Zbardhet dosja e Adriatik Llallës, ja skema që përdorej për pastrim parash

adriatik llallaZbardhet vendimi i Gjykatës për Krime të Rënda që vuri nën sekuestro pronat e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndaj të cilit po zhvillohen hetime për akuzën e pastrimit të parave. Në hyrje të vendimit, bie në sy fakti se çështja penale ndaj Llallës, është regjistruar kryesisht, mbi bazën e të dhënave të publikuara në media, ku ndër të tjera çitet për jetën e luksit që bënte ish-prokurori i përgjithshëm dhe familja e tij.

Një tjetër argument, që prokuroria ka marrë në konsideratë, është edhe fakti se po përmes medias, janë informuar se ish-kreut të organit qendror të akuzës, i ishte ndaluar hyrja në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vijim, prokuroria rindërton skemën, sesi Adriatik Llalla, dyshohet se pastronte para. Konkretisht, ai blinte prona në perferi të Tiranës, me një çmim të lirë dhe pasi i rivlerësonte i shiste me çmim të lartë, transmeton “News 24”

Në vendimin e gjykatës thuhet ndër të tjera, se ish-kryeprokurori bleu 3 mijë metra katrorë tokë në shumën prej 1.5 milionë lekësh dhe pasi e rivlerësoi e shiti në shumën e 249 mijë eurove.

Nga ana tjetër, në po të njëjtën zonë, ish-kreu i organit të akuzës, pasi ka shitur këtë pronë, ka blerë një sipërfaqe tjetër toke prej 4500 metrash katrorë në shumën e 4.5 milionë lekësh, të cilën më pas e ka rivlerësuar gati dhjetëfishin e çmimit të blerjes.

Referuara fakteve të mësipërme, prokuroria ka dyshime se Llalla ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave, për sa kohë që jo vetëm nuk i ka deklaruar pasuritë në kohë, por ka kryer transaksione me të njëjtin person, duke blerë prona nën çmimin e tregut e duke i shitur me vlerë disa herë më të lartë.

Në vendim thuhet gjithashtu se pronat e ish-kryeprokurorit u vunë nën sekuestro, pasi ekzistonin dyshime se ai mund të ndërhynte për t’i tjetërsuar ato.

shekulli

“MANDATI I TIJ – MANDAT I GJITHËKOHSHËM

demaciAdem Demaci, Baca Adem u nda nga jeta.

Ndarja e tij nga jeta pikëlloi gjithë shqiptarët kudoqofshin ata.

Adem Demaçi ishte dhe mbetet Baca Adem, i gjithëkohshëm në historinë e popullit shqiptar: i gjithëkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij.

Në jetën dhe në historinë e popullit shqiptar ai ishte i veçantë me çdogjë e me të gjitha.

Ai e jetonte Idealin e tij; ai e jetonte Fjalën e tij; ai e jetonte gjithë Veprën e tij.

Ideali i tij, Fjala e tij ishte, është dhe do të jetë përgjithmonë njëkohësisht Ideal i Kombit shqiptar, Fjalë për Kombin shqiptar.

Herët, në rini ai u bë Mësuesi historik, politik, kulturor, kombëtar e moral i rinisë shqiptare në Kosovë.

Ai u bë Mësuesi i qëndrimit të drejtë, të papërkulshëm, të dinjitetshëm, që nuk e përkulnin levërditë, premtimet, kercënimet, burgjet.

Ai u bë parathënësi i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës.

Ai u bë parathënësi i bashkimit kombëtar shqiptar.

Idealin e madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ai e jetoi me 28 vjet burgje dhe me shumë përndjekje e krajata para dhe pas burgjeve.

Dhe këto 28 vjet burgje dhe këto përndjekje e krajata u bënë dëshmi sipërore që të gjithëve – bashkëkombësve dhe të huajve u deshmonin se Adem Demaçi po ia dhuronte rininë, pjekurinë, dhuntinë krijuese kësaj lirie dhe pavarësie të Kosovës.

Me këtë sakrificë madhështore historike ai e dëshmoi burrërinë, vendosmërinë, parimësinë politike e morale edhe kur doli prej burgjeve.

Sot kur Baca Adem u nda prej nesh vetëm me trupin e tij e do rendi të vetëpyetemi: cka bëmë ne për te.

Sot kur u nda vetëm me trup prej nesh e do rendi te vetëpyetemi se çka bënë për të ata që e sundojnë politikisht e shtetërisht Kosovën sot.

Përgjigjet janë dëshpëruese!

Ata që edhe në ditët e luftës çlirimtare e vallëzonin vallen e paqes turpëruese nën dhunën dhe terrorin e regjimit serb i dhuruan Baces Adem mohime, denoncime, përjashtime, fyerje!

Ata të tjerët që pas luftës e bënë dhe po e bëjnë demokracinë e Kosovës – demokraci rurale e private e privuan Bacën Adem prej çdo mundësie që të bëhej çka para të gjithëve i takonte të bëhej: që të bëhej i pari i Madh i Kosovës.

Nuk i lejuan të bëhej kryetar i Kosovës; nuk i lejuan të bëhej as kryetar i Kuvendit të Kosovës; nuk i lejuan të bëhej as kryeministër i Kosovës; nuk i lejuan të behëj as minister i Kosovës! Prej ish të burgosurve politikë u propozua që të bëhej deputet i Kosovës, por nuk e lejuan kandidimin e tij as për deputet të Kuvendit të Kosovës ata që edhe për kandidime vendosnin!

Popuj të tjerë, me tradita politike, shtetërore e morale, i zgjedhin senatorë apo deputetë të përjetshëm figurat politike me merita të veçanta në historinë politike, kulturore e qytetëruese të tyre.

Politikanët dhe shtetarët e Republikes Jugafrikane e bënë Nelson Mandelen figure politike e morale botërore, sepse ashtu e meritonte Mandela dhe sepse ashtu e donin interesat politike e shtetërore të asaj Republike.

Por pushtetaret e sotëm të Kosovës nuk i lejuan Adem Demaçit të bëhet as deputet katërvjecar i Kuvendit të Kosovës!

Pse? Pse e cenuan kështu Adem Demaçin dhe pse e cenuan kështu Republikën e Kosovës.

Ata që nuk ia lejuan Adem Demaçit as tre minuta fjalë në Parlamentin e Kosoves, ata që e privuan prej të drejtës së tij sipërore që të bëhej çka i takonte të bëhej në Kosovë, u frikësuan prej tij: prej etikës së tij politike e shtetërore, prej burrërisë së tij, prej nderit të tij, prej vendosmërisë së tij, prej parimësisë së tij, prej humanizmit të tij, dhe u frikësuan sepse ai, Baca Adem, nuk do t’i lejonte të bëjnë çka bënë e çka po bëjnë: ai nuk do t’i lejonte të zhvasin Kosovën, ai nuk do t’i lejonte te plackisin pasurite e përbashkëta të Kosovës, ai nuk do t’i lejonte të bëhen milionerë duke përdorur e shpërdorur siç po i shpërdorin postet politike e shtetërore të Kosovës shtetërisht të privatizuar prej tyre.

Dhe, ai nuk do t’i lejonte t’i sjellin Kosovës aq tragjikomedi politike, ekonomike, diplomatike, kombëtare e ndërkombetare qe po ia sjellin asaj sot!

Por, o cfare ironie!

Ata që nuk e lejuan të bëhet as kryetar i Kosovës, as kryetar i Parlamentit të Kosovës, as kryeministër i Kosoves, as minister i Kosovës, madje as deputet i Kosovës, ata dje mbajtën akademi për të në sallën gati përgjysmë të zbrazët të Parlamentit të Kosovës dhe ata mbajtën fjalime në atë akademi për të.

Ata shpallen tri ditë zie për të.

Sot ata mbajtën edhe një akademi për të që e quajtën ceremoni dhe e mbajtën në sheshin para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku u rrjeshtuan njëri pas tjetrit në radhë të parë për ta përdorur lavdinë e Bacës Adem për interesat e tyre pushtetore.

Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Bacë i dashur.

I privilegjove për të të nderuar kështu të ndarë nga jeta ata që këtë privilegj në asnjë mënyrë dhe me asgjë nuk e merituan!

Vepra jote mendore e morale, veprimtaria jote politike kombëtare, lavdia jote historike, burrëria jote, ecja jote gjithmonë e dinjitetshme do të edukojnë gjithmonë rininë tonë dhe do ta lëvizin përparueshëm historinë shqiptare.

Ti ishe më shumë se kryetar i Kosovës, ti ishe më shumë se kryetar i Parlamentit të Kosovës, ti ishe më shumë se kryeministër i Kosovës, ti ishe më shumë se ministër i Kosovës, ti ishe më shumë se deputet i Kosovës.

E si të mos ishe! Ti na dhurove si trashëgim mospajtimin me pushtimin, me çdo lloj pushtimi, me çdo lloj pushtimi e nënshtrimi në të cilin ishte dikur Kosova, por ti na dhurove si trashëgim edhe mospajtimin me të gjitha të këqijat që cenojnë interesat e përgjithshme shoqërore: mospajtimin me korrupsionin, mospajtimin me nepotizmin, mospajtimin me zhvatjen e pasurive të përbashkëta të Kosovës, mospajtimin me genjeshtrat, mashtrimet dhe arrivizmet që e kanë mbuluar sot Kosovën.

Ti ishe dhe mbetesh ndjenja, ndërgjegja dhe mendja historike në çastet më të vështira te popullit shqiptar.

Mandati yt është mandat i përjetshëm në historinë e gjithë popullit shqiptar”

Rexhep Qosja

E ardhmja e eksplorimit të hapësirës

astronaut49 vjet më parë, në muajin korrik astronautët amerikanë kryen ecjen e tyre të parë në Hënë. Gazetarja e Zërit të Amerikës Greta Van Susteren zhvilloi një diskutim në studio lidhur me eksplorimin e hapësirës dhe cila është perspektiva në këtë fushë, ndërsa propozimi i Presidentit Donald Trump për një forcë të re ushtarake të hapësirës, është ndeshur me pengesa në Kongres.

Ngjante si një sfidë e pamundur në ato vite, kur idenë e hodhi presidenti John F. Kennedy:

“Unë mendoj se vendi ynë duhet t’i përkushtohet një qëllimi, që para fundit të dekadës të çojmë njeriun e parë në Hënë, i cili të kthehet i sigurtë në Tokë”.

Tetë vjet më pas ndodhi hapi gjigant i njerëzimit.

“Pasi Presidenti Kennedy e filloi këtë sfidë, arritëm të përjetojmë për herë të parë hapësirën, për 15 minuta. Ishte e paimagjinueshme, por në fakt ne mundëm ta realizojmë dhe vitin e ardhshëm shënohet 50-vjetori I udhëtimit të parë të njeriut në Hënë.”- thotë Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeut të Hapësirës.

Valerie Neal, drejtoreshë e Muzeumit Kombëtar të Hapësirës, kujton emocionet dhe admirimin që përjetoi kur pa ecjes së parë në Hënë. Por tani, 5 dekada më pas, ajo shqetësohet për mundësinë që hapësira të përdoret si arenë luftrash:

“Çaktivizimi i satelitëve të komunimit, apo i sistemit të navigimit, do ta paralizonte jetën në Tokë. Nejemi të varur tek kjo teknologji. Jemi shumë vigjilentë që kjo të mos ndodhë, por mbetet një kërcënim i pranishëm,”-thotë ajo.

Presidenti Trump, në qershor, i dha urdhër Pentagonit të krijojë një “forcë të re ushtarake të hapësirës”:

“Kur është fjala për të mbrojtur Amerikën, nuk është e mjaftueshme të kemi praninë tonë në hapësirë, duam që Amerika të jetë dominuese në hapësirë”.

Kongresi, institucioni përgjegjës për krijimin e një dege të re të ushtrisë, nuk është ende i bindur për këtë ide të presidentit. Në fillim të javës, Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit nuk përfshinë fonde për një forcë të hapësirës në buxhetin e mbrojtes për vitin e ardhshëm, megjithë shtysën nga sektori privat për komercializimin e eksplorimit të hapësirës.

“Ne mendojmë se duhet ta shfrytëzojmë hapësirën për njerëzit.”- tha një përfaqësues biznesi.

Aktualisht gjashtë kompani private janë duke u përpjekur për zhvillimin e turizmit në hapësirë dhe ndoshta vetëm pak muaj na ndajnë nga dërgimi i qytetarëve të thjeshtë në orbitë.

“50 vitet e para udhëtimi në hapësirë lidhej me qeverinë, ishte i kushtueshëm dhe i rrezikshëm. Në 50 vitet e ardhshme ka për të qenë ndryshe.”- thotë Terry Virts, ish komandant i Stacionit të Hapësirës.

Virts mendon se e ardhmja e industrisë së hapësirës është në dorë të partneritetit publik me atë privat.

Por prirja mund të jetë drejt shtimit të investimeve për biznes, thotë Peter McGrath, i kompanisë “Boeing’.

“Unë do të thoja se zakonisht qeveria është e para dhe pastaj idenë e zhvillon më tej biznesi.”- thotë Peter McGrath, i kompanisë Boeing.

Me afrimin e 50-vjetorit të vizitës së parë në Hënë, fokusi kalon tani tek drejtimi që do të marrë shkenca e hapësirës në 50 vitet e ardhshme. (voa)

Në Mars zbulohet një liqen me ujë të kripur

liqeni ne marsShkencëtarët njoftojnë se kanë zbuluar në planetin Mars një liqen të madh me ujë të kripur nën shtresën e akullit në polin e jugut, një masë uji që ata thonë se mund të jetë një mjedis që favorizon jetën e mikrobeve.

Zbulimi u bë me anë të një radari në një sondë që ndodhet në orbitë rreth planetit.

Liqeni ka një diametër rreth 20 kilometra dhe ndodhet rreth 1,5 kilometra nën sipërfaqen e akullit. Kjo është e para masë e qendrueshme uji të lëngshëm që zbulohet ndonjëherë në planetin Mars.

Zbulimi i ri përbën një provë me rëndësi të madhe, sepse jeta në planete të tjera veç Tokës është një nga pyetjet që i ka intriguar së tepërmi shkencëtarët.

Uji konsiderohet si një përbërës themelor për jetën.

Studiuesit thanë se mund të duhen vite për të verifikuar nëse ka ose jo gjallesa në këtë masë uji, i cili i ngjan një liqeni nën-akullnajor të Tokës. Kjo, thanë shkencëtarët, mund të kërkojë shpimin e sipërfaqes së akullit për të marrë mostra nga uji i liqenit.

Studimi u drejtua nga Instituti Kombëtar i Astrofizikës në Itali dhe u publikua në revistën “Science”. (voa)

Pse nuk duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe të votojnë marreveshjen për emrin e IRJM

Më 17 shkurt 2018, ministrat e jashtëm të Greqisë dhe IRJM, në prani të dy kryeministrave, ndërmjetësuesit të OKB-së për çështjen e emrit, përfaqësuesve të BE dhe OKB, nënshkruan marreveshjen për ndryshimet lidhur me emrin e IRJM. Nëse IRJM do të arrijë që, pas ratifikimit në parlamanet, t’a kalojë këtë marrëveshje në referendumin e parashikuar dhe të përmbylli të gjitha procedurat e brendshme, marreveshja është parashikuar të ratifikohet edhe në parlamentin e Greqisë, përkundër pakënaqësive dhe kundërshtimeve të forta të shprehura nga opozitat e dy vendeve, por edhe përbrenda koalicionit qeveritar në Greqi. Pas kësaj, vendi do të quhej “Republika e Maqedonisë Veriore”, ose shkurt “Maqedonia Veriore”.
Marreveshja, dhe implementimi i suksesshëm i marrëveshjes për emrin nga sllavomaqedonasit konsiderohet si vendimtar për shpëtimin e identitetit maqedonas të përvetësuar, të kontestuar fuqimisht nga Greqia, si dhe për vetë shtetin e IRJM, që sipas atyre më të sinqertëve “varet në fije të perit”.
Po për shqiptarët, çfarë përfaqëson kjo marrëveshje? Çfarë përfitojnë shqiptarët nga kjo marrëveshje? Asgjë! Përkundrazi, në një moment vendimtar, kur preket kushtetuta e IRJM, dhe shqiptarët kanë rastin dhe të drejtën për të avancuar pozitën e tyre kushtetuese në atë shtetformuese, dhe të marrin pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon, nga shqiptarët, duke mos u dhënë asgjë në shkëmbim, kërkohet që të flijojnë vullnetarisht identitetin e tyre, duke u quajtur jo si shqiptarë por si “maqedonas, qytetarë rë Maqedonisë veriore”, duke hequr dorë nga kërkesa për statusin prej shtetformuesi dhe statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e gjitha kjo për të ruajtur identitetin “maqedonas” e bashkë me të dhe territoret dhe shtetin të përvetësuar nga bashkëqytetarët e tyre sllavë.
Kryeministri Zaev, me ndihmën e klasës politike shqiptare të shitur, arriti ta kalojë me lehtësi në parlament këtë marreveshje poshtëruese për shqiptarët. Por, i vetëdijshëm për besueshmërinë e ulët të kësaj klase politike të kriminalizuar, kërkon që këtë ta përforcojë dhe sigurojë me anë të një referendumi, në të cilin shqiptarët do të vulosnin vetë, me votën e tyre, fatin e prej qytetari pa identitet, atë të pakicës, mysafirit në shpi të vetë, dhe gjithë këtë ndërkombëtarisht të pranuar.
Ndaj, intelektualë dhe opinionistë matrapazë, bashkë me “ilinditasit” e BDI, të pabesët “as për iman e as për vatan” të Beses, PDSH-në publikisht besnike deri në vdekje ndaj UDB-ës, Aleancën për Shqiptarët të cilët edhe përshendesin marrëveshjen edhe jane kundër efekteve të saj, të gjithë me të vetmin preokupim – ruajtjen e identitetit “maqedonas” të padronëve të tyre, janë bërë bashkë, për të bindur shqiptarët që t’a votojnë marreveshjen. Janë plot “argumente” në detyrën e tyre per të mashtruar shqiptarët, duke i friksuar ata me parashikime të situatave me “pasoja apokaliptike” në rast të dështimit të referendumit dhe marreveshjes për emrin.
Synimi për të mashtruar dhe fyerja e shqiptarëve fillon që nga pyetja kurth e paralajmëruar nga kryeministi Zaev – “a jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke pranuar Marrëveshjen me Greqinë”, ku integrimi ne Nato dhe BE perdoret si karrotë për të joshur shqiptarët që trajtohen si infantilë për të votuar këtë marreveshje kryekëput në interes vetëm të grekëve dhe sllavomaqedonasve dhe në dëm të shqiptarëve.
Argumenti i cili konsiderohet më “bindësi” nga këta kuislingë, në fakt është synimi për frikësim të shqiptarëve nga një shpërbërje e IRJM si shtet, në rast të dështimit të marreveshjes për emrin me Greqinë! Por në fakt ç’do të thotë kjo për shqiptarët, të cilët kanë një shtet të tyre shqiptar, nga i cili i ndan një kufi artificial në territore me vazhdimësi të banuara me shqiptarë, dhe ku do takonin në rast të shpërbërjes së IRJM? Përgjigjen gjejeni vetë.
Argumenti tjetër, përndryshe i preferuar në fjalimet e kriminelve që pikërisht përfaqësojnë të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian, është ai i integrimit në NATO dhe BE, duke frikësuar shqitparët se me dështimin e marrëveshjes për emrin, dhe shpërbërjen e IRJM do të humbasin mundësinë për integrim në NATO dhe BE. Athua se shqiptarët nuk mund te integrohen ne NATO dhe BE përmes shtetit të tyre shqiptar, nga i cili i ndan pikërisht kufiri që bën shtet IRJM-në dhe shqiptarët pakicë dhe mysafirë në shpi të tyre.
Argument tjetër i përdorur që synon përsëri friksimin e shqiptarëve, përndryshe të njohur për orientimin e tyre properëndimor, dhe antirus, është rënia e IRJM nën ndikimin rus. Ndërkohë, politikat zyrtare, të këtij shteti, definimi i prioriteteve në politikën e jashtme, përcaktimi i partnerëve strategjikë, hapja ndaj njërit apo tjetrit ndikim, kurrë nuk janë varur nga faktori shqiptar. Këto kanë pësuar ndryshime vetem ne vartësi nga partia politike maqedonase në pushtet.
Prekja e detyruar e kushtetutës për shkak të ndryshimeve lidhur me emrin, është një moment shumë i favorshëm për shqiptarët për të ndryshuar regullimin shtetëror nga ai unitar në atë federativ ose më mire konfederativ, që do t’u jepte mundësinë e pazëvenësueshme për të qenë shtetformues dhe për të marrë pjesën e shtetit dhe pushtetit që u takon. Mundësi që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim. Por, kjo marrëveshje nuk e ofron këtë.
Përkundrazi, në këtë marrëveshje (neni 7, paragrafi 1 dhe 2), grekët janë kujdesur që t’u pamundësojnë sllavëve përvetësimin e identitetit të maqedonasve antik, por për aq sa të mos i preki ata, pra në rafshin ndërkombëtar. Njëkohësisht, duke lejuar mundësinë që këtë ta bëjnë brenda për brenda shtetit (neni 7, paragrafi 3 dhe 4), në marredhënie me shqiptarët, duke i dhënë shtetit vetëm attribute sllave dhe duke trajtuar shqiptarët si “hije” pa gjuhë, pa histori, pa kulturë, pa trashëgimi…
Duke mos votuar këtë marrëveshje, shqiptarët do t’u jepnin grushtin e forte njëherë e mirë përfaqësuesve të tyre politikë ilegjitimë, kuislingë të shitur, të mësuar që të japin blanko premtime padronëve në emër të shqiptarëve, duke i konsideruar të njëjtët si dele të bindura që mashtrohen kollaj. Duke mos votuar këtë marrëveshje, shqiptarët do te jepnin mesazhin e qartë politik si faktor të rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjes për këtë pjesë të rajonit, që nuk mund të arrihet me anashkalimin e tyre. Do të jepej mesazhi që shqiptarët do të votojnë vetem marreveshje të tilla ku atyre qartësisht, me ndryshime kushtetuese u jepet e drejta për pjesë të shtetit dhe pushtetit që u takon në bazë të argumenteve historike dhe politike.
Fakti që përfaqësuesit e inkriminuar dhe të koruptuar të shqiptarëve i dirigjon si kukulla teatri, nuk duhet të inkurajojë kryeministrin Zaev për t’u futur në aventura të rezikshme me palë të treta në dëm të shqiptarëve, siç është kjo marreveshje me Greqinë. Për këtë së paku do të duhet të kujtonte luftën 2001, pavarësiht që ka në xhep ca prej atyre që luftuan.

Dhe në fund, të mos harrojmë se shqiptarët në IRJM nuk janë katalonas në një Spanjë të madhe dhe të fuqishme. Por janë gati gjysma e popullsisë në një shtet që gati u shkërmoq në luftën e 2001!

Afrim Fanda

Maqedonia në NATO “për një vit e gjysmë”

James McKee dhe Stevo PendarovskiMaqedonia nisi të mërkurën formalisht bisedimet e anëtarësimit në NATO, pasi më 12 korrik mori ftesën.

Në Shkup arriti një delegacion i NATO-s, i udhëhequr nga drejtori për çështje evropiane dhe globale, James McKee, i cili me institucionet e Maqedonisë do të bisedojë për çështje politike, të sigurisë, të mbrojtjes dhe financiare, në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Në konferencën e përbashkët për media me koordinatorin kombëtar të Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, Stevo Pendarovski, McKee shfaqi shpresën se Maqedonia, përafërsisht për një vit e gjysmë, do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

“Marrë parasysh përvojat e mëparshme, i gjithë procesi duhet të zgjasë rreth 18 muaj”, tha McKee.

Dyert e Maqedonisë në NATO ia ka hapur arritja e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Megjithatë, anëtarësimi i Maqedonisë në këtë mekanizëm kushtëzohet me zbatimin e plotë të Marrëveshjes me Greqinë, me të cilën emri i saj ndryshon në Maqedonia e Veriut.

rel

Përdorimi i internetit nga agjentët rusë

rusetNë epokën para Internetit, spiunët përballeshin me më shumë sfida se tani në përpjekjet e tyre për të depërtuar në qarqet politike perëndimore, për të mbledhur informacione, për të identifikuar rekrutë potencialë, për të marrë ndihmën e simpatizantëve dhe për të ngritur operacione aktive, si ndërhyrja në zgjedhjet e një vendi të huaj.

Tani ata përfitojnë nga mediat sociale si Facebook dhe LinkedIn për të zgjeruar kontaktet e tyre, thonë ish-zyrtarët dhe zyrtarët e shërbimeve inteligjente amerikane dhe britanike.

Qeveritë perëndimore akuzojnë shërbimet e zbulimit rus për shfrytëzim të gjerë për qëllime propaganduese të platformave të mediave sociale, ku ata mund të përhapin “lajme të rreme”, acarojnë grindjet politike në shtetet kundërshtare dhe ndërmarrin fushata të ndikimit në përpjekje për të ndryshuar opinionin publik perëndimor. Por spiunët rusë, në krahasim me trollët (përdoruesit e internetit që bëjnë komente për të avancuar synimet e tyre), janë duke përdorur faqet e rrjeteve në mënyra shumë më të sofistikuara për të depërtuar në qarqet politike perëndimore.

Maria Butina, që dyshohet se është spiune ruse, të cilën prokurorët amerikanë besojnë se e kanë demaskuar, është një mësim se si mediat sociale mund të ndihmojnë operacionet e fshehta të ndikimit, jo vetëm në platforma propaganduese që synojnë të lëkundin ose të shtrembërojnë opinionin publik, tha një zyrtar amerikan i kundër-zbulimit i cili kërkoi që emri i tij të mos identifikohej në këtë artikull.

Në epokën para Internet-it, agjentët rusë kishin për objektiv organizatat dhe ambasadat të cilat organizonin konferenca, diskutime dhe prezantonin raporte dhe analiza mbi çështje të ndryshme politike, ekonomike etj. Por tani ata mund të kombinojnë praninë fizike me atë virtuale. “Butina po përdorte metodën e vjetër, duke u paraqitur në ngjarje politike, duke vendosur kontakte dhe pastaj duke u miqësuar me ta në Facebook ose LinkedIn dhe anasjelltas. Platformat e mediave sociale janë të dobishme në krijimin e rrjeteve të miqësisë,” shton ai.

Butina, 29 vjeç, u akuzua javën e kaluar se ka vepruar si agjente për Kremlinin në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë pohon se ajo ishte në kontakt të rregullt me shërbimet e inteligjencës ruse. Ajo është akuzuar për komplot për të vepruar në emër të qeverisë ruse dhe mos regjistrim si agjente e huaj. Ajo nuk është akuzuar zyrtarisht për spiunazh, pasi ka shumë të ngjarë që roli i saj nuk ishte vjedhja e sekreteve shtetërore dhe ushtarake, por krijimi i kontakteve në qarqet politike amerikane në mënyrë që ato t’i shërbenin qëllimeve të politikës së jashtme të Rusisë, duke përfshirë thellimin e ndarjeve partiake në vendet perëndimore dhe krijimin e rrugëve për ndikim.

Prokurorët federalë akuzojnë Butinën për komplot me dy shtetas amerikanë, me njërin prej të cilëve ajo ka bashkëjetuar, dhe një zyrtar të lartë rus për të ndikuar në politikën amerikane ndaj Rusisë duke infiltruar grupin që promovon të drejtën e armëmbajtjes, Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me ndikim në administratën e Presidentit Trump.

Prokurorët amerikanë pohojnë në një memorandum të dorëzuar në gjykatë në mbështetje të kërkesës për ta mbajtur në paraburgim Butinën, se aktivistja ruse për të drejtat e armëve “ka ruajtur informacionet e kontaktit të individëve të identifikuar si punonjës të FSB-së (shërbimit rus të zbulimit) ruse”. Përveç kësaj, prokurorët pretendojnë se FBI-ja kishte vëzhguar Butinën kur ajo ishte takuar për darkë private me një diplomat rus, të cilin qeveria amerikane e dëboi në mars të vitit 2018 për dyshimin se ishte oficer rus i kundërzbulimit.

Në dokumentet gjyqësore të dorëzuara nga prokurorët amerikanë javën e kaluar nuk është e qartë nëse operacioni i saj ishte nisur nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë, FSB-ja, apo nga miku i saj, Aleksandër Torshin, një bankier rus, si një mënyrë për të promovuar veten brenda administratës së Kremlinit, me një përfshirje të mëvonshme të FSB-së.

Një ish oficer britanik i kundërzbulimit thotë se ky është një dallim i pa rëndësishëm në administratën e Kremlinit të mbushur me të ashtuquajturit policë siloviki, oficerë të inteligjencës ruse, të cilët kanë lënë zyrtarisht agjencitë e sigurisë por që ende konsiderohen si të aktivizuar nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore. Shumë prej tyre mbajnë poste të larta në qeverinë e udhëheqësit rus Vladimir Putin, i cili vetë dikur ka qenë oficer i KGB-së.

Ndër teknikat më tradicionale që pohohet se Butina përdorte është edhe ofrimi i marrëdhënieve seksuale me politikanët dhe lobistët e Uashingtonit, në një rast, sipas prokurorëve amerikanë, në përpjekje për të siguruar një vend pune në një organizatë amerikane me interes të veçantë për të. Ajo jetoi dy herë me një operativ politik republikan të moshës së saj. Sipas mediave amerikane bëhet fjalë për lobistin Paul Erickson. Megjithatë, ajo hoqi dorë nga bashkëjetesa, dhe sipas prokurorëve ajo e trajtoi marrëdhënien “thjesht si një aspekt të domosdoshëm të aktiviteteve të saj”.

Butina nuk ka pranuar fajësinë. Avokati i saj, Robert Driscoll, thotë se ajo thjeshtë po përpiqej të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë së Vladimir Putinit. Dhe ai e mohon se ajo është spiune, duke i thënë kanalit televiziv CNN të premten se shumica e veprimeve të saj “është marrë tërësisht jashtë kontekstit”.

Butina, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara në 2014 me një vizë studentore, krijoi një grup për promovimin e armëmbajtjes në Rusi të quajtur “E drejta për armëmbajtje”. Sipas prokurorëve amerikanë, krijimi i këtij grupi ishte planifikuar me durim nga bankieri Torshin për të infiltruar Shoqatën Amerikane të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me synim përfundimtar depërtimin në qarqet politike amerikane.

Gazetari Michael Isikoff i agjencisë Yahoo News ka studiuar metodat e përdorura nga Butina. Ai së bashku me autorin David Corn kanë shkruar librin “Ruleta ruse: Lufta e Putinit në Amerikë dhe zgjedhja e Donald Trump-it” dhe ka ndjekur nga afër aktivitetet e Butinës.

Isikoff thotë se Butina dhe Torshini po bënin përpjekje për të ndikuar organizatat politike konservatore amerikane. Në një intervistë për radion publike amerikane, NPR ai tha: “Siç e kemi përmendur edhe në libër, një lobist republikan tregon se si iu afrua Butinës në një konferencë të grupit Konferenca e Veprimit Politik Konservator, CPAC, dhe ishte befasuar nga mënyra se si ajo ishte e kujdesshme, se si ajo donte të qëndronte në kontakt me të dhe donte të bëhej mike e tij në Facebook. Ky është një zotëri disi i moshuar, i pastër, nuk ishte mësuar me këtë vëmendje nga një grua e bukur ruse”.

Përdorimi i platformave të mediave sociale mund të shoqërohet me rreziqe. Nëse jeni shumë aktiv në Facebook, ju mund të rrisni mundësinë e tërheqjes së vëmendjes së agjentëve të kundërzbulimit dhe të gazetarëve. Në një shkëmbim elektronik me Zërin e Amerikës, Isikoff vuri në dukje se ai u bë mik i Butinës në Facebook në mënyrë që të mund ta kontaktonte atë për një intervistë.

Një zyrtar amerikan i kundërzbulimit thotë se Butina tërhoqi vëmendjen e të tjerëve si me praninë e saj në mediat sociale ashtu edhe me praninë e saj fizike. Ajo madje u thirr për të dëshmuar më parë këtë vit nga Komisioni Senatit për Inteligjencën, ku, sipas kanalit televiziv CNN, ajo zbuloi se aktivizmi i saj për armëmbajtjen kishte marrë fonde nga miliarderi rus Konstantin Nikolaev, një oligark tjetër i lidhur me Kremlinin.

Rasti i Butinës po hedh më shumë dritë mbi fushatën e sofistikuar dhe shkatërruese të ndikimit rus në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim, dhe se si Kremlini ka vënë në shënjestër të dyja anët e spektrit politik, thonë zyrtarët perëndimorë. Në kohët e Bashkimit Sovjetik, Moska përqëndrohej në partitë e ekstremit të majtë dhe në grupet e çarmatimit bërthamor, por siç theksohet në raportin e vitit 2014 të organizatës Political Capital me seli në Budapest, Kremlini në vitet e fundit është bërë më i sofistikuar, duke vënë në shënjestër si lëvizjet populiste të spektrit të djathtë ashtu edhe atij të majtë në vendet perëndimore.

Natyra politikisht dinake e fushatave të zbulimit dhe ndikimit rus u shfaq në mënyrë dramatike gjatë kremtimit të 10 vjetorit të transmetuesit RT (Russia Today ose Rusia Sot) të financuar nga Kremlini në dhjetor të vitit 2015. Në këtë aktivitet mori pjesë Jill Stein, kryetarja e Partisë së Gjelbër në Shtetet e Bashkuara. Në këtë ceremoni, në të njejtën tavolinë ku ishte ulur Presidenti rus Vladimir Putin, ishte ulur edhe gjenerali amerikan Mike Flynn, i cili shërbeu shkurtimisht si këshilltar i sigurisë kombëtare për Presidentin Donald Trump. Më vonë ndaj Gjeneralit Flynn u ngritën akuza se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet që kishte me zyrtarët rusë gjatë fazës së tranzicionit presidencial të zotit Trump. (voa)

Skëterrë flakësh në Athinë

flaket e zjarritGreqia në gjendje shoku pas zjarrjeve që shkaktuan mbi 70 të vdekur. Në rrjetet sociale shumë njerëz ofrojnë ndihmën e tyre.

Rafina në verilindje të Athinës u përfshi papritur nga zjarret. Ndërkohë zjarrfikësit ishin duke luftuar me zjarrin në Kineta në perëndim të Athinës, pra nuk mund të dërgonin të gjitha forcat në Rafinë.

Numri i viktimave ka arritur në 74, më tepër se 150 vetë janë plagosur apo kanë pësuar djegie të rënda. Numri i personave që konsiderohen të humbur është ende i paqartë. “150 inxhinierë nga ministritë përkatëse janë duke inspektuar shtëpitë e dëmtuara.

Në to ndoshta do të gjenden viktima të tjera, të moshuar që nuk kanë arritur të dalin prej shtëpive.” – tha Myron Tsakirakis. Po ashtu në rajon ka punëtorë krahu nga vendet aziatike që nuk janë të regjistruar. Gazeta “Ta Nea” kishte zgjedhur si titull fjalën “Kataklizmo”.

Tri ditë zije në Greqi

Kryeministri Aleksis Tsipras shpalli tri ditë zije në Greqi. Ai tha në TV se tani nuk është koha për grindje politike, por për mobilizimin e të gjitha forcave. Kjo do të thotë që për momentin askush nuk duhet të ankohet për gabime të autoriteteve apo persona të paaftë në poste shtetërore. Shumica e grekëve e respektojnë një gjë të tillë, sepse nuk i kanë ende të qarta përmasat e katastrofës si dhe për respekt ndaj viktimave. Madje edhe kreu i opozitës konservatore, Kyriakos Mitsotakis, që nuk lë rast pa kritikuar Tsiprasin, tha gjatë një vizite në Rafina se tani është momenti i solidaritetit dhe unitetit.

Në rrjetet sociale shumë njerëz ofrojnë ndihmën e tyre. Autoritetet lokale dhe OJQ bëjnë thirrje për donacione. Mjaft politikanë të huaj, ndër ta edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i telefonuan Tsiprasit dhe i ofruan ndihmë.

Kritika ndaj shoferëve të papërgjegjshëm

Por edhe dëgjen edhe zëra kritikë se mungojnë përgatitjet e duhura dhe një plan në raste katastrofash. Gjithësesi shumë grekë duhet ta shikojnë gabimin edhe tek vetja, sepse një numër personash që po largoheshin nga Kineta bllokuan korsinë e emergjencës dhe për këtë shkak makinat e zjarrfikëseve nuk arritën në kohë në vendin e zjarreve.

Sipas njoftimeve të mediave policisë iu desh mjaft herë që të mbante të lirë korsinë e rasteve të emergjencës të autostradës për Athinë. (dw)

Bllokada e opozitës së përçarë

parlamenti ksPartitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, në një varg seancash të kohëve të fundit, nuk kanë shënuar pjesëmarrjen për votimin e ligjeve të ndryshme nga legjislativi. Përfaqësuesit e partive opozitare, thonë se Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk ka pasur opozitë më të fuqishme sesa në legjislaturën e tanishme, në kuptimin e numrit të madh të votave që përfaqësojnë.

Driton Selmanaj, deputet i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e kësaj partie në disa seanca është qasje politike e koordinuar edhe me partinë tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

“Kohët e fundit, ne kemi një koordinim, sidomos me Lëvizjen Vetëvendosje, që ne mos të jemi garant i funksionimit të Kuvendit. Ne nuk kemi asnjë obligim, as kushtetues, që t’ia bëjmë shumicën pushtetit. Ato (partitë në pushtet) thirren në legjitimitetin e plotë që e kanë, kinse e kanë dhe ne ua kontestojmë atyre, sepse në fakt nuk e kanë legjitimitetin e plotë. Nuk e sjellin mocionin e votëbesimit, që i bie që Qeveria do të duhej ta sillte një mocion, për të dëshmuar që i ka numrat e mjaftueshëm për qeverisjen në vend. Ne kemi zgjedhur mënyrën tonë që ne të mos ua bëjmë kuorumin partive politike në pushtet. Ato të jenë aty dhe më pas, nëse ato janë në numër, atëherë ne do të vlerësojmë më pas se si do të votojmë apo jo”, theksoi Selmanaj.

Ai ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka koordinim me partinë tjetër opozitare, Partinë Socialdemokrate.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka qasjen e njëjtë. Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka shkruar në rrjetin social Facebook, se “ka kohë që opozita, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë duke u koordinuar për mosvotim të projektligjeve”. Kjo për arsyen, siç ka thënë ajo, “për të dëshmuar se Qeveria aktuale, është Qeveri e pakicës dhe s’ka legjitimitet të vijojë më tej”.

Deputetja Haxhiu, ka akuzuar Partinë Socialdemokrate se ka marrë anën e Qeverisë dhe se deputetëve të saj , siç ka thënë ajo, “u ka humbur rruga në oborr”.

Por, Shqipe Pantina, deputete opozitare e Kuvendit të Kosovës nga Partia Socialdemokrate, ka thënë se mospjesëmarrja në disa seanca të Kuvendit të Kosovës të deputetëve të kësaj partie, është bërë me qëllim të bllokimit të punës së Qeverisë.

“Mirëpo, ne mendojmë se kjo nuk është forma e duhur, sepse me këtë rast vetëm është pamundësuar miratimi i disa ligjeve, por kjo nuk e ka penguar Qeverinë, që ajo të vazhdojë me projektet, disa prej të cilave mund të jenë edhe në dëm të interesit të qytetarëve”, theksoi Pantina.

Deputetja Pantina ka shtuar se mënyra aktuale e punës së Kuvendit, nuk mund të vazhdojë edhe më tej. Sipas saj, në rast se dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e kanë seriozisht rrëzimin e Qeverisë aktuale, atëherë ato duhet të bëjnë hapa konkret.

“Dje ju kemi bërë edhe thirrje publike atyre, që e kanë përkrahjen tonë. Do t’i kenë 12 votat tona në rast se ndërmarrin mocion për rrëzimin e Qeverisë. Nëse kjo nuk është e mundur, nëse ne nuk mund t’i sigurojmë, si opozitë, 61 vota, atëherë, besoj që ne duhet ta funksionalizojmë Kuvendin dhe përmes Kuvendit të mbikëqyrim Qeverinë dhe t’i parandalojmë projektet, të cilat nuk janë në interes të vendit dhe natyrisht, t’i shtyjmë përpara politikat, gjegjësisht projektligjet, të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve”, u shpreh Pantina.

Por, deputeti Selmanaj, thotë se deklaratat nga Partia Socialdemokrate më tepër janë për konsum të brendshëm. Megjithatë, sipas tij, edhe në rast se bllokut opozitar do t’i ofroheshin votat e Partisë Socialdemokrate, përsëri ato do të ishin të pamjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne nuk i kemi (votat e mjaftueshme) aktualisht. Si opozitë nuk i kemi, kjo dihet. Ne mund t’i kemi, bashkë me Partinë Socialdemokrate diku 59 (vota). Nuk i kemi edhe dy. Por, Qeveria duhet të na e dëshmojë se ka shumicën për Qeveri. Nuk mjafton ajo që a jemi ne të gatshëm dhe a kemi numra ta rrëzojmë. Ideja është që ai që qeverisë a ka legjitimitet apo jo. Përpjekja më e madhe ose shqetësimi më i madh duhet të jetë për ta se a kanë legjitimitet që të qeverisin apo jo dhe jo për ne se si ta rrëzojmë atë”, tha Selmanaj.

Sidoqoftë, Selmanaj ka theksuar se partitë opozitare, synojnë që të marrin pëlqimin e të paktën njërës prej partive të cilat janë në pushtet, në mënyrë që të sigurojnë votat emjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë aktuale dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. (rel)

Maqedoni: Çështja e referendumit mollë sherri

Parlamenti rmMinistri i shtetit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, gjatë vizitës në Shkup deklaroi, se do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian do të pengohej.

Liderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni pas takimeve maratonë kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e KSHZ-së, për Ligjin për financim të partive politike dhe për qeverinë teknike sipas Modelit të Përzhinës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por nuk është arritur marrëveshje për referendumin. Kryeministri dhe lider i LSDM-së Zoran Zaev thotë, se nuk është arritur marrëveshje për referendum për emrin me kryetarin e VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickovski. Edhe pas lëshimeve dhe plotësimit të tri kërkesave të opozitës, Mickovski është përpjekur të shmanget nga referendumi. Ai nuk dëshiron që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s, vëren kreu i LSDM-së Zoran Zaev.

“Mickoski thotë, se dëshiron në BE dhe në NATO, ndërsa nuk dëshiron të mbështesë asnjë hap drejt atij qëllimi. Mickoski nuk e di çfarë dëshiron. E shfrytëzoj rastin t’i drejtohem të gjithë anëtarëve të ndershëm të VMRO-DPMNE-së, për ju dera është e hapur njësoj siç është e hapur dera për suksesin e tërë Maqedonisë dhe për suksesin e të gjithë qytetarëve. Bëjeni përzgjedhjen e duhur. Maqedonia do të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s, ndërsa populli i Maqedonisë përjetësisht do të jetë popull i Maqedonisë dhe përjetësisht do të flasë gjuhën maqedonase”, dekalroi kryeministri Zaev.

Pyetja e referendumit e diskutueshme

Partitë bazuar, sikurse theksuan pas takimit, kanë qëndrime të kundërta lidhur me pyetjen e referendumit, por edhe karakterin e tij se a duhet të jetë i detyrueshëm apo konsultativ. Qeveria që drejtohet nga Zaev, insiston që pyetja kryesore e referendumit të jenë e lidhur me procesin e integrimit euroatlantik të vendit, apo të jetë në formën se “a jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë”.

“Opinioni duhet ta dijë se Mickovski mori atë që deshi për KSHZ-në, sipas kushteve që kërkonte VMRO-DPMNE-ja. Fitoi qeverinë teknike, mori ligjin për financimin e partive politike. Kushti i vetëm për të ishte që të ftojë votuesit dhe ithtarët e VMRO-DPMNE-së që të votojnë në referendum. Ai zgjodhi bojkotin dhe t’i shuajë shpresat për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Qëllimi i tij është që referendumi të mos ketë sukses”, vlerëson  Zaev.

Leri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski thotë, se qytetarët në referendum duhet të deklarohen vetëm për një çështje edhe atë përmes pyetjes së përcaktuar qartë dhe të kuptueshme. Opozita është për integrimin euroatlantik të vendit, por jo me manipulime, thotë Mickoski. “Ne nuk heqin dorë nga normat kushtetuese, shumica parlamentare është ajo që e shpall referendumin dhe e përcakton pyetjen. Pozicioni ynë është i qartë, pyetja e referendumit duhet të jetë për një çështje dhe jo e lidhur me aspekte të tjera. Këtu është dallimi”, deklaron Mickovski.

Partitë shqiptare pro referendumit

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti u bëri thirrje partive që interesat shtetërore t’i vendosin mbi ato partiake. “Dallimet janë në pyetjen që duhet të vihet në referendum. Natyrisht, rrjedha normale e referendumit varet nga pyetja që do të bëni. Në këtë rast, dua të theksoj se ne të gjithë duhet të vendosim interesat e shtetit përpara interesave të partisë. Dhe mendoj se në këtë situatë, opozita duhet të vendosë para së gjithash interesat shtetërore”, deklaroi Ahmeti.

Bilall Kasami lider i krahut të BESË-s opozitare shprehu bindjen, se partitë politike duhet të punojnë që referendumi të jetë i suksesshëm, ndërsa qytetarët të kenë mundësi ta shprehin vullnetin e tyre në raport me Marrëveshjen e Prespës.

Kuvendi do të duhet të zbatojë marrëveshjet e dakorduara në takimin e liderëve për ligjin për financimin e partive politike, për Ligjin për Qeverinë dhe për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së. Deri në mesnatë edhe pse paralajmëruan, VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk ka dorëzuar formalisht listë me kandidatët të saj në kuvend, gjë që pengon vazhdimin e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së. E pikërisht është KSHZ duhet ta zbatojë referendumin për Marrëveshjen me Greqinë. E paqartë është nëse lidërët do të organizojnë takim të ri për të arritur marrëveshje për referendumin.

Michael Roth në Shkup

Ministri shtetëror përgjegjës për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë Michael Roth, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni, ka deklaruar se Maqedonia ka bërë një arritje historike dhe do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian do të pengohej. “Pa zgjidhjen e çështjes së emrit nuk ka perspektivë konkrete për në BE dhe NATO. Tani është bërë një hap në atë drejtim. Ky është një sukses i madh, arritje historike dhe do të ishte tragjike nëse rruga e mëtejshme drejt BE-së do të pengohej, nëse nuk ekziston gatishmëri nga ky vend në lidhje me çështjen e BE-së, Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor. Duhet të ketë bashkëpunim konstuktiv. Qeveria mban përgjegjësi të veçantë për të gjithë këtë, por edhe opozita mban përgjegjësi”, ka thënë Roth. (dw)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"