E ardhmja e teknologjisë ‘blockchain’

blockchainNdërsa Interneti vazhdon të revolucionojë komunikimet, teknologjia e ardhshme e madhe që pritet të ndryshojë botën mund të ketë mbërritur tashmë. Blockchain, një mënyrë për të regjistruar të dhënat dhe për t’i ruajtur ato automatikisht në kompjutera në mbarë botën, ka potencialin për të ndryshuar gjithçka, që nga mbledhja e provave në skenat e krimit e deri në krijimin e monedhave të reja dixhitale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jill Craig mori pjesë në një konkurs për teknologjinë blockchain në Memfis të shtetit Tenesi për të mësuar më shumë.

Projekti i tyre quhet “Blockchain of Custody.”

Ai synon ta bëjë procesin e ndjekjes së provave më transparent, duke mbajtur një rekord më të mirë se kur dhe nga kush ka trajtuar apo manipuluar një pjesë e tyre.

“Pra, po shkruajmë një program që do të përdorë teknologjinë ‘blockchain’ për t’i bërë këto regjistrime të pamundura për t’u ndryshuar. Pra, kur dikush shkruan: “jam oficeri Bob, mora këtë provë në terren të martën,” ajo do të shkojë diku ku nuk mund të ndryshohet kurrë. Nuk mund të kthehesh dhe ta rishkruash atë”, shpjegon programuesi.

Sam Borick dhe ekipi i tij janë mes më shumë se 25 programuesve që po marrin pjesë në konkursin e teknologjisë ‘blockchain’ në Institutin e Teknologjisë në Memfis.

Blockchain-i është në thelb një libër, një listë e renditur transaksionesh që kurrë nuk mund të ndryshohet, thotë Elena Nadolinski, një inxhiniere programesh kompjuterike me kompaninë AirBnB.

“Pra, le të themi për shembull, se unë ju paguaj ju, dhe pastaj ju paguani Samit, dhe pastaj Sam paguan Carol, dhe pastaj Carol i paguan Bobit. Kjo histori e tërë transaksionesh ruhet në këtë libër që e quajmë blockchain. Dhe në thelb, çdo kompjuter në botë që vendos të marrë pjesë në këtë sistem blockchain, ruan një kopje të këtij libri transaksionesh. Për arsyen se ka kompjutera të panumërta në mbarë botën, që e ndihmojnë këtë sistem, ai nuk ka asnjë pikë të vetme dështimi”, thotë Elena Nadolinski.

Kjo teknologji është gjithashtu ajo që krijon monedhat dixhitale si bitcoin, të cilat mund të ndihmojnë në rritjen e transparencës.

“Shikon saktësisht se ku shkojnë fondet, nga cila organizatë, nga një portofol tek tjetri, kështu që nëse ka ndonjë skenar, ku, për shembull, ju dhuroni disa para dhe nuk e dini se si agjencia po i përdor në të vërtetë paratë tuaja, atëherë përmes teknologjisë ‘blockchain’, mund të shihni saktësisht se ku po shkojnë ato”.

Kjo aftësi për të vërtetuar transaksionet dhe për t’i regjistruar ato me saktësi është ajo që e bën teknologjinë ‘blockchain’ tërheqës për industritë e tjera.

“Pra, ‘blockchain’ është në shumë aspekte, një nga teknologjitë më të rëndësishme në zhvillim që bizneset i po kushtojnë vëmendje sot. Shpesh krahasohet me daljen e internetit. Dhe jo për shkak të ngjashmërive të teknologjisë, por të potencialit për biznes dhe tregti dhe për shkëmbimet e të dhënave globalisht”, thotë Cody Behles me Institutin Fed-Ex të Teknologjisë.

Por disa ekspertë, si Luther “Chip” Harris, shqetësohen se siguria kibernetike nuk po trajtohet siç duhet dhe organet rregullatore ende nuk po ndjekin zhvillimin e teknologjisë.

“Shpresojmë të shikojmë më shumë aspekte sigurie se si të mbrojmë këto të dhëna, si të sigurojmë paratë, fondet, të dhënat mjekësore. Shpresojmë se kjo do të ndodhë brenda dy viteve të ardhshme”.

Projekti ‘Blockchain of Custody’ fitoi çmimin e parë të konkursit në kategorinë ligjore duke kontribuar në përpjekjet për t’i bërë të dhënat më efiçente dhe gjithashtu më transparente. (voa)

Bota në garë për dominim teknologjik

intelegjenca artificialeNdërsa zhvillimet teknologjike po ecin me ritme të pashoqe, ekspertët thonë se bota po përjeton një revolucion të katërt industrial – i cili do të nxitet nga inteligjenca artificiale dhe makinat që mund të analizojnë sasi të mëdha të dhënash nga pajisjet e kyçura në rrjet. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee nga qyteti Los Angeles, ekspertët gjithashtu paralajmërojnë se përveç të mirave, revolucioni mund t’i sjellë edhe dëme shoqërisë.

Teknologjia po ndryshon jetën. “Është mjaft shpërthyese ajo që po shohim”, thotë Tom Siebel me kompaninë C3 IoT.

Inteligjenca artificiale, të dhënat e shumta dhe lidhja e pajisjeve fizike me botën dixhitale nëpërmjet internetit sjellin ndërlikime për vendet e pasura dhe ato në zhvillim. Usman Shuja është me kompaninë Sparcognition.

“Inteligjenca artificiale mund të zgjerojë hendekun, aq sa vendet e varfëra të mbeten shumë prapa. Gjithashtu është një shans që vendet e varfëra të kapërcejnë revolucionin industrial dhe të kompensojnë kohën e humbur.”

Përfitimet e kësaj teknologjie do të shihen nëpër shumë industri. “Tom Bianculli është me firmën “Zebra Technologies”.

“Mund të shpëtojmë jetë dhe të identifikojmë sëmundjet. Mund të përdorim të dhënat nga stëvitja fizike për të zbuluar probleme shëndetësore shumë kohë para se të ndodhin.”

Përkrah përfitimeve vijnë edhe reziqet nga një botë e ndërthurur, thotë Tom Siebel me firmën C3 IoT.

“Ka shqetësime serioze për të cilat duhet të jemi të vetëdijshëm pasi ka lidhje me të gjitha të dhënat. Shumë janë të dhëna personale të identifikueshme, të dhëna ekonomike, shëndetësore apo gjenetike.”

Inteligjenca artificiale po ashtu kërcënon vendet egzistuese të punës.

“Kur të kemi makina autonome, çfarë do të bëjnë shoferët e taksive? Ideja për t’i trajnuar të bëhen grumbullues të dhënash, është e çmedur. Në botën e korportave po ato përballen me një zhdukje në masë. Që nga fillimi i shekullit, 52 përqind e kompanive më të mëdha “Fortune 500” janë zhdukur”, thotë Tom Siebel me firmën C3 IoT.

Në vend të tyre, kompani të modelit të ri si Uber dhe AirBnB janë shfaqur falë inteligjencës artificiale dhe të dhënave. Këto teknologji jo vetëm që po ndikojnë tek bota e korporatave, por mund të përbëjnë kërcënim edhe për sigurinë kombëtare.

“Si vendi më i zhvilluar në botë, ne kërcënohemi më së shumti, pasi kemi më shumë qasje në rrjet, ku edhe mund të goditemi nga hakerët. Kur bota fizike lidhet në internet, më e pakta është grabitja e të dhënave. Një turbinë mund të kthehet në bombë. Pra lufta kibernetike mund të sjellë shumë dëme fizike”, thotë Usman Shuja me firmën Sparkcognition.

Por mos ecja përpara mund të jetë po aq e rrezikshme .

“Sfida është se po nuk e bëmë ne do ta bëjë dikush tejtër dhe kështu kthehet në garë.. Nëse nuk e bëjmë ne, Kina, Rusia apo Irani mund ta zhvillojnë atë.”

Për superfuqitë, revolucioni i ardhshëm do të jetë rreth garës për dominim teknologjik. (voa)

Teknologjia e realitetit virtual dhe industria e filmit

teknologjia virtuale:”Uria”, “Festa”, “Zjarri” dhe “Akulli” janë pjesë e një dokumentari me katër pjesë mbi ndryshimin e klimës. Seriali u shfaq në AFI Docs, Festivali i Dokumentarëve i Institutit Amerikan të Filmit në Uashington. Dokumentari është realizuar duke përdorur teknologjinë e realitetit virtual që u jep shikuesve një pamje 360-gradësh të pasojave shkatërruese të ndryshimeve klimatike në planetin tonë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou bisedoi me regjisorin Eric Strauss lidhur me ndikimin e teknologjisë së realitetit virtual në realizimin e filmave.

Në dokumentar shihen shkrirja e akullnajave dhe ngritja e nivelit të detit në Groenlandë, zjarret në Kaliforninë veriore, thatësirat e pamëshirshme në Somali dhe zhdukja e pyjeve në Amazonë. Seriali i filmuar me teknlogjinë e realitetit virtual i quajtur ICE, FIRE, FAMINE and FEAST (Akull, Zjarr, Uri dhe Festë) i regjisorëve Eric Strauss dhe Danfung Dennis i mbështjell shikuesit me realitetet më ekstreme të ndryshimeve klimatike në Tokë.

“Shpresojë që kur njerëzit ta shikojnë serialin ata do ta kuptojnë se nuk mund të fshihemi nga ky realitet. Kjo do të ndikojë tek të gjithë, pavarësisht se ku jetoni apo nivelin e të ardhurave që keni, ndryshimet klimatike do të ndikojnë tek të gjithë. Shpresojë se kjo do të përcjellë tek shikuesi mesazhin e urgjencës në mënyrë që të gjitha vendet t’i kushtojnë vëmendje dhe të fillojnë luftën kundër këtij fenomeni”, thotë regjisor Eric Strauss.

Në Uashington ku po shfaqet festivali, pjesëmarësit mund të shohin pamje 360-gradëshe të efektit të ndryshimeve klimatike përmes syzeve speciale për realitetin virtual.

“Disa njerëz kanë një reagim instinktiv fizik, kërcejnë nga gëzimi ose sepse janë shumë të habitur nga ajo që shohin. Ndërsa, të tjerë mendoj se janë shumë reflektues dhe madje mund të jenë të trishtuar, varësisht nga përmbajtja”, thotë Ken Jacobson, programues i teknologjisë së realiteti virtual në Institutin Amerikan të Filmit.

Pjesëmarrësi i festivalit, James Willard përshkruan se çfarë përjetoi kur pa episodin e dokumentarit që tregon shpyllëzimin në Amazonë për të krijuar hapësira të reja për industrinë e blegtorisë dhe mishit.

“Je plotësisht i pranishëm në atë realitet dhe histori, i sheh nga fare afër kafshët, shikon marshimin e tyre drejt vdekjes”, thotë James Willard, pjesëmarrës në festival.

Filmi nuk ka nevojë për dialog.

“Realiteti virtual mbështetet tek përjetimi. Shmanget një pjesë e mirë e informacionit dhe shikuesi e jeton atëqë po ndodh. Shikuesi në një farë mënyre është më shumë si protagonist në këto histori, veçanërisht nëse e krahasojmë këtë me përvojën e shikuesit në një kinema tradicionale”.

Një shikuese tjetër, Patricia, sapo ka parë episodin “Uria”, që tregon efektet e thatësirës ekstreme në Somali.

“Kjo e bën edhe më të fuqishme përvojën sepse të duket sikur je atje. Unë mendoj se është një medium i fuqishëm për të përcjellë mesazhin për tema kritike”.

“Ky është qëllimi. Të bëhemi mjet për ndryshime pozitive”, thotë regjisoru Eric Strauss.

Me zhvillimin e teknologjisë realizimi dhe qasja tek filmat e teknologjisë së realitetit virtual po bëhet gjithnjë e më e lehtë dhe shpesh ato mund të shihen përmes aplikacioneve të telefonave inteligjentë. Por programuesi Ken Jacobson thotë se shikimi i tyre përmes syzeve të posaçme të realitetit virtual është ende mënyra më e mirë.

“Mendoj se do të vazhdojë të ketë avancime në teknologjinë e kufjeve dhe syzeve. Pra, shumë shpejt njerëzit nuk do të bezdisen aq shumë nga syzet dhe kufjet, të cilat do të vazhdojnë të përmirësohen”.

Por a mund t’i zëvendësojë realiteti virtual filmat tradicionalë dy apo tre dimensionalë?

“Unë mendoj se realiteti virtual do të shtojë një aspekt tjetër në mënyrën se si do të shohim filmat. Por nuk besoj se do të zëvendësojë mënyrën tradicionale. Realiteti virtual mund të jetë shumë i rrezikshëm sepse shikuesi është plotësisht të zhytur brenda historisë së filmit që po shikon. Disa njerëz, pasi të heqin syzet do të arrijnë të kthehen në realitetin normal. Por të tjerë mund të mos jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Pra, unë nuk mendoj se realiteti virtual do të zëvendësojë plotësisht teknologjinë aktuale”, thotë James Willard, pjesëmarrës në festival. (voa)