Rusia dhe SHBA – paralajmërime ekstreme njëra-tjetrës për Sirinë

TrumpRusia kërcënon se do të rrëzojë raketa eventuale të SHBA drejtuar Sirisë, kurse Presidenti Trump i thotë Rusisë të përgatitet për raketat e SHBA.

Rusia i ka paralajmëruar SHBA se çdo raketë e SHBA e lëshuar në Siri në lidhje me një sulm të dyshuar armësh kimike ndaj një zone nën kontrollin e rebelëve do të rrëzohet dhe do të goditen edhe qendrat e lëshimit të raketës. Kjo e ka shtuar mundësinë e një konfrontimi mes SHBA dhe Rusisë.

Sot pasoi përgjigjja nga SHBA. “Bëju gati Rusi”, “raketat do të vijnë”, deklaroi Trump të mërkurën në twitter.

Presidenti i SHBA tha të mërkurën se Rusia “nuk duhet të bëhet partnere me një kafshë që vret me gaz kimik”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu keqardhjen që Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk ishte në gjendje të binte dakord për një gjuhë të përbashkët përballë shkallëzimit të konfliktit në Siri.

Pas një mbledhjeje dyditore të kabinetit të ri qeveritar, Merkeli tha se nuk dëshiron të spekulojë për atë që mund të ndodhë më tej në rajon.

Ekspertët skeptikë për luftën

Eksperti i Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme, Henning Riecke i tha DW se Donald Trumpi ndodhet para një dileme të madhe, pas sulmit të dyshuar kimik ndaj qytetit Duma në Siri.

“Njëri opsion do të ishte një angazhim i gjerë ushtarak në Siri dhe ndryshimi i balancës ushtarake atje. Synimi do të ishte largimi i regjimit të Assadit. Këto propozime i ka bërë më parë këshilltari aktual i Sigurisë i Trumpit John Bolton, para se ta merrte detyrën aktuale. Një pjesë e Sirisë mund të lihej në këtë kuadër nën kontrollin e kryengritësve sunitë.”

Por Riecke nuk mendon se Trumpi do ta ndjekë këtë opsion.”Kjo do të kërkonte shpenzime të mëdha ushtarake dhe një situatë komplekse, që mund të mos përfundojë në sukses për Trumpin. Do të thoshte luftë ndaj iranianëve dhe në fund kundër rusëve. Kjo do të ishte kundër objektivit të këtij Presidenti, që synon t’i tërheqë SHBA nga angazhimi ndërkombëtar.”  (dw)

Freedom House: Evropa Qendrore dhe Lindore përballë “iliberalizmit”

stopSulmet ndaj partive opozitare, medias dhe organizatave të shoqërisë civile po bëhen normë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa përhapja e polikës joliberale saboton themelet dhe perspektivën për demokraci, sipas raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House, “Vendet në Tranzicion” që përqendrohet tek demokracia në Evropën Qendrore dhe Lindore, Ballkan dhe Euroazi.

“Politika joliberale po bëhet normalja e re në Evropë, thotë presidenti i Freedom House, Michael J. Abramowitz. Fushatat e udhëhequra nga qeveritë për të baltosur grupe të shoqërisë civile, gazetarë dhe opozitat, i kishin fillesat në Rusi dhe Azinë Qendrore, por po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në gjithë rajonin”.

“Ky nuk është më problem për të cilin mund të themi se është i kufizuar vetëm në një ose dy vende. Për të mbrojtur demokracinë, udhëheqësve u duhet të përballen me sulmet ndaj parimeve demokratike, veçanërisht kur ato sulme janë në vendet e tyre”, thotë zoti Abramowitz.

Në raportin e këtij viti “Vendet në Tranzicion”, Freedom House ka regjistruar rëniet më të mëdha të rezultateve në indeksin e demokracisë që kur ky raport filloi të publikohej, 23 vjet më parë: 19 nga 29 vendet shënuan rënie në indeksin e përgjithshëm të demokracisë. Për të dytin vit me radhë pati më shumë regjime të konsoliduara autoritare, sesa demokraci të konsoliduara.

Polonia kishte rënien e dytë më të thellë në indeksin e demokracisë në historinë e raportit.

“Ndryshimet radikale në sistemin gjyqësor polak eliminojnë çdo kontroll efektiv mbi veprimet e partisë së shumicës në pushtet. Ajo që ka ndodhur në Poloni në dy vitet e fundit, duhet të jetë një kambanë alarmi për gjithkënd që beson regjimi njëpartiak nuk do të kthehet kurrë në Evropë”, tha drejtori i Projektit të “Vendeve në Tranzicion”, Nate Schenkkan.

Zoti Schenkkan sugjeron se Bashkimi Evropian duhet të zbatojë nenin 7 ndaj Polonisë dhe Hungarisë, që i jep kompetenca bllokut që të pezullojë të drejtën e votës për anëtarët.

“Duhet të kushtëzojë qasjen në fondet e Bashkimit Evropian në kritere të qarta të shtetit ligjor. Kjo është e vetmja mënyrë që të binden këto vende dhe shtetet kandidate të BE-së, se organizata mbështetet fuqimisht tek parimet demokratike”, tha ai.

Hungaria ka regjistruar rënien më të thellë të vazhdueshme në historinë e raportit “Vendet në Tranzicion”. Vlerësimi për demokracinë në këtë vend ka rënë për 10 vjet me radhë, duke e çuar atë nga statusi i një udhëheqësi të demokracisë në vitin 2004 kur hyri në BE, në prag të kategorisë së regjimit kalimtar/hibrid në vitin 2018.

Në Ballkan, rezultati i Serbisë ra për të katërtin vit radhaz, duke e vënë në rrezik statusin e saj, si një “Demokraci gjysmë e konsoliduar”.

“Vitin e kaluar, (Presidenti Aleksandër) Vuçiç e zhvendosi veten nga posti i kryeministrit në atë të presidentit, pastaj zgjodhi vetë një kryeministre të re me kompetenca të kufizuara. Manovra të tilla sabotojnë rendin kushtetues dhe pavarësinë e institucioneve kombëtare qeverisëse”, tha Zselyke Csaky, që nga studiueset e Freedom House.

Vendet që patën më shumë përmirësim ishin Maqedonia, Uzbekistani dhe Estonia.

Në raport thuhet se ndryshimi i qeverisë në Maqedoni solli një shans për të zmbrapsur vite të tëra të kapjes së shtetit dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kahershme me fqinjët që kanë penguar zhvillimin e vendit.

“Zhbërja e dëmit ndaj demokracisë në Maqedoni, do të tregonte se mobilizimi civil dhe angazhimet ndërkombëtare mund të sjellin arritje reale. Maqedonia e meriton një shans të besueshëm për anëtarësim në BE”, tha Csaky. (voa)

BB: Rritja ekonomike e Shqipërisë do të ngadalësohet

BBNë Shqipëri, Banka Botërore deklaroi sot se ajo parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike të vendit për dy vitet e ardhshme. Për vitin 2017, Prodhimi i Brendshëm Bruto, sipas të dhënave paraprake të Institutit të Statistikave, u ngjit në 3,84 përqind. Në raportin e saj periodik mbi zhvillimet ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore theksoi se pret që për vitin 2018 rritja në Shqipëri, të zbresë në 3.6 përqind dhe të vijojë të ulet sërish në 3.5 përqind në vitin 2019, për shkak të rënies së investimeve në projektet e mëdha në sektorin energjitik, si punimet për gazsjellësin Trans Adriatik Pipeline, Tap, dhe ndërtimi i hidrocentralit mbi lumin Devoll.

Parashikimet e Bankës Botërore janë në linjë me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që Qeveria shqiptare është optimiste, dhe për 2018 parashikon një rritje prej 4,1 përqind, si dhe një rritje progresive në vitet në vazhdim. Sipas Bankës Botërore “perspektiva e rritjes ekonomike është pozitive, por jo e qartë”, ndërsa rendit faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që mund të ndikojnë pozitivisht si dhe rreziqet që mund të ngadalësojnë rritjen.

Ekspertët e Bankës Botërore komentuan dhe debatin e fundit lidhur me përfshirjen në skemën e TVSH-s të ndërmarrjeve të vogla me një xhiro vjetore mbi 2 milion lekë. “Përsa i përket efektit të rritjes së pragut të TVSH-s ka qënë një pikë diskutimi dhe më pare. Ne mendojmë që efekti në buxhet i kësaj të ardhure do të jetë i vogël pasi për pjesën e transaksioneve të taksueshme është shumë e vogël, ndërsa barrra administrative për organet e taksave mund të jetë shumë e lartë”, u shpreh Hilda Shijaku, eksperte e Bankës Botërore. “Rritja e barrës administrative për organet e taksave për ne nënkupton më pak kohë dhe mundësi për t’u marrë me taksapaguesit më të mëdhenj me ata që realisht afektojnë përqindjen më të lartë të taksave të mbledhura dhe ky është shqetësimi ynë që kapaciteti i organeve të taksave gjithsesi është i kufizuar dhe kjo është një barrë shtesë mbi ta.Përsa i përket efekteve sociale dhe të punësimit mbi biznesin e vogël është një gjë që mbetet për t’u monitoruar dhe në këtë fazë, nuk e dimë se cfarë impakti do ketë”.

Të njejtin qëndrim për këtë çështje ka patur dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Të dyja institucionet ndajnë dhe shqetësimin lidhur me projektet sipas formulës së Partneritetit Publik Privat (PPP). “Rreziqet që mund të vijnë nga PPP-të mund të jenë disa.Së pari duhet parë se çfarë ndikimesh kanë në borxhin public, si planifikohen pagesar.Së dyti duhet parë nëse ofrimi i shërbimeve është ai i duhuri. Siç është vënë re dhe nga e kaluara, në Shqipëri jo të gjitha PPP-të kanë rezultuar të sukseshme dhe nga eksperienca ne mund të filtrojmë një sërë rreziqesh që mund të përsëriten për të minimizuar këto rreziqe. Eshtë e nevojshme që të përmirësohet kuadri seleksionues,monitories dhe vlerësues i PPP-ve”, shpjegoi Shijaku. (voa)

Mbush 70 vjet Organizata Botërore e Shëndetësisë

OBSHSelia qendrore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë të Zvicrës

Sot mbushen 70 vjet nga krijimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. 7 prilli është edhe Dita Botërore e Shëndetit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, shqyrton arritjet gjatë këtyre shtatë dekadave, si dhe se çfarë duhet bërë për të ardhmen.

Gjatë 70 viteve të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka drejtuar përpjekjet për ta çliruar botën nga sëmundje vdekjeprurëse, si p.sh. lija. Ka krijuar partneritete për të eliminuar sëmundje të tjera, si poliomeliti.

“Pothuajse ia kemi dalë mbanë. 99.9% e poliomelitit është eliminuar në mbarë botën”, pati deklaruar Peter Crowley, ekspert i poliomelitit.

Kjo thuhej në vitin 2014 dhe që atëherë punonjësit kanë vazhduar përpjekjet kundër poliomelitit, megjithë konfliktet dhe vështirësitë. Vitin e kaluar, vetëm 17 fëmijë u prekën nga ky virus, por poliomeliti do të quhet i eliminuar kur të mos ketë më asnjë rast.

Shumë njerëz nuk kanë qasje tek vaksinat që shpëtojnë jetë, jo vetëm për poliomelitin, por edhe për fruthin dhe viruse të tjera. Për këtë arsye, OBSH-ja ka dalë me moton “shëndet për të gjithë”, për këtë Ditë Botërore të Shëndetit.

“Në pjesën më të madhe të botës tani flitet për një sistem mbulimi universal të kujdesit shëndetësor. Është vërtet një ndër sfidat globale që kemi”, thotë James Fitzgerald, i Organizatës Panamerikane të Shëndetit.

Zoti Fitzgerald mbikqyr zhvillimin e një sistemi universal shëndetësor për pjesën e Amerikave, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Pengesat për qasjen tek kujdesi shëndetësor janë pak a shumë njësoj gjithandej. Ka pengesa gjeografike dhe mungesë të pranisë së institucioneve të shëndetit. Ka pengesa institucionale të sistemit shëndetësor, si radhë të gjata pritjeje, mungesë doktorësh dhe infermierësh. Ka pengesa financiare në sisteme që nuk kanë fonde të mjaftueshme dhe ku njerëzit duhet të paguajnë nga xhepi. Ka edhe çështje diskriminimi social brenda sistemeve të kujdesit shëndetësor”, thotë zoti Fitzgerald.

Është detyrë e vështirë t’i ofrosh gjysmës së popullsisë së botës kujdesin bazë shëndetësor që nuk e kanë ende, që të mund të përballojnë nevojat e shëndetit pa u detyruar të zhysin në varfëri familjet për të paguar faturat mjekësore. OBSH thotë se nëse njerëzit kanë qasje në kujdesin shëndetësor, ata bëjnë jetë më produktive, ndërkohë që mund të parandalohen epidemitë dhe të ofrohet kështu më shumë begati për vendet ku ata jetojnë. (voa)

Turizmi, Rama: Nuk ka tolerancë për ata që derdhin ujërat e zeza në det

rama-turizmiKryeministri Edi Rama ka paralajmëruar bizneset në bregdet se duhet të marrin masa të mos derdhin ujërat e zeza në det.

“Nuk do të lejojmë dhe do të ndëshkojmë struktura pritëse në bregdet që derdhin ujërat e zeza në det. Të gjitha duhet të marrin masa për tu pajisur me sisteme të depurimit, dhe për të garantuar që çka është domosdoshmëria e aktivitetit të tyre të mos kthehet në një kosto, as për mjedisin, as për vizitorët dhe as për imazhin e vendit tonë. Sigurisht jemi të vetëdijshëm se këtë sezon nuk do arrijmë të bëjmë gjithçka, po të gjithë jeni të vetëdijshëm që kush gjendet në shkelje të këtij ligji nuk do të tolerohet”, tha Rama.

Ai ishte në “Panairin Mesdhetar të Turizmit”, ku pjesëmarrës janë operatorë turistikë nga i gjithë rajoni i Mesdheut, në prag të sezonit të ri turistik.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në këtë aktivitet u ndal tek ligji i ri i turizmit që ofron shumë lehtësira.

“Ligji i ri ofron lehtësira të rëndësishme dhe shumë konkurruese në gjithë rajonin duke krijuar kushtet që investitorët në turizëm ta shohin vendin si një destinacion tërheqës për të investuar në pjesën e sipërme të infrastrukturës së mikpritjes. Nga ana tjetër dhe vetë ulja e TVSH-së për të gjithë strukturat akomoduese turistike në 6% e kanë ndihmuar dhe do e ndihmojnë turizmin në Shqipëri si një forcë konkurruese”, tha ai.

Komponent i munguar i kësaj industrie është agroturizmi. “Rëndësi një komponenti të munguar të kësaj industrie që është agroturizmi. Për këtë kemi ndërtuar një program që mbështetet financiarisht qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë dhe nga fondi i mbështetjes së KE”, vijoi Rama.

Ai bëri të ditur se deri në javën e fundit të këtij muaji do të bëhen publike dhe lehtësirat që krijohen për sipërmarrësit që synon të ndërtojnë agroturizëm në zonat rurale.

“Ndërkohë që deri në javën e fundit të këtij muaji do të bëjmë publik dhe aspektin tjetër, lehtësirat që do të krijojmë për të gjithë ata sipërmarrës që do të synojnë ndërtimin e strukturave të agroturizmit në gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë. Jemi të bindur që nxitja e këtyre investimeve, dhe përfshirja qoftë e sipërmarrësve dhe e familjeve në zona të ndryshme të vendit, do të sjellë krijimin e një efekti zinxhir për ti dhënë mesazh të qartë mundësie, rritjeje të ekonomisë familjare në fshat, në të gjitha ato pika ku është e pamundur bujqësia intensive”, tha mes të tjerash Rama.

 

Top Channel

Vrau në ‘97, ekstradohet nga SHBA pas 21 vitesh

Një 47-vjeçar është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ishte i shpallur në kërkim në vitin 1997 dhe u kap në SHBA, falë bashkëpunim të Interpol Tirana me Interpol Washingtonin.

Presoni i ekstraduar është Narbis (Niko) Koxhaj (Goxhi), 47 vjeç, nga Gjirokastra.

Kapja dhe ndalimi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat me vendim penal të marsit 2003, e ka dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje kundër dy apo më shumë personave e kryer në bashkëpunim”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”.

Top Channel

Ish presidentja e Koresë së Jugut dënohet më 24 vjet heqje lirie

ish presidente e korese se jugutNjë gjykatë në Korenë e Jugut dënoi ish presidenten Park Geun-hye me 24 vjet heqje lirie nën akuzat për korrupsion. Park ishte gjetur fajtore më herët për shpërdorim pushteti dhe shtrëngim.

Prokurorët kishin kërkuar 30 vjet heqje lirie.

Park është mbajtur në një qendër paraburgimi afër Seoulit që nga arrestimi i saj në Mars të vitit 2017. Ajo refuzoi të paraqitet të premten në seancën ku u lexua aktgjykimi, duke u arsyetuar me gjendjen shëndetësore.

Ajo akuzohet se ka përdorur zyrën e saj duke detyruar korporatat e mëdha të Koresë së Jugut t’u dhurojnë gati 70 milionë dollarë dy organizatave jo-fitimprurëse të kontrolluara nga Choi Soon -sil, mike e ngushtë e ish presidentes Park. Kjo e fundit u dënua në muajin shkurt të këtij viti me 20 vjet burg dhe me një gjobë prej rreth 17 milionë dollarësh për akuzat për shpërdorim pushteti, ryshfet dhe ndërhyrje në çështjet shtetërore.

Park u largua nga posti vitin e kaluar pas protestave masive disamuajshe në të cilat u kërkua shkarkimi i saj.

Park është e bija e diktatorit të ndjerë Park Chung-hee, i cili sundoi Korenë e Jugut nga viti 1961 deri në vitin 1979. (voa)

Konfirmohen katër të arrestuar për incidentin e mbrëmshëm në Reçicë të Vogël

incident-TetoveNë incidentin e armatosur të ndodhur mbrëmë në Reçicë të Vogël, është vrarë N.R, nga Kumanova. Sipas agjencisë së lajmeve AIM, i vrari ishte anëtarë i degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kumanovë.

Gjithashtu, Sektori për punë të brendshme (SPB) në Tetovë ka konfirmuar se numri i të arrestuarve, si të dyshimtë për përfshirje në këtë incident, ka shkuar në katër persona.

Ndër të lënduarit thuhet të jetë edhe S.R, vëllai i tashmë të ndjerit N.R. Spitali Klinik i Tetovës ka raportuar se kanë pranuar dy persona me plagë me armë zjarri, njëri nga të cilët ka vdekur.

Pritet që MPB-ja të del me njoftim zyrtar për incidentin e mbrëmshëm. /Telegrafi/

Lu: Po mbështesim hetimin ndaj Llallës

LuAmbasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po mbështesin hetimin e nisur ndaj ish kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Komentet e tij ai bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në TV Klan, ku foli dhe për zhvillimet e fundit që nga protesta e dhunshme e fundjavës së shkuar kundër vendosjes së një tarife për kalimin në Rrugën e Kombit, te thirrjet e opozitës për mosbindje civile. Ambasadori Lu u ndal dhe te “peshqit” e krimit dhe korrupsionit, rastin Balili, për të cilin tha se mendon se gjendet në Shqipëri apo dhe rastin e ish ministrit Tahiri, si dhe për ndikimin rus dhe dyshimet mbi lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara.

PROTESTAT PER TARIFEN E RRUGES SE KOMBIT

Ambasadori amerikan komentoi dhe zhvillimet e fundit duke nisur që nga protesta e fundjavës së shkuar kundër pagesës së tarifës për Rrugën e Kombit deri te thirrjet e opozitës për mosbindje civile.

“Të gjithë qytetarët kanë të drejtën të protestojnë paqësisht, përfshi në Kukës. Dhe e kuptoj njerëzit në Kukës janë të inatosur. Nuk kanë të drejtë të shkojnë të djegin kabinat e toll-eve, nuk kanë të drejtë të gjuajnë me gurë policinë. Në të njëjtën kohë, policia nuk ka të drejtë të lëndojë protestuesit apo të kapin njerëzit për arrestime masive në mes të natës”, deklaroi ambasadori duke shpjeguar se “i kam bërë thirrje Kryeministrit dhe kreut të opozitës që tani të tregojnë vetëpërmbajtje, që secili të ruajnë qetësinë dhe që kjo të zgjidhet me anë të dialogut”.

Lidhur me thirrjet e opozitës drejtuar qytetarëve për mosbindje civile ai u shpreh se “në çdo demokraci, njerëzit duhet të ngrenë zërin, Nëse do të bllokojnë rrugë, të mos paguajnë taksa, apo të bëjnë veprimtari të tjera të jashtëligjshme, duhet të jenë të përgatitur për pasojat ligjore. Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë me mosbindjen civile, por ata persona, ata protestues kanë qenë të përgatitur të shkojnë në burg për bindjet e tyre”.

PESHQIT E MEDHENJ TE KRIMIT DHE KORRUPSIONIT

Ambasadori amerikan u shpreh optimist se shumë shejt do të mund të shihen rezultate, duke përmendur rastin e një shqiptari Met Kanani të kapur pak javë më parë në Turqi “me ndihmën e qeverisë shqiptare”, apo të Arbër Çekajt, një nga personat e dyshuar për trafikimin e 613 kilogram kokainë të sekuestruar në Durrës. Ai foli dhe për rastin e Klement Balilit, për të cilin ambasadori amerikan tha se “besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë”.

Ambasadori Lu u shpreh me tone optimiste dhe për hetimet apo ndjekjen penale të zyrtarëve, duke përmendur rastin e fundit të kryebashkiakut të Lezhës, i dyshuar për abuzime me pronat, hetimet për ish kryebashkiakun socialist të Kavajës, apo dhe dyshimet për ish anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj “për të cilin Komisioni i Vettingut ka gjetur prova të mjaftueshme kundër tij për korrupsion për t’ia referuar çështjen e tij prokurorisë dhe gjykatës”.

Ambasadori amerikan u ndal më gjatë dhe për rastin e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, është i pari zyrtar i lartë për të cilin Shtetet e Bashkuara vendosën t’i ndalojnë hyrjen në territorin e tyre pasi “kishte prova të mjaftueshme për të besuar se zoti Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm”, u shpreh ai. Ndaj zotit Llalla ka nisur një hetim dhe në Shqipëri, i cili “po mbështetet nga Qeveria e SHBA. Po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë”.

Ambasadori Lu, përmendi dhe rastin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është në hetim për dyshimet për lidhje me trafikantë të drogës. “Besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Pozicioni i Qeverisë amerikane dhe ambasadës amerikane – shpjegoi ambasadori amerikane – është se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova…”.

Në opinion qarkullojnë dyshime se goditjet e tanishme synojnë kryesisht kundërshtarët e socialistëve në pushtet. Ambasadori Lu u shpreh se “jemi të interesuar të shohim më shumë ndjekje penale në rradhët e shumicës, dua të jem shumë i qartë për këtë. Ka njerëz të cilët, unë besoj se meritojnë të ndiqen penalisht dhe qeveria e SHBA është gati të mbështesë zonjën Marku, prokurorët dhe policinë në këto çështje”.

NDIKIMI RUS

Gjatë intervistës së tij ambasadori amerikan foli dhe për ndikimin rus dhe rastin e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara ku së fundi u hodhën dyshime për përfshirje dhe personazhesh nga Rusia, gjë të cilën vetë PD e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike.

“Kemi monitoruar atë që ndodh këtu me rusët nga shumë afër. Nuk mund të them se kemi shumë hollësi për këtë tani, por ju siguroj që ne këtë çështje e ndjekim nga shumë, shumë afër”. Edhe për rastin e lobimit të PD ambasadori amerikan u shpreh se “dimë shumë dhe kemi ditur në fakt për gjashtë muaj se çfarë ndodh me këtë rast. Janë dy çështje këtu. Njëra çështje është nëse janë shkelur ligje në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Në SHBA mund ta dini se kemi ligje kundër të huajve që ofrojnë para për fushata politike. Në Shqipëri, dimë që Lulzim Basha ka kërkuar nga prokuroria të hapin një hetim. Kanë hapur një hetim dhe janë në proces për t’i kërkuar SHBA, qeverisë së SHBA dhe prokurorëve të SHBA, për dokumente për këtë çështje. Pra, ka një hetim të hapur në Shqipëri. Nuk mund të konfirmoj nëse ka një hetim të hapur në Shtetet e Bashkuara”. Ambasadori amerikan tha megjithatë se “po e ndjekim çështjen nga shumë afër, nëse rusët kanë dhënë kontribute tek lobisti në emër të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një përpjekje shumë serioze nga rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet e një shteti anëtar të NATO-s”, theksoi ambasadori amerikan. (voa)

Detaje nga incidenti i armatosur në Tetovë, dy persona janë arrestuar

incident-TetoveRreth orës 18:30 në Tetovë afër selisë së BDI-së ka ndodhur një incident i armatosur, ku sipas informacioneve të para një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur.

Incidentin për Telegrafi Maqedoni e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Tetovës, të cilët thanë se në lidhje me këtë incident janë arrestuar dy persona.

Personat e plagosur, prej të cilëve njëri më rëndë i lënduar janë dërguar në Klinikat e Shkupit, së bashku me trupin e personit të vrarë.

Për këtë incident ka reaguar edhe BDI-ja, prej ku hodhën poshtë informacionet se ky rast ka të bëjë me partinë e tyre.

“Bashkimi Demokratik për Integrim edhe sot, sikurse edhe çdo ditë tjetër, ka vazhduar me aktivitetet e saja të zakonshme. Përgënjeshtrojmë çdo informacion lidhur me atë se sot në Bashkimin Demokratik për Integrim ka patur përleshje apo incident. Ne si subjekt politik nuk kemi dhe nuk mund të kemi përgjegjësi për incidentet eventuale që nuk kanë të bëjnë me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe për Bashkimin Demokratik për Integrim”, thanë nga BDI.

Identiteti i personave të përfshirë në këtë incident zyrtarisht akoma nuk është bërë i ditur, ndërsa në disa mediume shkruhet se personi i vrarë dhe të plagosurit janë nga Kumanova.

Pritet që më vonë policia të jep detaje tjera rreth këtij incidenti dhe të zbulojë motivet e vrasjes./Telegrafi/