Kosovë, nënshkruhet koalicioni paszgjedhor – pritet të formohen institucionet

koalicioniKoalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, nënshkruan sot koalicion paszgjedhor me Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli. Nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit u bë vetëm disa orë pas largimit të AKR-së nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Marrëveshja pritet t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja, pasi që tashmë koalicioni fitues pritet t’i ketë 63 deputetë, të mjaftueshëm për të formuar qeverinë.

Aleanca Kosova e Re ka fituar katër mandate në parlamentin e Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare kur kishte konkurruar e vetme, kjo parti nuk kishte arritur të kalojë pragun zgjedhor.

Nënshkrimi u bë nga udhëheqësit e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, udhëheqësi i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe udhëheqësi i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Me këtë marrëveshje, Aleanca Kosova e Re pritet që në qeverinë e ardhshme të përfaqësohet me Zv/kryeministër, pesë ministri dhe me shtatë zëvendësministra.

Po ashtu me këtë marrëveshje përfshihet edhe posti i Presidentit të Kosovës, pas përfundimit të mandatit nga ana e Hashim Thaçit.

Në marrëveshje thuhet se “PAN dhe AKR-ja dakordohen që posti i presidentit të Kosovës t’i takoj AKR-së në mandatin e ardhshëm, pavarësisht mënyrës së votimit, qoftë përmes votimit në Parlament, qoftë përmes votimit të drejtpërdrejtë nga populli. Kështu partitë që përbëjnë koalicionin PAN dakordohen që të mos kenë kandidat të tyre për president të vendit duke u obliguar që ta mbështesin kandidatin e AKR-së”, thuhet në marrëveshje.

Në marrëveshje përfshihen edhe postet e ambasadorëve dhe agjencive qeveritare të cilat thuhet se duhet të ndahen në mënyrë “dinjitoze dhe profesionale”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha pas nënshkrimit se marrëveshje është në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Është një marrëveshje për qytetarët e Republikës tonë, për drejtimin tonë perëndimor, për Kosovën e zhvilluar ekonomikisht dhe për perspektivën e të rinjve dhe të rejave tona. Të njëjtën kohë besojmë shumë se do të zbatojmë obligimet që I kemi përballë integrimeve euro-atlantike. Drejtimi jonë drejt Bashkimit Evropian është i palëkundshëm dhe drejtimi për miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë përparësi e jona në katër vitet e ardhshme. Në të njëjtën kohë edhe fqinjësia e mirë, por fuqizimi I shtetit dhe integritetit tonë do të jenë përparësi e punës sonë. Kjo është e mirë për të gjithë qytetarët tanë, ky koalicion është në shërbim të çdo qytetari dhe në shërbim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit”, tha zoti Veseli duke nënvizuar se formimi i qeverisë së re është çështje ditësh.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se çuarja përpara e sfidave me të cilat përballet Kosova e ka shtyrë atë të drejt koalicionit paszgjedhor.

“Me këtë koalicion do t’i shtyjmë proceset përpara. Kemi sfida për të tejkaluar, ato tejkalohen vetëm me mirëkuptim, energji pozitive dhe punë,” tha zoti Pacolli.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se shpreson që të çojë përpara reformat e nevojshme.

“Ky bashkim, jam i bindur që i mundëson Kosovës nisjen shumë të nevojshme. Përgjegjësitë ne i kemi organizu sipas specifikave dhe vlerave që sjellim në qeverisje. Është një periudhë jo shumë e lehtë para nesh, jemi të vetëdijshëm, jemi të bindur se do t’ia dalim”, tha zoti Haradinaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se nga sot hapet rruga e krijimit të institucioneve.

“Nga sot Kosova ka një koalicion me shumicë të konsoliduar dhe përfaqëson shumicën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe nga ky moment mund të llogaritet që është fillimi i ndërtimit të institucioneve të vendit tonë që besoj janë shumë pritur nga qytetarët e Kosovës dhe shpresoj që kjo qeverisje të jetë në shërbim të reformave dhe sfidave që na presin”, tha zoti Limaj

Arritja e marrëveshjes pritet t’i jap fund pritjes për formimin e institucioneve gati tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit.

Isa Mustafa: Kosova brenda gjashtë muajsh në zgjedhje të reja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës tha të hënën në mbrëmje se koalicioni aktual nuk do të mund të zgjasë qeverisjen më shumë se gjashtë muaj qeverisjen.

Në një postim në rrjetin social Facebook, zoti Mustafa tha se “presioni i çdo ditshëm mbi z. Pacolli e bëri të veten. E bëri të veten edhe oferta tepër gjeneroze ndaj biznesmenit Pacolli. Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e “Listës Rugova” dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale. Sepse, një qeverisje, me numra në margjinën e shumicës së nevojshme, nuk mund ta zhvilloj asnjë seancë normale të parlamentit dhe të miratojë ligje e lëre më të marrë vendime të mëdha”,thuhet në reagimin e zotit Mustafa.

Zoti Mustafa thotë se janë “shumë shqetësuese pazaret kaq të mëdha për të qeverisur me çdo kusht. Prapa saj mund të fshihen interesa të mëdha ose frikë e madhe?!”. (voa)

I dyshuari për krime lufte përballë dëshmive të fqinjit të tij

drejtesiaI dyshuar për krime lufte në Kosovë, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës (Therandës), Bogdan Mitroviq, i arrestuar ditë më parë, është duke u mbajtur në paraburgim.

Avokati i tij, Dejan Vasiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. Ndërkohë që një nga fqinjët e tij pretendon se është dëshmitar për veprat penale të Mitroviqit, që ndërlidhen me kime lufte gjatë vitit 1999.

Mitroviq ishte arrestuar më 28 gusht, përderisa me një grup të serbëve po vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të Komunës së Suharekës.

Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

I pandehuri Mitroviq, sipas Gjykatës Themelore në Prizren, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale, krime lufte kundër popullsisë civile sepse, me datën 02 prill 1999, në fshatin Sopi, ishin vrarë 32 persona civilë të paarmatosur nga ana e forcave të armatosura serbe.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informatë për personin me emrin, Mitroviq dhe implikimeve të tij në krime të luftës në Kosovë.

Në momentin që është bërë publik lajmi se është arrestuar, ne kemi shikuar bazën e të dhënave nëse kemi diçka, por nuk figuron në asnjë nga dokumentacionet tona, as në deklaratat. As në dokumentacionet tjera të çfarëdo lloji, emri i tij nuk përmendet askund. Ne nuk kemi asnjë të dhënë për të, por nuk do të thotë se ai nuk është i përfshirë, pasi që ne nuk jemi Prokurori apo polici për t’i pasur të gjitha të dhënat e sakta”, ka thënë Blakaj.

Xheladin Sadikaj nga fshati Sopi, pretendon se është njëri nga dëshmitarët e veprave penale për krime luftë me të cilat dyshohet Bogdan Mitroviq.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai tha se Mitroviq duhet të përgjigjet për veprat që i ka kryer gjatë luftës kundër popullatës civile, kundër popullatës së pambrojtur të fshatit Sopi.

Sadikaj tha se Bogdan Mitroviq ka qenë një prej organizatorëve të masakrës së fshatit Sopi.

Jo vetëm unë, por ka shumë e shumë dëshmitarë të tjerë që vërtetojnë fajësinë e tij. Ky është person i cili është identifikuar. Ai mund të bashkëveprojë me institucionet tona të sigurisë, me gjykatat dhe prokurorinë dhe të vë në shesh të gjithë ata personat të tjerë, pasi që një person i vetëm ka qenë e pamundur të bëjë 32 vrasje”.

Ka dëshmitarë okularë, ka dëshmitarë të cilët e kanë parë, janë dokumentacionet të cilat janë gjetur pranë arkivave që i kanë lëshuar nga vendet përgjegjëse me organizim, me operativën që e kanë pasur dhe me kandidatët që duhet të eliminohen“, thotë Sadikaj.

Ndërkohë, avokati i Mitroviqit, Dejan Vasiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se lënda e Mitroviqit është ende në fazën e hershme të hetimeve dhe se, sipas tij, ende nuk është përcaktuar pjesëmarrja e tij eventuale si pjesëmarrës (në vepër).

Ai ka thënë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm.

“Atë, një fqinj i tij e ka cilësuar si person që ka marrë pjesë në një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1999”, ka thënë Vasiq.

Por, sipas tij, ky dëshmitar nuk ka arritur ta vërtetojë se ka parë vet atë që ka ndodhur, por më shumë ka dëshmuar në bazë të atyre që ka dëgjuar.

Kjo për mua nuk mund të ketë ndonjë peshë të rëndësishme”, ka thënë avokati Vasiq.

Sidoqoftë, ka nënvizuar ai, edhe kjo dëshmi ishte cilësuar e mjaftueshme që në këtë fazë të ngritët procedura hetimore.

Megjithatë, ai ka shprehur edhe habinë e tij se si dëshmitari, Xheladin Sadiku gjatë gjithë këtyre viteve ka heshtur, edhe pse është takuar me Mitroviqin dhe ka vendosur që të dëshmojë në gjykatë pas 18 vjetësh.

Sipas tij, kjo mund të lidhet edhe me probleme pronësore, pasi që Mitroviq, ka thënë ai, ishte afër procedurës për largimin e Sadikut nga lokali, të cilin ai thotë se e kishte uzurpuar.

Megjithatë, Xheladin Sadikaj thotë se prona e Bogdan Mitroviq është e lirë dhe nuk është e uzurpuar.

Prona është e hapur, le të kthehet kur të dëshiron, askush nuk mund t’i thotë që nuk është prona e tij. Askujt nuk i ndalohet e drejta e kthimit. Kosova është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar të kthehen, të cilët nuk kanë kryer krime, madje edhe atyre që përballen me drejtësinë”, thekson Sadikaj.

Bogdan Mitroviq, po mbahet nën masën e paraburgimit. Pritet që organet e drejtësisë të vendosin rreth masave të mëtutjeshme. (rel)

Shkurtimi i buxhetit dhe siguria e shëndetit publik

shpricaPresidenti Donald Trump ka propozuar shkurtime të mëdha buxhetore për studimet e shëndetit global. Ky propozim mund të ndikojë tek puna që po bëhet për të eliminuar malarian, SIDA-n, si dhe për zbulimin e masave mbrojtëse ndaj sëmundjeve të tjera infektive. Megjithëse nuk dihet ende nëse Kongresi do ta miratojë propozimin e Presidentit, prirja shikohet si shqetësuese.

Kur shpërtheu kriza e ebolës në vitin 2014, Dr. Tom Frieden, drejtori i Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, shkoi së bashku me stafin në Afrikën Perëndimore për të ndihmuar përpjekjet në terren. Instituti Kombëtar i Shëndetit financoi punën kërkimore dhe mbështeti përpjekjet e kompanive të mëdha farmaceutike për të prodhuar një vaksinë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit ka luajtur rol thelbësor edhe në luftën kundër SIDA-s dhe malarias. Vdekjet nga SIDA janë përgjysmuar tashmë, krahasuar me vitin 2005, dhe shkencëtarët thonë se gjendet pranë prodhimit të një vaksine për malarian.

Projektbuxheti i Presidentit Trump për vitin 2018 parashikon shkurtime domethënëse për të dyja këto institucione.

“Nëse do të miratohen këto shkurtime, ato do të kishin një efekt të madh mbi sigurinë e shëndetit”, thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Në një raport të Akademisë Kombëtare të Mjekësisë thuhet se përgjigjja ndaj një kërcënimi epidemik kushton rreth 60 miliardë dollarë. Ndërsa, investimi i vazhdueshëm për punën studimore që përpiqet të parandalojë këto rreziqe është vetëm 1 miliardë dollarë në vit”, shpjegon Jami Bay Nishi, e Koalicionit për Teknologjinë e Shëndetit Global.

Investimi i qeverisë amerikane ka prodhuar ilaçe për fëmijët kundër malarias, duke shpëtuar rreth 750 mijë jetë. Një vaksinë e kushtueshme për meningjitin ka parandaluar vdekjen e 400 mijë njerëzve.

Gjithashtu, kompani të mëdha farmaceutike si Johnson & Johnson, thonë se u duhet mbështetja e qeverisë për punën e tyre kërkimore.

“Përfundimisht nuk ja dalim dot të vetëm”, thotë Jamie Taylor, e kompanisë “Johnson & Johnson”.

Kompanitë dhe studiuesit e shëndetit publik, të mbështetur tashmë edhe nga disa ligjvënës republikanë, po kundërshtojnë shkurtimet e propozuara buxhetore.

“Megjithëse nuk do i miratojnë të gjitha, disa shkurtime do kalohen”, mendon J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Nëse do të vijojnë këto shkurtime buxhetore, ekspertët kanë frikë se SHBA-ja do ta humbasë pozicionin e saj si vendi udhëheqës në punën kërkimore mjekësore, dhe bota do të jetë më e ekspozuar ndaj përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. Vendet në mbarë botën, përfshirë SHBA-në, do të jenë më të ekspozuara edhe ndaj bioterrorizmit.

“Është jetike që të mundemi t’i kundërpërgjigjemi çdo sëmundjeje, qoftë në formën e ndonjë sulmi bioterrorist, qoftë në formën e një epidemie natyrale, si ebola”, thotë Elizabeth Cameron, e Iniciativës Kundër Kërcënimit Bërthamor.

Sektori i punës kërkimore dhe zhvillimit shkencor është gjithashtu një ndër krijuesit e rëndësishëm të vendeve të punës në SHBA.

“Investimet e qeverisë amerikane për shëndetin global jo vetëm që shpëtojnë jetë në mbarë botën, por edhe vendet e punës në SHBA, ekonominë amerikane dhe sigurinë e shëndetit amerikan”, thotë Jami Bay Nishi, e Koalicionit për Teknologjinë Shëndetit Global.

Por, sipas Sekretarit të Shëndetit, shkurtimi i kostove administrative nuk do të përkthehet në mbyllje të programeve.

“Mendoj se ajo çfarë po mundohet të bëjë ky projektbuxhet është që ta kthejë fokusin tek gjërat e rëndësishme që duhet të arrijmë me fondet tona”, thotë Sekretari Tom Price.

Kongresi do ta trajtojë sërish këtë aspekt në shtator, kur ligjvënësit të kthehen nga pushimi i verës. (voa)

Samsung në panairin e teknologjisë në Berlin

SamsungKompania Samsung paraqiti në panairin e teknologjisë IFA në Berlin, orën inteligjente më të fundit, që mat aktivitetin fizik. “Samsung Gear Sport” është një orë inteligjente kompakte dhe e papërshkueshme nga uji e pajisur me sistemin GPS. Samsung po e shfrytëzon panairin vjetor të teknologjisë, për të paraqitur risitë më të fundit të matjes së aktiviteteve sportive.

Kjo është ora inteligjente ‘Samsung Gear Sport,’ më e fundit në serinë e aparateve të Samsungut që masin aktivitetin fizik.

Pajisja vjen me një ekran rreth 3 centrimetra që e bën atë më të vogël sesa pajisja tjetër e ngjashme e Samsungut, Gear S3.

“Dallojmë se një madhësi nuk është e përshtatshme për të gjithë. Njerëzit duan madhësi dhe forma të ndryshme në varësi të shijes që kanë. Ka një prirje tani për orë të mëdha që plotësohet nga ora inteligjente S3. Por ora Gear Sport është më kompakte”, thotë Marc Holloway, menaxher i degës evropiane të kompanisë.

Ora ‘Gear Sport’ ka një nivel të lartë të mbrojtjes nga uji, që do të thotë se me të mund të notosh apo edhe të bësh kërcim në ujë, pa e dëmtuar.

Ajo vjen gjithashtu e pajisur me sistemin GPS kështu që mund të masë vrapimin dhe garën me bicikletë pa qënë e nevojshme të lidhet me një telefon inteligjent.

Ka gjithashtu edhe një opsion ku mund të masësh kaloritë që ke marr nga ushqimi, thotë zoti Holloway.

“Mund të vendosësh objektivin e peshës që kërkon të kesh. Mund të monitorosh kaloritë që merr. Pajisja të tregon se si po mban balancën mes kalorive dhe ushtrimeve që ke bërë gjatë ditës. Kjo do të thotë se ke kohë të bën modifikime. Pra në se ora të tregon se ke marr më shumë kalori, atëherë mund të vendosësh të bësh një stërvitje më të gjatë në orët e darkës.”

Pajisja u paraqit në panairin e teknologjisë IFA në Berlin.

Sipas kompanisë Strategy Analytics që analizon tregun ndërkombëtar për këto pajisje, pas një rënie në vitin 2016, tregu i orëve inteligjente po shënon rritje këtë vit.

Nicole Scott, redaktore e faqes elektronike Mobilegeeks thotë se ora inteligjente Gear Sport më në fund po ndërlidh aparaturat që masin aktivitetin fizik në një pajisje të vetme.

“Pyetja është, përse u desh kaq shumë kohë për të integruar të gjitha këto aparatura në një pajisje të vetme. Kemi parë se tregu është rritur por kemi parë gjithashtu një mungesë interesi për shkak të pamundësisë së këtyre produkteve për t’ju përgjigjur kërkesave të konsumatorëve.”

Samsung po paraqet gjithashtu një pajisje tjetër matëse në panairin IFA.

Pajisja ‘Gear Fit2 Pro’ është një variant i ri i orës inteligjente ‘Gear Fit2’.

Ajo është e mbrojtur nga uji dhe mund të masë kaloritë e djegura dhe shpejtësinë gjatë notit.

Pajisja ka gjithashtu një sistem që kupton cfare sporti je duke bërë dhe fillon të ndjek aktivitetin fizik në mënyrë automatike.

” Fit2 Pro është vërtetë një pajisje e së ardhmes. Fakti që ajo mund të gjurmojë notin synon tërheq atë segment të tregut që është shumë i dhënë pas fiskulturës si për shembull, atletët që bëjnë triathlonë. Ose thjesht ata që duan të duken mirë me rroba banjo gjatë gjithë kohës”. Samsungu nuk ka bërë të ditur enden cmimin e dy pajisjeve.

Panairi IFA i teknologjisë në Berlin hapet për publikun më 1 shtator dhe përfundon më 6 shtator. (voa)

Astronautja amerikane Peggy Whitson kthehet në Tokë

Astronautja PeggyAstronautja amerikane Peggy Whitson u kthye të shtunën në mbrëmje në Tokë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, pasi kaloi më shumë kohë në hapësirë se çdo amerikan tjetër.

Whitson zbriti në Tokë, në Kazakistan, me një kapsulë ruse Soyuz. Prej andej ajo shkoi në Gjermani dhe më pas do të kthehet në Shtetet e Bashkuara, qytetin e saj Hjuston.

Në një intervistë për agjencinë “Associated Press” ajo tha se shtëpia e saj në Hjuston nuk është dëmtuar nga stuhia, por Qendra Johnson e NASA-s është përkohësisht e mbyllur pas uraganit.

57 vjeçarja Whitson ka kaluar 665 ditë në hapësirë gjatë tre misioneve të ndryshme, ose rreth një vit dhe 10 muaj jashtë atmosferës së Tokës. Ajo është gruaja më e moshuar që ka shkuar në hapësirë.

Whitson, e cila është biokimiste, e filloi misionin e saj të tretë dhe të fundit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës nëntorin e kaluar.

Gjatë misionit, ajo kreu disa ecje në hapësirë dhe është gruaja e parë që e komandon dy herë stacionin e hapësirës. Së bashku me anëtarët e tjerë të ekipit të astronautëve në Stacioni Ndërkombëtar të Hapësirës ata kryen në hapësirë qindra eksperimente të fushës së biologjisë, bioteknologjisë, fizikës dhe gjeofizikës.

NASA kishte planifikuar një konferencë shtypi me astronauten Peggy Whitson menjëherë pas kthimit të saj në Hjuston, por për shkak të pasojave të uraganit Harvey Agjencia e Hapësirës e shtyu më vonë konferencën. (voa)

Meditime socio-filozofike

Shkrim me shkas:

Meditime socio-filozofike

Shkruan: Bejtullah Sadiku

SENTENCAT E AGREGACIONIT SHQIPTARO-SHQIPTARE
Gjithëkundi në botë, edhe në botën shqiptare, njerëzit presin shumë ma shumë të mira se sa i kanë e se sa u jepen, në raste e me raste të ndryshme, si diçka meritore, si diçka dhuratë, si diçka shpërblim, se e meriton, se i takon e kështu me rradhë.
Këto janë vlera raportesh në mes individëve, udhëheqësve, shefave, drejtorëve, shoqatave e institucioneve shoqërore e shtetërore të një vëndi, gjë që kështu shihet e përceptohet nga pritësit, shikuesit dhe përcjellësit ma objektiv mbi vendimet dhe qëndrimet subjektive të atyreve, që primare kanë plotësimin e kënaqësisë individuale, personale apo të grupit të caktuar, që ata vetë i përkasin apo edhe udhëheqin me paramendime të paracaktuara të dominimit apo të përfitimit?!
Gjeneza e të qenurit të identitetit apo edhe të llojit vet të personalitetit, mund të interpretohet edhe në baza të vlerave standarde që posedohen me fakte e argumente që një komb i ka, pa patur nevojë për falsifikime, hiperbolizime e zmadhime të njerës anë, në ulje e shkelje të palës tjetër.
Shkelja e vlerave të individualitetit dhe grupit si pjesëtarë kolektiviteti e kombi, politikisht kështu dhunohet dhe ate në shumë aspekte:
– dhunim politik, nga vetë pushteti vetëqeverisës i shtetit:
– dhunim politik partijak, nga vetë partija që simpatizon apo admiron në te;
– dhunim ekonomiko-social e egzistencial, skamje, papunësim, vobegtësi e tepruar etj,:
– dhunim arsimorë, me ma shumë apo me ma pak të drejta elementare regjistrimi, edukimi e arsimimi;
– dhunim social, të (pa) siguruar me ma (shumë) (pak) fëmijë ku kanë të drejta apo s´kanë të drejtat që u takojnë etj. etj.
– dhunimi apo tjetërsimi religjioz – që kohëve të fundit është koxha aktual, duke u paraqitur në forma dhe vende të ndryshme etj.etj.
Këto vlera të (pa)drejtash e shumë të (pa)nevojshme janë të klasifikuara në të klasit parë dhe dytë, ku për elitën udhëheqëse e pushtetare shfrytëzohen ndoshta edhe mbi maximumin e duhur, kurse për pjesën dërmuese të shumicës apo anëtarësisë së gjërë, ngelin ëndrra në pritje për ditë më të lumtura!
Kështu lind nevoja dhe shkaku i kërkimit të rrugëve për rrugëdalje nga amullia pushtetore e pushtetmbajtëse ndaj të pafuqishmëve, që shpëtimin gjithmon e shohin në ndërrime e ndryshime e deri në largime nga grupi, partia, shoqëria e vëndi, në kërkim e plotësim të kushteve egzistenciale e jëtësore, për një jetë apo egzistencë sadopak ma dinjitoze.
Nuk duhet harruar se këto janë faktorë përcaktues e determinues që De Facto përcaktojnë dhe determinojnë ngecjen (mos) zhvillimin apo edhe (mos) njohjen për anëtarësim apo zhvillim të mëtutjeshëm të raporteve dhe proceseve të mbetura pas, ku ndieshmërinë ma të madhe reflektuese, mbi shpinë e mbanë pjesa dërmuese e popullit shumicë.
Këto norma, qofshin individuale, grupore, partiake, shoqërore apo shtetërore, te çdo kush përcaktojnë ndjenjat e (jo) sigurisë,ku duhet qenë si forma interpersonale të tija e me një ndarje plotësisht të barabartë me të tjerët, që të mund lirshë, pa rezervë dhe pa frustracion, të përcakton statusin e vet shoqërorë si të barabartë, sa për të tjerët, po aq edhe për veti, si koherencë normative shoqërore, ekonomike e politike.
Lidhur me gjithë këte që thamë, çpo ndodhë në shoqëri, a ka zbatueshmëri të barabartë të akteve ligjore e normative, që bihen, sjellen, aprovohen e që fort më pak zbatohen?!
Për deri sa nuk do ketë zbatueshmëri të mirëfillt, të përpikt, korrekte e objektive, problemet do vazhdojnë si një vazhdimësi e pa përmirsueshme, ku fajsinë dhe fajtorin, në vend se ta gjejmë ne vehte, kujdestarojmë si ta gjejmë edhe aty ku nuk gjindet!!!
Më duket se kështu po ndodhë në shumë sfera të jetës, shtyp, media, kulturë, shkencë, politikë etj.
Ndryshimet dhe realizimi pozitiv si zgjidhje, është manifestim i vullnetit të mirë, kurse zgjatja dhe pritja janë manifestime dhe dëshira të vullnetit të keq, që ndryshe do të thot edhe ushtrim i dhunës pushtetore, sipas tekeve të ndonjë “udhëheqësi”, që është apo s´është i vetëdijshëm se me qëndrimet e veta megalomane, personalisht shkel mbi normat e përcaktuara ligjore e shtetërore, për të cilat me siguri edhe vetë ka ngritur gishtin e PRO-së.
Lidhur me këte pasusin e fundit, ndoshta duhet të jem akoma më konkret, pra:
– Kushtetuta që aprovohet, nga po të njejtit, fort pak edhe zbatohet;
– marëveshjet e ndryshme që përgatiten e sjellen për gjatë kohë, shpejtë edhe vetëshkelen;
– aktet e ndryshme normative e ligjore që i sjellin dhe aprovojnë edhe nëpër Kuvende, të njejtat, nga harresa, nga inati, nga mosdashja i futin në sirtarët e arkivave, që vështirë e kanë dot ti gjejnë, byle edhe në momentet më të nevojshme kohore.
Nga kjo del edhe ky konstatim:
Derisa problemet dhe kontradiktat shoqërore janë të tejdukshme dhe shumë të mëdha, e që kërkojnë domosdoshmërisht zgjidhje, dhe ate si e si ndërmjet dy nocioneve e etniteteve të ndryshme, shqiptarët kemi akoma nevojë të madhe për mësim e këshilla si elemnt obligativ e moral, hapërime me gjykime të shëndosha e pa aspak paragjykime të sëmura, si dhe veprime (sentenca) të rëndësishme për unifikim (agregacion) dhe grumbullim ideshë e veprimesh, që më lehtë të mundim tu përgjigjemi të gjitha provokimeve me kundërvlerë që vijnë në adresë të etnikumit tonë kombëtarë e gjithëshqiptarë.
Respekt!