog me qëlllim për të gjetur një zgjidhje në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë. Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin çdo veprim qe mund të ndikojë që një protestë paqësore të shndërrohet në dhunë” thuhet në deklaratën e ambasadores gjermane.

Në zgjedhjet bashkiake në Kavajë opozita nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë. Tërheqja e kandidatit socialist e bën të pamundur zhvillimin e tyre këtë të dielë.

SHBA – Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik

Mbështetje për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë dhe apel për shmnangie të dhunës kanë shprehur sot edhe SHBA.  Në një deklaratë të ambasadës amerikane në Tiranë u bëhet thirrje “të gjitha partive politike që të mos angazhohen në akte që mund të nxisin dhunë dhe veçanërisht në akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik.” Thekson deklarata e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Vazhdojnë negociatat Rama-Basha 

Ndërkohë negociatat Rama-Basha, të ndërmjetësuara nga Presidenti i Republikës, Nishani  për  të arritur një kompromis që PD-ja të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit vazhdojnë që prej dy ditësh. Por negociatat ngecin përderisa palët vazhdojnë të kenë qëndrime të papajtueshme lidhur me pranimin e ofertës së negociatorëve të përzgjedhur nga BE-ja, europarlamentarët McAllister dhe Fleckenstein. Në ofertën e tyre nuk është përfshirë  kërkesa nr. 1 e opozitës në protestë: dorëheqja e kryeministrit Rama dhe formimi i një qeverie teknike për ta çuar “vendin  në zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Po ashtu opozita e akuzon qeverinë Rama ”se do të blejë votat” me paratë e drogës dhe të kanabis”. Oferta e negociatorëve të Parlamentit Europian u pranua nga kryeministri Rama.

Në negociatat e këtyre dy ditëve të fundit , të ndërmjetësuara fuqishëm nga BE dhe SHBA palët vazhdojnë të kenë qëndrime krejt të kundërta lidhur me krijimin e qeverisë teknike.

Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel që vizitoi kohët e fundit Tiranën deklaroi se “qeveria teknike nuk është e nevojshme” dhe i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje. Por protesta e opozitës për një qeveri teknike vazhdon dhe ka hyrë në muajin e saj të tretë.

BE-ja dhe SHBA-ja janë shprehur se zhvillimi i zgjedhjeve të 18 qershorit dhe rezultati i tyre janë legjitime edhe pa pjesëmarrjen e PD-së, më të madhes në opozitë në Shqipëri, por kane paralajmëruar se mospjesëmarrja e PD-së e bën vulnerabël stabilitetin e vendit. (dw)

Serbi: Daçiç kërkon status diplomatik për punonjësit rusë

DacicMinistri i Jashtëm serb u bëri thirrje autoriteteve të vendit të tij t’i japin status diplomatik punonjësve rusë të një qendre të debatueshme që disa e konsiderojnë një bazë spiunazhi, por që Rusia këmbëngul se është një qendër për ndihma në raste fatkeqësish natyrore.

Ivica Daçiç i tha të premten gazetës së përditshme “Politika” se statusi për t’i dhënë një niveli më të lartë përfaqësimi qendrës në qytetin e Nishit “duhet zgjidhur”.

Disa analistë ushtarakë thonë se rusët po përgjojnë interesat ushtarake amerikane në Ballkan nga e ashtuquajtura “Qendra Humanitare Ruso-Serbe”.

“Vendet perendimore kanë kundërshtimet e tyre, megjithëse ato marrin të njëjtin status mbrojtës përmes marrëveshjeve me Serbinë”, tha zoti Daçiç.

Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por nën udhëheqjen e tanishme populiste po rrëshqet drejt aleates së saj tradicionale, Rusisë.

Rusia, Turqia dhe problemi i Sirisë

rusia turqia siriaRusia thotë se në “zonat pa konflikt” të propozuara për Sirinë, nuk do të lejohet fluturimi i avionëve të koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

Alexander Lavrentyev, i dërguari i Rusisë për bisedimet e paqes në takimin Kazakistanit, komentoi të premten në mediat ruse, duke thënë se “operacionet ajrore në zonat pa-konflikte, sidomos ato të forcave të koalicionit ndërkombëtar, janë rreptësisht të ndaluara, me apo pa parlajmërim.”

Zyrtari rus tha se “kjo çështje është e mbyllur” për diskutime të mëtejshme.

Rusia, Turqia dhe Irani ranë dakord të enjten me propozimin e Moskës, për krijimin e të ashtuquajturave “zona pa-konflikte” në Siri, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit 6-vjeçar.

Përfaqësues të tre vendeve-garantuese të armëpushimit në Siri, nënshkruan një memorandum për këtë çështje në përfundim të raundit të fundit të bisedimeve të paqes në kryeqytetin e Kazakhistanit, Astana.

Marrëveshja kërkon të merren masa për pakësimin e luftimeve në katër rajone të caktuara si të sigurta në Siri, ku rebelët pa lidhje me terroristët e Shtetit Islamik kontrollojnë territore të konsiderueshme.

Përparim drejt paqes?

Megjithëse duket të jetë shënuar përparim, pas katër raunde bisedimesh në Astana, ekziston një skepticizëm i madh lidhur me mënyrën se si mund të zbatohet kjo marrëveshje.

Nuk u bënë të njohura hollësitë lidhur me mënyrën se si të tre vendet, të cilat mbështesin palë të ndryshme në konflikt, do të përpiqeshin t’i jepnin fund dhunës. Dhe ndërsa qeveria siriane shprehu mbështetje për marrëveshjen, as Damasku dhe as rebelët sirianë nuk nënshkruan ndonjë marrëveshje.

Anëtarë të delegacionit të opozitës siriane dolën në mënyrë demonstrative nga takimi i Astanës të enjten, në shenjë pakënaqësie me faktin që Irani është pjesë e bisedimeve. Kreu i delegacionit të opozitës, Mohammed Alloush, nuk mori pjesë në ditën e dytë të bisedimeve.

Delegacioni i rebelëve e ndërpreu të mërkurën pjesëmarrjen në bisedimet mbi vazhdimin e sulmeve ajrore, por anëtarët e delegacionit u kthyen në tryezën e bisedimeve ditën e fundit të tyre.

Ndërsa Rusia dhe Irani mbështesin qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, Turqia mbështet rebelët.

A janë dakord Turqia me Rusinë për çështjen e Sirisë?

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe atij rus Vladimir Putin në Soçi të mërkurën, zoti Erdogan u përqëndrua tek dënimi i terrorizmit, në vend të qeverisë së Assadit.

Megjithë krizën e krijuar në marrëdhëniet mes të dy vendeve për çështjen e Sirisë, presidenti rus Putin deklaroi rikthimin e bashkëpunimit normal me Turqinë dhe shprehu besimin për krijimin e zonave të sigurta.

Por analistët thonë se mbetet ende shumë për t’u negociuar për çështjen e Sirisë, si dhe për mosmarrëveshjet e tjera mes Turqisë dhe Rusisë.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende arabe mbështesin grupe rebele që duan të përmbysin presidentin sirian Assad. Shtetet e Bashkuara dërguan zyrtarin e tyre të nivelit më të lartë për të vëzhguar bisedimet në Astana – Ndihmës sekretarin e Shtetit në detyrë, Stuart Jones.

Plani i Kremlinit është i ngjashëm me idenë e presidentit amerikan Donald Trump për krijimin e “zonave të sigurta” në Siri dhe presidenti Putin tha se zoti Trump u duk se e mbështeti idenë e krijimit të këtyre zonave, gjatë bisedës telefonike mes tyre të martën.

Në javët e ardhshme pritet të jepen më tepër hollësi, shqetësime dhe kundërshtime për çështjen e paqes në Siri.

Ministria e Jashtme e Kazakhistanit the se raundi i ardhshëm i bisedimeve të zgjeruara për Sirinë është caktuar të mbahet në fund të majit, në Gjenevë, ndërkohë që takimi i ardhshëm me ndërmjetësimin e Rusisë, Turqisë dhe Iranit është caktuar të zhvillohet në mes të korrikut, përsëri në Astana.

Trendafilova fuqimisht e motivuar

TrendafilovaKryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterine Trendafilova mbajti sot në Hagë konferencën e parë për shtyp.

Gjyqtarja Trendafilova foli për procedurat, mbrojtjen e dëshmitarëve, personat që eventualisht mund të akuzohen për krime lufte në Kosovë.

Trendafilova tha se ajo është “fuqimisht e motivuar që institucioni që drejton (Dhomat e Specializuara ku do të gjykohen ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte) do t’u përmbahet standardeve më të larta ligjore”. Trendafilova shpreson se në këto Dhoma do të “merren vendime më cilësore” dhe premton se puna do të “jetë e ndershme dhe e nivelit më të lartë profesional”.

Dhomat kanë arritur të kryejnë punën deri tani sipas afateve të përcaktuara kohore, tha kryetarja e Dhomave të Specializaura, por ajo nuk ishte në gjendje të saktësojë se kur do të fillojnë edhe proceset e para.

Në pyetjen e Deutsche Welle-s se kush do të gjendet në listat e të akuzuarve, pasi në Kosovë përmenden emrat e krerëve të shumë institucioneve – duke nisur prej Presidentit, kryetarit të Parlamentit dhe më tutje – dhe kur do të fillojnë proceset e para, Trendafilova tha se për momentin nuk mund të flitet për emrat e veçantë, sepse kjo është tërësisht në duart e prokurorëve. Por ajo shtoi se “proceset e para priten së shpejti”. Se ç’do të thotë kjo së shpejti, mbetet të shihet – pasi prokurorët ende nuk e kanë përfunduar punën e tyre në përpilimin e akuzave për krime eventuale.

Gjykata e gatshme

Kryetarja Trendafilova pohon se tanimë janë emëruar edhe disa gjykatës të cilët do të kryesojnë proceset dhe janë miratuar disa dokumente të rëndësishme që mundësojnë fillimin e punës dhe kryerjen e procedurave të domosdoshme të Dhomave të Specializuara. Në përfundim e sipër është edhe harmonizimi i parimeve dhe i procedurave konkrete për këto procese.

“Gjykatësit kanë treguar deri tani profesionalizëm dhe njohuri të shkëlqyer, përkushtim dhe kanë mundësuar procedura efikase” theksoi Trendafilova.

Lidhur me vendimin  e Gjykatës Kushtetuese se 9 nga 208 rregullat e Rregullores për Procedurën e Provave nuk janë të harmonizuara si duhet dhe kërkohet rishqyrtim, Trendafilova tha se “kjo kërkesë për rishqyrtim në asnjë mënyrë nuk zbeh cilësinë e punës së kryer deri tani”.

Autoritetet janë duke analizuar të gjitha detajet me qëllim që të përmirësohet cilësia e punës së Dhomave të Specializuara. Këto korrigjime pritet të miratohen deri në fund të majit, ndërsa Rregullorja e Procedurës së Provave do të futet në fuqi shtatë ditë pas miratimit të tyre.

Nder që kryen këtë punë

Ekaterine Trendafilova pohon se “e konsideron si nder të madh që i është besuar kjo punë dhe ky mision, për të drejtuar Dhomat e Specializuara”. Ajo disa herë përsëriti se ndër prioritetet më të rëndësishme janë ruajtja e pavarësisë së punës së gjykatësve, ikja nga ndikimi politik apo ekonomik, evitimi i ndërhyrjeve dhe siguria e plotë e dëshmitarëve, por edhe ruajtja e të drejtave elementare të personave të akuzuar. Trendafilova konstatoi se ata garantojnë “funksionimin e Dhomave të Specializuara mbi bazën e ligjeve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare” si dhe mbrojtjen e të drejtave të akuzuarve dhe sigurinë e dëshmitarëve. (dw)

 

Dështon takimi i dytë Rama-Basha

Rama BashaNë Shqipëri ka dështuar dhe takimi i dytë, sot në mbrëmje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Pas më shumë se dy orësh të dy kanë dalë nga mjediset e presidencës, me të njëjta pozicione nga të cilat ishin ndarë një ditë më parë.

Kryeministri përsëriti se ai kishte paraqitur të njejtën ofertë, atë të emërimit të një zëvendës-kryeministri, të porpozuar nga opozita, por jo anëtar i saj, i cili së bashku me një përfaqësues të zgjedhur nga Bashkimi Europian, një përfaqësues të zgjedhur nga Shtetet e Bashkuara, dhe një përfaqësues të zgjedhur nga OSBE-ja do të ketë detyrën e monitorimit të plotë të sjelljes së shtetit në fushatë. Përveç zëvendëskryeministrit opozitës i është ofruar po ashtu një zëvendësministër i Brendshëm, përfshirë një zëvendësdrejtor të përgjithshëm të policisë dhe 12 zëvendësdrejtorë policie në qarqe që të kontrollojnë rolin e policisë, një zëvendësministër të Arsimit për të mbikqyrur dhe ndërhyrë menjëherë në rast të shkeljeve nga ana e trupave mësimore, si dhe një zëvendësministër të Drejtësisë për të vëzhguar procesin zgjedhor në burgje. “Një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi sepse nuk shohim hapësirë për më shumë”.

Por për kryetarin e opozitës, “propozimi i zotit Rama ishte një mos-ofertë për zgjidhje”. Sipas zotit Basha situata e rëndë në të cilën gjendet vendi për shkak të lidhjes që sipas tij pushteti ka vendosur me krimin dhe narkotrafikun, “nuk mund të zgjidhet me një ofertë për monitorim, por kërkon një zgjidhje politike”. Kreu i opozitës u shpreh se kundërpropozimi i saj mbetet mbetet ai për “një qeveri teknike me mandate për të zgjidhur dhe ndalur influencën e krimit dhe drogës në zgjedhjet e ardhshme, dhe për të krijuar kushtet që qytetarët të votojnë të lirë dhe të pa kërcënuar. Kollona e dytë – shtoi ai – është eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve të realizohet votimi elektronik”.

Por dhe për këtë çështje zoti Rama ka qenë kategorik, duke nënvizuar se “zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor”, duke propozuar që një përfaqësues politik i opozitës, të përfshihet në qeveri dhe të punojë për një projekt i cili nëse certifikohet si i zbatueshëm, të mund të jetë i gatshëm për zgjedhjet e ardhshme vendore”. (voa)

Ermonela Jaho është “Madame Butterfly” në Kennedy Center

Ermonela JahoKur interviston Ermonela Jahon, duhet të jesh e kujdesshme. Dikush mund të mendojë se kjo është fare e natyrshme, pasi ajo është soprano me famë botërore dhe soprano të tilla, shpesh konsiderohen diva. Por me Ermonelën duhet të jesh e kujdesshme për të kundërtën: sepse ngrohtësia, energjia dhe komunikimi i saj i drejpërdrejtë të bëjnë të harrosh për një moment që ke shkuar ta intervistosh sepse ajo po interpreton për here të parë në Uashington Cio-Cio Sanin në operan e famshme të Giacomo Puccinit, “Madame Butterfly”.

“Në skenë je aq lakuriq nga ana shpirtërore saqë kjo ndjehet edhe nga publiku. Publikun ti s’e gënjen dot. Kur je në skenë, aty del e vërteta, çfarë ke ti, forca, fraxhiliteti dhe çdo gjë e jotja, ajo besueshmëria që mendoj është sa herë e këndoj dhe shkrihem në mënyrë totale me rolin”.

Ermonela vjen në Uashington pas suksesit me të njëjtën opera në Londër, ku kritika e vlerësoi me superlativa interpretimin e saj. Dhe gjasat janë që edhe në Uashington duke fillluar nga e shtuna ajo do të sjellë një Cio-Cio San, japonezja e re që u martua me amerikanin Pinkerton, me gjithë brishtësinë, magjinë dhe tragjizmin e saj, me një rreze emocionesh që ndryshojnë rrënjësisht nga një akt në tjetrin. Ermonela thotë se me çdo përvojë me “Madame Butterfly”, personazhi i saj rritet, maturohet, por duke mbetur njëkohësisht po ajo vajzë e re.

“Mendoj kjo është aftësia e një artisti sepse ne të gjithë kemi qenë 15 vjeçarë, kemi në atë arkivin tonë, të ekperiencës së jetës sonë, dhe mund t’i kujtojmë ato momente kur kemi qenë aq të rinj, adoleshentë mund të them, e në një farë mënyre atë lloj vulnerabiliteti që të gjithë ne qeniet humane e kemi. Detyra e artistit është ta nxjerrë këtë, të jetë sa më i vërtetë, nëpërmjet zërit, nëpërmjet sjelljeve.”

Por Ermonela ka edhe një kartë tjetër për portretizimin e heroinës tragjike, e cila ka një përvojë jetësore përtej viteve të moshës së saj.

“Çdo qenie humane, çdo lloj vështirësie të jep një lloj pjekurie, pak përpara kohës. E mund të them që edhe ne shqiptarët kemi parë disa gjëra pakëz të parakohëshme për moshën tonë, mund të them se kemi hasur shumë vështirësi që të pjekin në një farë mënyre dhe ky është ai çelësi i emocionit që unë përpiqem të jap në të gjitha rolet që të jap një ndjenjë, atë emocionin, atë pasionin që kemi ne shqiptarët, ballkanasit. Ndoshta tingëllon gjithmonë pak nacionaliste kur e them këtë gjë, por është e vërtetë”.

Megjithëse ka 25 vjet që është larguar, Ermonela thotë se Shqipëria është brenda saj, madje ajo thotë është “pikërisht ai zjarri, ai emocioni, ai vulnerabiliteti i të gjitha ngjyrave emocionale që unë kam jetuar në Shqipëri, që marr dhe larg vendit tim, ato japin diçka të veçantë, më japin diçka të veçantë edhe mua si artiste, shpirtit tim”…

“…një e qarë me ligjërim, për shembull. Kur kam kënduar ‘Suor Angelica-n’, ‘Madame Butterfly’, ka momente dëshpërimi të një nëne kur do t’i marrin fëmijën dhe çdo nënë, çdo femër e ka atë dhimbje. Por ndoshta neve na kanë ngelur që të vegjël në mendje gjyshet, prindërit tanë, nënat tona, mënyrën se si ato e përjetojnë një dhimbje të atillë. Është një gjë që vetëm kur e mendoj tani, të këput shpirtin”.

Ajo ia atribuon thellësinë me të cilën përcjell personazhet, pikërisht intensitetit me të cilin shqiptarët siç thotë Ermonela shprehin gëzimet dhe hidhërimet, por edhe përvojës së saj personale jetësore.

“Unë kam humbur prindërit dhe një gjë të tillë nuk arrija dot ta shprehja edhe pse isha, jam pjesë e asaj kulture. Në skenë ndoshta … Muzika është gjuhë e shpirtit dhe në një farë mënyre të çliron dhe për mua është një çlirim shpirtëror”, thotë ajo.

Por megjithëse ndoshta forca e shprehjes mund t’i vijë nga temperamenti dhe banka e emocioneve jetësore, Ermonela thotë se kur është në skenë shkrihet me rolin, sepse ato që këndon janë ndjenja universale humane.

“Para qindra vitesh është folur për dashurinë, jemi këtu sot flasim prapë për dashuri, për sakrifica etj, etj. Ndryshon vendi, ndryshojnë rrethanat ekonomiko-shoqërore dhe të gjitha këto kushtet, por në fund të fundit, duhet një histori, një vend ku ta vësh një personazh”.

Kjo shkrirje e universales me individualen, tërhoqi vëmendjen e Operas Kombëtare të Uashingtonit që që para dy vjetësh e zgjodhi Ermonelën për rolin e Cio-Cio Sanit.

“E kisha dëgjuar që të këndonte në Paris dhe nuk kam parë kurrë një audiencë të reagonte me aq shumë entuziazëm, sa ç’reagoi ndaj saj atë ditë. Prandaj kur po kërkonim të zgjidhnim sopranon për ‘Madam Baterflaj’, ky rol e vuri atë të në krye të listës. Ajo po bëhet nga një sopranot më të rëndësishme dhe roli (i Cio-Cio Sanit) ndër më të rëndësishmit e saj. Kur përpiqemi të zgjedhim interpretuesit për Kennedy Center, ne kërkojmë më të mirët dhe e kishim të qartë që duhet të angazhonim Ermonelën, thotë Andrew Jorgensen, Drejtor i Planeve Artistike në Operan Kombëtare të Uashingtonit.

“Madame Butterfly” në Kennedy Center ka si dizenjator, artistin abstrakt japonez Jun Kaneko, dhe paralelisht me shfaqjen e operas, një ekspozitë me skulptura të tij abstrakte shfaqet në Hollin e Shteteve në Kennedy Center. Kaneko ka dizenjuar edhe veshjet e Ermonelës për operan, një kimono e bardhë për aktin e parë të dasmës, dhe me ngjyra të forta me topa.

Ermonela ra në dashuri me operan kur pa Traviatën e Giuseppe Verdit në Teatrin e Operas dhe Baletit për herë të parë kur ishte adoleshente dhe i premtoi vetes se një ditë do të interpretonte Violetën.

“Unë do të bëhem këngëtare operistike dhe nuk do vdes pa e kënduar një here Traviatën. E kam kënduar tani 240 herë”, kujton ajo se si i tha të vëllait kur dolën së bashku nga Opera.

Ndër rolet dramatike te preferuara të saj përveç Violetës dhe Cio-Cio Sanit, janë Anna Bolena e Donizzettit dhe Suor Angelica e Puccinit. Dhe për të gjitha rolet e deritanishme dhe ato që do të vijnë më pas, Ermonela mbështetet tek arma e saj më e rëndësishme si artiste.

“Nuk ka rëndësi vjen nga Shqipëria, vjen nga çdo lloj vendi i botës, në momentin që flet në gjuhën e zemrës dhe je i sinqertë në skenë, është e pamundur të mos prekësh, të mos rezonosh me zemrat e kujtdo nacionaliteti. Dhe ky ka qenë çelësi im që deri tani ka funksionuar dhe shpresoj të funksionojë akoma”, thotë ajo. (voa)

Takim Xhaferi-Mogherini-Hahn në Bruksel

Xhaferi HahnKryetari i ri i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ndodhet në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian. Në takimin e tij të parë në selinë e BE-së, zoti Xhaferi u prit nga shefja për politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe nga Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Po ashtu, në axhendë janë edhe takimet me presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani si dhe me deputetët evropianë Knut Flekenstein, Eduart Kukan dhe Ivo Vajgl. Këta tre të fundit kanë qenë raportues për Maqedoninë dhe kanë ndihmuar në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës, e cila synonte t’i jepte fund krizës dy vjeçare në vend.

Komisioneri Hahn, sipas një njoftimi nga zyra e tij, në takimin me zotin Xhaferi ka ritheksuar dënimin e ashpër ndaj sulmeve të qëllimshme kundër deputetëve dhe gazetarëve në parlamentin e Maqedonisë. Ai paralajmëroi se çdo përsëritje e veprimeve të tilla do ta rrezikonte të ardhmen evropiane të vendit.

“Parlamentit duhet t’i mundësohet të punojë pa pengesa. Të gjithë ligjvënësit, përfshirë ata të opozitës, duhet të luajnë rol konstruktiv, ndërsa të gjitha palët duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet provokuese”, thuhet në njoftimin e zyrës së komisionerit evropian për zgjerim.

Zoti Hahn thekson më tej se parlamenti duhet të jetë vend i debatit për sfidad serioze me të cilat përballet vendi dhe përparimin e tij, në interes të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve. Ai bëri thirrje për përqendrimin e vëmendjes tek hapat e ardhshëm të procesit të formimit të qeverisë, duke respektuar shumicën parlamentare dhe duke vepruar sipas kushtetutës dhe parimeve demokratike.

Ndërkohë, zoti Xhaferi e njoftoi të enjten përmes një shkrese presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov për krijimin e shumicës parlamentare dhe për zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të Parlamentit. Me këtë, z. Xhaferi pret që presidenti, siç e kërkon kushtetuta, t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë, shumicës parlamentare.

Ivanov deri tash ka refuzuar t’ia japë mandatin pretendentit për kryeministër, Zoran Zaev, partia e të cilit arriti të mbledh 67 firma të deputetëve, të nevojshme për marrjen e mandatit. Presidenti maqedonas, i cili mbështetet fuqimisht nga VMRO-DPMNE dhe ai vetë është kritikuar mjaft jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga vëzhgues të tjerë të rrethanave politike, për veprimin si një marionetë ndaj politikave të qeverisë dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, së fundmi duket ta ketë zbutur qëndrimin. Pas takimit që pati para tre ditësh me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Hoyt Yee, presidenti maqedonas kërkonte ndihmën e SHBA për të lehtësuar rrethanat e formimit të qeverisë së Maqedonisë.

Kreu i parlamentit ka lënë të kuptohet pak ditë më parë se presidenti duhet të veprojë brenda një afati dhjetë ditor. Në të kundërtën, parlamenti do të gjejë forma të tjera ligjore për miratimin e kabinetit qeveritar.

Sipas burimeve brenda VMRO-së dhe mjeteve të afërta të informimit me të, thuhet që partia të jetë pajtuar të qëndrojë në opozitë dhe të përgatitet për zgjedhjet e pritshme vendore. Në këtë kuadër, janë shtuar zërat për rënien e mbështetjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski brenda partisë dhe se po mendohet për një pasardhës të tij. (voa)