Basha: Duam garanci të vërteta për zgjedhjet. Gati të shkojmë tek presidenti Nishani

Rama Basha 1Kryetari i Partisë Demokratike, tha se për opozitën mjafton që kryeministri Rama të japë dorëheqjen e të ndërtohet një qeveri teknike dhe kjo është garancia për zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se opozita ishte e gatshme të shkojë në bisedime me socialistët në tryezën e presidentit Nishani.

“Rama po mban peng vendin, duke refuzuar të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi problemi dhe ne nuk mund të lëmë qytetarët në dorë të një qeverie të delegjitimuar”.

Zoti Basha tha, pas një mbledhje të gjatë të grupit parlamentar, se opozita është e gatshme të diskutojë dhe kërkon të ofrojë garanci të vërteta nga qeveria për zgjedhjet. (voa)

Rama e Basha: Gati të ulemi në tryezën e Nishanit

Rama BashaNë Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ju përgjigjën sot pozitivisht thirrjes së presidentit Bujar Nishani që palët të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis. Ndërkohë pasdite zoti Basha ka njoftuar një mbledhje urgjente të grupit parlamentar të partisë së tij ku pritet që të ketë dhe një komunikim direkt të deputetëve me Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn.

Duket se një përpjekje e re do të ndërmerret për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte pjesmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit. Pasdite, presidenti Bujar Nishani përmes një deklarate u shpreh “i shqetësuar për përmasat që po merr kriza politike në vend”. Presidenti ju drejtua me një thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës “të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin” duka saktësuar se ai “ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu”.

I pari që ju përgjigj publikisht ftesës, përmes një statusi në Facebook, ishte kryeministri Rama, i cili shkruante se ishte “po aq i shqetësuar për krizën” e cila sipas tij, ndryshe nga vlerësimi i Presidenti, është “krizë e Partisë Demokratike”. Ndonëse e cilëson “të vonuar” thirrjen e presidentit, ai shton se është gati të ulet me Lulzim Bashën.

Nga ana e saj opozita tha se e mirëpret ftesën e presidentit Nishani, ndërsa vë në dukje se “ndonëse shkaktari i kësaj krize, Edi Rama, me veprimet dhe qëndrimet e tij ka vendosur interesin e tij vetjak para interesave të qytetarëve shqiptarë, opozita dhe Partia Demokratike kanë kërkuar gjithmonë rrugën e dialogut të vërtetë dhe jo fasadë për t’u bashkuar në luftën kundër krimit, drogës, korrupsionit dhe kthimit të shtetit në garnizon elektoral të pushtetit, që kërcënojnë asgjësimin e zgjedhjeve, demokracisë dhe stabilitetit përmes zgjidhjes së ofruar”, shkruhet në deklaratën e koalicionit opozitar.

Javën e shkuar përpjekja për ndërmjetësim e eurodeputetëve David McAllister dhe Knut Fleckenstein dështoi. Palëve ju paraqit një dokument kompromisi, por opozita këmbënguli në kërkesën për qeveri teknike. Dje disa prej figurave të Partisë Demokratike e konsideruan një shans të humbur, refuzimin e propozimeve të eurodeputetëve. Deputeti Eduard Selami, i cili foli në një interviste për Zërin e Amerikës, deputetja Majlinda Bregu apo dhe ish numri dy i partisë Demokratike për shumë vite Jozefina Topalli, kritikuan publikisht zotin Basha se po merr vendime pa i diskutuar ato më parë me forumet e partisë.

Pas këtyre kritikave zoti Basha ka njoftuar thirrjen sot pasdite të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ndonëse gjatë fjalës së tij në çadrën ku opozita proteston prej më shumë se dy muaj nënvizoi se nuk do të ketë tërheqje: “Kush më kërkon mua, shqiptar apo i huaj, pazar me Edi Ramën, për hir të stabilitetit pa demokraci, duhet ta kuptojë se ajo që ka lindur me 18 shkurt, është më e madhe se Partia Demokratike, është më e madhe se opozita, patjetër, është më e madhe se Lulzim Basha, më e madhe se Shqipëria dhe shqiptarët”.

Megjithatë duket se përpjekjet edhe të komunitetit ndërkombëtar nuk kanë rreshtur. Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD pritet që të ketë një komunikim direkt edhe me Komisionerin europian për Zgjerimin Johannes Hahn.

Nga ana tjetër komuniteti ndërkombëtar duket se po e shton trysninë e tij edhe duke i mëshuar faktit se zgjedhjet do të njihen dhe në rast të mospjesmarrjes së opozitës. Pas ambasadorit amerikan Donald Lu, I cili tha se “zgjedhjet mund të jenë të ligjshme dhe legjitime dhe pa pjesmarrjen e opozitës”, sot edhe ambasadorja gjermane Suzanne Schutz, u shpreh se “nëse Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë t’i mbeten qëndrimit të tyre për të mos marrë pjesë, ky do të jetë një vendim i trishtueshëm për ne. Por ne do t’i njohim këto zgjedhje”, deklaroi ambasadorja gjermane. (voa)

Triumf i ri për SpaceX

SpaceX LaunchSpaceX Launch

Kompania SpaceX e Elon Muskut, shënoi të hënën një triumf të ri, duke lëshuar me sukses në hapërisë një satelit sekret përgjimi për një agjenci qeveritare amerikane.

Nisja nga Qendra e Hapësirës “Kennedy” në Kepin Kanaveral u shty një ditë, për shkak të një problemi me sensorët. Sateliti sekret i quajtur NROL-76 është i Zyrës Kombëtare të Gjurmimit dhe u dërgua në një orbitë të panjohur.

Kjo agjenci që e konsideron veten si “sytë dhe veshët e vendit në hapësirë”, mban dhe zhvillon satelitë përgjimi.

Lloji i satelitit nuk njihet, por Zyra Kombëtare e Gjurmimit ka përgjegjësinë të dallojë kërcënime të mundshme ndaj Shteteve të Bashkuara si sulme terroriste, zhvillimin e armëve bërthamore apo hedhje raketash.

SpaceX ka bërë përparim në misionin për ta bërë udhëtimin në hapësirë më pak të kushtueshëm, duke ricikluar raketa. Muajin e kaluar, kompania lëshoi në hapësirë me sukses një raketë që ishte përdorur edhe më parë.

Kjo ishte raketa e pestë që hedh SpaceX në vitin 2017. (voa)

Zaev për DW: Kjo që bën Gruevski është për të negociuar për amnestinë

ZaevDisa ditë pas së “enjtes së përgjakur“ dhe pas takimit dje me përfaqësuesin e SHBA-së, lideri i Partisë Social-Demokrate flet për hapat e radhës të shumicës paralamentare pas zgjedhjes së kryetarit të paralamentit.

DW: Si e interpretoni deklaratën e Ivanovit, pas takimit me Hojt Ji që „partnerët e koalicionit të bashkohen dhe të sigurojmë garancionë për unitetin e shtetit, dhe gjitha kjo të jetë ne pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”. A mendoni se do t’ua japë mandatin për qeveri Ivanovi tani?

Zoran Zaev: Unë e paraqita hapur Programin per Qeverin e re, aty ka garanci të qarta për unitetin e shtetit, Kushtetutën dhe prepektivën euro-antatlantike. Programin është i publikuar po ashtu edhe në web-faqen e Lidhjes Social-Demokrate dhe është i njohur për opinionin vendas dhe për atë të huaj. Edhe si parti, edhe si shumicë parlamentare, shumë herë kemi thënë shumë qartë, se nuk ka asnjë rrezik per cënimin e unitetit të Maqedonisë. Ajo është shpifje nga Nikolla Gruevski për të penguar transferimin e qeverisë, ku edhe presidenti Ivanov i ndihmon. Arsyeja është e qartë, frika për ndryshim e cila sjell drejtësi për të gjithë. Edhe një herë do t’i njoftojmë qytetarët dhe presidentin Ivanov, për përmbajtjen e Programit për Qeveri të Re. Ne jemi politikanë seriozë, të cilët kemi për qëllim të marrim përgjëgjësi për udhëqjen e shtetit, me këtë qëndrim duam edhe një herë t’i hedhim poshtë argumentet e paarsyeshme të Gjorgje Ivanov. Porosisim që më në fundë edhe ai të bëjë diçka në interes të qytetarve, dhe të na e japë neve mandatin.

Po Ivanovi kërkon dialog dhe përsërit „platforma e Tiranës nuk mund të jetë kusht dhe as më pak bazë për formimin e qeverisë në Republikën e Maqedonisë”. Cilët do të jenë hapat e radhës së shumicës së re parlametare, pas qëndrimeve të tilla të Ivanovit?

I vetmi dokument që ekziston, është programi i qeverisë së re reformative. Këtë e di edhe presidenti Ivanov, po ashtu është i informuar se me të njëjtat qëndrime të partive shqiptare, ishte në bisedime edhe Gruevski për 20 ditë me radhë, po atëherë kjo atij nuk i pengonte. Atij filloi t’i pengonte kur Gruevski nuk arriti të formojë qeverinë. Përsëris edhe një herë, ekziston program për qeveri, i cili garanton të ardhme të sigurt, stabile, ekonomike dhe prosperitetin euroatlantik për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqednosë, dhe askush nuk e ka të drejtën ta pengojë këtë proces. Vendimtar është përcaktimi i qytetarëve, të cilët me zgjedhjen e 67 deputetëve që i prezentojnë interesat e tyre në Kuvend, formuan shumicën e re në Parlament. I sapo zgjedhuri kryetar i Kuvendit, do t’i dërgojë vendimin zyrtar Ivanovit, se është formuar shumicë paralmentare legjitime, dhe se Gjorgje Ivanov është i detyruar ta japë mandatin për formimin e qeverisë së re. Është e rëndësishme që shumica e re paralamentare të ketë përgjegjësinë për vendimin e 700.000 qytetarëve, dhe të këtë përgjegjësi që kjo shumicë do t’i përmbushë.

Para opinionit janë shfaqur tezat se deklaratat që kanë ardhur deri më tani nga Departmenti i Shtetit dhe nga ambasada e SHBA-së janë „deklarata private” të kuadrit të administratës së Obamës. A i dementuan këto spekulime vizita dhe deklaratat e Hojt Ji?

Mesazhi i zëvendëssekretarit të shtetit të Shteteve të Bashkuara për Europën dhe Euroazinë zotrit Hojt Ji është shumë i qartë, dhe këto deklarta janë të njëjta me qëndrimin e ambasodorit të SHBA-së në Shkup. Të gjithë t‘i mbështesin proceset demokratike për formimin e qeverisë së re. Ky është mesazhi edhe nga Bashkimi Europian dhe këtë presin edhe qytetarët që votuan për ndryshim. Dhe qeveri të re ne Maqedoni do të kemi.

Cili ështe mesazhi kryesor që erdhi nga partneri strategjik i Maqedonisë SHBA nëpërmjet Hojt Ji?

SHBA-ja është partneri më i rëndësishëm strategjik që edhe tani përkrah interesat shtetërore të Maqednosië në proceset tona demokratike. Dhuna nuk i sjell asnjë të mirë Maqedonisë, përkundrazi ajo e tërheq nga e kundërta. Kryetarët e çdo partie politike dhe të institucioneve duhet të marrin përgjegjësi dhe ta çojnë vendin në drejtim të të drejtave demokratike, të cilat i hapin rrugën shtetit për një të ardhme euroatlantike.

Dhuna në parlament më së miri tregon për metastazat e partisë qeverisëse. Nësë në parlament u sulmuat nga nëpunës të Ministrisë të Punëve të Mbrendshme, të Ushtrisë dhe të Sigurimit të Shtetit, a mund të marrim përgjegjësi vetëm 15 persona për këtë? Cilët janë ata që mobilizojnë protestuesit për dhunë, dhe ata që i hapën dyert e parlamentit që të hynin turmat e njerëzve?

Duhet të vihen para përgjegjësisë edhe ata që e kryen skenarin e përgjakosjes në Parlament, edhe ata që e porositën atë. Pas kërkesës për amnesti të organizantorëve dhe motivuesve të protestave, po ashtu edhe nga reagimi i djeshëm i VMRO-DPMNE-së që e arsyeton dhunën, është tani e qartë cilët janë porositësit – Nikola Gruevski dhe udhëheqsija e VMRO-DPMNE-së së bashku me Ibanovin, Velanovskin dhe Çavkovin. Është e qartë se bëhet fjalë për dhunë të organizuar nga njerëz të instucioneve dhe vetë kjo është një fakt që duhet sa më parë të bëhen ndryshime. Ndryshime do të ketë. Të gjithë ata që bëjnë tentime të tilla ndaj opinionit dhe qytetarëve duhet nxirren përpara drejetësisë. Me bashkëpunim me ekspertë publikë dhe me qytetarët do të vendosim profesionalizm, drejtësi dhe pavarësi në sistemet udhëheqëse. Po ashtu do t’i çlirojmë institucionet që të punojnë të pavarura, në interes të qytetarëve. Ky është një proces që ne do të rinovojmë sistemin e shtetit, i cili sikurse shihet ka mebturina të regjimit që është në rënie.

Ka pasur shumë spekulime prandaj desha t’ju pyes: A ju ka kërkuar direkt apo indirekt Gruveski amnesti për veten dhe për rrethin e tij të ngushtë partiak, dhe atë familjar?

Po, kjo që bën Gruevski është për të mundësuar që bëjë Pazar për amnestinë. Amnesti nuk do të ketë. Për të gjitha at që ka dëgjuar opinioni se ç‘ka bërë Gruevski, ai do të dalë para gjyqit. Do të ketë sistem të pavarur të gjykatave dhe gjyqi do të vendosë për fatin e tij. Por shmangie nga drejtësia nuk do të ketë. U kam premtuar qytetarëve se Maqedonia do të jetë me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. (Intervistoi: Katerina Blashevska )

Deputetë të VMRO-DPMNE-së bllokojnë zyrën e Talat Xhaferit

XhaferiDeputetë të partisë VMRO-DPMNE e kanë zënë zyrën e kryetarit të parlamentit dhe nuk ia lirojnë atë kreut të sapozgjedhur, Talat Xhaferi. VMRO-ja thotë se zoti Xhaferi nuk u zgjodh në mënyrë të ligjshme. Por, ndryshe mendojnë ekspertët ligjorë në Maqedoni. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se po pret që vendimi për zgjedhjen e Xhaferit në krye të parlamentit të dalë në fletoren zyrtare.

Ish-kryetari dhe kryesuesi i seancës konstituive pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit, Trajko Veljanovski nuk ia dorëzon zyrën kryetarit të zgjedhur më 27 prill, Talat Xhaferit dhe kjo situatë duket se çon edhe më tej drejt thellimit të krizës. Madje një grup ligjvënësish të partisë VMRO-DPMNE në krye me Nikolla Gruevskin, ish–kryeministër, janë futur në zyrë, e kanë bllokuar kabinetin dhe nuk kanë lejuar zotin Xhaferi të hyjë. Ky i fundit nuk është prononcuar mbi këto zhvillime, ndërsa përfaqësuesit e VMRO-së nuk kanë lejuar as qasjen e medias.

Ekspertët ligjorë, siç është profesori Mersim Maksuti vlerësojnë se kryetari i ri i parlamentit duhet të marrë të gjitha detyrat që i takojnë me ligj:

Të gjitha ingerencat kalojnë tek kryetari i ri, Talat Xhaferi, duke përfshirë edhe ]ështjen e sigurimit të tij personal dhe të gjitha të drejtat që i gëzon si kryetar i parlamentit të këtij vendi”, thotë z. Maksuti.

VMRO-DPMNE nuk e njeh legjitimitetin e Talat Xhaferit duke u përpjekjur për ta vënë në dyshim mënyrën e zgjedhjes së tij.

Në lidhje me zërat se partia apo subjekte të afërta me VMRO-në të mund ta kontestojnë zgjedhjen e zotit Xhaferi përmes një nisme në Gjykatën Kushtetuese, analisti Maksuti është i bindur se vendimi i fundit i parlamentit nuk mund pengohet:

Gjykata Kushtetuese edhepse ka të drejtë të vlerësojë kushtetutshmërinë e akteve juridike, pra edhe të veprimeve politike, në rastin konkret, zgjedhja e kryetarit të parlamentit është krejtësisht legjitime dhe në asnjë moment Gjykata Kushtetuese nuk mund ta kontestojë tashmë vendimin e ri të parlamentit të Maqedonisë, i cili me shumicë votash zgjodhi kryetarin e ri, z. Talat Xhaferin”, thotë eksperti ligjor Mersim Maksuti.

Maksuti thotë se hapi i ardhshëm që i takon Xhaferit ta bëjë, është që ta njoftojë me shkrim presidentin e vendit Gjorgje Ivanov për shumicën ekzistuese në parlament dhe t’i kërkojë atij që ta japë mandatin për formimin e qeverisë.

Në këtë kuadër, kreu i parlamentit Xhaferi ka paralajmëruar se do t’i lejojë një afat prej dhjetë ditësh presidentit lidhur me mandatin, në të kundërt parlamenti do të vepronte përmes alternativave që i mundësojnë ligjet dhe kushtetuta e vendit.

Nga ana tjetër, edhepse gjatë takimeve të së hënës të zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, u duk se qëndrimet, sidomos të presidentit Ivanov të ishin zbutur, për sa i përket formimit të qeverisë, mbështetësit e VMRO-së nuk heqin dorë nga protestat përpara parlamentit. Ata kanë njoftuar për vazhdimin e protestave të marten në mbrëje, ndërkohë që një pjesë e protestuesve të dhunshëm të cilët sulmuan deputetët më 27 prill i kërkojnë presidentit të vendit që të shpallë amnisiti për të akuzuarit. Edhe VMRO-DPMNE bën thirrje për ndalimin e arrestimeve duke i quajtur të pafajshëm ata që u përfshinë në sulmet e dhunshme kundër ligjvënësve të Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selës të Aleancës për Shqiptarët dhe duke i cilësuar këta të fundit si provokues dhe nxitës të skenarëve të dhunshëm. (voa)