Vetëvrasjet kibernetike, prokurori belg: Rrezik nga “Balena Blu”

prokurori belgPas takimit të prokurorëve që diskutuan për luftën kundër krimeve kibernetike, prokurori federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuw u ka bërë një apel prindërve që të njoftojnë autoritetet për çdo ndryshim në sjelljet e fëmijëve.

Ky apel vjen pas vetëvrasjeve të shumta të adoleshentëve në disa vende të Evropes, të cilët kanë rënë në grackën e lojës vdekjeprurëse “Balena Blu”.

“Bota dixhitale nuk njeh kufij. Nuk e di si është siuata në Shqipëri, por do të jetë shumë e dobishme të verifikojmë nëse ekziston edhe këtu ai lloj problemi. Nuk do të çuditesha nëse do ta zbulonit edhe këtu sepse është një problem i fshehur dhe duhet marrë seriozisht nga efektivët e policisë. Mund të ketë prindër të gatshëm të raportojnë se fëmijët e tyre po bëjnë diçka të çuditshme sepse sfidat duken si të pafajshme. Duhet të hyjmë gjithashtu brenda bisedave të tyre për të parë kush është i përfshirë në këtë problem. Ndaj kjo është edhe një thirrje për prindeëit. E bëmë këtë edhe në Belgjikë, që të ndërgjegjësohen për çdo ndryshim sjelljeje të fëmijës sepse është pak a shumë i njëjti problem që patëm me fëmijë të izoluar nga interneti, që vendosën të shkonin në Siri e të luftonin atje, apo edhe gra që shkuan në Raka. Është thuajse i njëjti problem”, deklaron Van Leeuw.

Por çfarë masash duhen ndërmarrë në këtë situatë?

“Ka shumë gjëra që mund të bëjmë. Së pari duhet t’i mbrojmë të rinjtë dhe të fillojmë të marrim masa mbrojtëse. Duhet të komunikojmë me median, duhet të bëjmë kujdes sepse ai lloj komunikimi mund të provokojë vetëvrasje të tjera dhe në nivelin e shkeljeve kriminale duhet të gjejmë personat që e kanë këtë ide. Por problemi me botën dixhitale është se brenda një kohe të shkurtër gjërat përhapen shpejt, sepse mesazhi ripërhapet nga persona të tjerë, ndaj është e vështirë të gjesh kush e pati idenë fillestare”, ka thënë Van Leeuw.

Prokurori federal pohon se tashmë loja vdekjeprurëse “Balena Blu” është një sfidë që kërkon zgjidhje në nivel europian.

“Sfida e lojës “Balena Blu” është një fenomen krejtësisht i ri. E zbuluam dhe ne në Belgjikë. Problemi më i madh me këtë fenomen është se agjencitë e zbatimit të ligjit nuk janë në dijeni mbi të. Neve na u desh gjithashtu të zbulonim çfarë shkeljeje është bërë, ku është bërë dhe gjendesh përballë një lloj sfide ku shkëmbehen dhe 50 sfida të tjera. E fundit fare është të bësh vetëvrasje. Ka shumë adoleshentë të përfshirë. Ne për momentin kemi diktuar 18 “file” në Belgjikë dhe ka edhe “file” në Francë e Holandë, prandaj vendosëm të mblidhnim të gjithë prokurorët në Belgjikë që të kishim një panoramë sa më të qartë të problemit. Gjithashtu duam që këtë çështje ta zgjidhim në nivel europian”, ka shtuar Van Leeuw.

/ Top Channel

Kurti: Drenasin ata që e kanë konsideruar bastion, e kanë shkatërruar

Albin KurtiIsh-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i nominuari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Drenasin. Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Drenasi dikur ka qenë i industrializuar, e sot falë privatizimit të korruptuar, është varfëruar.

Shkrimi i plotë i Albin Kurtit:

Që Lëvizja po rritet në krejt Kosovën, e vërteton entuziazmi që gjetëm në Drenas, ku i bëmë disa takime në qytet e në fshatra.

Drenasin ata që e kanë konsideruar bastion, e kanë shkatërruar. Drenasi dikur ka qenë i industrializuar, e sot falë privatizimit të korruptuar, është varfëruar.

Politikat tona janë për rivitalizimin e industrisë, që do të thotë ringjallje e Ferronikelit i cili sot funksionon me punësim minimal e fitim maksimal.

Po ashtu politikat tona për zhvillimin rural do t’i ndihmojë fshatrat e Drenicës dhe krahinave të tjera që të zhvillojnë bujqësinë, por edhe që të kenë infrastrukturë, arsim e shëndetësi cilësore pranë vendbanimeve të tyre.

Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk justifikojnë pasurinë

Gjykata KushtetueseAnaliza e deklaratave të ILDKPKI tregon se shtatë nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e justifikojnë pasurinë e tyre të paktën në një vit të deklarimit, ndërkohë që vlerat e larta të parave cash ngrenë pikëpyetje mbi burimin e tyre.

Të vendosur nën projektorët e opinionit publik dhe të komunitetit ndërkombëtar, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ngritën kartonin jeshil dhe i hapën rrugën zbatimit të ligjit të vetingut në dhjetor të vitit 2016. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese rrezikojnë të mos e kalojnë testin e vetingut në lidhje me pasurinë e tyre të deklaruar.

Analiza e detajuar e deklaratave të pasurisë së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përgjatë viteve 2003-2015 tregon se shtatë nga nëntë anëtarët e kësaj gjykate nuk e justifikojnë pasurinë e tyre në një ose më shumë vite të deklarimit.

Pasuria e pajustifikuar, sipas kontrollit aritmetik logjik të deklaratave të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë kap vlerën e më shumë se 35 milionë lekëve, ose 11 për qind të aseteve totale neto.

Të dhënat e BIRN vijnë si rezultat i analizës së thelluar të 106 deklaratave të pasurisë, të dorëzuara nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë nga viti 2003 deri në fund të vitit 2015.

14 prej deklaratave të analizuara rezultojnë me probleme, ku pasuria e shtuar nuk mbulohet nga të ardhurat e deklaruara. Sipas kësaj analize, vetëm dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e kalojnë testin e justifikimit të pasurisë me burime të deklaruara.

Pasuria e gjyqtarëve të Kushtetueses është dyfishuar përgjatë 12 viteve. Në vitin 2003, ata kanë deklaruar në total 160 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2015, pasuria e tyre kap vlerën e më shumë se 364 milionë lekëve.

Fatos Lulo rezulton gjyqtari më i pasur i Kushtetueses, i ndjekur nga gjyqtari Vladimir Kristo të cilit i ka përfunduar mandati. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se kryetari i gjykatës, Bashkim Dedja ka shënuar rritjen më të madhe në vlerë nga viti i pari i deklarimit deri në fund të vitit 2015, i pasuar në vend të dytë nga Fatmir Hoxha.

Njësoj si gjyqtarët e tjerë të Shqipërisë, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë preferuar tregun e pasurive të paluajtshme për të investuar të ardhurat e tyre. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 55% e pasurisë së tyre përbëhet nga pasuritë e paluajtshme, me një vlerë totale të deklaruar prej 1.6 milionë dollarësh.

Llogaritë bankare zënë 26 për qind të pasurisë, paratë cash 15 për qind, automjetet 3 për qind dhe sendet me vlerë të veçantë vetëm 1 përqind.

Në praktikat më të mira ndërkombëtare, vlerat e larta të parave cash ngrenë pikëpyetje mbi trendin e transaksioneve apo burimin e pasurisë së funksionarëve shtetërorë. Por ndonëse ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive ka vendosur si limit të parave që mund të mbahen në shtëpi shumën e 1.5 milionë lekëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e tejkalojnë shumëfish këtë vlerë.

Sipas analizës së BIRN, nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë deklaruar në ILDKP se zotërojnë në total më shumë se 54 milionë lekë cash ose 450 mijë dollarë. Të dhënat tregojnë se gjyqtari me pasurinë më të madhe, Fatos Lulo deklaron edhe vlerën më të larta të parave cash me rreth 18 milionë lekë.

E dyta në listë me rreth 14.5 milionë lekë cash të deklaruara është gjyqtarja Altina Xhoxhaj, ndërsa pas saj vjen gjyqtari Gani Dizdari me më shumë se 9 milionë lekë cash.

Paga nga funksioni përbën vetëm gjysmën e të ardhurave në portofolin familjar të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në deklaratat e tyre të pasurisë evidentohen si të ardhura edhe pagat e familjarëve, fitimi nga shitblerjet apo qiratë e pasurive, mësimdhënia apo dhuratat në cash. Ndërkohë, detyrimet më të mëdha të tyre janë kreditë bankare, detyrimet ndaj shoqërive të ndërtimit apo huamarrjet pa afat dhe interes ndaj të afërmve apo rrethit familjar.

Nga totali i deklaratave të analizuara, BIRN arriti në përfundimin se pasuria e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese reflekton një sërë trendesh të dyshimta, të cilat lidhen me mbajtjen e shumave të larta të parave cash, huamarrjes në vlera të konsiderueshme nga familjarët apo detyrime të larta të pashlyera ndaj kompanive të ndërtimit.

Por pavarësisht se këto të dhëna duhet të ngrejnë këmbana alarmi për inspektorët e kontrollit, asnjëri prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë pjesë e hetimeve për pasurinë e tyre. (voa)

Banka Botërore miraton kuadrin e ri të partneritetit me Kosovën

World BankBanka Botërore bëri të ditur se “bordi i drejtorëve të kësaj banke, ka miratuar Kuadrin e Partneritetit me Kosovën për periudhën 2017-2021, me të cilën synohet të ndihmohet Kosova për t’u krijuar qytetarëve mundësi për jetë më të mirë”.

Në njoftimin e Bankës Botërore në Kosovë thuhet se “financimi për projekte në Kosovë gjatë kësaj periudhe vlerësohet se do të jetë 210 deri në 280 milionë dollarë. Kreditë për Kosovën ende do të jenë me kushte koncesionale, shkallë të ulët interesi dhe me kohë të gjatë të kthimit”.

Përkrahja, sipas kësaj banke “do të përqendrohet në tri shtylla: shpejtimi i rritjes ekonomike përmes sektorit privat dhe krijimi i punësimit, përmirësimi i shërbimeve publike dhe promovimi i energjisë së qëndrueshme”.

Ministria e Financave në qeverinë e Kosovës tha se “investimet e Bankës Botërore në Kosovë do të ndihmojnë institucionet e Kosovës në rritjen e punësimit dhe të produktivitetit, uljen e mëtutjeshme të varfërisë, përmirësimin e sistemit të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe forcimin e sektorit të energjisë”.

Po ashtu sipas ministrisë së financave, ky partneritet mbështetë përparësitë ekonomike dhe sociale të qeverisë së Kosovës të paraqitura në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës për periudhën 2016-2021, si dhe Programin e Reformave Ekonomike.

Në qershor të vitit 2009 Kosova u bë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe anëtarësimi që vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë. (voa)

Një portret i autorit të sulmit në Mançester

MancesterSulmi terrorist në Mançester ishte më i rëndi në Britani në më shumë se një dekadë dhe xhihadisti që e kreu atë vrau e plagosi njerëz me të cilët ai ishte rritur – duke e bërë edhe më të tmerrshme mizorinë për banorët.

Ndërsa qeveria britanike ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në ‘kritik’, zyrtarët filluan të japin më shumë hollësi për autorin e sulmit, 22-vjeçarin Salman Abedi, për atësinë e tij libiane dhe lidhjet e dyshuara me një rrjet të njohur rekrutuesish për ISIS-in dhe grupe të tjera xhihadistësh.

Sipas anëtarëve të familjes, Salman Abedi sapo ishte kthyer nga një udhëtim tre javor në Libi. Burimet e policisë britanike thonë se udhëtimi ngre mundësinë që ai të ketë takuar anëtarët e degës së grupit terrorist në këtë vend të Afrikës së Veriut dhe të jetë stërvitur për sulmin me bombë që do të kryente.

Por figura e këtij vrasësi masiv, i cili paketoi pajisjen eksplozive duke e mbushur me gozhdë e bullona për të vrarë sa shumë njerëz, shfaqet komplekse.

Disa fqinjë e përshkruajnë Abedin si tifoz të futbollit të Manchester United dhe entuziast të lojrave kompjuterike. Ata thonë se tek ai nuk dukeshin shenja radikalizimi, edhe pse e kishte lënë shkollën. Shërbimet britanike të sigurisë pranojnë se Abedi ishte i njohur për ta – ka disa raporte që shërbimi i zbulimit mund të ketë tentuar ta bindë Abedin të veprojë si informator – por ata nuk e shihnin atë si shumë të rrezikshëm.

Të tjerë, megjithatë, e përshkruajnë Abedin si një djalë të ri plot zemërim, i cili denoncoi një udhëheqës të xhamisë lokale për kritikat e ndaj ISIS-it. Ata thonë se ai filloi të lutet hapur në rrugë.

Imami Mohammed Saeed, u tha gazetarëve se Abedi e ndërpreu ardhjen në xhaminë e tij në vitin 2015, pasi ata patën një grindje mbi ISIS-in. “Salmani vinte në xhami herë pas here, veçanërisht ndaj meje nuk ishte miqësor, sepse nuk i pëlqenin predikimet e mia kundër grupit Shteti Islamik (ISIS). Ai nuk i pëlqente fjalët e mija dhe më tregoi fytyrën e urrejtjes. Pas kësaj, filloi të vinte në xhami gjithnjë e më pak”, thotë imami.

Abedi ka lindur në Mançester në vitin më 1994, i treti nga katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Prindërit e tij ishin emigrantë libianë që u vendosën në këtë qytet verior të Anglisë pasi kishin ikur nga regjimi i Moammar Gadhafit në vitin 1980.

Babai i tij, Ramadan Abedi, një ish-roje sigurie në Aeroportin e Manchesterit, u kthye në Libi në vitin 2011 për t’u bashkuar me kryengritjen kundër diktatorit libian. Që nga përmbysja e Gadafit, prindërit e tij kanë kaluar më shumë kohë në Libi sesa në shtëpinë e tyre në Mançesterin e jugut, më pak se 3 kilometra nga skena e sulmit me bombë të hënën.

Emigrantët libianë në Mançester thonë se babai i Salmanit ishte shumë kundërshtues ndaj ideologjinë xhihadiste. Ai thoshte se ajo që bën ISIS-i nuk është xhihad, por krim.

Sipas gazetës Daily Mirror, Abedi ishte mik i familjes së Raphael Hostey, i njohur edhe si Abu Qaqa al-Britani, i cili ndihmoi në rekrutimin e britanikëve të tjerë të rinj për Shtetin Islamik nëpërmjet mediave sociale derisa u vra në një sulm të telekomanduar në Siri vitin e kaluar. Burimet e policisë britanike thonë se lidhjet e tij me Hosteyn po shqyrtohen nga zyrtarët e anti-terrorizmit që dyshojnë se Abedi mund të ketë qenë pjesë e një celule terrori, dyshim i shtuar nga një udhëtim që ai bëri në Libi në prag të sulmit të së hënës.

Policia gjithashtu mbetet skeptike që Abedi të mund ta kishte ndërtuar bombën vetëm, për shkak të sofistikimit të saj.

Abedi ndoqi shkollat lokale në Mançester dhe pastaj vazhdoi studimet e biznesit dhe menaxhimit në Universitetin Salford aty pranë. Në një deklaratë, një zëdhënës i universitetit e përshkroi atë si “krejtësisht jashtë kontrollit. Abedi vazhdoi studimet për dy vjet dhe pastaj i ndërpreu.

Vitin e kaluar Abedi dhe vëllai i tij më i madh, 23-vjeçari Ismail, ishin aktivë në faqet e mediave sociale, duke vlerësuar xhihadistët. Policia arrestoi Ismailin të hënën natën pas shpërthimit. Ai jepte mësime në arabisht në xhaminë e Didsburyt dhe, sipas vendësve, u raportua në polici pas shqetësimeve për atë që ai u mësonte nxënësve.

Policia po shqyrton gjithashtu lidhjet midis vëllezërve Abedi dhe një tjetër britaniko-libiani nga Mançester, Abdalraouf Abdallah, i cili u dënua me 9 vjet burgim nën akuza për financimin dhe përgatitjen e akteve terroriste.

Disa analistë argumentojnë se për Abedin ka pasur shumë shenja paralajmëruese. Në një studim të kohëve të fundit rreth xhihadistëve të rinj britanikë, studiuesja Emma Webb vë në dukje një dështim të agjencive dhe institucioneve të ndryshme arsimore për të ndarë informatat rreth individëve të prekshëm ndaj radikalizimit. Ajo i bën thirrje policisë dhe shërbimeve sociale të ndajnë informacionin e duhur për individë të tillë, që pamja e plotë e tyre të bëhet e njohur nga të gjitha agjencitë. (voa)

Në prag të takimit të nivelit të lartë NATO-s në Bruksel

NatoUdhëheqësit e NATO-s po mblidhen në Bruksel, për të marrë pjesë në takimin e 25 majit, ku ata pritet të bien dakord për parimet kryesore të Aleancës. Pas sulmit të së hënës në Britani, pritet që të ketë një konsensus lidhur me nevojën për të vazhduar luftën kundër terrorizmit si brenda, edhe jashtë vendeve anëtare, në vende si Afganistani. Se si do të bëhet kjo, është një çështje tjetër, që mbetet për t’u parë.

E ardhmja e luftës në Afghanistan është një nga çështjet kryesore për të cilat udhëheqësit europianë shpresojnë të mësojnë më tepër kur të takohen me Presidentin Donald Trump. Udhëheqësi amerikan kërkon shtimin e kontributeve nga vendet anëtare të NATO-s në angazhimin e tyre në Afganistan.

Por kancelarja gjermane Angela Merkel ka lënë të kuptohet se nuk është entuziaste për këtë propozim dhe se do të presë që çështja të diskutohet në NATO:

“Ne jemi duke koordinuar bashkëpunimin e rreth 20 vendeve anëtare që janë aktive atje. Unë do të pres për marrjen e një vendimi për këtë çështje. Nuk jam e mendimit që ne jemi të parët në radhë për ta zgjeruar kapacitetin tonë atje,”- tha zonja Merkel.

Përveç luftës në Afganistan, zoti Trump e ka bërë të qartë se ai do që vendet anëtare të përmbushin kuotat minimale dhe të shpenzojnë 2 për qind të të ardhurave kombëtare për mbrojtjen. Udhëheqësit europianë presin që në takim të ritheksohet se përpjekja e NATO-s kundër terrorizmit shtrihet përtej Europës dhe Atlantikut.

“NATO-ja është një mekanizëm botëror. Mendoj se është koha që ajo të zgjerohet, sidomos tani për të luftuar ISIS-in. E di që kjo është çështje e debatueshme, por nëse trajtohet me kujdes, atëherë vendet e NATO-s do të pranojnë se është momenti që autoriteti i Aleancës të shttihet përtej Irakut, për t’u marrë me ISIS-in. Mendoj se është shumë më mirë që fuqia amerikane të përdoret në mënyrë globale përmes NATO-s,” thotë ish-Ministri i Jashtëm britanik, David Owen.

Edhe Rusia do të jetë një temë e rëndësishme diskutimi për udhëheqësit europianë, si në takimin e NATO-s, edhe në atë të G-7-ës në Itali. Gjermania, Austria dhe vende të tjera, shpresojnë për një drejtim të ri në marrëdhëniet me Moskën pas krizës së Ukrainës, ngaqë sanksionet e vazhdueshme ndaj Rusisë kanë krijuar presion tek vendet e Europës Perëndimore, që varen nga eksporti i energjisë ruse.

Shpresa e madhe për udhëheqësit europianë është se takimi ballë për ballë me zotin Trump, dhe përsëritja prej e tij e sigurimeve se NATO-ja nuk është e vjetëruar, do të zbutë shqetësimin e tyre lidhur me rolin amerikan si garantuesi i sigurisë në Europë.

Sipas disa njoftimeve, nga burime të NATO-s, zyrtarët nuk do të dalin menjëherë me një deklaratë, siç ndodh zakonisht në takime të ngjashme. Kjo do të varet nga ato që do të thuhen në takim. Në këto kohë tranzicioni dhe të papriturash, kjo është diçka që nuk mund ta parashikojë askush. (voa)

Mogherini takohet me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor

Kryeministrat BallkanShefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u takua të mërkurën në mbrëmje me kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimore për të diskutuar situatën në rajon.

Takimi joformal synon debatet rreth zhvillimeve të fundit në rajon dhe rreth pikëpamjeve të përbashkëta për të ardhmen evropiane të rajonit.

Zonja Mogherini tha më herët gjatë ditës se do të takojë kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë “për të diskutuar gjendjen në rajon, rrugën përpara dhe se si mund t’i forcojë Bashkimi Evropian mundësitë dhe perspektivat për marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe të secilit prej këtyre vendeve me BE-në si dhe të konsolidojmë atë që ne i referohemi normalisht si fuqia transformuese e perspektivës evropiane me qëllim të zhvillimit të shoqërive gjithëpërfshirëse, qeverisjes së mirë por edhe ekonomive të qëndrueshme“.

Ajo u shpreh e inkurajuar me disa nga zhvillimet pozitive siç është hapja e rrugës për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Takimi i sontëm tha ajo, është një mundësi e mirë për të “ndërtimin e një mirëkuptimi rajonal dhe për të përcaktuar rrugën e ecjes së përbashkët në rrugën evropiane“.

Në takimin e sontëm që ka për qëllim edhe përgatitjen e takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimore dhe BE-së që do të zhvillohet në Trieste të Italisë në fillim të muajt korrik, do të diskutohet edhe për vizitën që zonja Mogherini, kishte zhvilluar në muajin mars në gjashtë vende të Ballkanit perëndimorë në përpjekje për t’i siguruar ato se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për zgjerim, me gjithë krizën në të cilën ndodhet ai.

Ajo i kishte cilësuar tensionet ne rajonin e Ballkanit perëndimorë si “skajshmërisht të rrezikshme” gjë që sipas saj shton nevojën që Bashkimi Evropian të veprojë me përkushtim për të siguruar ardhmëri evropiane për rajonin.

Zonja Mogherini ka shprehur besimin se fuqia e BE-së në rajon është e lidhur me besueshmërinë e integrimeve evropiane. (voa)

Hoyt Brian Yee: kujdes ndaj qasjes ruse në Ballkan

Hoyt VucicZëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee, tha të mërkurën në Beograd se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Ballkanin perëndimorë për të mbështetur rrugën evropiane të vendeve të rajonit, ndërsa do të ndjekin me vëmendje qasjen e Rusisë në atë zonë.

Pas takimit me presidentin e zgjedhur të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre dhe të aleatëve.

E dimë nga përvoja se synimet prapa shumë veprimeve ruse nuk janë të mira dhe nuk janë në interes të vendeve të rajonit“, tha ai, duke përmendur ngjarjet e tetorit të vitit të kaluar në Mal të Zi, kur autoritetet në Podgoricë thanë se rusët ishin përfshirë në një përpjekje për grusht shteti, pjesë e orvatjeve për te penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Shpresojmë se Rusia do të luajë një rol konstruktiv në Ballkan, sic ka bërë në të kaluarën. Por duhet të jemi të syçelë. Kudo që është e mundur, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Rusinë, por atje ku ndeshen interesat, vlerat dhe synimet tona, do t’i mbrojmë fuqishëm interesat amerikane sikurse edhe interesat e aleatëve dhe partnerëve tanë“, tha ai.

Zyrtari amerikan tha se politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimorë nuk ka ndryshuar pas zgjedhjes së presidentit, Donald Tramp, dhe se ajo mbështetet mbi interesat amerikane që kanë të bëjnë me sigurinë dhe demokracinë.

Bashkëpunimi konkret në ekonomi, siguri, luftë kundër krimit dhe terrorizmit, mund të jetë edhe më i fuqishëm. Duhet të vazhdojnë përpjekjet edhe për zgjidhjen e mospajtimeve dhe zhvillimin e lidhjeve më të mira ndërmjet fqinjëve. Kur bëhet fjalë për Serbinë, kemi biseduar për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve ndemjet Prishtinës dhe Beogradit. Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që po e ndihmojnë këtë proces si dhe bashkëpunimin dhe pajtimin ndërmjet shteteve të rajonit“, tha zoti Hoyt Brian Yee.

Ai tha se procesi i integrimeve evropiane mund të përshpejtohet por për këtë duhet vullnet i fortë i vende kandidate dhe Bashkimit Evropian.

Procesi mund të përshpejtohet nëse palët kryejnë pjesën e tyre të punës“, tha ai duke nënvizuar se qeveritë duhet të zbatojnë reformat madje edhe atëherë kur ndjehen të lodhura.

Serbia, një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Ajo vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës me të cilën është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. (voa)

SHBA: qeveria ngre padi ndaj firmës Fiat-Chrysler

Chrysler FiatQeveria amerikane ka ngritur një padi civile kundër prodhuesit të makinave Fiat Chrysler për përdorimin e një programi të paligjshëm me qëllim shtrembërimin e të dhënave mbi sasinë e gazit që lëshohet në mjedis nga automjetet e saj me naftë.

Padia e paraqitur të martën pason akuzat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të bëra në muajin janar.

Programi fsheh lëshimin e oksidit të azotit, duke bërë që automjetet të duken sikur përmbushin rregullat e përcaktuara nga “Akti për ajër të pastër”, në një kohë kur makinat lëshojnë më shumë gaz se sa lejohet.

Bëhet fjalë konkretisht për modelet e vitit 2014 deri 2016 të Grand Cherokees dhe Dodge Ram 1500.

Fiat Chrysler nuk komentoi lidhur me padinë, por aksionet e kompanisë ranë me 2.9 për qind.

Në vitin 2015, prodhuesi i makinave “Volkswagen” u kap duke përdorur një pajisje të ngjashme për të mashtruar standardet e lëshimit të gazit në mjedis. Volkswagen pranoi se kishte mashtruar dhe u gjobit me 20 miliardë dollarë ndërsa u paditën dhe shtatë drejtues të kompanisë. (voa)

Amazon do dhurojë 1 milion dollarë për lirinë e shtypit

AmazonThemeluesi i kompanisë Amazon Jeff Bezos ka premtuar të dhurojë 1 milionë dollarë për të mbështetur lirinë e shtypit, deklaroi të mërkurën Komiteti i Gazetarëve për Lirinë e Shtypit.

“Kjo dhuratë bujare do të na ndihmojë që të vazhdojmë të zgjerohemi, të ofrojmë mbështetjen tonë ligjore dhe edukative për shumë organizata të tjera shtypi dhe të shtojmë shërbimet tona për gazetarët e pavarur, redaksi jofitimprurëse dhe autorë dokuemtarësh”, tha kryetari e Komitetit të Gazetarëve, David Boardman.

“Do të kemi më shumë mundësi që të ndihmojmë mediat lokale, organizatat e prekura më rëndë nga goditja e industrisë së informacionit, mbijetesa e të cilave është po aq thelbësore për demokracinë amerikane sa edhe ato institucione që janë të vendosura në Uashington dhe Nju Jork”.

Ky dhurim nga Bezos, i cili ka në pronësi edhe gazetën “The Washington Post”,është më e madhja që ka marrë ndonjëherë kjo organizatë.

Komiteti i Gazetarëve njoftoi gjithashtu se do të mbështesë organizatën “First Look Media” dhe do të ndihmojë në menaxhimin e fondit të saj për lirinë e shtypit. “First Look Media” është ngritur nga themeluesi i eBay, Pierre Omidyar.

Si Bezos ashtu edhe Omidyar e kanë vënë theksin muajt e fundit tek nevoja për mbështetjen e shtypit të pavarur.

Muajin e kaluar oranizata filantropike e zotit Omidyar, Rrjeti Omidyar premtoi 100 milionë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për të mbështetur gazetarinë dhe për të luftuar lajmet e rreme. (voa)